måndag 22 april 2024

 

43 VITE PAS PRANVERËS SHQIPTARE TË VITIT 1981

Ndriçimi, shtrembërimi dhe reflektimet e kësaj ngjarje historike në shoqërinë tonë të tanishme

Shkruan Zymer Kuqaj

Zymer Kuqaj

43 vite pas Pranverës Shqiptare të vitit 1981 shoqëria jonë ka shumë pak njohuri ose këto njohuri i ka jo të plota, por edhe të shtrembëruara, se çka në të vërtetë ka ndodh në Qendrën e Studentëve më datat 11 dhe 26 mars të vitit 1981. Por, edhe në ditët në vazhdim deri më 31 mars dhe 1 e 2  prill kur protestat arritën kulmin duke u shndërruar në demonstrata gjithëpopullore në Kosovë.

Në Kosovën e pasluftës kur pritej se ka ardhë koha që historinë ta shkruajmë vet pa menduar për cenzurën dhe pasojat nga shkrimi i drejt i saj, ndodhi e papritura e çoroditur. Historia dhe ngjarjet historike u bënë preja e parë e lirisë së shkrimit. Historianët shpallën heronj, baballarët, gjyshërit dhe stërgjyshërit e tyre. Ndërkaq veten e shpallën, pinjoll të heronjve legjendarë. 


Analistët nepër studiot e shumta televizive jepin fakte, dëshmi dhe teoritë më të çuditshme për historinë. Pa pasë as më të voglin fakt dhe pa asnjë përgjegjësi për atë çka shkruajnë apo çka deklarojnë. 

Gjithë këta historian dhe analistë kanë krijuar një konfuzion aq të madh në shoqërinë tonë sa që është, jo e vështirë por gati edhe e pamundur të shihet e vërteta. Më qëllim të ç’vlerësimit të krejt asaj që është dhe quhet vlerë.

Po të shikosh rrjedhat politike të Kosovës në këtë çerek shekull, nuk është vështirë të shihen arsyet e hedhjes së konspiracioneve më të çoroditura për ngjarjet dhe personalitetet historike të kombit tonë.

Angazhimi politik në Kosovën e çliruar, i personaliteteve politike dhe publike që kanë qenë pjesë e sistemit jugosllav, që kurrë nuk janë distancuar nga politika diskriminuese e këtij sistemi kundër kombit shqiptar në Kosovë dhe në të gjitha trojet shqiptare në ish Jugosllavi. Këto personalitete jo që nuk janë distancuar nga dhuna që është ushtruar kundër shqiptarëve, por edhe kanë qenë argat shumë të devotshëm në propagandimin e politikës antishqiptare të sistemit serbosllav. Avancimi politik i kësaj kategorie dhe marrja e funksioneve më rëndësi publike, deri në postin e kryeministrit është e pafalshme për politikën e Kosovës. Në emër të një konsensusi kombëtar, që në fakt ka qenë fitimi i favoreve politike dhe ekonomike, politikanët e Kosovës kanë bërë kompromis me parimet esenciale të ndërtimit të një shteti të ri dhe të zhvillimit ekonomik, politik dhe kulturor të këtij shteti.

Normalisht në një shtet ku shkelen parimet esenciale të shtetit, lindin mediume më pronarë të dyshimtë që krijojnë opinione më anën e një armate të analistëve politikë, zhurmagjinjë. Zhurma e tyre vë në dyshim ç'do gjë që ka vlerë. Tek e fundit, ky është qëllimi i tyre.

Kësaj papërgjegjësie nga liria e shprehjes dhe shtypit nuk i kanë shpëtuar as ngjarjet e lavdishme të Pranverës Shqiptare të vitit 1981. 

Në vend të ndriçimit, ndodh shtrembërimi

Më i shtrembëruar është fakti për pasojat e kësaj ngjarje, kinse këto ngjarje kanë ndërprerë avancimin ekonomik, arsimor dhe politik të Kosovës. Përkrahësit e kësaj teorie janë jugonostalgjikët, ata të cilët kanë qënë pjesë e sistemit jugosllav ose përkrahës servil të sistemit. Dhe merrni më mend, është ndërprerë sistemi politik i KSA të Kosovës, që ishte pjesë përbërëse e republikës së Serbisë.

