FËMIJËRIA IME

I
Siç u morëm vesh me miqtë e mi Kujtim N Mullai dhe Vladimir Diko po nis një seri të shkrimeve kushtuar fëmijërisë ku mund të merrni pjesë edhe ju me shkrimet tuaja për fëmijërinë tuaj.

...Duhet të ketë qenë 5 apo 7 shtatori i vitit 1962. Do filloja klasën e parë në shkollën fillore të fshatit tim Runik. Nga lagjeje jonë Sejdiu do të niseshim për një ditë pesë djem e dy vajza: Rizahu i Lahit, Fadili i Mujës, Syla i Beqës, Mehmeti i Tafës, Tahirja e Bajramit dhe Halimja e Hysenit. Këtij grupi do ti bashkohet për një javë ditë edhe Bedriu i Musliut, por për shkak moshe i thonë që pas një viti ai do fillonte shkollën.

Mbaj mend që me të zgjuar nëna kishte kishte vakur ujë dhe më thotë se duhej të lahesha. Humzën e ke te ai tasi i bardhë dhe hajde bëju gati pastaj se për ty është një ditë e madhe o bir. Vrapova te hamamxhiku, u zhvesha shpejt e shpejt dhe u lava shpejt e shpejt. Me një peshqir thava flokët dhe kur dola në oborr për ti thënë nënës se isha gati në oborrin tonë kishte ardhë Bedriu, të cilit gjithashtu nuk po i pritej të fillonte shkollë. I ati i Bedriut, Musliu i tha nënës time që ta merrnim bashkë me moshatarët e mi megjithëse nuk besonte se do ta mbante shkolla për shkak moshe.

...Pas pak do të mblidheshim të gjashtë kushërinjtë para dyerve tona dhe do niseshim xhadesë drejt një porte të re të jetës sonë. Krahaqafë kishim vu çantat tona prej bezi ku kishim futur dy fletore, një me vija të ngushta dhe një me katrore, abetaren, një laps dhe një gomë.Nuk mbaj mend se çfarë kemi biseduar rrugës por di se krahas gëzimit po ndjeja njëfarë trazimi në stomak. Kështu më dukej se ndjenin edhe kushërinjtë e mi, nuk e di, nuk ma kishin thënë por, po po, edhe ata ndjenin njësoj.Kur mbërritëm te kodra e policisë pamë edhe kushërirat tona që do fillonin klasën e parë bashkë me ne. U bëmë bashkë dhe vazhduam drejt shkollës.

..Oborri i shkollës gumëzhinte nga nxënës të shumtë dhe që ta them të vërtetën pak prindër që kishin sjellë fëmijët e tyre te shkolla. Një grup mësuesish ishin mbledhur te porta kryesore e shkollës. Nuk vonoi shumë dhe u dëgjua tingëllima e ziles së shkollës. Ata të klasave tjera u mblodhën shpejt e shpejt dhe formuan rreshtat ndërkaq ne fillestarët vraponim sa andej këndej dhe i kapnim dorën njëri tjetrit.

U dëgjua zëri i një mësuesi që thoshte të gjithë ata që do fillonin klasën e parë të shkonin pranë tij. Na mblodhi si pula zogjtë dhe na dërgoj te dhoma e mësimit. Dhoma ishte bukur e madhe dhe i vinte era gëlqere. Kishte një dërrasë të zezë jo aq të madhe dhe vende vende bukur e dëmtuar. Në qoshe të dërrasës së zezë kishte disa shkumësa dhe një shpuzë të verdhë.Sa ishim futur te klasa pamë bankat e vjetra që kishin një kapak për të vënë librat dhe një dërrasë të vetme për t’u ulur. Ne të gjashtë kushërinjtë u trusëm pran njëri tjetrit dhe zumë vend te një bankë.

Pasi kishim zënë vende te bankat, mësuesi priti sa u rehatuam pakëz, u ndalua afër dërrasës së zezë dhe na uroj mirëseardhje. Mua më quajnë Adem Gashi tha ai. Disa prej jush me njihni por shumica nga ju nuk më njeh. Gjatë këtij viti do mësojmë bashkë shkrim lexim dhe pak matematikë. Pasi është dita e parë do të njihemi pak së bashku dhe do të shikojmë një pjesë të ambientit shkollor e mandej do të jeni të lirë nga shkolla për sot.Pak më vonë ndërsa po shikonim fushën e futbollit dhe disa pajisje gjimnastike në natyrë, disa djem më të rritur po flisnin me zë bukur të lartë: S’ ka me Brazilin, ma i miri n ‘botë!...

...Më vonë do ta mësoja se kishte qenë Brazili ai që kishte fituar titullin e më të mirit në Botërorin e vitit 1962 në futboll. Po ku dija unë atëherë, as radio e as gazetë nuk kishim në shtëpi, për televizor as  t’ mos flasim !

II

Siç e lexuat te "Fëmijëria ime 1", kujtimet e mia nga dita e parë e shkollës kanë mbetur disa detaje të paharruara për mua. Por jo edhe nga ditët e pastajme. 

Di që në klasën e dytë për mësues kam pasë Zymer Hasanin nga fshati Kllodernicë, për të cilin shumë vite më vonë do të kenë shkruar mediat jo edhe aq mirë; në klasën e tretë dhe të katërt kisha mësues një që quhej Zeqir, mbiemrin ia kam harruar por ai ishte nga fshati Pemishtë( atëherë quhej Padalishtë). Mësuesi Zeqir njihej për bukurshkrimin e tij dhe njeriu kishte dëshirë ta shifte dërrasën e zezë sa bukur e qëndiste por edhe fletoret tona kur herë pas here bënte ndonjë komentim të detyrave të shtëpisë ku shkruante “ u pa nga “, pastaj vënte emrin, firmën dhe datën.

