fredag 26 mars 2021

 40 VITE NGA PRANVERA E LAVDISHME E VITIT 1981.

Shkruan: Zymer KUQAJ,Suedi

Zymer Kuqaj
Nuk kishin kaluar as 13 vite të plota nga demonstratat e fundit në Kosovë, ato të vitit 1968. Kosova 13 vite më vonë prap po ziente, prap po shkrepte e merrte flakë për të drejtat dhe liritë e mohuara. Kosova nuk kërkonte as më shumë dhe as më pak së sa kombet tjera në Jugosllavinë e atëhershme, vetëm të jetë e barabartë më kombet tjera.

Të njihej e drejta si komb shqiptar ashtu siç edhe në të vërtetë ishte dhe rrjedhimisht edhe e drejta për të qenë e barabartë më njësitë tjera federale. E drejta për të qenë e barabartë më njësitë tjera federale kishte emrin, Republikë.

Çka kishte ndodhur në Kosovë pas demonstratave të vitit 1968 deri në vitin 1981?


Shikuar realisht kishte një përparim ekonomik, kulturor dhe politik në këto mesvite. Dy janë kryesore.

Një, themelimi i  Universitetit të Prishtinës më 1970.

Dy, Kushtetuta e vitit 1974 që e bënte Kosovën pjesë të njësisë federale të Jugosllavisë por jo të barabartë më njësitë tjera federale (republikat). Kosova kishte të drejtë të këtë përfaqësuesin e vet në Kryesinë e Jugosllavisë por  kishte më pak deputet në të dy dhomat e parlamentit të federatës jugosllave. Kosova në të njejtën kohë ishte edhe nën ombrellën e republikës së Serbisë dhe kishte delegat në parlamentin e saj që përfaqësonin Kosovën.

Kombi i 3-të më numër të popullsisë në Jugosllavi, pas serbëve dhe kroatëve quhej padrejtësisht kombësi. Kombësit nuk mund të ishin të barabartë më kombe.

Kjo ishte Kosova e para 11 marsit të vitit 1981.

Çka i parapriu kësaj ngjarje kur në gjithë bllokun socialist të lindjes ishte heshtje varri? Kush ishin studentët organizator dhe ku e merrnin guximin për të prishur imazhin e një shteti "model" për vendet e bllokut socialist?

Do më falni nëse shkrimi im do të jetë pak subjektiv. Unë nuk jam studiues, po përjetues i këtyre ngjarjeve.

Unë do të mundohem të ndriçojë, zbardhi arsyet kryesore që rezultuan në shpërthimin e demostratave të vitit 1981.

Faktet e mija janë pikëpamjet dhe përjetimet e mija si student nga viti i parë i studimeve (1977/78) deri në vitin e katërt fakultetit juridik në Prishtinë. Vit ky kur ndodhi pranvera e lavdishme e vitit 1981.

Në këto katër vite kishte ndodhur një zgjim i madh kombëtar e kjo në mënyrë të veçantë vërehej tek rinia studentore. Kur them tek rinia studentore mendoj të rinia shqiptare në gjithë hapësirën e ish Jugosllavisë që studionin në Prishtinë.

Po cilat ishin ngjarjet që ndikuan të studentët në rritjen apo zgjimin e vetëdijes kombëtare?

Ishin një seri ngjarjesh që kanë ndikuar drejtëpërdrejtë tek rinia studentore dhe si të tilla edhe revoltën e studentëve. Këto janë:

- Festimi i 100 vjetorit të Lidhjes shqiptare të Prizrenit, posaçërisht kërkesa kryesore e këtij kuvendi: për mosndarjen e territoreve shqiptare,

- shkëmbimi kulturor më Republikën e Shqipërisë,

- literatura e botuar në Kosovë që i kishte shpëtuar cenzurës politike.

- Literatura e ndaluar që vinte nga Shqipëria zyrtare në rrugë të ndryshme.

- Ndikim të madh kishin edhe levizjet ilegale të kohës që në përgjithësi kishin orientim të majtë dhe të vijës së pushtetit aktual në Shqipëri.

Shkaqet e drejtëpërdrejta që ndikuan në shpërthimin e  demonstratave të pranverës së vitit 1981 dhe veçanërisht të datës së fillimit të 11 marsit ishin kushtet e vështira ekonomike të rinisë studentore.

Universiteti i Prishtinës shënonte rritje për çdo vit akademik dhe bashkë më të edhe numri i studentëve rritej. Këtë rritje të numrit të studentëve nuk e përcillte edhe infrastruktura në akomodimin dhe shërbimet tjera përcjellëse karshi studentëve.

