lördag 29 juni 2013

FUNDI I NJË PUNE FILLIM I NJË PUNE TË RE!

Po bëhen 2o vite në Radio Suedia dhe tash kur vendi im i punës po mbyllet në mendje më sillet vërdallë muaji korrik: korriku i vitit 1990 kur policia serbe, mua dhe gjithë shqiptarët e tjerë, me dhunë na nxori jasht pune duke mbyllur programet shqip te Radiotelevizionit të Prishtinës… Dhe tani korriku i vitit 2013, për mungesë pune, nënshkruaj kërkesën për largim nga puna! …Para tri vitesh te Radio Suedia u mbyll  programi shqip ” Ditari” ( që më vonë mori emrin “Jehona” ) dhe këto tre vitet e fundit mora pjesë në jetësimin e një projektI të madh – digjitalizimi i arkivit të radios. 

BBC e kishte nisur para nesh një projekt të këtillë por për shkaqe vështirësie e kishte pezulluar projektin.

Ne nuk u dorëzuam: për tri vite bëmë një punë kolosale: afër gjysmë milioni shirita, kaseta, CD, etj i nxorëm nga kartonat dhe digjitalizuam qindra mijëra orë program të tranmsetuar në Radio Suedia nga viti 1931.

Qëllimi i çdo projekti sigurisht është lënja e gjurmëve me kujtime të mira për pasardhësit. Kujtoj se e kemi arritë këtë qëllim.

Fundi i një pune sigurisht se është fillim i një pune të re. Në rastin tim cila do të jetë ajo?

Të shohim!

onsdag 5 juni 2013

"Meçkat" e imamit!

Nuk ishte hera e parë që çështja e fesë aktualizohet e problematizohet në Kosovë. Kësaj radhe ishin disa deputete të Kuvendit të Kosovës që reaguan kundër një imami nga Prizreni. Reagimi ishte pasojë e ligjëratës së imamit në Prizren ku ai ka mbajtur "moral" për xhematin e tij.

Secili njeri që ka dy pare mend do të shqetësohet nga urrejtja që shfaq ky lloj imami ndaj vajzave e grave shqiptare, një pjesë prej të cilave i quan lavire, "meçka", etj. Qëndrimet e fesë islame dihet që janë kontradiktore sa i përketë barazisë ndërmjet femrave e meshkujve, dhe kjo gjë nuk më befason, por mënyra dhe zjarri i urrejtjes që ky lloj imami provon ta kultivojë tek të rinjët është tmerrues dhe i huaj tërsisht.

Se po  ndodhë diçka irituese me myslimanët në Kosovë e kam ndjerë tash disa vite. Bile droj se do të jetë tragjike për shqiptarët nëse nuk vetëdijësohen për rreziqet që mund të shpërthejnë nga zhvillimet e një rryme të re fetare e panjohur sa duhet në këto anë.

E pranoj që nuk jam njohës i religjionit, por dizajni krejtësisht i ri në dukje dhe shprehje, i një fryme të panjohur për mua, më bën të dyshoj se këtu i vie era naftë! Dikush po investon shumë po çështja është kush janë investuesit?  

tisdag 4 juni 2013

SHTATË KILOMETRA MË!

Ku i ka gurët kufiri i Kosovës?
Nëpërmjet kryeministrit të saj Kosova falënderon Malin e Zi dhe popullin e saj për përkrahjen që ku vend fqinjë i jep Kosovës dhe pavarësisë së saj! Kështu informon sot media shqiptare e Kosovës. Kryeministri i Kosovës poashtu ka pritur ngrohtësisht ministrin e kulturës nga Mali i Zi dhe delegacionin e këtij vendi që sot ka qëndruar në Prishtinë me rastin e promovimit të Forumit të miqësisë Kosovë- Mali i Zi " Radovan Zogoviç".

Ndërsa nga komuna e Burimit dhe Pejës bëhet me dije se banorët e këtyre dy komunave vazhdojnë të përballen me shqetësime serioze për shkak se pak nga pak po humbin tokat e tyre që po ua grabit shteti i Malit të Zi.

Mali i Zi merr toka shqiptare përgjatë kufirit, i luan hunjët e gardhit e kryeministri i Kosovës ia shtron kulaqin, bukë e kripë e zemër dhe e lavdëron mysafirin e vendit fqinj se na kanë njohur pavarësinë!

Edhe inegritetin territorial?

Po, po edhe integritetin territorial; marrin ndoj parcelë po s´ka gajle. Kosova ka boll, bile si tepër, prandaj pse mos ti nderojmë mysafirët, sidomos këta që i kemi fqinjë!

Mandej s´ka kuptim ti çojmë hundët për 7 kilometra, pak më pak ose pak më shumë!/shs/.

lördag 2 februari 2013

SUEDIA DO TË PRANOJË MË PAK REFUGJATË?



Sipas planeve që ka partia në pushtet, Suedia do të pranojë më pak refugjatë në krahasim me vitet e kaluara. Ministri për çështje të migrimit Tobias Billström konsideron që duhet ulë volumi si për azilkërkues ashtu edhe për migrimin e të afërmve.