Ishte si rregull që mësimet fillonin në orën tetë dhe pak para orës tetë, zilja e shkollës na sinjalizonte se po afronte koha për tu futur brenda klasave. Nga ajo kohë kur ndiqja ciklin e ultë të fillores, mbaj mend dy korrier shkolle, Malushin dhe Gjurën. Malushi mbante një kapelë franceze nga ato që kishin një lloj antene në maje, kurse Gjura ishte i përkatësisë serbe, me do zhguna bojëkafe dhe një kapelë serbe, afërsisht në kajde të kapelës partizane por më e hapur dhe ngjyrë jeshile.

Që ta dini ju, në shkollën e fshatit tim kishte bukur shumë nxënës të nacionalitetit serb e malazez. Madje në atë kohë ishte drejtor shkolle një serb që e quanin Acë. Mbaj mend edhe emrat e dy mësuesve serb, njeri quhej Komatin nëse nuk gaboj dhe një tjetër që e quanin Dimiq. Ky Dimiqi ishte trupmadh, mbante syze dhe kokën gjithashtu e mbante pak si lartë sa të jepte përshtypjen se po shikonte yjet. Madje babi im Sadiku, i njohur si murator i zoti, e kishte thënë dikund se Dimiqit vetëm tavanin rregulloja mirë se muret si shef fare!Po ky Dimiqi kishte edhe një adet të keq. Të gjithë nxënësit ia kishin frikën. Ai nuk të godiste siç bënin disa mësues tjerë, por të kapte cullufet dhe ti tërhiqte aq shumë sa po të kishe mundësi me zgjedhë nga flakaresha dhe tërheqja e cullufeve sigurisht që flakaresha do ishte më e dëshirueshme.

Sigurisht që pas mbarimit të ditës shkollore ne ktheheshim te shtëpitë tona dhe si fëmijë fshatarë ditën e kalonim me lojëra të kohës dhe duke u kujdesur për bagëtinë. Secila shtëpi mbante nga disa krerë lopë dhe dhjetëra krerë dele. 

Malet për rreth fshatit gjatë gjithë ditës zhurmonin nga zërat e barinjve ose zilet e bagëtive.Mbrëmja pastaj na mblidhte secilin te shtëpitë e veta. Shtëpitë ende i kishim pa drita, vetëm ndonjë llamë me vajguri ndriçonte odat e fshatit. Ndaj dhe gjumin e bënim pothuajse me pula.

Por, që ta dini, zgjoheshim po ashtu me këngën e parë të gjelave!