Do të jenë këto kushte të këqija dhe posaçërisht radhët e gjata të pritjes për ushqim në menzën e studentëve që do të nxiste një protestë në menzën e studentëve më 11 mars të vitit 1981.

Në mbrëmjen e 10 marsit vie tek unë shoku im Januz Januzaj, shok i gjimnazit dhe i 4-tër viteve në fakultetin juridik në Prishtinë. Ai më njofton së bashkë më shokët e dhomës, Ramadan Gashin (atëherë Dobra), Kadri Kryeziun dhe Bedri Deliun kishin vendos të organizojnë një lloj proteste në Menzën e studentëve më datën 11 mars në mbrëmje. Januzi kërkojë ndihmën time që të përhap sa më shumë që ishte e mundur të studentët tjër këtë njoftim dhe njëkohësisht të jem i kujdesshëm të kontaktoj vetëm më student që kisha besim.

Januzi, Kadriu, Ramadani dhe Bedriu ishin shokët e mi më të afërt gjatë kohës së studimeve. Isha mysafir i shpeshtë në dhomën e tyre. Është interesant së ata për katër vite të studimeve ishin shokë dhome apo cimera siç i thonim atëherë. Të gjithë ndanim të njëjtat pikëpamje politike, normalisht më nynca individuale që kishim. Kryesore kishim të njëjtat ideale kombëtare. Në bazë të kësaj, nuk kishte temë që nuk e diskutonim hapur dhe pa dyshimin më të vogël për njëri tjetrin.

Ajo çka nuk më tregoj Januzi ishte së iniciativën për protestë nuk e kishin marrë vetëm këta të katërt por edhe dy të tjerë, Gani Koci dhe Murat Musliu. Edhe vet tubimi nuk ishte mbajt në dhomën e tyre (312) por në dhomën e dy të fundit që ishte dhoma fqinje numër 310 konvikti numër 3. Bile në atë dhomë kishte qëlluar të jetë edhe nipi i Muratit Selim Geci.  Për këtë fakt jam njoftuar jo më parë së në fund tëvitevetë80-ta. Ka qënë një kohë që nuk duhej të tregoje krejt çka dije dhe njëkohësisht nuk ishte mirë edhe për veten tënde të dije më shumë së sa nevojitej.

Më Ganiun dhe Muratin nuk kam pas rast të shoqërohem, për këtë arsye kam një kujtim të zbehtë për ta. Muratin e mbaj mend më shumë nga data 26 mars që kontrollonte hyrje daljet në konvikti numër tre. Më siguri e kishte detyrë nga grupi organizator i demonstratës së 26 marsit.

Në mbrëmjen e 11 marsit në ora 19.00 ashtu siç ishim marrë vesh jemi takuar në platon e menzës së studentëve. Së pari e takova shokun tim Milazim Zeqiraj që kishte ardhur më Eminen, vajzënqësi e dashuronte. Milazimi ishte i njoftuar nga unë dhe nga Januzi.

Ishte zgjedh kjo kohë pasi në këtë kohë shumica e studentëve darkonin dhe në këtë kohë krijoheshin radhët e gjata në pritje të ushqimit. Qëllimi ishte të shfrytëzohej kjo tollovi më radhë të gjata dhe pakënaqësia e studentëve më këtë pritje ti bashkoheshin protestës së planifikuar.

Për habinë tonë në menzë nuk kishte fare rend. Ishin lëshuar të katër vijat ku merrej ushqimi dhe më sa vërehej personeli i menzës ishin shumë të organizuar në atë mënyrë që të mos të krijoheshin radhë në pritje, çka nuk ishte e zakonshme ditëve tjera.

Dyshimet tona së informata për protestë ka shkuar në vesh të shërbimit të sigurimit ose së paku të Qendrës së studentëve filluan të sillet në mëndjet tona. Pas disa hamendjeve kemi hy në menzë dhe kemi tentue ti bindim studentët që pritnin në radhë që të refuzojnë marrjen e ushqimit. Disa student nuk kanë përfill fjalët tona. Disa kanë filluar më pyetje përse të refuzojmë duke hapur debat e ndërkohë rendi fillon të rritët. Edhe personeli I menzës më kureshtje filloj të shikoj tollovinë që ishte krijuar duke lënë anash obligimin në azhuritetin e tyre në punë. Pas një kohe të shkurtër ishte krijuar tollovi e madhe nga studentët që vinin e që rrallë kush nga ta hynte në radhë për të marrë ushqim. Shumica ishin kureshtarë të dinin së çka po ndodh.

