Ndriçimi, shtrembërimi dhe reflektimet e
kësaj ngjarje historike në shoqërinë tonë të tanishme
Shkruan Zymer Kuqaj
Zymer Kuqaj |
43 vite pas Pranverës Shqiptare të vitit 1981
shoqëria jonë ka shumë pak njohuri ose këto njohuri i ka jo të plota, por edhe
të shtrembëruara, se çka në të vërtetë ka ndodh në Qendrën e Studentëve më
datat 11 dhe 26 mars të vitit 1981. Por, edhe në ditët në vazhdim deri më 31
mars dhe 1 e 2 prill kur protestat arritën kulmin duke u shndërruar në demonstrata gjithëpopullore në Kosovë.
Në Kosovën e pasluftës kur pritej se ka ardhë koha që historinë ta shkruajmë vet pa menduar për cenzurën dhe pasojat nga shkrimi i drejt i saj, ndodhi e papritura e çoroditur. Historia dhe ngjarjet historike u bënë preja e parë e lirisë së shkrimit. Historianët shpallën heronj, baballarët, gjyshërit dhe stërgjyshërit e tyre. Ndërkaq veten e shpallën, pinjoll të heronjve legjendarë.
Analistët nepër studiot e shumta televizive jepin fakte, dëshmi dhe teoritë më të çuditshme për historinë. Pa pasë as më të voglin fakt dhe pa asnjë përgjegjësi për atë çka shkruajnë apo çka deklarojnë.
Gjithë këta historian dhe analistë kanë krijuar një konfuzion aq të madh në
shoqërinë tonë sa që është, jo e vështirë por gati edhe e pamundur të shihet e
vërteta. Më qëllim të ç’vlerësimit të krejt asaj që është dhe quhet vlerë.
Po të shikosh rrjedhat politike të Kosovës në
këtë çerek shekull, nuk është vështirë të shihen arsyet e hedhjes së
konspiracioneve më të çoroditura për ngjarjet dhe personalitetet historike të
kombit tonë.
Angazhimi politik në Kosovën e çliruar, i
personaliteteve politike dhe publike që kanë qenë pjesë e sistemit jugosllav,
që kurrë nuk janë distancuar nga politika diskriminuese e këtij sistemi kundër
kombit shqiptar në Kosovë dhe në të gjitha trojet shqiptare në ish Jugosllavi.
Këto personalitete jo që nuk janë distancuar nga dhuna që është ushtruar kundër
shqiptarëve, por edhe kanë qenë argat shumë të devotshëm në propagandimin e
politikës antishqiptare të sistemit serbosllav. Avancimi politik i kësaj kategorie
dhe marrja e funksioneve më rëndësi publike, deri në postin e kryeministrit është
e pafalshme për politikën e Kosovës. Në emër të një konsensusi kombëtar, që në
fakt ka qenë fitimi i favoreve politike dhe ekonomike, politikanët e Kosovës
kanë bërë kompromis me parimet esenciale të ndërtimit të një shteti të ri dhe
të zhvillimit ekonomik, politik dhe kulturor të këtij shteti.
Normalisht në një shtet ku shkelen parimet
esenciale të shtetit, lindin mediume më pronarë të dyshimtë që krijojnë
opinione më anën e një armate të analistëve politikë, zhurmagjinjë. Zhurma e
tyre vë në dyshim ç'do gjë që ka vlerë. Tek e fundit, ky është qëllimi i
tyre.
Kësaj papërgjegjësie nga liria e shprehjes dhe shtypit nuk i kanë shpëtuar as ngjarjet e lavdishme të Pranverës Shqiptare të vitit 1981.
Në vend të ndriçimit, ndodh shtrembërimi
Më i shtrembëruar është fakti për pasojat e
kësaj ngjarje, kinse këto ngjarje kanë ndërprerë avancimin ekonomik, arsimor
dhe politik të Kosovës. Përkrahësit e kësaj teorie janë jugonostalgjikët, ata
të cilët kanë qënë pjesë e sistemit jugosllav ose përkrahës servil të sistemit.
Dhe merrni më mend, është ndërprerë sistemi politik i KSA të Kosovës, që ishte
pjesë përbërëse e republikës së Serbisë.