III

Për ju që nuk e njihni fshatin tim të lindjes, Runikun, po ju dërgoj mes fjalësh atje që të keni një përfytyrim të përafërt tëkësaj qendre të vogël edhe për disa fshatra tjera për rreth saj.Gjurmimet kanë treguar se Runiku si lokalitet është shumë i vjetër dhe duket se kishte qenë i banuar qysh në kohën e neolitit. I takon komunës së Skënderajt dhe shtrihet përgjatë rrugës magjistrale Mitrovicë-Pejë, diku pas kilometrit të 27 ose 28 nëse jemi nisur nga Mitrovica për në Pejë. Disa gërmime arkeologjike të bëra gjatë viteve 1967/68 në disa parcela tokësore afër burimit të ujit të njohur si Çesmja e Llapaçit, te rruga që ndahet nga magjistralja dhe vazhdon për fshatin Bajë e Syriganë( dikur quhej Suhogërllë) kishin rezultuar në gjetjen e disa mbetjeve dhe fragmenteve të bëra nga qeramika. Po kështu, këtu u zbulua edhe instrumenti muzikor i kohës neolite, i cili u quajt Okarinë dhe ky paraqet instrumentin më të vjetër muzikor të gjetur deri më tani në Kosovë.Disa lagje të Runikut shtrihen kryesisht shpatijeve dhe rrafsheve të pjesshme, siç janë lagjeje Sejdiu, Miftaraj e Misiri ashtu siç ishin edhe fshatrat e afërme që lidheshin ngusht me Runikun si fshati Qubrel, Vitak, Kastriot (Kostërc), Çitak, Leoçinë dhe Pemishtë(Padalishtë). Fshati Radishevë ishte gjithashtu i lidhur ngusht me Runikun por shtrihej në shpatijet malore përgjatë bjeshkëve që vazhdonin në pjesën veriore deri në Mitrovicë dhe në Zubin Potok. Ndërkaq fshatrat Bajë dhe Syriganë shtriheshin rrëzë bjeshkëve duke pasur para veti një rrafshirë të madhe që shtrihej deri në komunën e Burimit(Istogut) e më pastaj e gjitha lidhej me Rrafshin e Dukagjinit.Përveç Çesmës së Llapaqit, me dy çepa, Runiku kishte edhe dy burime të pasura uji: një tek lagjëja e Misirlive, buzë rrugës për në fshatin Kastriot, përkatësisht lagjëja Hysenaj dhe një tjetër me dy çepa të mëdhenj që rridhnin gjatë gjithë kohës, aty te filli i rrugës për në Kllodernicë ose Turiçec. Këtu bile ka ekzistuar edhe një pishinë e vogël ku gjatë verës mund të laheshe.Runiku si qendër e disa fshatrave kishte një kooperativë bujqësore ku magazinoheshin të korrat verore, kryesisht, grurë, misër, elb e tërshërë e herë pas here fasule dhe fruta të egër për nevojat e industrisë ushqimore dhe asaj farmaceutike. Ngjitë me magazinat e drithit gjendej shtëpia e kulturës me një sallë të madhe me skenë dhe bibliotekën. Te i njëjti objekt kishte edhe një shitore ku sa futeshe brenda ndjeje aromën e vajgurit dhe ku njerëzit mund të blinin kripë, sheqer, vaj, cigare, oriz, makarona, marmelatë ose ndonjë konservë peshku a gullash dhe një seri basmash. Dhe te kjo shitore punonte Hajriz Hysenaj, një shitës legjendë me dy lapsa rrëzë veshëve.Pak më tutje kishte një zyrë postare dhe një furrë buke, e njohur si furra e Hajdar Hasit.Në anën tjetër buzë përroit të Runikut në një sipërfaqe bukur të madhe shtrihej si një bukuroshe e vërtetë shkolla fillore, tetëvjeçarja. Ishte një objekt dykatësh me shumë dhoma mësimi, disa dollap laboratori në korridore dhe një sallë të mirë gjimnastike. Deri vonë ka ekzistuar edhe shkolla e vjetër me tri dhoma mësimi ndërkaq veç fushës së futbollit e përshtatur edhe për basketboll dhe hendboll ekzistonin deri vonë edhe pajisje tjera për gjimnastikë dhe atletikë në natyrë.Shkolla posedonte edhe një kopsht të bukur me gjelbërim e me lule shumë dhe me shumë e shumë trupa mollësh.Kishte edhe gjëra tjera: zyrën ambulatore me një infermiere, mjeku vinte dy deri në tre herë në javë; zyrën e ofiçarisë, një berberhane, dy kafiteri dhe për të mos harruar një shpërndarës të gazetës së përditshme “Rilindja”, të cilit më vonë ju dha një kioskë dhe nuk kishte nevojë të bënte gjithë ato rrugë për ta shpërnda gazetën.E të mos harrojmë që Runiku kishte edhe një stacion policie i vendosur afër lagjes Sejdiu dhe më afër Muharremve përballë dy tri shtëpive të Prokshve me prejardhje nga fshati Leoçinë.Përafërsisht kështu dukej Runiku i fëmijërisë sime gjë që sot ka ndryshuar shumë për aq sa edhe mua aty-këtu më bëhet i panjohur... IVKeni parë që normalisht njeriu harron disa gjëra në jetë. Kështu më ndodh dhe mua gjatë kohës kur dua të risjell kujtime nga fëmijëria ime; mbase nga shkaku se nuk i kushtojmë vëmendje të veçantë, ose nga që besojmë se në të ardhmen nuk do të na nevojiten.Tani po shoh se paskam harruar të them që Runiku kishte edhe një zejtar shumë të rëndësishëm, atëherë e quanim opangaxhi. Dhe kush mund të ketë qenë ai runikas që s’ka shkelur në punëtorinë e tij të vogël, shumë afër Zyrës së Vendit? Njerëzit mund të mos ia dinin mbiemrin e vërtetë sepse në jetën e përditshme e quanin Hasan Opangaxhia!Hasani të priste me dashamirësi. Të pyeste i kujt je, si