Personeli përgjegjës i QS duke e pa gjëndjen së për çdo minutë bëhej më kaotike kërkonte që dikush nga studentët të bisedoj për arsyen e kësaj tollovie. Nëse mbaj mend drejtë ka qenë Kadri Kryeziu, Ramadan Gashi dhe Sylë Mujaj që kanë hy brenda në objektin e menzës por që pas një kohe të shkurtër kanë dalë jashtë të revoltuar. Kadri Kryeziu tha: këtu ka më shumë punëtor të sigurimit së sa punëtor të menzës. Bashkë më këta të tre dhe një grup i studentëve jemi drejtuar të dalim jashtë shkallëve nga drejtimi i konvikteve. Gjatë zbritjes së shkallëve kemi dëgjuar zhurmë që vinte nga kati i menzës që ne e linim. Zhurma nga përmbysja e objekteve të forta veç sa rritej. Ky ishte shkaku që unë më Kadriun të mos dalim jashtë por të ngjitemi përsëri në katin e menzës nga shkallët nga drejtimi i qytetit.

Kur kemi hyrë në sallën e menzës ishte krijuar një gjëndje kaotike. Një grumbull i madh i karrigeve dhe tavolinave ishin hedhur duke e krijuar një grumbull të madh në mestë sallës. Pjata, gota dhe lugë ishin shpërndarë në dysheme të sallës. Studentët vazhdonin të demolonin çdo gjë. Një vajzë më flokë të lidhura prapa dallohej mes të gjithë studentëve tjër më mllefin e saj që shfrynte në thyerjen e asaj çka nuk ishte thyer ënde. Vajza ishte Bahrije Kastrati, studente e vitit të dytë të fakultetit juridik dhe motra e të fejuarës së Kadriut. Kadriu posa e vërejti shkoj të ajo dhe i tha diçka në stilin, së mjafton tani. Salla e menzës nuk ngjante më në sallë udhqimi por në një hangar të vjetër të nobiljeve të mbetura jashtë shftytëzimit. Në menzë nuk kishte çka të protestohej më. Radha ishte që të protestohej jashtë.

Platoja para menzës së studentëve ishte e mbushur më student. U dëgjuan thirrjet që të vazhdojmë protestën në rrugë. Në përgjithësi për ne të gjithë studentët ishte hera e parë që demonstronim. Demonstratat i kishim pa vetëm në filma ose emisione informative në televizion. I vetmi që e dija që kishte këtë përvojë ishte Xhevat Zekaj. Ai kishte jetuar një kohë në përendim dhe kishte marrë pjesë në disa tubime proteste të së majtës shqiptare në emigrim. Xhevati dhe një grup studentëve rreth tij filluan marshimin drejt qytetit. Një grup i studentëve ishin rreshtuar karshi nesh dhe kërkonin që të mos vazhdojmë për në qytet. Nuk do të jetë mirë kështu, thonin ata në drejtim tonin. Megjithatë grupi i studentëve ku isha edhe unë injorojë këta student dhe vazhdoj tutje.

Kjo protestë do të vazhdonte më marshim demonstrativ nëpër rrugët e Prishtinës të një numri simbolik të studentëve që nuk besoj së e kaluar numrin prej 200 personave. Parakalimi ka qenë në rrugën R. Sadiku në drejtim të qytetit. Pas fakultetit juridik jemi kthyer majtas për të dalë në shesh që atëherë njihej më shumë më emrin, Korzo. Kemi vazhduar më tutje para ish Komitetit krahinor në drejtim të Radio Prishtinës deri të udhëkryqi para fakultetit filozofik për të kthyer në të majtë për të mbërri përsëri të menza e studentëve.

Gjatë parakalimit tonë parulla kryesore e  brohoritur  ka qenë "Kushte, kushte". Para komitetit krahinor është thirr edhe "Poshtë borgjezia e kuqe". Gjatë marrëshimit janë thyer edhe disa reklama filmi pornografik diku afër radio Prishtinës.

Demonstrata ka vazhduar deri afër udhëkryqit para menzës. Aty ishte formuar një kordon policie dhe e kemi vërejtur së është e pamundur që të shkojmë ashtu të organizuar në grup. Atëherë grupi është shpërndarë dhe secili në mënyrë individuale nga ana e Institutit albanologjik ose nga ana djathtë nga ndërtesa që ishte në ndërtim e sipër jemi tubuar më grupin e madh të studentëve që ishte rritur shumë në numër. Në udhëkryqin para menzës, në rrugët që të çojnë në drejtim të Aktashit dhe në rrugën Ramiz Sadiku gati deri afër restorantit "Rugova" ishin mbushur më student. Parulla të shkruara nuk kishte por brohoritja e parullave nuk mungonte. Parulla kryesore ishte "Kushte kushte", "Duam bukë" për të vazhduar më vonë më parullën "Lironi shokët". Numri i protestuesve diku rreth orës 22.00 kishte arritur kulmin. Mund të kën qënë diku rreth 4 deri 5000 student dhe një numër i vogël i qytetarëve. Situata në çdo moment dukej së mund të dal nga kontrolli.