Teoria tjetër që është krejt absurde dhe pa
kurrfarë baze, është fakti që shumë jugonostalgjikë thonë se këto ngjarje kanë
qenë të organizuara nga regjimi komunist i Shqipërisë. Krejt në vi më qëndrimet
e komunistëve jugosllav nën presionin e republikës se Serbisë, me çka
arsyetohej krejt dhuna e organeve policore dhe gjyqësore kundër popullatës e në
veçanti kundër rinisë shqiptare në ish Jugosllavi.
Se për çfarë avancimi bëhet fjalë, dhe në
cilën federatë ky avancim mund të bënin shqiptarët e Kosovës përgjigjja më e
mirë mund të shihet qysh në ngjarjet e pasditës më 26 mars të vitit 1981 në
Qendrën e Studentëve. Çfarë avancimi dhe çfarë perspektive pritej nga shteti që
ushtroi gjithë atë dhunë kundër studentëve që shtruan kërkesat dhe protestuan
për këto kërkesa në mënyrë paqësore. U bë dhunë më çnjerëzore, kundër ç'do
studenti dhe në secilën dhomë të konvikteve u hudh gaz lotësjellës për t'i detyruar
studentët të dilnin jashtë. Jashtë i pritte kordoni milicisë speciale të
federatës jugosllave. Keqtrajtimi fizik dhe ofendimi që ju bë rinisë shqiptare
ishin jashtë çdo arsyeje. Arsyeja kryesore ishte, urrejtja patologjike e
pjestarëve të policisë speciale të nxitur nga udhëheqësit policor dhe politik,
të shtetit që jugonostalgjikët shihnin perspektivën e shqiptarëve.
Shtrembërimi më i madh, duke përdorë konspiracionet më të çuditshme të demonstratave të vitit 1981 është data e
fillimit të këtyre demonstratave, respektivisht data 11 mars. Bile disa shkojnë
aq larg sa datën e fillimit të demonstratave e trajtojnë si vepër e UDB-ës
jugosllave. Propaganduesit e kësaj teorie nuk besojnë në aftësinë tonë si komb,
që ne vet mund të iniciojmë ngjarje dhe lëvizje të mdha të ndryshimit të
historisë tonë. Thjeshtë ky është një nihilizëm dhe mungesë vetëbesimi.
Mungesa e njohurive, se çka më të vërtetë ka
ndodh më 11 Mars të vitit 1981 ka ardhë edhe si rezultat i heshtjes së organizatorëve të kësaj ngjarje. Personalisht ç'do përvjetor të demonstratave
të vitit 1981 e kam përjetuar si vuajtje nga mungesa e depërtimit të së
vërtetës historike. Shpesh kam kontaktuar me organizatorët e 11 marsit, pasi
katër nga gjashtë organizatorët që unë i njoh si iniciator të protestave të 11
marsit, i kam pasë shokë për katër vite të studimeve dhe miqësia më ta vazhdon
edhe sot. I kam kontaktuar më qëllim që të bëhet më shumë në zbardhjen e
fillimit të protestave. Modestia është virtyt i mirë, por kur të tjerët të
vërtetën e shtrembërojnë, heshtja është e pafalshme. Pasi unë kam qenë
drejtpërdrejtë i rekrutuar nga ana e tyre që të jap kontributin tim në
njoftimin e sa më shumë studentëve për të ardhë në menzën e studentëve në ora
19.00 për të protestuar për pritjet e mëdha dhe në përgjithësi për kushtet e
këqija në menzë dhe në qendrën e studentëve. Për një kohë të gjatë nuk e kam ndjerë
si përgjegjësi të shkruaj për këto ngjarje pasi unë nuk kam qenë drejtpërdrejtë
në grupin iniciator të kësaj ngjarje. Për të dalë prapë te modestia, kam pas
frikën mos po e marrë bajrakun e demonstratave të 11 marsit, si shumë bajraktar
tjerë të pasluftës.
Herët a vonë, përgjegjësia e mund modestinë
Para katër viteve në 39 vjetorin e
demonstratave të vitit 1981 kam shkruar dy shkrime, që në të vërtetë është një
shkrim por që i kam ndarë veçmas, demonstratat e 11 marsit dhe 26 marsit. Në
shkrimin tim jam përqëndruar, në shkaqet që kanë ndikuar në shpërthimin e
demonstratave dhe kujtimet e mia, në rrjedhjen e ngjarjeve të këtyre dy
demonstratave. Nuk jam thellar në iniciativën që e ka lind
11 marsin, pasi unë nuk kam qenë i pranishëm. Nuk kam shkruar as për ngjarjet
pas 26 marsit, nga shkaku që dihet se unë e kam pasë të pamundur të marrë pjesë
në demonstratat në vazhdim. Këto dy shkrime sikur më kanë liruar nga
përgjegjësia që të jap kontributin tim në ndriçimin e fillimit të pranverës
shqiptare të vitit 1981. Nuk kam pretendime në të vërtetën absolute në shkrimet
e mia. Kjo është e vërteta ime për
protestat e 11 dhe 26 marsit.