janë më shëndet nga familja, ta lavdëronte familjen, të përcillte të falat e tij dhe në fund të jepte një çmim, sipas tij, gjithmonë më të ultë vetëm për hatrin se ishe i biri i filanit!Pak më lart Opangaxhisë ishte ngritur edhe një punëtori e ndreqjes së qerreve që tërhiqeshin nga kafshët, kryesisht qerre druri. Nuk më kujtohen emrat e pronarëve por si zeje shumë e nevojshme për gjithë banorët të cilët veprimtari kryesore për jetesë kishin bujqësinë dhe blegtorinë.Ndërkaq te lagjja Misiraj, po ashtu punonte edhe një nallban, ku njerëzit mbathnin kafshët thundrake, kietë ose kuajt dhe tridhnin mëzet ose kuaj.Që të mos harroj, Runiku kishte edhe një kovaçhane, ku njerëzit farkonin sopata dhe mjete tjera të punës.Siç po vëreni, po përpiqem të gërryej kujtime nga një kohë këtu e 50 vite më parë, pak më shumë se kaq madje. Dhe njeriu po harruaka ngaqë disa gjëra nuk do vet ti mbaj mend ose i mendon si gjëra që nuk harrohen. Po nuk qenka krejt kështu.Qe si puna e tre muratorëve të njohur të asaj kohe në Runik, Bajram Haliti dhe Sadik Bislimi (babai im)nga lagjeja Sejdiu dhe Sylë Misiri. Kjo trio muratorësh kanë ngritur e meremetuar numër pa fund të shtëpive në këto anë. Bajrami ishte ekspert i pullazeve, Syla gdhendte gurët ndërkaq babai im Sadiku paskësh qenë mjeshtër i lidhjes së qosheve.I dëgjoja atëherë kur thonin se mjeshtrit meremetojnë gjithë dynjanë por jo shtëpitë e veta. Fjalë me vend them unë se babai u dërmua natë e ditë te shtëpitë e të tjerëve për të fituar ndonjë dinar pa i premtuar pak kohë meremetimeve të shtëpisë sonë.Kishte varfëri atëherë? Sigurisht,varfëria ishte përditshmëri për të gjithë dhe për këtë pothuajse të gjithë ishim të barabartë.Shpresat vareshin tek djemtë dhe ato pak vajza që ndiqnin shkollat. Profesioni i mësuesit ishte më i kërkuari dhe më i dëshiruari. Të bëheshe mësues ishe nder i madh, jo vetëm për familjen. Ajo kohë kishte nevoja të mëdha e të ngutshme për mësues shqiptarë. Ndaj gjithë ata që ndiqnin studimet në Shkollat Normale( kështu quheshin shkollat që përgatisnin mësues) ose arsimtar në Shkollat e Larta Pedagogjike shikoheshin si një dritë në fund të tunelit.Unë me vëllezërit e mi kemi pasë fatin që një nga dhjetë vëllezërit ndiqte Shkollën Normale në Mitrovicë. Falë atij në shtëpinë tonë shfletohej e përditshmja “Rilindja” dhe dy revistat e atëhershme “Jeta e Re” dhe “Përparimi”...Ndërsa djemtë e kishin më të lehtë për të bërë shkollë, vajzat përgjithësisht ishin lënë prapa. Të rralla ishin edhe ato vajza e gra që punonin si mësuese.Në Runik mbaj mend Razë Nimanin, e motra e Lah Nimanit, të njohur si trajner i shkëlqyer i klubit të Boksit “Prishtina” në vitet e 70-ta, Nurije Misirin dhe Sanije Ramoçin. Më vonë nga fundi i viteve të 60-ta te shkolla e Runikut do të fillojë punën si mësuese Sala Ahmeti nga Radisheva, e cila konsiderohej si Shotë Galica e dytë dhe e cila me shembullin e saj do të nxis shumë vajza të rrethit që pas fillores ti vazhdonin mësimet dhe studimet më tutje.Kur Sala erdhi si mësuese në Runik unë isha në mbarim të tetëvjeçares dhe gjatë asaj kohe librat më të popullarizuar u bënë romani “Sikur t’isha djalë” i Haki Stërmillit dhe “ Gremina e dashurisë” e Mustafa Greblleshit.Rrëfimin e sotëm po e mbyll me një fragment nga vepra e përmendur e H.Stërmillit:“Hodha nji sy në faqen e parë dhe lexova: Më shkrepi ta shkruej jetën time. Ky mendim më leu tue i pa fotografitë e ndryshme që të përfytyrojnë xha Simonin qysh në kohën e fëmijnisë. Përse të mos e shkruej? Jeta ime për të tjerët, ndoshta nuk, nuk e vlen asnji dysh, por për mue ka rëndësi, se asht imja, se mund të përshkohet nëpër faza të ndryshme interesante dhe dikur, tue i këndue në këto fletë gëzimet ose hidhërimet e mia, do të kënaqem ose do të pezmatohem. Sikurse pëson ndryshime trupi i njeriut tue u lakue nëpër rrathët e moshës, pa dyshim, ashtu ndodh edhe me jetën.”VMësimet te shkolla zhvilloheshin paradite. Deri në klasën e katërt kisha katër orë mësimi, pastaj drejt në shpi, një copë bukë me pak djathë e ndonjë spec, ose një copë bukë e kripur me pak sheqer dhe ikja me delet. Më duket se kanë qenë katër pesë familje nga lagjja jonë që mbanin dele, nga dhjetë e deri mbi 50 kokë delesh. Por nuk kishte shtëpi që nuk mbante lopë, po ashtu nga dy-tri deri mbi 10 krerë lopësh.
Zakonisht i kullosnim në kodrinat e zhveshura pranë pyjeve që shtriheshin shumë afër fshatit.
Secila kodrinë ose dhe ndonjë fushë kullote kishte emrin e vet: Roga, Kodra Cullak, Rrushi i Hajdinit ( s’ kishte as edhe një gixhë të vetme por kështu i kishte mbetur emri ngaqë në të kaluarën sigurisht që kishte ekzistuar si vreshtë) dhe Balltaqet.