Zyrtarët nga partia në pushtet Moderatët theksojnë që Suedia  do të vazhdojë të jetë vend i hapur dhe do tu jap njerëzve mundësi për të ardhë këtu por do të pranojë numër të refugjatëve për aq sa mund ti përballojë.

Planet e këtilla kanë hasur në reagime të aleancës qeveritare si dhe nga organizata rinore e Moderatëve.

Ministri për migrim Tobia Billström ka thënë se Suedia ka pranuar më së shumti refugjatë nga vendet e UE. Por një politikë e këtillë është e paqëndrueshme sipas tij./shs/.

fredag 1 februari 2013

GJUHA MEDIATIKE


Në disa media perëndimore testohen ide e mendime për ta ndryshuar veprimtarinë informuese përmes lajmeve. Në këtë drejtim rrotullohen shumë gur, shumë tradita vihen në pikëpyetje. Njohësit gjuhësor afrojnë fjalë dhe shprehje alternative.
Do të provohen forma të reja në përpunimin e lajmeve dhe në prezentimin e programeve. Një pjesë e kësaj pune ka të bëjë me gjuhën dhe në këtë fushë fokusimi është më i madh në mënyrë që lajmet të kuptohen më mirë dhe të përjetohen më këndshëm.

Propozime:

1. Përdorni fjalë të përditshmërisë dhe shprehje të thjeshta. Si psh. "vendosi" e jo mori vendim.

2. Konsultoni fjalorin e sinonimeve për të gjetur fjalë të nyansuara dhe më ekzakte. Personi që intervistohet s´duhet gjithëmonë të "thot" diçka, nganjëherë duhet të tregojë, të përmend, të pohojë, të sqarojë e të ngjashme.

3. Termat special duhet ti sqaroni ashtu si dhe shprehjet e vështira. Po ashtu shkurtesat duhet të thuhen në tërsi. Shmangëju shprehjeve difuze si psh "bashkësia ndërkombëtare"

4. Lirohuni nga shprehjet që jep burimi yt

5. Përgjithësisht përdorni figuracione dhe metafora të qarta.

6. Tekstin shkruaje qartë dhe me logjikë. Krijo një fije të kuqe dhe ndiqe fijen.

7. Lidhe tekstin me fjalë lidhëse që të ndihmojnë në sqarimin e rrethanave përshkruese: sepse, meqenëse, megjithëse, në saje të etj.

8. Përdor urëza të thjeshta që ta ndihmosh dëgjuesin për të kaluar në temën e re: dhe tani kalojmë në Pejë….Ose: gjithashtu do bëjmë fjalë për çmimet e ushqimit…Ose: Ju kujtohet maceja që mashtroi zjarrfikësit javën e kaluar - tash….

9. Së fundi dhe hiç më pak e rëndësishme - provoni tekstin e shkruar dhe formulimet e bëra me dikënd që ju dëgjon. Diskutoni çështjet gjuhësore në redaksi. Keni guxim për kreativitet. Do të mjaftonte që vetëm mes një formulimi ta tërhiqni interesimin dhe vëmendjen e dëgjuesit, lexuesit.

KONSUMONI SA MË PAK KRIPË

Pesë gr në ditë përshkruhet kufiri standard i konsumimit të kripës nga personat e rritur kurse fëmijët e moshave 2 deri në 15 vjeç edhe më pak se të rriturit.

Përdorimi i lartë i natriumit mund të jetë pasojë e sëmundjeve të ndryshme që lidhen me tensionin e lartë të gjakut dhe sulmet në tru e zemër. Ulja e sasisë së kripës në ushqime ulë edhe rreziqet për tu goditur nga sëmundjet e tilla. Së paku kështu thonë burimet nga Organizata Botërore për Shëndetin (WHO).

Një pjesë e madhe e shqiptarve rëndom përdorin ushqime të stërngarkuara me kripë. Ndaj shpesh më ka rënë të dëgjoj njerëzit tanë të ankohen nga tensioni i lartë i gjakut.

Kur ua tërhe vrejtjen që të mos i hedhin shumë kripë ndonjë ushqimi ata të thonë
- S´kam ça bëj se nuk më hahet! .../shs/

måndag 26 november 2012


Në Stockholm të Suedisë u shënua 100 vjetori i Pavarësisë

PËRVJETOR I SHPRESAVE TË BASHKIMIT KOMBËTAR

Kështu tha gazetari, publicisti dhe nënkryetari i shoqatës UNIKOMB-i, Shuquri Sejdijaj

Pjesëmarrësit i përshëndetën edhe ambasadorët e Shqipërisë dhe Kosovës, Ruhi Hado e Lulzim Peci.
Stockholm,23 nëntor 2012
Nga Muhamed Krasniqi
Në Stockholm të Suedisë u shënua 100 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë. Në programin festiv të organizuar nga shoqata UNIKOMB-i me moton Duam më shumë Shqipëri, u demonstrua një frymë, një çasje dhe një bukuri festive që e bënë më madhështore fëmijët me programin e tyre  si dhe bashkëkombasit e tubuar e nën stolinë anekënd sallës me flamuj kombëtar.