Teoria tjetër që është krejt absurde dhe pa kurrfarë baze, është fakti që shumë jugonostalgjikë thonë se këto ngjarje kanë qenë të organizuara nga regjimi komunist i Shqipërisë. Krejt në vi më qëndrimet e komunistëve jugosllav nën presionin e republikës se Serbisë, me çka arsyetohej krejt dhuna e organeve policore dhe gjyqësore kundër popullatës e në veçanti kundër rinisë shqiptare në ish Jugosllavi.

Se për çfarë avancimi bëhet fjalë, dhe në cilën federatë ky avancim mund të bënin shqiptarët e Kosovës përgjigjja më e mirë mund të shihet qysh në ngjarjet e pasditës më 26 mars të vitit 1981 në Qendrën e Studentëve. Çfarë avancimi dhe çfarë perspektive pritej nga shteti që ushtroi gjithë atë dhunë kundër studentëve që shtruan kërkesat dhe protestuan për këto kërkesa në mënyrë paqësore. U bë dhunë më çnjerëzore, kundër ç'do studenti dhe në secilën dhomë të konvikteve u hudh gaz lotësjellës për t'i detyruar studentët të dilnin jashtë. Jashtë i pritte kordoni milicisë speciale të federatës jugosllave. Keqtrajtimi fizik dhe ofendimi që ju bë rinisë shqiptare ishin jashtë çdo arsyeje. Arsyeja kryesore ishte, urrejtja patologjike e pjestarëve të policisë speciale të nxitur nga udhëheqësit policor dhe politik, të shtetit që jugonostalgjikët shihnin perspektivën e shqiptarëve.

Shtrembërimi më i madh, duke përdorë konspiracionet më të çuditshme të demonstratave të vitit 1981 është data e fillimit të këtyre demonstratave, respektivisht data 11 mars. Bile disa shkojnë aq larg sa datën e fillimit të demonstratave e trajtojnë si vepër e UDB-ës jugosllave. Propaganduesit e kësaj teorie nuk besojnë në aftësinë tonë si komb, që ne vet mund të iniciojmë ngjarje dhe lëvizje të mdha të ndryshimit të historisë tonë. Thjeshtë ky është një nihilizëm dhe mungesë vetëbesimi.

Mungesa e njohurive, se çka më të vërtetë ka ndodh më 11 Mars të vitit 1981 ka ardhë edhe si rezultat i heshtjes së organizatorëve të kësaj ngjarje. Personalisht ç'do përvjetor të demonstratave të vitit 1981 e kam përjetuar si vuajtje nga mungesa e depërtimit të së vërtetës historike. Shpesh kam kontaktuar me organizatorët e 11 marsit, pasi katër nga gjashtë organizatorët që unë i njoh si iniciator të protestave të 11 marsit, i kam pasë shokë për katër vite të studimeve dhe miqësia më ta vazhdon edhe sot. I kam kontaktuar më qëllim që të bëhet më shumë në zbardhjen e fillimit të protestave. Modestia është virtyt i mirë, por kur të tjerët të vërtetën e shtrembërojnë, heshtja është e pafalshme. Pasi unë kam qenë drejtpërdrejtë i rekrutuar nga ana e tyre që të jap kontributin tim në njoftimin e sa më shumë studentëve për të ardhë në menzën e studentëve në ora 19.00 për të protestuar për pritjet e mëdha dhe në përgjithësi për kushtet e këqija në menzë dhe në qendrën e studentëve. Për një kohë të gjatë nuk e kam ndjerë si përgjegjësi të shkruaj për këto ngjarje pasi unë nuk kam qenë drejtpërdrejtë në grupin iniciator të kësaj ngjarje. Për të dalë prapë te modestia, kam pas frikën mos po e marrë bajrakun e demonstratave të 11 marsit, si shumë bajraktar tjerë të pasluftës.

Herët a vonë, përgjegjësia e mund modestinë

Para katër viteve në 39 vjetorin e demonstratave të vitit 1981 kam shkruar dy shkrime, që në të vërtetë është një shkrim por që i kam ndarë veçmas, demonstratat e 11 marsit dhe 26 marsit. Në shkrimin tim jam përqëndruar, në shkaqet që kanë ndikuar në shpërthimin e demonstratave dhe kujtimet e mia, në rrjedhjen e ngjarjeve të këtyre dy demonstratave. Nuk jam thellar në iniciativën që e ka lind 11 marsin, pasi unë nuk kam qenë i pranishëm. Nuk kam shkruar as për ngjarjet pas 26 marsit, nga shkaku që dihet se unë e kam pasë të pamundur të marrë pjesë në demonstratat në vazhdim. Këto dy shkrime sikur më kanë liruar nga përgjegjësia që të jap kontributin tim në ndriçimin e fillimit të pranverës shqiptare të vitit 1981. Nuk kam pretendime në të vërtetën absolute në shkrimet e mia. Kjo është  e vërteta ime për protestat e 11 dhe 26 marsit.