Për të "qetësuar" situatën kishin ardhur Ymer Jaka, sekretar krahinor i arsimit, Hajredin Hoxha profesor i Universitetit dhe nëse kujtoj drejtë edhe Nebih Gashi nga komiteti komunal. Hajredin Hoxha propozoj që të hymë në sallën e sporteve për të biseduar për kërkesat e studentëve. Studentët nga frika së kjo mund të jetë një kurth e refuzuan këtë propozim. Masa e studentëve nuk kishte ndonjë grup që të paraqitej para autoriteteve shtetërore që kishin ardhur por as të drejtohej karshi studentëve së si të veprohej. Dëgjoheshin shumë thirrje të ndryshme që situatën e bënte bukur shumë kaotike.

Një kohë të gjatë të asaj mbrëmje kam qënë më Sylë Mujajn apo më mirë më thanë krejtafër tij. Njiheshim mes vete më shumë nga fakti së kishim shokë të përbashkët. Jo shumë larg nga ne mbi një dollap elektriku kishte hipur një student që dallohej nga të gjithë studentët për mjekrrën që mbante. Ai ishte Ali Lajçi, student para diplomimit në Gjuhë dhe Letërsi shqipe. Aliu iu drejtua masës së studentëve më një përkrahje të hapur dhe publike për guximin që ishin tubuar për të protestuar. Fjalimi i tij nuk ka zgjatë as një minutë. Ai tha përafërsisht kështu: ç'është ky guxim dhe bashkim rinor, ç'është ky vrull rinor. Rini mos u dorëzo. Rini jepi vurmak.

Më këtë paraqitje Ali Lajçi e vodhi rolin e liderit të studentëve. E them këtë në kuptimin pozitiv të fjalës pasi më aq sa unë jam në dijeni Aliu nuk ka qënë në menzë aty ku ka filluar protesta dhe as në demonstrimin e bër rrugëve të Prishtinës. Janë ngjarjet në vazhdim që ai do të merr rolin e liderit më kuptimin e plotë të fjalës.

Pas disa thirrjeve të policisë që studentët të shpërndahen dhe refuzimit kategorik të studentëve karshi thirrjeve të policisë diku rreth orës 24.00 kanë filluar policia të hedhë gaz lotsjellës. Ishte hera e parë që gjenerata e jonë të provojë këto bomba gazi që shkaktonin dhimbje dhe lotim të syve, kollitje të pandërprera të shoqëruara më dhimbje gjoksi e barku.

Ky gaz do të shoqëroj rininë e Kosovës dhe në përgjithësi popullin shqiptar të Kosovës deri në fund të viteve të 90-ta.

Pas shpërndarjes më dhunë të protestuesve një grup i studentëve ku isha edhe unë kemi ndez një zjarr para konviktit numër 2 më mbetje të druve nga konvikti numër 5 që atëherë ishte në ndërtim e sipër. Aty kemi qëndruar deri në orët e para të mëngjesit të datës 12 mars 1981. Zjarri më nxehtësin dhe  ndriçimin që bënte krijonte një ndjenjë të veçantë. Këtë ndjenjë të veçantë e shtonin edhe më shumë këngët më motive patriotike që këndoheshin nga studentët. Ka pas edhe recitime, gjithashtu më motive patriotike dhe atdhedashurie. Ajo që shihej qartë ishte së vajzat dinin të këndonin më bukur dhe njëkohësisht i dinin më mirë së djemtë edhe tekstet e këngëve.

Demonstrata e 11 marsit përfundoi në orët e hershme të ditës së nesërme.

11 marsi filloj si një rebelim tipik rinor në menzën e studentëve për të vazhduar më demonstrimin e hapur në rrugët e Prishtinës për të ja dhënë kuptimin e plotë të një demonstrate që kishte për bazë karakterin social por që në brendinë e saj kishte edhe kërkesat politike që do të shpalosën shumë më qartë pas dy javësh në demonstratën e 26 marsit.

 

40 VITE NGA PRANVERA E LAVDISHME E VITIT 1981

Pjesa e dytë.

Demonstrata e 11 marsit ishte si një zjarr i ndezur në zemrat e studentëve.  Dy javët në vazhdim në rininë studentore ndjehej qartë nxehtësia që ky zjarr lironte.