Në mesin e qindëra bashkëkombasve qëndruan dhe përshëndetën edhe stafi i ambasadave të Shqipërisëe të Kosovës në krye me ambasadorët Ruhi Hado e Lulzim Peci.

Nënkryetari i shoqatës Unikomb-i, Shuquri Sejdijaj, duke hapur këtë manifestim dhe duke përshëndetur të pranishmit, në fjalën e tij tha se rruga e pavarësisë sonë kombëtare është shumë e gjatë. Nëpër shekuj kemi zhvilluar shumë kryengritje e lëvizje të cilat ka ndopdhur të shuhen por asnjëherë nuk u shuan dëshirat dhe shpresat e shqiptarëve për pavarësi.
Shqiptarët sot jane në pritje të Nëntorit të tretë, me shpresën se do të ribashkojmë të gjitha trojet etnike, tha Shuquri Sejdijaj.
Vallja e pavarësisë: Rina, Jona, Leonora, Liridona, Gentiana dhe Dina
 
Ky përvjetor, tha ai në vazhdim të fjalës së tij,  përvjetor i 100-ti me radhë,  mbledh sot  kudo që janë shqiptarët në këtë festë madhe  e me shpresën e bashkimit kombëtar. Kjo datë e shënuar në historinë tonë sjell gëzim të madh edhe për fëmijët tanë.
Tek sheh këta fëmijë që në këtë ditë dhe për këtë ditë ti këndojnë flamurit, atdheut, lirisë, bashkimit kombëtar e të hedhin vallen e shqipeve nuk mund të mos shkojë mendja e të pyesësh veten: sa po bëjmë për ta? Sigurisht që pajtoheni të gjithë, pak po bëjmë; ne po bëjmë pak e këta fëmijë duan dhe meritojnë më shumë.
Uroj që shoqata jonë UNIKOMB-i do të plotësoi sado pak dëshirat e kësaj gjenerate  që po rritet në mërgim.
Përshëndeti edhe kryetari i shoqatës  UNIKOMB-i,  Blenard Saraçi.
Ambasadori i Shqipërisë, Ruhi Hado, pasi uroi 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë tha se pavarësia është ngjarja më e madhe në historinë e një kombi.  Pamvarësia ndodhi vetëm për gjysmën e një kombi por kjo do të ishte e madhe për të gjithe sepse që atëherë  të gjithë shqiptarët hodhën spirancën e shpresave të tyre për pamvarësi siç ishte Pavarësia e Kosovës. Ai foli për periudhat e ndryshme nëpër të cilat kaloi shteti shqiptar.
Ndërkaq ambasadori i Republikës së Kosovës Lulzim Peci, duke u uruar të pranishmëve festën  e 100 vjedtorit të Pavarësisë së Shqipërisë, të arriturat e sotme të kombit tonë i  cilësoi si një sukses të jashtëzakonshëm sepse historia jonë kaloi nëpër sfida të ndryshme.
Ai foli edhe për rethanat gjeopolitike në fund te shekullit XX dhe tha se tani në fillim shekullin XXI po festojmë 100 vjetorin e pavarësisë, vitin tjetër do të festojmë edhe 5 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës dhe se së shpejti Kosova do të jetë në Bashkimin Europian dhe në Nato. Ti bëjmë dy shtete të forta me standarde evropiane, tha Lulzim Peci midis tjerash.
Pastaj defiluan  me valle e këngë fëmijët si dhe me recitalin “ Edhe unë e dua Shqipërinë” të përgatitur nga Shuquri Sejdijaj dhe Shani Hoti. Fëmijët ishin të mrekullueshëm me paraqitjen e tyre duke fituar duartrokitje të shumta, për vallen e luajtur dhe recitimet e sjellura me atë rast nga Liridona Hoti, Rina Sejdijaj, Gentiana Gorçi, Leonora Selimi dhe dy motrat Bjondina e Lirjona Hoti të prira nga Lule Kryeziu. Duartroktije frenetike fituan edhe recitatorët e vegjël, Dijon Hoti, Dardan Hoxha, Yllka Maksuti, Ida Elezaj, Doresa Hoxha dhe Orienta Kadriu. Ndërkaq Leona Gjoshi e posaçërisht Grentina Krasniqi ngjalli atmosferë gufuese tek pjesëmarrësit.
Pas pjesës  zyrtare, deri në orët e vona të natës, të pranishmit i argëtoi Viola Syla Rexhaj.
Bashkëatdhetarët e pritën me kënaqësi edhe paraqitjen e dy bukurosheve nga Miss world Sweden. Doruntina Hoxha informoi për projektin e saj te grumbullimit të mjeteteve për spitalin e fëmijëve në Prishtinë. Gjatë programit bashkatdhetarët tuabuan një shumë të konsiderueshme mjetesh finansiare si kontribut ndihmës për spitalin e fëmijëve në Prishtinë.
Stockholmi, po jeton këto ditë në shenjë festive...