Te Balltaqet kishte një burim që rridhte uji të pastër pa ndërprerë dhe përgjatë rrjedhës së tij ishin të hapura disa puse si rezervuar ku bagëtia e lagjes sonë dhe ato të lagjes Miftaraj e Spahiu pinin ujë. Rëndom nga perëndimi i diellit pothuajse ishte rregull i pashkruar por e gjithë bagëtia mblidhej te Balltaqet ku pas kullotës ditore pinin ujë, ndonjë nga kafshët cakërronin brirët, ndonjë tjetër lëpinte shoqen ose veten e saj. Por kishte edhe nga ata që boriteshin, gërryenin me njërën këmbë tokën dhe kjo ishte një shenjë se po ju kruheshin brirët dhe do niste gara. Ai që humbiste merrte me vete edhe ndonjë vazhgë bythëve.E gjithë kjo mbyllej me kthimin e bagëtisë në shtëpi dhe në këtë kohë shpërthente kënga e vajzave.
O praroj dielli o në Zllkaquan-eO berrja jeme o u ba tupanë-e.Pri Larikë o ty t ’priftë e maraLopë ma t’ mirë o nuk ka mahalla...Përgjithësisht në fushat dhe malet e fshatit kishte shumë barinj. Dita kalonte duke zhvilluar lojëra të ndryshme. Do përpiqem ti risjell disa nga ato që mbaj mend dhe ato që ishin më të popullarizuara nëse më lejohet ti quaj kështu.Gurapesh dhe brincë ishte një lojë që e kishim për qejfi. Gjenim ndonjë guri, mundësisht gur lumi ose përroi, i lëmuar, dy deri tre kilogramësh. Bënim një vijë nga ku do të gjuanim në drejtim të një brince ( brincë e quanim një copë druri gjusëmrrumbullake me gjerësi afër 8-10 cm dhe lartësi deri në 15 cm. Qëllimi ishte që të goditet brinca. Nëse nuk goditej herën e parë atëherë gjuajtja vazhdonte nga pozicionet ku gjendeshin gurapeshët. Sa më afër brincës me hedhjen e dytë kishte shumë gjasë që të goditej brinca dhe goditja duhej të ishte e fuqishme ashtu që brinca të hidhej sa më larg që t’ishte e mundur. Atij që gurapeshi i gjendej më së largu nga brinca dënohej të bëhej kalë dhe ne një nga një i hipnim “kalit” dhe e kalëronim deri te brinca e hedhur. Me këtë lojë stërviteshin muskuj të ndryshëm trupor, koncentrimi dhe fryma garuese. E bukur ë?
Guxhaz, ishte një lojë vetëm për djem. Fusha e lojës përfshinte një hapësirë rrethore me rreze afërisht 3m nga pika qendrore. Në mes hapej një gropë që e quanim kazan kurse rreth tij hapeshin gropa më të vogla”. Personat duhet të pajiseshin me guxhalishte, shkopinj druri me trashësi të theksuar te koka. Zakonisht i bënim duke prerë drunj bungu me gjithë rrënjën. Rrrënja ishte si formë koke dhe e gdhendnim sipas dëshirës duke ja hequr lëvoren. Nevojitej gjithashtu edhe një guxhë, copë druri në formë dhe madhësi të një domateje normale, që luante rolin e topit. Numri i personave në lojë më së shumti deri në 6-të. Rolin kryesor në këtë lojë e kishte siç e quanim guxhari. Detyra e tij ishte që ta end guxhën me mjeshtri dhe atë ta fuste në njërën nga gropat e vogla të cilat mbrohen nga pronarët e tyre. Nëse arrinte këte atëherë pronari i gropës përkatëse bëhej guxhar. Në shikim të parë kjo lojë mund të duket e thjeshtë por kërkon energji, shpejtësi dhe shkathtësi në endjen e guxhës. Në këtë lloj loje nuk merrnin pjesë vajzat, ndoshta për shkak të emërtimit që kishte  loja.Guracek, ishte një lojë tipike për vajza, por nuk do të thotë se nuk e luanin fare edhe djemtë. Gurët duhej të ishin të vegjël e të lëmuar, përafërsisht sa vezët e harabelave. Pesë guralec nevojiteshin për këtë lojë që kishte disa kategori vështirësish. E para ishte më e lehta, formohej një lloj porte duke vendosur gishtin e madh të dorës dhe në nga gishtërinjtë tjerë në tokë ndërsa me dorën tjetër hidhej një guracek në ajr dhe shpejt e shpejt me të njëjtën dorë kapte një guralec dhe futej në portë duke kapur guralecin gjithashtu që ishte hedhur në ajr. Nëse kjo nuk bëhej, dmth ti e kishte huqe rastin dhe e kishte radhën kundërshtari. Për ta fituar kategorinë e parë duhej të futeshin pa asnjë huqje të katër guralecët dhe pastaj kaloje në kategorinë e dytë: këtu gishti i unazës kryeqëzohej me gishtin tregues për të formuar një lloj si foleje ku ndërkohë që hidhje guralecin në ajr duhesh të kapje një guralec dhe ta vëje te foleja. E hidhje prap në ajr dhe nga foleja e futje në portë dhe kështu deri sa ti kishte futur në portë të gjithë guralecët.
Ajo që fitonte lojën ekzekutonte pastaj dënimin për humbësin. Dhe ky moment ishte një moment shumë i bukur. Humbësi shtrinte njërën dorë në tokë kurse fituesi hidhte një guralec në ajr dhe godiste dorën e kundërshtarit. E fillonte nga gjërat e lehta, rëndom thuhej: lëpijë mace, grith maçorr dhe bjer tokmak!
Shyt, ishte një lojë që preferohej gjithashtu nga djemtë. I ngjan garave të sotme në hedhjen e shtizës. Për këtë lojë bënim një shkop sa më të drejtë që të jetë e mundur me gjatësi mbi një metër. Ai që e hedhte më së largu fitonte, pastaj përsëritej edhe në herë, dhe një herë tjetër deri sa mërziteshe dhe të shkrepte mendja për ndonjë aktivitet tjetër.