Një punë e mirë që duhet të mirret si
shembull, në ndriçimin e Pranverës Shqiptare të vitit 1981 është libri
“Pranvera e madhe shqiptare 40 vjet nga demonstratat e vitit 1981” botuar nga
Instituti i historisë së Kosovës (2023) që përmban kumtesa nga organizatorë dhe
pjesmarrës të demonstratave të vitit 1981. Kumtesat janë marrë nga simpoziumi
më të njëjtin titull si libri, organizuar nga Konsullata e Kosovës në Shtutgart
më iniciator dhe udhëheqës të simpoziumit nga ish konsulli Imer Lladrovci.
Për të qenë i sinqertë, në shtrembërimin apo
më mirë më thënë në mjegullimin e datës së fillimit të pranverës shqiptare të
vitit 1981 e kanë edhe disa pjesëmarrës të këtyre ngjarjeve. Ata duke u përpjek
të rrisin veten dhe rolin e tyre në këto ngjarje, përmendin disa data para 11
marsit të vitit 1981. Përmendin një shfaqje të pakënaqësisë në Qendrën e
studentëve dikund në fund të vitit 1980 dhe disa brohoritje gjatë vizitave të
artistëve shqiptarë më orkestrën e RTSH-ës dhe të artistëve të Radio Shkodrës. Është
fakt se gjatë vizitave të artistëve, këngëtarëve dhe sportistëve nga RS e
Shqipërisë është shpreh haptazi simpatia dhe dashuria karshi shtetit amë. Të
gjitha këto ngjarje kanë rëndësinë e vet, por, kurrë nuk mund të krahasohen më
11 marsin.
11 marsi është dita e përurimit të pranverës
së vitit 1981. Është data që ndan epoka, para dhe pas demonstratave të vitit
1981. Është data që mundi frikën dhe rriti guximin për të protestuar hapur dhe
me kërkesa të qarta drejtuar pushtetit të atëhershëm, përkundër dhunës dhe
masave represive të organeve policore dhe gjyqësore. Një grup i vogël i
studentëve arriti të organizojë një protestë të madhe. E filluar në menzën e
studentëve më një rebelim rinor për të vazhduar me marshim nëpër rrugët
kryesore të kryeqytetit të Kosovës.
11 marsi, lindi 26 marsin, ashtu siç 26 marsi
lindi Pranverën Shqiptare të vitit 1981
Pjesëmarrësit e demonstratave të vitit 1981
dhe të burgosurit politikë për këto ngjarje, në fillim të viteve të 90-ta në
emër të një konsensusi kombëtar falën ata që u duartrokisnin dënimeve të rënda
me burg dhe e legjitimuan LDK-në si lëvizje kombëtare.
Lëvizjet studentore të Kosovës kanë një
histori të lavdishme në prirjen e ngjarjeve historike. A nuk është lëvizja
studentore e vitit 1997 që prishi status quon dhe u përcaktua për rezistencë
aktive. Përcaktim që bekoi armët e UÇK-së.
Disa thonë së këto ngjarje kanë qenë të
hershme. Një akumulim i pakënaqësive dhe ngritjes së vetëdijes kombëtare që ka
ekzistuar te rinia e Kosovës në vitin 1981 nuk e ka njohur fjalën pritje.
Ashtu siç nuk e ka njohur këtë fjalë, as rina dhe populli i Kosovës në gjysmën
e dytë të viteve të 90-ta.
Vetë rinia është pjesa më energjike e një
shoqërie dhe si e tillë edhe e guximshme të shpreh hapur pakënaqësinë për diçka
që ajo mendon se është e padrejtë. Këtë e kanë bërë edhe rinia studentore e
vitit 1981. Në kohën kur në bllokun socialist as që ka guxuar kush të thotë
diçka kundër sistemit dhe krejt i pa imagjinueshëm guximi për të demonstruar
hapur në rrugë me kërkesa ekonomike dhe politike. Këtë e kanë bërë studentët
dhe në vazhdim edhe populli i Kosovës në vitin 1981.