Një punë e mirë që duhet të mirret si shembull, në ndriçimin e Pranverës Shqiptare të vitit 1981 është libri “Pranvera e madhe shqiptare 40 vjet nga demonstratat e vitit 1981” botuar nga Instituti i historisë së Kosovës (2023) që përmban kumtesa nga organizatorë dhe pjesmarrës të demonstratave të vitit 1981. Kumtesat janë marrë nga simpoziumi më të njëjtin titull si libri, organizuar nga Konsullata e Kosovës në Shtutgart më iniciator dhe udhëheqës të simpoziumit nga ish konsulli Imer Lladrovci.

Për të qenë i sinqertë, në shtrembërimin apo më mirë më thënë  në mjegullimin e datës së fillimit të pranverës shqiptare të vitit 1981 e kanë edhe disa pjesëmarrës të këtyre ngjarjeve. Ata duke u përpjek të rrisin veten dhe rolin e tyre në këto ngjarje, përmendin disa data para 11 marsit të vitit 1981. Përmendin një shfaqje të pakënaqësisë në Qendrën e studentëve dikund në fund të vitit 1980 dhe disa brohoritje gjatë vizitave të artistëve shqiptarë më orkestrën e RTSH-ës dhe të artistëve të Radio Shkodrës. Është fakt se gjatë vizitave të artistëve, këngëtarëve dhe sportistëve nga RS e Shqipërisë është shpreh haptazi simpatia dhe dashuria karshi shtetit amë. Të gjitha këto ngjarje kanë rëndësinë e vet, por, kurrë nuk mund të krahasohen më 11 marsin.

11 marsi është dita e përurimit të pranverës së vitit 1981. Është data që ndan epoka, para dhe pas demonstratave të vitit 1981. Është data që mundi frikën dhe rriti guximin për të protestuar hapur dhe me kërkesa të qarta drejtuar pushtetit të atëhershëm, përkundër dhunës dhe masave represive të organeve policore dhe gjyqësore. Një grup i vogël i studentëve arriti të organizojë një protestë të madhe. E filluar në menzën e studentëve më një rebelim rinor për të vazhduar me marshim nëpër rrugët kryesore të kryeqytetit të Kosovës.

11 marsi, lindi 26 marsin, ashtu siç 26 marsi lindi Pranverën Shqiptare të vitit 1981

Pjesëmarrësit e demonstratave të vitit 1981 dhe të burgosurit politikë për këto ngjarje, në fillim të viteve të 90-ta në emër të një konsensusi kombëtar falën ata që u duartrokisnin dënimeve të rënda me burg dhe e legjitimuan LDK-në si lëvizje kombëtare.

Lëvizjet studentore të Kosovës kanë një histori të lavdishme në prirjen e ngjarjeve historike. A nuk është lëvizja studentore e vitit 1997 që prishi status quon dhe u përcaktua për rezistencë aktive. Përcaktim që bekoi armët e UÇK-së.

Disa thonë së këto ngjarje kanë qenë të hershme. Një akumulim i pakënaqësive dhe ngritjes së vetëdijes kombëtare që ka ekzistuar te rinia e Kosovës në vitin 1981 nuk e ka njohur fjalën pritje. Ashtu siç nuk e ka njohur këtë fjalë, as rina dhe populli i Kosovës në gjysmën e dytë të viteve të 90-ta.

Vetë rinia është pjesa më energjike e një shoqërie dhe si e tillë edhe e guximshme të shpreh hapur pakënaqësinë për diçka që ajo mendon se është e padrejtë. Këtë e kanë bërë edhe rinia studentore e vitit 1981. Në kohën kur në bllokun socialist as që ka guxuar kush të thotë diçka kundër sistemit dhe krejt i pa imagjinueshëm guximi për të demonstruar hapur në rrugë me kërkesa ekonomike dhe politike. Këtë e kanë bërë studentët dhe në vazhdim edhe populli i Kosovës në vitin 1981.