Organet partiake dhe shtetërore të krahinës së Kosovës i ngjanin hirit që kishte mbuluar këtë zjarr. Shërbimi i sigurimit e dinte së po të shprushej hiri, zjarri ishte i pashmangshëm. Kishte një reagim zyrtar shumë të matur në të përditshmen Rilindja së në mbrëmjen e 11 marsit ishte prishur rendi dhe qetësia publike. Asgjë më shumë.

Në Qendrën e studentëve mbretëronte një qetësi e çuditshme. Askush nuk fliste së çka ka ndodh, të gjithëve na shqetësonte së çka do të ndodh. Askush nuk dinte së çka do të ndodh, së do ndodh diçka e madhe të gjithë e ndjenim ose më mirë më thanë, asgjë nuk ishte e papritur.

Ishte e çuditshme edhe "qetësia" e milicisë dhe shërbimit të sigurimit. Kjo qetësi kishte një shpjegim. Krerët e komunistëve të krahinës, milicia dhe shërbimi i sigurimit kishin për qëllim që të ruanin qetësinë dhe imazhin e bashkim  vëllazërimit deri më 26 mars kur në Prishtinë do të parakalonte Stafeta e rinisë. Siç duket organet partiake dhe shtetërore aq më shumë afrohej kjo datë aq më shumë bëheshin nervoz dhe të pasigurt në veprimet e veta.

Më siguri më qëllim parandalimi të ndonjë të papriture më datën 25 mars në Prishtinë ishte tentuar që të ndalohej nga milicia Ali Lajçi studenti që kishte përkrah hapur demonstratën më një fjalim të shkurtër në natën e 11 marsit para mijëra studentëve protestues. Aliu sipas asaj që kam dëgjuar u kishte ikur milicisë për të ardh në konviktin numër tre ku ai banonte. Në konviktin numër tre ai gjën mbrojte të shokëve të tij të afërt dhe të një numri jo të vogël të studentëve. Vet i kam pa kur studentët nga katët më të larta gjuanin gjëra të forta, më shumë kavanoza në drejtim të disa milicëve që tentonin të hynin në konvikt më qëllim të burgosjes së Ali Lajçit. Në të njëjtën kohë kishte edhe thirrje dhe fishkëllima kundër policisë. Milicia duke e pa vendosmërinë e studentëve e sheh të pamundur ose shumë të rrezikshme hyrjen në konvikt dhe tërhiqet nga përpjekja për të burgos Ali Lajçin.

Ky veprim i policisë ishte shprushja e hirit në zjarrin që rrinte gacë e ndezur për dy javë. Të nesërmen më 26 mars gacat do të bëhen zjarr e zjarri do të merr flakë. Kjo flakë nuk u shua kurrë, përkundër dhunës policore, burgosjeve dhe vrasjeve deri më lirinë e Kosovës më 1999.

Unë banoja në konviktin numër tre në katin e parë. Unë dhe të gjithë studentët e këtij konvikti e dinim së diçka po përgatitej në katin e katërt në hyrjen më numra që fillonin pas numrit 400 aty ku ishin vendos studentët e fakultetit të bujqësisë. Aty ishte edhe Ali Lajçi.

Në mëngjesin e datës 26 mars edhe në ajër ndjehej së kjo ditë nuk ishte sikur ditët e zakonshme. Studentët në njëfarë mënyre kishin marrë kontrollin mbi konviktin. Personeli i konviktit ishte në sportel por ishin studentët që kontrollonin hyrje daljet. Asnjë të panjohur nuk e lejonin të hy brenda. Më aq sa unë e kam vërejtur ishte Murat Musliu përgjegjësi kryesor që kujdesej për hyrje daljet në konvikti.

Informata së do të këtë një tubim në Qendrën e studentëve në ora 09.00 ishte shpërndarë në të gjitha konviktet më të ftuar nga politika dhe Universiteti. Kjo informatë qarkullonte edhe në mbrëmje por tani në mëngjes ishte krejt e qartë. Më të marr këtë njoftim kam shkue në dhomën 312 aty ku banonin Kadri Kryeziu, Januz Januzaj, Ramadan Gashi(Dobra) dhe Bedri Deliu. Të katërt ishin në dhomë. I kam pyet, si do të veprojmë tani?

Këtu nuk ka alternativë ne do të marrim pjesë në këtë tubim si të gjithë të tjerët. Ne nuk jemi pjesë e organizimit këtë hër. Kjo ishte përgjigjja që mora nga shokët e mi.