Kishte edhe lojëra tjera, varësisht prej moshave. Djem dhe vajza bashkë mund ta luanin një lojë që ne i thonim Çelepik, dikund tjetër i thonin Petë-Petak; pastaj një tjetër, Kleçkë e Kuti, Kamkacel, Msheftas, Xiu ose Bëzzz, Ndërmjet dy zjarreve, Këcim në Llastik ose Këcim në Litar, Ngile, Teze, Degergjik dhe dihet më, po të kishim ndonjë top Futboll.Gjithë këto lojëra na jepnin kënaqësi të veçantë dhe tani kur po i shkruaj më duken si një film i vjetër me kujtime të zbehura. Mua më duket se këto lojëra bëheshin gjithandej, vetëm emërtimet mund të kenë qenë ndryshe. Shumë prej këtyre lojërave më duket sot janë zhdukur!
VISigurisht që e gjithë dekada e viteve 1960 ishte e përshkuar me ndikime sllave edhe në gjuhën shqipe, posaçërisht në të folur dhe më pak në gjuhën e shkruar. Murit i thonim zid, dritares prozore etj. Në mbiemrat tonë pothuajse gjithandej i shtohej një bisht viçi “viq”, si psh Topalloviq për Topallaj, Sejdjoviq për Sejdiu, Çollakoviq për Çollaku etj.
Prandaj jo rastësisht, vajzat e lagjes Topallaj të Vitakut i ngritën një refren përqeshës lagjes sonë:
Sejdjoviq, Sejdjoviq,Me një lopë, me një viç
Dhe ate mos e paqi hiç!...Por këtë lloj hidhërimi që shkaktonin ato, djemtë e lagjes Sejdiu kishin gjetur një formë hakmarrjeje. Për të bërë pazare në kooperativën e vetme atëherë në qendër të Runikut ata duhej të kalonin rrugës mes përmes lagjes Sejdiu. Anash xhadesë kishte shtylla telefoni dhe për të vazhduar në drejtim të qendrës djemtë e lagjes Sejdiu i detyronin moshatarët e tyre nga lagjeja Topallaj të ngjiteshin nëpër shtyllat e telefonit, të preknin filxhanët ku mbaheshin telat. Ndryshe nuk kalonin. Duke u ngjitur ose duke zbritur duart e tyre gërvishteshin keq dhe nganjëherë duart u bëheshin me gjak.Çuditërisht kjo gjë sikur i argëtonte të dy palët sepse hidhërimi nuk jetonte gjatë. Pas dy tri ditësh ose dy-tri javësh lagjet do të takoheshin në ndeshje futbolli që zakonisht bëhej në një fushë futbolli me zallë. Dhe ke parë ti, sa niseshim në drejtim të shtëpive tona, Topallajt na bombardonin me gurë deri sa ne fshiheshim prapa lisave dhe shkurreve. Kur kalonim Lugun e Dreçollit, që i ndante lagjet tona, atëherë ishim ne ata që kundërvepronim!..
Të nesërmen takoheshim sikur të mos kishte ndodhë asnjë gjë.
...Dhe nuk ishte vetëm kjo mbaresa me “viç” që na shqetësonte. Komuniteti serb, kryesisht kolon të vendosur në periudha të ndryshme në Runik dhe në fshatrat për rreth, kishte ushtruar trysni të idhët ndaj shqiptarëve vendës. Si fëmijë na binte shpesh ta dëgjonim shpesh nga të rriturit, në ndeja të ndryshme dhe në oda kur hapej biseda e së kaluarës.
Dëgjoja histori të dhembshme, tragjike. “Balta e Runikut”, një burg famëkeq, Aksioni i armëve në vitet 1955/56, Stacioni i policisë afër lagjes sonë me gjithë ato pemë ku mua më dukej që secila pemë mbante të fshehur një histori të dhembshme.
Ato vite dimrat kishin qenë të ashpër e për ti detyruar shqiptarët për ti dorëzuar armët, dhe kur nuk kishin armë detyroheshin ti gjenin ku të mundnin, i lidhnin për pemësh, i torturonin dhe i lenin të mërdhinin! Dhe i akuzonin, e shef, ti ke pasë pushkë por s’ke dashtë me ia dorëzua dërzhavës (shtetit).Dhuna që zhvillonte pushteti ishte brutale dhe kolektive. Rrahjet bëheshin para syve të bashkëfshatarëve, me pendrek ose edhe me shqelma dhe duke i lënë zbathur në borë. Veç dhunës fizike ushtrohej edhe dhunë psikologjike, fyerje në baza kombëtare dhe sharje nga më të rëndat!Mbaj mend emrin e një gruaje që e quanin Milevë. Lagjja jonë kishte pasë një maratonë kontesti sa i përketë pronësisë së pyjeve. Ajo kishte siguruar një tapi false nga pushteti se gjoja trashëgonte dhjetëra hektarë pyje të cilat në të vërtetë ishin në pronësi të shqiptarve të lagjes sonë. Për vite të tëra i kishte torturuar kjo Mileva por me të rënë nga pozita funksionari i lartë Rankoviq, iu dogjën shpresat edhe Milevës.Histori të këtilla reflektoheshin edhe në të menduarit e fëmijëve gjë që shprehej edhe në lojërat tona. Rrugës për në shkollë por edhe në ndeja tjera e ngucnim ndonjë fëmijë të vogël duke i thënë.” Thuaj “â”, kish cofë ni shkâ, t’kan thirre me lâ”. Ose “thuaj “I”, kish cof ni thi, t’kan thirre me l’pi!”VIITani do t’ju tregoj lagjen Sejdiu ose Sejdijaj të Runikut. Banorët e lagjes thonin se janë runikas por shumë fshatra tjera e njihnin si lagje e fshatit Vitak, mbase për shkak se shtriheshin afër njëri tjetrit, i ndante vetëm një përrua. Madje edhe një këngë popullore kushtuar bashkëluftëtarve të trimit të njohur Azem Bejta ku përmendet emri i Hazir Ramës, axha i babait tim, thuhet “Hazir Rama i Vitakut”. Nejse, kjo dhe nuk ka ndonjë rëndësi të madhe