Në mëngjesin, paraditen e datës 26 mars 1981 sheshi në mes konviktit numër 1 dhe barakava ishte si zgjua bletësh që rritej e rritej për çdo minut. Diku rreth orës 10.00 ishin tubuar mijëra student që banonin në QS dhe në banim privat. Në mes të një rrethi të madh ishte krijuar një hapësirë ku në njërën anë ishin ulur studentët më Ali Lajçi, Bajram Kosumi, Riza Demaj, Hamdi Hajdini, Sylë Mujaj, Ibrahim Nikçi dhe disa të tjerë që mua nuk më kujtohen. Nga shumë shokë kam dëgjuar së aty ka qenë edhe Abdullah Tahiri që unë nuk e kam njohur dhe për këtë arsye unë nuk kam ndonjë kujtim nga ai.

Në anën tjetër kishin ardh Azem Vllasi, ish kryetar i rinisë së Jugosllavisë, Sanije Hyseni kryetare e rinisë së Kosovës dhe Gazmend Zajmi, rektori i Universitetit të Prishtinës dhe Pajazit Nushi nga sekretariati për arsim të Kosovës.

Sheshi në mes të konvikteve të studentëve më 26 mars u shëndrrua në shesh të demokracisë. Aty studentët pa frikë dhe më guxim të paparë shpalosën kërkesat e veta përpara përfaqësuesve të pushtetit të atëhershëm.

Kërkesat e shkruara i lexoj Riza Demaj.

Aty u protestue kundër qarqeve të ndryshme antishqiptare dhe nënçmimit të këtyre qarqeve kundër identitet tonë kombëtar. U protestue për moszhvillimin ekonomik të Kosovës në krahasim më pjesët tjera të federatës jugosllave. U protestue kundër përpjekjes së policisë për burgosjen e studentëve pjesëmarrës të demonstratës së 11 marsit. U protestuan edhe kundër burgosjeve dhe politikës represive të pushtetit kundër popullsisë shqiptare.

Pas leximit të kërkesave Azem Vllasi u distancue nga kërkesat bile edhe i quajti edhe armiqësore.

Nga ky moment fillon një debat i ashpër në formë polemike në mes të studentëve e më së shumti Ali Lajçit dhe Azem Vllasit.

Ali Lajçi përmendi shkrimet e historianit Limanovski që kishin për qëllim nënçmimin e kombit shqiptar dhe së përmbajtja e këtyre shkrimeve ishte antishqiptare. Ai kundërshtoj mosreagimin e shtetit dhe të Azemit personalisht kundër këtij historiani antishqiptar. Aliu kërkoj edhe që studentët e Letërsisë shqipe të  mos jenë të detyruar të mësojnë në lëndën Letërsi jugosllave shkrimtar serb që ishin të njohur më veprat e tyre antishqiptare. Polemikat vazhduan edhe më padrejtësitë politike të Kosovës në shtetin jugosllav.

Në ndërkohë në publik prapa radhës ku ishin ulur studentët organizator u shfaqen parullat e shkruara në çarçaf. Parullat ishin "Trepça punon, Beogradi ndërton", "Uniteti", "Jemi shqiptar, sjemi jugosllav", "Lironi shokët", "Bashkim" etj. Parullat ishin shkruar në çarçaf dhe nuk ishin praktike më i mbajt dhe krejt e pamundur për ti ngritur lart më qëllim që të gjithë të lexojnë.

Për këtë arsye unë më disa student i kemi marrë parullat më i rregullue më mbajtëse druri anash të konvikti numër 5 që ishte në ndërtim e sipër. Nga punëtorët ndërtimtar kemi kërkuar çekiç dhe sharrë dore. Ata na i kan hedhur nga kati i dytë ose i tretë. Në të njëjtën kohë ndërtimtarët na shikojshin më shumë kureshtje pa dit shumë së çka po ndodh.

Kur i kemi rregulluar parullat në formë të pankartave i kemi sjellë përsëri në tubim. Vet e kam marrë parullën që shkruante "Bashkim" për të dorëzuar përsëri në grupin e 

studentëve që qëndronin prapa Ali Lajçit.

Shumë vite më vonë kur kemi busedue në familje rreth ngjarjes së 26 marsit, motra Mejremja që atë kohë ishte studente e vitit të dytë të fakultetit të mjekësisë dhe e pranishme në protest thotë: kur e kam pa Zymerin më parullën "Bashkim" në duar mu ka duk sikur po e shoh një film e jo vllaun tim. Po unë nuk kam mbajt ndonjë parullë në protest i thashë, ajo këmbënguli së nuk të kam pa vetëm unë por edhe shoqet e mia që isha më to. Atëherë u dorëzova dhe i thashë ashtu siç në të vërtetë mendoja së motra Mejreme më ka pa më siguri në momentin kur e kam sjellë të rregulluar parullën për të dorëzuar përsëri.

Të kthehem përsëri të protesta. Acarimi në mes të studentëve dhe Azem Vllasit veç sa thellohej. Gazmend Zajmi kërkonte nga studentët të formojnë një këshillë që pastaj të bisedojnë kërkesat e tyre më organet shtetërore. Studentët kërkonin garanci nga ai së policia nuk do ti burgos. Ai në një rast u përgjigj së garanci nuk mund të japi askujt, unë nuk di çka do të ndodh më mua që tani është dasht të jam dikund tjetër e unë kam ardhur këtu të ju.

Të kujtojmë së atë ditë në Prishtinë mbahej mbledhja e gjithë rektorëve të universiteteve të ish Jugosllavisë. Më vonë në po atë mbledhje Gazmend Zajmi do të zgjidhet Rektor i të gjitha universiteteve të Jugosllavisë. Post të cilin do të jetë i detyruar të jap dorëheqje pas një muaji.

Situata në tubimin e studentëve elektrizohej secilën hër e më shumë. Parullat e ngritura lart krijonin një ndjenjë madhështore dhe krenarie në mesin e studentëve. Parullat që brohoritshin më së shumti ishin "Jemi shqiptarë, sjemi jugosllav", "Lironi shokët" dhe "Unitet".

Në mesin e shumicës së studentëve ekzistonte një marrëveshje e heshtur së nuk duhet përmendur Shqipërinë, liderët e saj dhe bashkimin kombëtar. Jo pse nuk i kishim për zemër këto tema. Arsyeja ishte që të mos I japim pushtetit shkak për të na sulmuar së ne po e atakojmë sistemin kushtetues të Jugosllavisë.

Megjithatë një grup i studentëve që ishin të padurueshëm në një moment brohoritën: Parti Enver jemi gati kurdoherë. Ka kaluar një kohë e gjatë nga kjo ngjarje, sigurt mbaj mend së Xhevat Zekaj ishte një ndër ata që brohorisnin. Realisht shumica e studentëve nuk e përkrahnin këtë brohoritje dhe në të njëjtën kohë e konsideronin si parullë që sjellë pasoja të mdha për protestën dhe për vet studentët. Azem Vllasit i shkonin djersë të ftohta. Ky është kontrarevolucion bërtiste.

Ishte afruar ora 12.00 e datës 26 mars 1981. Protesta në QS pritej të eskaloj në demonstrim rrugëve të Prishtinës. Ndërsa në QS protestohej, jo më larg së 3 kilometra në Prishtinën e 26 marsit festohej. Atë ditë dhe atë orë parakalonte Stafeta e rinisë, simbol I besnikërisë ndaj Titos, bashkim vëllazërimit dhe shtetit të Jugosllavisë. Në qendër të qytetit pushteti kishte ndërtuar skenë të madhe, kishte organizuar nxënës të shkollave të mesme dhe fillore të merrnin pjesë që kjo festë të dukej sa më madhështore.

Pushteti i asaj kohe në atë ditë do të dëshironte që të këtë sa më shumë njërz në pritje të stafetës dhe të mos kishte fare njërz dhe protesta në QS të mos figuronte fare.

Përkundër dëshirës dhe mundësive të pushtetarëve, uragani i filluar në QS nuk mund të ndalohej. Ai filloi të lëviz drejt qytetit.

Studentët tentuan që Azem Vllasi të prij në ball të demonstratës por kotë Azemi refuzonte të jetë pjesë e demonstratës. Përveç parullave të shkruara në ball të demonstratës kishte edhe flamuj. Kishte flamuj shqiptar, të klasës punëtore (proletariatit) dhe flamuj të shtetit jugosllav. Mungonte më qëllim flamuri i Serbisë. Mesazhi ishte i qartë, ne pranojmë të jetojmë në Jugosllavi vetëm si të barabartë dhe së pushteti i Serbisë mbi Kosovën absolutisht është i papranueshëm.

Mijëra student marshuan në drejtim të qytetit. Rruga prapa konviktit numër 1 dhe 2 ishte mbush më student dhe më brohoritje të parullave.

Në anën tjetër policia kishte marrë të gjitha masat që të pamundësoj depërtimin e studentëve në qytet. Në qytet festohej. Kjo ishte një arsye më shumë që karshi studentëve të mos kursehej dhuna dhe arroganca e policisë. Kjo dhunë filloj posa ju afruam semaforëve në udhëkryqin para menzës. Krismat nga bombat e gazit lotsjellës por edhe të armëve të policisë i detyruan studentët që të tërhiqeshin.

Pas tërheqjes kishte edhe disa përpjekje për të marshuar drejt qytetit por dukej krejt e pamundshme. Kishte aq shumë policë, gati sa edhe student.

QS ishte mbushur plot tym nga bombat e gazit. Policët vazhdonin të gjuanin bomba gazi në mënyrë të pakontrolluar. Disa bomba i kam kapur më dorë duke i kthyer në drejtim të policëve. Njëra nga bombat më shpërtheu në dorë. Në fillim pata ndjenjën së diçka e vakët ma përshkroi dorën. Kur e kam shikue dorën ishte plot më gjak sa nuk vërehej vet plaga e krijuar. Ka ardh një student që unë nuk di së kush ka qënë. E ka heq bluzën e vet nga trupi dhe ma ka mbështjellë dorën më të. Disa student tjër kanë ndaluar një makinë të rastit në rrugë dhe më kanë dërguar në spital. Këtu përfundon pjesëmarrja ime në demonstratat e vitit 1981. Nuk di sa ka qenë ora por nuk besoj së ka mund të jetë më shumë së ora 2 e pasdites.

Shkrimi në vazhdim është ajo çka dihet.

Demonstrata u shua më një dhunë dhe brutalitet të egër tani edhe më ndihmën e njësisë speciale të policisë federative. Kjo polici u tregua shumë e ashpër dhe e pamëshirshme karshi studentëve dhe të një numri simbolik të qytetarëve që ishin bashkuar demonstratës së studentëve të 26 marsit.

Ishte kjo dhunë dhe ky brutalitet i policisë kundër studentëve që nxiti reagimin e klasës punëtore dhe të masës së gjerë popullore në solidarizim më studentët dhe kërkesat e tyre. Kulminacioni e demonstratave vitit 1981 ishin datat 31 mars dhe më 1 e 2 prill. Tani nuk ishin më protesta të studentëve por protesta gjithë popullore. Parulla "Kosova Republikë" ishte bërë sinonim dhe kerkesë kryesore e protestave.

Solidarizim më protestat e studentëve dhe të qytetarëve të Prishtinës do të ndodhin në të gjitha qytetet kryesore të Kosovës.

Kosova sikur kurrë më parë depërtojë në opinionin ndërkombëtar më gjithë tragjedinë e saj por edhe më mesazhin e qartë së kurrë nuk do të pranojë të jetoj e nënshtruar.

Pranvera e lavdishme e vitit 1981 përfundoi sipas raporteve zyrtare më 11 persona të vrarë dhe shumë të plagosur.

Burgosjet dhe dënimet më shumë vite burg vazhdonin po thuajse gjatë gjithë vitet e 80-ta. Të maltretuarit dhe të keqtrajtuarit nga organet policore ishin aq të shumtë sa ishte e pamundur të numërohen.

Ligjet në fuqi dhe procedurat penale nuk vlenin për shqiptarët. Ishin vendimet partiake që qëndronin mbi ligjin. Shqiptarët dënoheshin për dyshimet më të vogëla dhe pa kurrfarë dëshmie.

Në burgjet jugosllave në vitet e 80-ta rreth 80% e të gjithë burgosurve politik ishin shqiptar.

Kjo dhunë e pushtetit dhe jehona e demostratave të vitit 1981 do të kën rol më rëndësi në ndërgjegjësimin e popullatës. Shtresa më e lartë e inteligjencës së Kosovës ajo akademike filloj të kthjellohej nga mesi i viteve të 80-ta dhe të rreshtohet në anën e kombit që po mohohej çdo ditë nga hegjemonizmi serb. E them kështu pasi që nga viti 1981 kur filloi diferencimi dhe dënimi i demonstratave si armiqësore në të gjitha institucionet ishte një numër i vogël i intelektualëve që patën guximin që haptas të kundërshtojnë këto vendime. Pjesa më e madhe ju nënshtrua vendimeve partiake në heshtje pa pasur kurajon të përballën më to.

Viti 1981 dhe vitet në vazhdim ndikuan në përafrimin shqiptarëve si komb dhe aspiratave të tyre kombëtare.  Do të ishte e paimagjinueshme si do të gjendej Kosova dhe shqiptarët në zhbërjen e shtetit jugosllav sikur ky përafrim të mos ishte bërë më parë e që rol vendimtar në këtë përafrim kishin demonstratat e vitit 1981. Këto demostrata treguan dhe lanë një mesazh të qartë. Nuk ka zgjidhje për Kosovën brenda Serbisë, pa marrë parasysh vështirësive dhe sakrificës në këtë rrugë të drejtë dhe amanet i shumë gjeneratave para nesh.

Pranvera e lavdishme e vitit 1981 në historinë më të re të Kosovës ishte burim frymëzimi për shumë patriot që zgjodhën rrugën e qëndresës duke përdorur të gjitha metodat e mundshme demokratike e deri të ajo më sublimja, rreshtimi në radhët  e UÇK-së për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.