sepse zyrtarisht të gjithë banorët e lagjes kanë si vendlindje Runikun.Atëherë lagjja kishte afër 30 shtëpi, shtëpi guri, ose me çerpiq dhe ndonjë tjetër me pallzina. Mes fshatit kalonte xhadeja dhe varësisht se në cilën pjesë i kishim arat, i quanim te “ara mbi xhade” ose te “ara nër shpi”. Arat tjera pastaj manin emra të tjerë, si Ara te Hani, n’Roga, Ara n’Matanë, Kërrçevinë, Mellinë, etj. Afërsisht gjysma e lagjes shtëpitë i kishin buzë xhadesë, ndërsa të tjerat ishin disa mbi xhade, Ramajt për shembull dhe Tahirajt te Kroni i Epër. Pak më lart në majën e një kodrine gjendej shtëpia e Ahmet Januzit që ishte si pikë lidhëse me lagjen Spahiu e Smakaj të fshatit Kastriot. Ndërkaq në drejtim të qendrës së Runikut përskaj një përroi me plepa shtrihej lagjja e Muharremve dhe pak më tutje në Kodrën e Milicisë shtëpia e Zeqir Prokshit.Përgjithësisht oborret ishin të rrethuara me avlli ose gardhiqe. Avllitë thureshin me drunj të hollë e të njomë ndërmjet hunjve. Sipri viheshin therra të trusura mirë. Kishte nga ata që ishin më merakli dhe avllitë i thurnin në formë të bishtalecave. Përveç shtëpisë së banimit të gjithë kishin të ngritur nga një ahër për lopë ose kuaj dhe një torishtë për dele.Ushqimi i kafshëve, kryesisht kashtë gruri, tërshëre ose elbi dhe tallë misri. Kashta dhe talla bëhej shtregë ose mullarë dhe ndokush kishte ngritë pleme ku mbante ushqimin e kafshëve. Në mullarët me kashtë ose me tallë i ruanim mollët të cilat i konsumonim pastaj gjatë kohës së dimrit. Më duket se po ndjej edhe tash aromën e mollëve! Ani ato mollët e tharta!Ishte e domosdoshme gjithashtu një kosh misri dhe një hambar për drithin e bardhë (grurë, tërshërë dhe elb).Banimi ishte i ngushtë, shtëpitë e vogla dhe me pak dhoma gjumi. Odat ishin vetëm për burra dhe mbaheshin rëndom më mirë dhe më bukur. Në lagjen tonë ishte e njohur Oda e Ferat Isuf Sejdiut, një burrë i urtë dhe mjaft i zgjuar. Babai im Sadiku ishte pothuajse i pandashëm nga ai. Verës në mbrëmje ata nxirrnin një tangar me prush në lamë dhe pinin kafe. I dëgjoja tek thonin se “zjermi e ka lezetin e vet edhe në verë”!Oda e xha Feratit ishte buzë xhadesë. Kishte një oxhak dhe një hapësirë të madhe që ndahej me dy shtroja çerge sipër kashtës dhe qilima ose jana të kuq si gjaku mbi çerga, në dy pjesë, ndërkaq pjesa e hapur deri te oxhaku ishte e shtruar me sixhade. Afër derës së hyrjes ishte ngritur një trapazan me disa dollap ku ruhej sheqeri, kafja, duhani dhe mbahej takëmi.Jo të gjithë kishin oda kaq të mëdha ndaj në raste gëzimi ose hidhërimi komshitë e huazonin odën e xha Feratit pa kurrfarë kompenzimi.Si fshat më, të gjitha shtëpitë mbanin pula dhe kur binte terri i mbyllnim në kaçak. Ndërkaq shtëpitë që mbanin qenë u bënin ndonjë kolibe afër dyerve të oborrit apo në ndonjë qoshe jasht shtëpive sigurisht. Mbanim edhe mace por rrallëkush që nuk i shqelmonte sidomos kur shtrohej sofra se atëherë, të uritura siç ishin, vraponin drejt sofrës me mjaullimat e tyre të pandalshme.Ujin e pijshëm e nxirrnin nga bunarët, disa shkonin deri në 12 pash thellësi. Lagjja kishte edhe dy kroje, Kroni i Epër dhe Kroni i Poshtër, kështu quheshin dhe kështu njiheshin në popull. Të dy krojet ishin burime të forta,kurr nuk shterrnin, me shumë ujë dhe ujë të pastër si loti.Te këto kroje laheshin edhe teshat. Më duket se po i shof nënat tona të cilat ndiznin zjarre afër kroit, i zienin rrobat në kazan dhe kush me sapun e kush vetëm me fi, i lanin rrobat dhe pastaj i thanin duke i varur në ndonjë litar që i lidhnin ndërmjet shelnjeve ose i thanin sipër gardhiqeve afër krojeve.Te Kroni i Poshtër lagjja jonë kishte edhe një lloj kolonie për të bërë bashqe. Nga rrjedha e kroit hapej një vadë dhe secili sipas një radhe të pashkruar por me respekt vaditeshin parcelat e mbjella kryesisht me qepë, hudhra, lakra, speca, spinaq, kunguj misiri dhe patate.(vazhdon) VIIIJeta në fshat nënkuptonte edhe përdorimin e një numri të madh të veglave për punë. Jo për të gjitha punët mund ti kishim veglat e punës dhe ato që na mungonin i huazonim te komshitë. Kur jemi te huazimi i veglave të punës atëherë Vasa e mixhës Hazir ishte tepër e kujdesshme. Sa vinte mbrëmja vinte dhe e kërkonte veglën që na kishte huazuar dhe harro premtimet që i jepnim se e kishim pas ndërmend pas pak t’ ja kthenim, ose nesër do t’ja kthenim, ajo vazhdimisht thoshte që nuk prish punë por më mirë që vinte vet sepse edhe mund të harrohej e pastaj harresa e bënte që nuk mund ti kujtohej se kujt ia kishte huazuar veglën përkatëse.Në një qoshe të murit afër ahurit e varnim zgjedhën e kieve me gjithë zhegra, te koshi i misrit palosnim kanatat e kerrit ku mund të gjendej edhe ndonjë shin rrote sepse kerri ishte ende me rrota druri që mbroheshin me shina metali. Ata që mbanin kuaj edhe pajisjet i kishin më të posaçme.Të jetosh në fshat e të mos kesh një sakicë ishte e pamundur. Rekomandimi ishte gjithmonë para se të flihej gjumë sakica duhej hequr nga cungu dhe të futej brenda në shpi. Është turp që t’na mbytë kush me sakicën tonë! Po pse more me na mbytë e kisha menduar sa e sa herë, po mendja ime fëmijnore nuk shkonte më tutje, kështu e dëgjoja dhe duhet ta respektoja, unë dhe gjithë fshati.Varësisht llojit të punëve edhe veglat e punës i mbanim në ambiente të caktuara. Prandaj te koshi i misrit mund të gjendej edhe parmenda dhe disa vite më vonë pllugu, një vëllaqë e vogël e metalt por e përdornim edhe një vëllaqë prej therrash mbi të cilën venim gurë të rëndë.Në tavanin e ahurit gjeje tfurq druri ose metali, grabuja, qyskia, kosa ose edhe ndonjë kmesë. Te hambari kishte shatnij, kazmë, çekiç, tokmak, teshlicë, daltë dhe ndonjë trinë misri, buçuk, sharrë druri, limë druri, burgi, turjelë, ndonjë shoshë, zdrukth druri, drapra etj.Për nevoja të ndryshme mbanim një kandar, fener, mangall i metalt, pastaj ene të ndryshme prej balte si qypa, xhyveç, vorba, kënata, ibrik, legen, kusi e kazan, koritë, tasa të zinkut ose nga pacërrka, brisqi të ndryshëm dhe ndonjë brus për mprehjen e veglave të mprehta. Shumë nga këto enë mbaheshin te çarraniku ose fllaniku, ambiente për ruajtjen e bulmetrave bashkë me tinarët dhe ndonjë kacë rasoji e cila vendosej në hapsira tjera.Më kujtohet edhe veku me gjithë pajisjet e nevojshme, një çekërkë për endjen e penjve të pambukur, furka me gjithë bosht për tjerrjen e leshit, kërhanët për lënurjen e leshit, gërshërë të veçanta për qethjen e deleve dhe kashagia, një lloj krahëri për kafshë etj, etj. Kryesisht punoheshin qilimat, janat dhe sixhadet tek të cilat dominonte ngjyra e kuqe, e zezë dhe jeshile: punoheshin edhe këmisha me pëlhurë pambuku dhe vajzat posaçërisht bënin ojna dhe qëndisje shumë delikate dhe shumë të bukura.Siç e kam përmendur dikund më herët në oda mbahej takëm i posaçëm. Filxhan për kafe, xhezve për kafet me sheqer dhe xhezve për kafe pa sheqer, dollap kafeje për pjekjen e kafes dhe mulli kafje, xhygyma një mbi në për çaj dhe ndonjë tabëll për shërbime përkatëse.Te guzhinat ndërkaq që ishin mjaft të thjeshta e të pashtruara me ndonjë gjë, përveç oxhakut me verig mund të kishte edhe ndonjë shporet të zi. Në mure ndreqeshin disa lloj policash, zakonisht afër ose mbi maxhe, ku vendoseshin kalanicat dhe rrallë-rrallë ndonjë pjatë porcelani, më shpesh ndonjë pjatë alumini. Tepsitë ishin të madhësive të ndryshme, për bukë dhe për pite, çerep, vekshë për fasule dhe ndonjë lloj çorbe, funi për gatimin e bukës, sitë normale ose e çpeshë, pra me vrima shumë të imta, lugë kryesisht të drunjta ose nga alumini e shumë rrallë pirunj dhe sofra.Shtëpitë e lagjes ishin kryesisht një katshe dhe përdhese. Në të kaluarën kishin ngritur edhe kulla, shtëpi banimi dhe objekte që kryenin rolin mbrojtës. Kështu flitej për Kullën e Tarakut që kishte qenë te arat në Roga ku madje deri vonë ka qenë edhe një bunar, i njohur si Bunari i Tarakut. Ndërkaq unë mbaj pak në mend edhe kullën Ibish Hetem Sejdijajt, e cila ishte dykatëshe dhe e mirëmbajtur. Ibishi ka qenë një nga të parët që kishte ngritur edhe një shtëpi të re, të planit siç quheshin atëherë, dhe kështu niste një frymë të re banimi gjë që nuk e kishim provuar më parë.Disa vite më vonë ai do të jetë po ashtu i pari i fshatit i cili do të instalonte në shtëpinë r tij ujin e pijshëm. Tani nuk e di a ekziston më kjo kullë a jo, ndërkaq kulla tjetër e fshatit që ende ekziston në lagje është ajo e Miftar Hasanit*, megjithëse në gjendje të keqe dhe i vetmi objekt tani për tani i të kaluarës së lagjes tonë.Sigurisht që nuk mund ti numëroj të gjitha gjërat se së pari disa dhe i kam harruar dhe e dyta ky nuk është qëllimi im përveç se të formoni një pamje të përafërt për shtëpitë e banimit dhe për veglat dhe mjetet që përdornim gjatë asaj kohe, të cilat nga fillimi i viteve të 70 pastaj do të pësojnë ndryshime të mëdha. Unë ende flas për një kohë kur në shtëpitë tona nuk kishte elektricitet, nuk kishte televizor përveç ndonjë shtëpie të rrallë që mund të posedonte ndonjë radioaparat ose ndonjë transistor. Dita ditës rritej interesimi për shkollim por shkollimi i femrës përballej me probleme të mëdha sidomos në zonat pak a shumë më të thella. Në të vërtetë shkollimi fillor ishte i detyrueshëm dhe kjo respektohej gjithandej por pas fillores shumë vajza detyroheshin të ndërprisnin shkollimin dhe të mbyllnin dëshirat dhe ëndrrat e të ardhmes së tyre.* Në foto kulla e M. Hasanit në lagjen Sejdiu, Runik




Inga kommentarer: