VEÇ NJË ZEMËR


SHUQURI SEJDIJAJ: VEÇ NJË ZEMËR

Redaktor: Rizah SHEQIRI
Recenzent. Muhamed KRASNIQI

Kopertina dhe dizajni: Avlvin EKMEKÇIU

ISBN 978-91-637-0532-8

Botues: Lidhja e Shoqatave Shqiptare “Iliria” në Suedi
             Albanska Riksförbundet “Iliria” i Sverige

Shtypi: www.europrinty.net
Prishtinë 2012


MOTIVE ATDHETARE


EMRI IM

Kurrqysh të mësohem
me emrin tim.
-Ç’ është? Pse ky emër?

U përpoqa njëherë
në lum ta hedh.
-S’është për mua, foli lumi.

Të gjitha kombinimet binin
se shqip

emri shyqeri prapë nuk dilte.


VEÇ NJË ZEMËR

Veç një flamur,
Veç një gjuhë,
Veç një komb,
Veç një shtet dhe
Veç një nënë


 Shqipëri.
Veç një flamur,
Veç një gjuhë,
Veç një komb,
Veç një shtet dhe
Veç një nënë
E një zemër Shqipëri.

LETËR E HAPUR

( Të zhdukurve të luftës)

U bënë shumë vite
shumë e shumë do vijnë.
Ju s´dini ku jemi
As ne ku jem´ s´dijmë.

*

Të gjallë na shpresojnë,
Eshtrat s´na i gjejnë.
Të vdekur na numrojnë
varre s´na ngrejnë.

*
Fotografi të mureve
Na lani me lot.
Vitet kalojnë
dhe s´na gjeni dot...

(Maj 2010)

UJITI LULET LIRI!

Nga t´ia nis kësaj here?...
E kisha menduar krejt ndryshe
urimin e sivjem për festat e fundvitit.
Pata shpresuar shumë se ti
do të ktheheshe sivjet.
Më i rritur, mbase
tamam burrë do bëheshe...

Po, dora më dridhet,
dhe lapsi në mes gishtrinjve.

Më dridhen buzët,
e vrej se po ligshtohem pa ndalë.

Me t´ thanë që kjo më ngjet sa herë të kujtoj ty
më duket e panjerëzishme.
Ku ka nënë që s´kujton bijtë e bijat e saja?
Ku ka nënë që në këto festa
nuk i dëshiron
bijtë dhe bijat
në sofrën e shpisë?...

Ndoshta po presim kot,
po hajt,
edhe sivjet po ta ruaj vendin zbrazët në sofër...

Dhe kur çastet e fundit
do ti lënë vend
ditës së re të vitit të ri
atëherë edhe unë
si gjithnjë këto njëmbëdhjetë vitet e fundit,
do të lutem për ty
dhe gjithë të tjerët të cilëve s´ua dijmë gjurmët.

- Shpresojmë sivjet,
bile të vdekur po na i kthejnë!

Heu Liri,
kush e kishte menduar se
kishe me u gëzua
edhe të vdekur me të gjetë
e më të qajtë si të vdekur!

Më fal Liri,
po sonte nuk do të flas shumë,
se janë çua peshë do lugetër kundër Kosovës
dhe kundër
gjithë atyre që rrokën armët për të mbrojtur
lirinë e atdheut
e shpisë së vet.
Shtihen si engjuj e paqedashës
për t´ja bërë varrin të urtit,
i cili s´pati kah të shtyhet më tej dhe
kur u mbështet për muri
si thonë
dy duar për një kokë...

Më fal Liri,
por urimin
s´po e shkruaj as nuk po e nis
as kësaj here.
Po fik dritat dhe
po bëhem një me terrin e këtij funddhjetori
tmerrësisht të ftohtë...

Ndjej se po ligshtohem pa ndalë e
viti që po vjen s´di a më gjen.

Nëqoftëse nuk do të jen tharë
kur të kthehesh ujiti lulet Liri,
se veç me lot janë ujitur deri tashti!

(Dhjetor 2010)


NËNTORI

Nëntori
zgjohet me ëndrra
të përgjakura
për liri,
Nëntori
zgjohet me ëndrrat
për flamurin
kuq e zi
Nëntori i parë
Nëntori i dytë
kush do të jetë
Nëntori i tretë?
Nëntori
zgjohet me borën
si gjurmë e vetme
për paqe.


GJURMË.

Më kujtohet ramja në tokë
Dhe triumfi i territ
Mbaj mend lumin e lotëve
Në ditën që u zhduke.

Sikur shoh trupin tënd në vransirë
Degën e zgjeruar të dashurisë sate
Unë fryti yt tuj ra
Nga trupi i pemës tënde jetë.

Pëllumb i qetësisë mëngjesore
Vetëm mall mbjell në thellësitë zemrore
Por s´ka gjë, vazhdo me këngën tënde ti
Për hatrin e fjalëve veç dashuri.


PËR LIRI

A ka fjalë
më të rrebta
dhe më të ngrohta,
a ka dashuri
më të fortë
se ajo
që n´rrugë të vrau
për Lirinë e Kosovës?

ËNDRRA E NJË ËNDRRE

Më çmendin ëndrrat
ndaj s´i dua fare,
s´i dua sa për t´thënë
se unë ekzistoj prore.

Unë dëshrioj më shumë
fundin e një lufte
me fillim të mbarë pasfufte.
Ëndërrat e fillimmbarve ëndërroj
dhe them se ekzistoj.

Jo si përroi në fillim pranvere
Por si dorë, mikluar ndër deje.
Rrënjëthellë, vijmë prej teje
Sikur t´ishim prej një

HEU TELEFON

Një mendje më thot
shtype me tokmak
pse bisedat mi ndërpren?
E provoj pas pak
s´di për t´satën herë!...
E mendja më thot prap
shtype me tokmak!...

Një sharje
Te veshi m´përplaset
nuk çuditem
shante serbisht
e unë si për inat
i bie e i bie telefonit tim
pafundësisht

NJË ZË KOSOVE

Po digjet mali
s´ka më hije për diell
një çun vrapon pas qenit
të zhdukur në pyll
edhe shtëpitë
janë përqafuar nga flakët e malit
dhe të duajve në lamë
le t´pres tash, le të pres
mulliri i Ram´s
në vend se të bluaja
le ti shëroi ata burra
pasi të ketë shëruar
zinë e çunit.

FJALË TË LIGA

Shumë fjalë po bëhen
Gufojnë
Për rrugët që do nisin
Shumë fjalë
Më shqetësojnë
Sa të rrezikshme fjalët
Që veshët  m´i dëgjojnë
Sa fjalë të rrezikshme
Edhe për veshë të mbyllur
Shumë të rrezikshme
Njësoj si të vdesish që tani
Djepi përkundet
Megjithë fjalët ogurzeza
Le të flasin
Le të vdesim
Ne prap mbijmë
Dhe djepa përkundim.

ATJE

Atje ku ju luftuat,
atje ku ju pushuat,
atje ku murtaja gjëmoi
atje ku gjaku juaj vloi
atje ku ju ratë dëshmorë
atje për ju do vëmë kurorë.


ME TERRIN E JANARIT 2000

Poezi nuk mund të shkruaj sot
As letër
Shkarravis në letën e bardhë kot

Këtu bëj në shtyllë me një tabelë
Sekondat kalojnë
Për një fillestar edhe hapat e vegjël
Sukses i vlerësojnë

Me të thënë,
Shumë më ke munguar,
Është instikt i ultë njerëzor
Kush s ´do ta dëshiroje këmben pas amputimit?
Me t´tregua dashurinë
Sa qesharak, prap instikt i ultë.
Për mua
Ti mbetesh më e mira
Megjithëse ende pa drita
Po futem tek Ty
me terrin e janarit 2000.

Nesër mund të nisem
E ti më mungon edhe më shumë
Dhe pa ty
s´më ecën fare.



DIKUR

Edhe dielli në lartësi
Edhe bjeshka në veri
Pendël bëheshin
n´sytë e mi.

URREJ TMERRËSISHT

Vrastarët e djepave
Mjerisht
Mbi lule
Shkelin padrejtësisht.

Më flet
E më vret
Engjëllisht,
Zemërdjalli
T´urrej
Tmerrësisht!

KU TA GJEJ?

Ku ta gjej
atë melodi
që e këndoja
veç si fëmi?

Ku ta gjej
atë fuqi
që ushqehej n´çifteli?

Rrëzonte shtete
e mbretëri
Për vatan
bëhej fli.

Ku ta gjej
atë maturi
që n´odë matej
me burrëri?

Ku ta gjej
atë trimëri
që ushqehej
me shqiptari?

Zëra m´vijnë
nga t´miat troje
- t´gjalla i ke,
në përmendore!



DJE, SOT DHE NESËR

Ija, ija
shkoi Serbia,
pa kapuça,
pa shamia.
I la topat
te xhamia.
Kjo Serbia
i la shkret,
- Shqipëria
i gëzoftë me shëndet!

Ija, ija
erdh Serbia,
ngriti kisha,
rr´xoi xhamia,
prishi emra
nga historia.
N´rrugë u nis
njerëzia,
ku na mbeti
trimëria?

Ija, ija
zhurmon njerëzia
n´këmbë është ngritur
shqiptaria!
Me miliona
si shqiponja,
bëhemi zot
t´trojeve tona.

ME NDAJE NISEM

Në mëngjes
N´ora pesë
Autobusin
Po e pres
Sorrat krrokasin
Krra, krra, krraaaa
Unë pres
Dhe autobus s´ka
Një, dy, tre...
Autobusi nuk vje´
Pres, pres,pres,
Në ora pesë
Në mëngjes.
Një, dy, tre...
Ta, ta,Taaaa
Te kthesa
Autobusi erdhi
Ndalet
Dyert nuk çelën
Niset
Prap mbes vetëm
Dua të këndoj..
Pres dhe fishkëlloj
Ndoshta më mirë
Të nisem këmbë...
Një ditë do të mbrrijë
E rruga është e gjatë
Sa vet jeta.



KOSOVA E RE

Kosova ime e bukur
Ti nuk plakesh kurr
Sot më shkon si flutur
Shqipen ke flamur.

Kosova ime e dashur
Me shqipen dykrenare
Vuajtjet që ke pasur
Tash n´arkive i vare.

Gëzohu, gëzohu
Ti Kosova ime,
Gëzohu e krenohu
Ti Kosova trime.

Eja edhe ti
eja me ne
Po ngritet Kosova
Kosova jonë e re.

Kosova jonë e bukur
Ti nuk plakesh kurr
Shqipen dykrenare
Ma mba në flamur.

Të qepur me ar
e të larë me gjak
besën ta japim
për Ty vdesim prap!


PËR DASHURINË 

                 ME MOTIVE POPULLORE




NË SYTË E TU

Në sytë e tu të kaltër
shoh kthjelltësi pranverore
dhe ndjej rrezet
e ngrohta diellore.



A MBAN MEND FILLORINË?

Kujto këngën që ta solla
asaj vjeshte në Prishtinë,
kujto vjershën që ta shkorva
atij marsi Fillorinë.

Atë këngë sot kur e këndoj
loti-lotin nuk e pret,
atë vjershë sot kur e lexoj,
dhimbja zemrën fort ma vret.

E më godet dhe më plandosë
shpresat fare mi fundosë
Dhe kur dukem si i pafuqi
nis e këndoj prap për ty.
*
A të kujtohet Fillorinë
nata e fundit në Prishtinë?
Ti braktise industrinë,
unë e lash gazetarinë
morën në sy Suedinë.

Ne po niseshim për vizitë
megjithëse e kem ditë...
se me krih t´mërgimit fluturojmë
n´shifra veten do e shndërrojmë
në atë vend  në Veri
nisëm jetën përsëri

SI KE MUJT´ME MENDUE

Si ke mujtë me mendue,
Si ke mujtë ashtu me ba,
Jetën vetëm me kalue
Dhe prej nesh me u nda.

Qysh s´tu dhimtën fëmija tu´
Qysh s´menove pak për ta
S´pe kam gajle hiç për mu´
Veç k´shtu moti ke mujt´me ba.

Ti do t´gjesh ni gru´tjetër,
Për këte fare s´kam dyshim
Veç n´shpin´tande t´vjetër
Si ma parë s´ka me pas´g´zim.

Si ujt´nër urë ditët kalojnë
E ne do të plakemi nji ditë,
Veç kujtimit t´keq do t´thomë
Me zor s´shkojkan dashuritë.


VAJZAT RUNIKASE

Vajza të bukura,
Vajza të gëzuara
Fustanshkurtëra
Pak të lazdruara.

Vajzat runikase
Këmbëbukurat si ato
Të ëmbla, të lehta
Njerëzia i do.

Me gjokset pak të fryra
Skuqen pak nga fytyra.

Dhe kur shtegun
Kërcejnë hopa
Thua u zhdukën
U bën copa.

Vajzat runikase
Të bukura si ato
Të ëmbla e të lehta
Njerëzia i do.


MOLLA


(popullore)

Molla moj molla
S´ka si n´troje tona
Ju mbulojmë me kashtë
Në tavanat tona

Dhe n´ kallnuer moj molla
Kur t´ju kërkojna
Djemtë si harrojna
Bakshish ua dërgojna.

Molla moj molla
Vijnë nga trojet tona
I hamë me lezet
Kurr si harrojna.

Molla moj molla
Bakshishet i ndrrojna
Molla s´po pranojna
N´rremë po i kërkojna.


KUJTIM NGA FËMIJËRIA

 (Popullore)

Mollë dhe ftu
N´arkë janë ru
Mollë dhe ftu
M ´erdhën mu
- Oh sa fort jam gëzu!


HISTORI DASHURIE

Të kujtohet deti
Me dallgët krejt shkumë
dhe belbëzimi i buzëve
të dua shumë!

Te deti u lind historia
pothuajse lakuriq
për një dashuri
të lindur tinzisht.



VASHË ME VLERË

Pyllin kemi afër
ikim kur të duam
hije na bëjnë lisat
ndaj pse të vuajm?

Xhaxhi me sharrë
paska bërë bé
po na pa edhe i herë
malin ka me pré.

Mos u bë merak
ti vashë me vlerë
sharrën e xhaxhit
e kam tretë n´humnerë.

Oh, ti se njeh xhaxhin
ai është i rëndë
po si preu me sharrë
do ti çkulë me dhëmbë.

Mos u bëj merak
Ti vashë syzezë
Kam porositë dentistin
dhëmbët do t´ia nxjerrë.

Në fund të fundit
Më mbyllë n´hambarë
E ka vendosur
s´na lë për t´u parë.

Hambareve të tij
do t´ua jap flakën
të dua ty
me ty dua t´plakem.

Hajde pra djalë
le të dalë ku të dalë
s´na mbeti tjetër gjë
veç të ikim n´ mal...


                                                      MËRGIMI NË SUEDI




NYKROPPA

Asnjë gjurmë
As në rrugë,
As në ndërtesa,
As në oborre.
Pa zhurmë
Në rrugë
Në ndërtesa
E korridore.

Hej Lena!
Si s´dëgjohet më ky zë
I drejtuar
Te shkallët e SIV-it.

Çdo gjë duket shkret
Veç mallit për njerëzit
Që tretën
Dhe dashurisë së lindur
Në Konsum.

-------------

Nykroppa:Vendbanim në krahinën e Vermlandit në Suedi

SIV: Enti shtetëror për të huaj

Konsum: supermarket



PSE?

(prill 1999)

Pse vonon sivjet pranvera
M´pyet Etriti i trishtuar
Pse s´del dushku si gjithëhera
M´pyet Jeta e trazuar?

Pse vonon babi tek puna
Pyet Etriti dhe do ta di,
Pse Jeta këto të shtuna
Mbrëmjet i kalon në “Liri”?

Paj, dhe mami pse vonon
Me ato shoqet n´telefon
Pyet Etriti i trishtuar

Po kush përgjigje s´i afron.


URIME DITËLINDJA MIK I DASHUR

(Me rastin e 60 vjetorit të lindjes së Ullmar Qvickut)

Gëzuar mik i dashur, për shumë vite
Të na jetosh sa malet
Me atë zemër djaloshare
Që plesërisë s´ia di fare.

Ç´është ura e Ëresundit
Karshi urës së Ullmarit?
Këtu s´ka debate politike, as referendume,
Këtu ka dashuri bile pak më shumë.

Nga bota e radios tek bota shqiptare
Shtrin shtatin e vet ura e Ulmarit.
- U lodhe Ulmar? Ai s´ia di fare
Ka hapur dritaren e Shqiptarisë.

Të falemdnerit Ulmar!
Po pse, sikur më thot ai vet,
Tack* för allt, e përsëris,
E Ai vazhdon dhe s´ndalet!


* Tack (suedisht)- faleminderit



PREJ NGA JE?

Ti më pyet prej nga jam
Dhe pse kam ardhë në Suedi,
Si rruga që ishte e gjatë
Durimin duhet ta kesh ti.

Kur më sheh vetëm e të rrudhur
Mos mendo se jam i dehur,
Malli qenka fjalë e madhe mike
Dhe po u bëka edhe më i madh
kur s´ke liri.

Tokë shqiptare i themi ne shqiptarët
Ju i thuani Albanien e ne themi Shqipëri,
Ndaj prej andej unë vi.

E në parkun e qytetit
Tregoj histori
Për miken time të re n´Suedi...


A KAM ZEMËR SOT?

Zemër e tkurrur në këtë gusht të ngrohtë
Po i afrohemi oborrit shkollor plot hare
Jeta s´ma lëshon dorën time dëborë
Pas pak do t´ mbetet vetëm fare.

Na afrohet një mësuese dhe na flet
Unë e Jeta se marrim vesh
E merr për dore e zhduken nga  sytë e mi
Unë marr malin - askush t´mos m ´shef.


DASHURI NË LARGËSI

Mos thuaj
Jo kurr mos thuaj se
Më ke dashur
Kur më kishe pran

Vetëm pran e pran
Grindja shtrohej
Me mezen e saj
urrejtjen

Vetëm larg meje
Vetëm larg teje
Urrejtja
Bëhej dashuri
Dhe mbetej
Dashuri në largësi

Mos thuaj pra
Siç s´dua ta them,
Që duhemi nga pranësia.
Vetëm n´largësi
Na dhemb dashuria.


VETËM HARRESË

Në poezinë tënde
Të ardhshme
Herresë mund të ketë
Për akullin e pathyer
Të pyetjeve tua.

Ti erdhe
Krejt papritmas
Dhe fare papritmas
Shkove.

Tash, si ti harroj
Ato që s´mund të harrohen
Edhe në harresë
Paska kujtime për ty
Poezia po bëka mrekulli.



LUM SI TI

(Baki Ymerit, Bukurresht)

Brum poezie thith në skeletin kombëtar
Artist i fjalës në një kryeqytet evropian
Ka me ardhë Asdreni si atdhetar
I urti do shënojë-këtu patëm një ilirian.
Yh, çfar shpifjesh, çfarë dënimi!
Mbi njeriun e dritës e të dashurisë.
Emigron artisti por jo edhe zemrimi
Rastësisht Shiplovicës si lindi,
I martirizuar për t´mirën e shqiptariesë.


KUJTESA 

Mbaj mend pantollonat
E asaj kohe të mirë që i themi
Opingat me toja
Çorapët dhe xhemperi prej leshi.

Kishte hoxhallarë e xharraha
Këta të dytë si donim fare
Mbanin pallto dhe çanta të zeza
Dhe dukeshin më t´ zi se korbat.

Kishte edhe rregulla teh
T´ashpra si para iftarit
Që kur prekshim gjoksin
Fort na rrihte zemra.

Nga këto tash s´ka mbetur gjë
Veç kujtesës

Për njollat e asaj kohe...
 

KANAQEMBLEDHËSI

Prap natë me acar
Avulli del prej pubeve
Zhurma gjithashtu dhe
Parfumi gjifarësh
I panjohur për ty
Por ti njeh kanaqet
Dhe me thesin e mbushur
Vie kënaqësia
Parku i qytetit
Adresa e tij
Dhe vendi i punës
Pa kontratë
Vetëm thesi
të mos mbetet thatë.


KUJDES-PO ZGJOHET VEZUFI!

Sikur e njoh,
e kam parë,
rrugëve të kryeqytetit
i pakrehur, i pa larë.

Banon nën urë,
një llampë i bën dritë
bërllogu e ngroh
ndytësinë monumentale.

Sërish natë me acar
avulli shpërthen nga pubet,
të mbyt zhurma
dhe era e parfumeve.

Po ti s´di gjë për parfumet?
- Jo, njoh vetëm kanaqet dhe
kënaqem kur thesin mbush!

Adresa, te ura
banim pa kontratë
dëshirat
- thesin jo thatë!

Nën urë
ndez zjarrin,
ngroh shuplakat
gjoksin, edhe fytyrën.

Frynë,
shiu s´pranë,
flaka ngritet shpejt
dhe më shpejt bie,
nën urë
bëhet hallakamë
kujdes
-po zgjohet Vezufi!



DITËT E POEZISË

Vargje
A keni emër,
Ku banoni,
Prej nga  vini,
E ku shkoni?

Vargje
Kush ju përfaqëson,
Kush ju komandon,
Kush ju dirigjon,
Kush ju drejton?

Vargje...
Pyetjet merrmi si budallaki
Janë më shumë rastësi
Më shumë se prej teje
S´mvaret gjë prej meje.




                                                         SATIRIKE


NJË DITË ME SHAMATË

Ishte një ditë e gjatë
me stuhi, me shamatë

Vjen babi, shumë i lodhur
se çel gojën, rri i mrrolur

Ia nis mami, fol ti njeri
se s´t´jan mbyt´ xhemitë n´deti

Por babi nuk flet
si shqiponjë i vërsulet

dhe godet se është burrë
këtë të drejtë se lëshoi ai kurr.

Edhe mamin e kap inati
me lagraç shkon te saçi

Qeni i shpisë fortë piskati
në vend të babit e hëngri i ngrati

Tash qeni i lënduar
pas maces ish tmerruar

maceja e shkretë me furi
ik prej qeni brenda n´shpi

rri n´dritare, qenin shikon
- futu brenda nëse guxon.

Ishte kjo një ditë e gjatë
me stuhi e shamatë.


POET INTERNETI

Eh kaloi tash ajo jetë
Kur bëje libër bëje festë
Kompjuteri tash or vëlla
Na mbush gëzime
Na mbush sevda
Dhe ndoj varg po na mungoi
Te kompjuteri do klikoj
Dhe do hapet një faqe e tërë
Poezi që dojnë gërshërë
Prit se tash po ua gjej çaren
Lë të dytin marr të parin
Dhe pa shih ç´ mrekulli
Edhe unë shkruaj poezi
Do bëj libër për përvjetor
Pa do gjej një redactor
Do të shkruaj ai në internet
Po na lind një poet
Që frymon me internet
Dhe si mendoni ça do bëj unë
Mos menduat do boj gjumë
Jo or lalë, do festoj
Librin e pare po botoj
Çfarë gëzimi, sa kujtime
Do t´ju sjell poezia ime
Veçse një gjë më trazon
Librin tim kush e lexon?
Do ta ndaj si dhuratë
Që të mos mbajnë
Vitrinat thatë.

JAM RA N´HALL ME POEZI

Jam ra n´hall
me poezi,
njëqind sosh
për bukuri
i kam thurur
me mjeshtri.
Por çe do
i dashuri vëlla,
i piu sorra
lart n´hava.
Unë i shkrova
e i tubova,
dhe n´redaksi
i dorëzova
por si botuan
deri sot,
më than prit
edhe i motmot
se verën që vjen
dielle më shum nxen
nxehet moti
nxehet redaktori
pastaj vjen
pushimvjetori
dhe pas tij
ka freski
dhe me siguri
vepra jote
sa t´korrigjohet
t´japim fjalën
(s) do të botohet.


VEÇ NJË ZEMËR - PULSIM I PLOTË ARTI NË DJEPIN KOMBËTAR

Jemi mësuar me vite të dëgjojmë përmes valëve të Radio Suedisë zërin e bukur radiofonik të reporterit dhe redaktorit Shuquri Sejdijaj. Herë pas here Shuquriu është paraqitur me shkrime në revistat dhe gazetat tona. Por këtë herë dëgjuesit dhe lexuesit do të kenë rastin të kenë në dorë vargjet e poezive të hedhura me kujdes në librin e tij të parë "Veç një zemër".

Gazetari dhe redaktori i mirënjohur i Radio Prishtinës Shuquri Sejdijaj, me mbylljen e mjeteve të informimit në Kosovë në fillim vitet e 90-ta, ashtu si shumë shqiptarë të tjerë nga Kosova, u detyrua të emigrojë në Suedi. Ardhja në Suedi, në kohën kur Kosova po ballafaqohej me dhunën e rëndë, e mobilizoi edhe më shumë në punën prej gazetari dhe intelektuali.

Shuquriu pos që bashkëpunoi në ato vite me RTSH-në, filloi të punojë në Radio Suedinë në programin në gjuhën shqipe "Ditari". Me punën dhe zërin e tij radiofonik Shuquriu u bë një frymëmarrje e domosdoshme për mërgimtarët shqiptarë, duke u dhënë atyre jo vetëm me penën por edhe me zërin e tij lajmet më të reja nga vendlindja dhe nga jeta shoqërore në Suedi. Gjatë këtyre viteve si gazetar e redaktor Shuquriu shquhet për angazhimin e tij intelektual, duke u bërë si një urë e vërtetë e gërshetimit të kulturës shqiptare me atë suedeze. Pos punës në radio, tek "Ditari" e më vonë tek "Jehona" Shuquriu përktheu materiale të ndryshme në suedisht e nga suedishtja në shqip, për tua transmetuar bashkëatdhetarëve të tij në Skandinavi. Shuquria bëri edhe programe të rëndësishsme gjuhe e arsimimi në radion suedeze. Ai ka punuar në disa skenarë filmash dhe shumë punime të tjera që kanë ardhur natyrshëm në kontributin e tij të madh në organizimin kulturor, arsimor e politik të shqiptarëve në Suedi. Me angazhimin e tij inteletual e kombëtar Shuquriu sot gëzon një respekt të veçantë tek shqiptarët në Suedi.

Gjatë tërë këtyre viteve, Shuquri Sejdiu me hapa të ngadaltë por të sigurtë e aktivizoi gurrën e tij të brëndshme krijuese, dhe pos shkrimeve të herë pas hershme dhe pjesëmarrjes në Festivalin e Poezisë dhe të Muzikës në Malmö, tani po i dhuron lexuesit edhe librin e tij të parë me poezi.

Libri "Veç një zemër", vjen si një fllad i mirë zemre në Njëqind vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë natyrale. Si një dhuratë e mrekullueshme me një përmbajtje e porosi dhe me një mbarështrim nga një këndvështrim krejt origjinal i autori vijnë motivet e ndryshme të ndara në katër cikle: Motive atdhetare, Për dashurinë me motive popullore, Mërgimi në Suedi dhe Satirikë.

Duke lexuar librin "Veç një zemër" krijohet përshtypja reale se Shuquriu ka akumuluar me vite, që nga fëmijëria sekuencat më pikante të jetës për t'i zbërthyer në vargun përvetësues poetik, atëherë kur e realizon një ëndërr rrugëve të tija të lirisë, ndërsa realiteti i krijuar me lirinë e arritur njëqind vite më parë për popullin shqiptar tashmë është pjekur në masën e duhur.

Tek motivet atdhetare, autori ndoshta qëllimisht e ngre një temë të ndjeshme, që rrallëherë trajtohet dhe që ka të bëjë me atributet. Niset nga emri personal, nga emri Shuquri. Vargjet tek poezia "Emri Im" shprehin një shpërthim shpirtëror që emërton ngarkesë të pasfëmijërisë tek secili person të cilit emri nuk i tingëllon në gjuhën amtare. Në vargun e tij Shuquriu e përshkruan bukur këtë ngarkesë:

"..Të gjitha kombinimet binin
se shqip
emri Shyquri prapë nuk dilte."

"Veç një zemër", përmban zbërthime me tingëllime të bukura poetike e fuqi vargu. Zbërthim embleme, rrjedhë, rimë e ritëm, flamuri, gjuha, kombi, shteti dhe Nëna Shqipëri, për të shtuar krejt në fund edhe vargun përmbledhës, Qiellin e bukur gjithëkombëtar.

"---veç një nënë
E një zemër, Shqipëri"

Në poezitë e këtij kapitulli, ndjenja atdhetare dhe e bashkimit janë sublimja. Kjo ndjenjë dhe dashuri lundrojnë në rrjedhën e lumit drejt nje synimi e caku, dhe rrjedha është e bukur, e dhëmbshme, e fuqishme, dhe më në fund, e stolisur me kurorën e lirisë.

Shkrimtari është ai që lexoi dhe ndjeu në zemrën dhe sytë e nënave e baballarëve, të tmerrshmen që sjell lufta, si një domsosdoshmëri e ardhjes tek triumfi. Dhe të zhdukurit janë dhëmbja, loti, ëndërra dhe shpresa. Ata gjenden qartazi diku, janë në shpresat dhe në zemrat e atyre që lanë pas.

"Letër e hapur të zhdukurve të luftës" e shkruar në vitin 2000, është kaptina e librit dhe pjesa më e dhëmbshme pas fitores.

"Të gjallë na shpresojnë,
Eshtrat s´na i gjejnë.
Të vdekur na numërojnë
varre s´na ngrejnë. "

Dhe, kjo temë e merr autorin në botën e dhëmbjes me ata që presin, që lirisë i luten të ujisë lulet. Në fund të fundit këto lule janë ujitur me lotë. Nëna, mbledh fuqinë dhe ligështinë në natën e festës…

"Nëqoftëse nuk do të jenë tharë
kur të kthehesh ujiti lulet Liri,
se veç me lot janë ujitur deri tashti!"

Shuquriu, edhe pse paraqitet me librin e parë, vargun poetik e ka gdhendur e fuqizuar bukur dhe renditet në vargun e krijuese serioz të letërsisë shqipe. Ana artistike bën një mozaik tejet tërheqës krijues. E ka mbase një veçanti shprehëse si tek poezia "Fjalë të liga"

"Ne prape mbijmë/dhe djepa përkundim."

apo te poezia "Ëndrra e një ëndrre":

"Unë dëshiroj më shumë
fundin e një lufte
me fillim të mbarë pas lufte.
Ëndërrat e fillim mbarëve ëndërroj
dhe them se ekzistoj."

Poezia shpirtërore e Shuquriut ngërthen notën e lartësuar të vendit të lindjes dhe poeti i njeh mirë ato vise ku edhe mali digjet, ku edhe mulliri i Ramës merr rolin atdhetar në vend se të bluajë, shëron plagë lufte...

"Traditat, virtytet që dikur mund të krahasoheshin me margaritarë të kombit, tani i takojnë thuajse të kaluarës dhe kjo shprehet në poezinë "Ku ta gjej". Autori kërkon të gjejë melodinë që e këndonte si fëmijë, atë fuqinë që ushqehej në çifteli, maturinë që në odë matej me trimëri, trimërinë që ushqehej me shqiptari dhe jep përgjigjen adekuate të kohës me vargun brilant:

"Zëra m´vijnë
nga t´miat troje
- t´gjalla i ke,
në përmendore!"

Pjekuria poetike, vjen fuqishëm edhe tek poezia "Në terrin e janarit 2000".

"Me të thënë,
Shumë më ke munguar,
Është instikt i ultë njerëzor
Kush s ´do ta dëshirojë këmbën pas amputimit?"

Në ciklin - Për dashurinë me motive popullore - , poeti e ndërlidh mirë dashurinë në të gjitha aspektet, gjë që përkon me vitet e rënda për shqiptarët kur u detyruan që për shkak të dhunës së pushtuesit ta braktisnin vendin e dashur të lindjes, punën dhe idealin, ëndërrat e thurura për dashurinë në një Kosovë të lirë.

Në këtë cikël Shuquriu rikthehet në Runikun e lindjes. Përshkrimin, vajzave runikase, ua bënë me vargun që bukurinë e vajzave e rikthen edhe në pikturë:

"Me gjokset pak të fryra
Skuqen pak nga fytyra."

Ndërkaq kapitulli - Mërgimi në Suedi-, mërgimin e sjell lakuriq tek lexuesi:

"Çdo gjë duket shkret
Veç mallit për njerëzit
Që treten
Dhe dashurisë së lindur
Në Konsum."

Mërgimi e vonon edhe pranverën e lirisë. Poezia "Pse", e shpreh këtë ngulfatje kur Etriti pyet se pse vonon pranvera, Jeta e trazuar pyet pse s'del dushku si gjithëhera, pse babi vonon nga puna, pyet Etriti sërish, e pse Jeta këto të shtuna mbrëmjet i kalon në "Liri

"Paj edhe mami pse vonon
Me ato shoqet n'telefon
Pyet Etriti i trishtuar
Por kush përgjigje s'i ofron".

Te cikli - Satirika - gjenden poezitë "Një ditë me shamatë", "Poet Interneti" dhe "Jam ra n'hall me poezi", të cilat nxjerrin në pah dellin satirik të Shuquri Sejdiut, për të cilën krijimtaria shqipe ka defiçit. Por Shuquria ka prirje për këtë, ka varg të mprehtë, thumbin adekuat dhe nivelin poetik të ngritur.

Sigurisht në satirë Shuquria duhet të ofrojë edhe libra të tjerë të veçantë në të ardhmen, sepse e do dhe e trajton mirë, e brumos dhe e bën shumë domethënëse dhe ndikuese satirën e tij origjinale.

Ndër faqet e librit Fëmijëria është kapitull i pakapërcyeshëm, kapitull tek i cili duhet ndalur dhe nga i cili më pas kujtimet do të marrin ngjyra poetike, do të shndërrohen në metafora, në krijim artistik dhe në porosi. Kjo kohë interesante e jetës tek njeriu kombinohet me motive popullore gjë që poezinë dhe librin i bën më të veçantë, më ndryshe më të prekshme. Në anën tjetër motivet atdhetare, thuajse e dominojnë librin duke sjellë një krua ndjenjash, një oazë nga ku shpëthejnë vlimet poetike dhe një kopsht të frytshëm.

Sido që të trajtohen, vargjet poetike të Shuquriut reflektojnë synimin e autorit që tek lexuesi të depërtojë sa më bindshëm, sa më konkret dhe i kapshëm duke u kujdesur përherë që këtë ta bëjë me forcën e artistikes, gdhendjes dhe së bukurës.

Lufta çlirimtare në Kosovë, liria, pasojat dhe dhuna, në kapitullin që i kushtohet Lirisë, rrumbullaksojnë atë që mund të quhet tension mendimesh e ndjenjash dhe pastaj merr formën e një rikujtimi, një malli dhe një përkushtimi. Sërish Shuquriu, kalon në stilin e tij origjinal dhe poezinë e kthen tek fuqia e shprehjes dhe e mba-mendjes.

Shuquriu përmes vargut risjell eposin popullor, si tek poezia "Dje, sot, nesër" ku rikthen përmes këngës realietin e atëhershëm.

Janë dy caqe që ndoshta vetëm krijuesi mund ti zbërthejë njëjtë, si të ishte në të dyja rastet një aktor: njëra kur është vetë në ngjarje, si në rastin e fëmijërisë; dhe tjetra kur është në ngjarje, por jo fizikisht, por vetëm shpirtërisht. Dhe kjo e dyta, mund t'iu atribuohet mërgimtarëve të cilët njësoj fuqishëm e përjetojnë gëzimin, vuajtjen, kurse në veçanti mallin, se këtë e kanë "privilegj" vetëm ata.

Shtegëtimi poetik përmes shpirtërores të hedhur në varg e merr fuqinë shprehëse dhe ndërton një mozaik malli por tejet real dhe të fuqishëm. Ndonjëherë ndjenja e shprehur dhe e përjetuar nga larg, kur është në pyetje lufta dhe vuajtjet në të, arrin te dominojë sepse njeriu është dyfish i ngarkuar.

"Veç një zemër", ia vlen të lexohet, sepse është një pulsim i fuqishëm arti në djepin kombëtar.

 Muhamed Krasniqi




Kopertina e fundit:



SHUQURI  SEJDIJAJ

Shuquri Sejdijaj u lind në Runik të Skëndrajt më 1955 ku mbaron shkollën tetëvjeçare kurse gjimnazin e mbaroi më 1974 në Mitrovicë. Pas studimeve universitare në Fakultetin Filozofik të Prishtinës zë të mirret me gazetari.

Këtë profesion e nis te emisioni "Për punëtorët me punë të përkohshme në botën e jashtme" dhe pas dy tri vitesh punon si redaktor i emisionit informativ "Ditari i mëngjesit". Si reporter ka ndjekur ngjarjet më të ndjeshme të lëvizjeve popullore në Kosovë nga fundi i viteve 1980 deri në mbyllje të Radio Televizionit të Prishtinës më 5 korrik 1990. Pastaj bashkëpunon me gazeta të ndryshme të Kosovës.

Në shkurt të 1991 mërgon në Suedi prej nga bashkëpunon me redaksinë shqipe të RTP në Tiranë. Nga nëntori i 1993 punësohet gazetar dhe redaktor i programeve shqipe në Radio Suedia. Krahas obligimeve në radio për dy vite ka punuar si gazetar-përkthyes në gazetën për të huaj "PLS", Lajmëtari.

Pos gazetarisë kohë pas kohe Shuquriu mirret edhe me krijimtari letrare. Kjo tufë poezishë është rezultat i adhurimit që ai ndjen ndaj poezisë dhe i emocioneve që në momente të caktuara e kanë nxitur ti hedhë në letër.

Jeton dhe punon në Stokholm.

..................................................................................................................................

RECENSIONI RRETH LIBRIT:


NGA SKANDINAVIA PËR NË ZEMRËN E KOSOVËS

   Rreth vëllimit poetik të Shuquri Sejdijaj
“Veç një zemër” dhe “Kolorit Poetik –antologji “
 nga Rrjeti i femrës krijuese në  Skandinavi ,
 të promovuara më 25 korrik në Prishtinë.

                                                             Nga Riza LAHI



Në radhë të parë më lejoni të sjell nga Tirana dhe nga shkencëtarët dhe artistët e “Akademisë  së Shkencave dhe Arteve shqiptaro – amerikane” dhe nga vetë kryetari ynë i kësaj akademie, biri i trevës shqiptare të Kosovës Dr Prof. Skënder Kodra , ngushëllimet më të thella për humbjen e parakohshme të poetit që ka vënë themelet e poezisë moderne kosovare, një nga më të mirët poetë bashkëkohorë të shqiptarëve, Ali Podrimja.

Poezi shkruajnë shumë, dhe bëjnë mirë, por, poeti i vërtetë ka lind një mision. Ai ka për mision të jetë jo vetëm radioja e shpirtit, ndjenjave dhe përjetimeve të tija vetjake por altoparlanti i shpirtit të popullit të tij.
Dje lexova në internet, një vajzë a grua që prezantohej me “mërgimtarja”. Ajo nuk vajtonte dot me “oi” për humbjen e poetit të madh por vajtonte në një mënyrë tjetër - duke cituar poezi të Podrimjes .

Kur shkruante poezi ai, dukej sikur flisnin shkrepat dhe toka kosovare dhe jo një qenie njerëzore me mish,gjak  e shpirt.

Gjithësesi, sot na ka mbledhur diçka tjetër në këtë hotel të madh me emrin “Prishtina”.  Na ka mbledhur poeti Shuquri Sejdijaj si dhe një tufë poeteshash - që të gjithë banorë në Skandinavi, por që vijnë të bëjnë “bismilahun” , siç thonë myslimanët, të librave të tyret, vetëm në atdhe. Në Prishtinën e lirë dhe për popullatën e besimit mysliman,  në një ditë të muajit të shenjtë të ramazanit.

Regjimi pushtues sërb, i ka shpërndarë kosovarët anekënd globit , por ata, si asnjë popull i botës moderne, e ruajtën sa patën frymën e fundit dhe  sa kanë energji e nerva, sytë vetëm nga atdheu, si lulja e diellit që vështron vetëm diellin. Por ndrysh nga të gjithë  këta ngulmime shqiptare, është diaspora e Suedisë që në mënyrë të organizuar  zhvillon kësi aktivitetesh masive dhe për këtë  një meritë të veçantë dhe historike kanë aktivistët e saj të mrekullueshëm, që nga themeluesit e “Lidhjes së shoqatave shqiptare ” atje dhe deri te këta që janë sot.

Një nga këta aktivistë duhet të jetë edhe poeti Shuquri Sejdijaj. Unë lexova librin  tij që ma dërgoi në internet miku im Murat Koci dhe konstatova se ky poet krejt i panjohur për mua deri tani, e njeh mirë metrikën, poezinë moderne , folkun e trevës së tij dhe për më tepër, ka atë pajë që e kanë vetëm poetët e vërtetë – ka aftësinë , shqisën dhe etjen që të futë në shpirtin e  tij dhimbjen e të tjerëve. Do të mendoja si poezi vërtetë antologjike  “Të zhdukurve të luftës”, “Ujiti lulet, liri”,etj.

Lexon poezitë e  tij kushtuar rezistencës kosovare dhe të sillen në mëndje teknikat poetike të sofistikuara të Kadaresë apo revoltat ngjethëse të  poetëve më përfaqësues të revoltave të ’81, Hajdin Abazit, Bislim Elshanit etj.
Sigurisht , ai ka një natyrë tjetër. Për më tepër, jo rrallë, ky burr modern e që banon në gadishullin luksoz skandinav, kur ulet të shkruaj i hedh matanë kollaret e dopioetet dhe vë në kokë qeleshen kosovare. Këtë bukuri ne e kemi trashëguar nga Skënderbeu që la matanë veshjet prej gjenerali turk dhe vuri në kokë një qeleshe e veshi një xhamadan.

Më kanë befasuar vargjet  e tija “Ija – Ija, shkoi Serbia…” ku të sjell në mendje entuziazmin e luftëtarëve  të UÇK pas ndonjë rrebeshi të tyre mbi ushtirnë pushtuese!

Ndrysh nga disa poetë të trevës kosovare që shkruajnë  me vargje të ngatërruara , që të lodhin dhe pa demonstruar kulturë , Sejdijaj është shumë transparent dhe të tërheq nga xhaketa për të lexuar edhe nëse je lodhur nga nervat. Si rrallë ndonjë poet i ditëve të sotme, dhimbja e  tij ka shkuar deri te mbledhësit e kanoçeve poshtë urave.
Ai i përngjet një djaloshi prishtinas që u hyn në zemër menjëherë të gjithëve.
Nëse duhet bërë ndonjë vërejtje  mund të thoja këtë: me dhimbje duhen hequr nga disa poezi pjesë  të panevojshme shumë. Unë kam rastisur në mjaft poetë shumë të njohur të botës së sotme që veprojnë kështu.
Sejdijaj edhe ne të gjithë të tjerët këtu në Kosvë e kemi shembullin  e koncntrimit fanatik  të fjalës: Ali Podrimjen dhe Agim Vincën.

Po vëllimi me poezi i poeteshave shqiptare në Skandinavi?

Kanë bërë një punë të vyer që i kanë grupuar krijimet e këtyre vajzave dhe nënave. Ato shkruajnë që të gjitha, vajzërisht, me shpirt dhe kanë bërë kujdes që të mos bien në tutelën  e të tjerëve, mbase më të njohur nga ata, por që me kritikat, vërejtjet e këshillat e tyre, mund të ndikonin në goditjen e origjinalitetit të tyre.
Afërdita Xani (Suedi).Libri nis me këtë poeteshë që premton shumë, sipas mendimit tim. Kësaj i përkasin vargjet më poshtë:

Kam frikë së një ditë do pelcasë durimi,
Do të perfundoj n’marrëzi e as Perendia s’do t’më fal.
Oh, pse të njoha pas kohe o lumturi e paarritur,
Që me vrull të shpejt jetës kthesë m’i dhe?

Kur të tjerët flasin,
Pse vallë unë heshtë?
Pse shkel më kembë token,
kur e di që e imja nuk është?

Në këtë përmbledhje kemi edhe një poeteshë jo fort të re, si të tjerat, por që ka mundur të kryej vetëm shkollën fillore. Quhet Elhame Gjyrevci dhe banon në Danimarkë. Po mendoja: Cila është drama e kësaj gruaje të re që ka kaq passion poezinë, dijen dhe librin e që nuk ka mundur të vazhdojë shkollën më tej? Le ta përgëzojmë për përpjekjet e mrekulleushme këtë grua që shkruan vjersha që nuk kanë asnjë të sharë.. ajo i njeh shumë mirë rimat, rrokjet dhe melodinë poetike.

Një tjetër poeteshë , Elhame Zhitia – Krasniqi  që banon në Suedi...ja, më pëlqyen  shumë poezitë e goditura  “ Në divanin tim”, “Bota e gjoksit tim”, “Në qerpik të syrit”, “Nuse po shkoj”, me figura që të kallin datën dhe sidomos vargjet e saja lapidare 

Ne s'e zgjodhëm vuajtjen   
Ajo na ndoqi pas.”

Fikrije Bylykbashi (Norvegji) . Më pëlqyen sidomos poezitë e saja “Një gjethe bungu”, “Loti  i mërgimtarit”, por sidomos  një brilant që të kujton mrekullirat poetike të poetëve nga më të mirët të detrave në Greqi - “Në ishullin nordik”. Nëse poetesha do të ishte këtu, do t’i isha lutur të na e lexonte ajo, vetëm ajo, aspak ndonjë aktor..vetëm ajo. Ju betohem që është një mrekulli mëngjesore buzë ujrave nga një dritare, ballë së cilës kalojnë pulëbardha...atë e ka endur Fikrija, si në një gjergjef dhe me pejra të artë.

Hasime Hoti (Finlandë). Këtë vajzë të brishtë e tërheq tema heroike së cilës i këndon si mjaft poetë të Kosovës heroike. Kjo vajzë në vënd që të shkruajë për dashurinë a gëzimet e moshës, shkruan vetëm këtë temë. Sigurisht duhet të mësojnë shumë poetesha të tjera të Tiranës  a disaporës, të cilat shkruajnë vetëm për dashurinë, ndrysh nga Hasimja apo, më duket se na ka ardhur këtu, poetesha e Tiranës Raimonda Maleçka, vajza nga Tirana që luftoi në Kosovë, që shkruajnë epikë, rezistencë...

Vjollca Kastrati (Danimarkë).Një poeteshë që i këndon dashurisë. Nga natyra duket tipikisht një vajzë e fortë dhe që di të ruajë mllefe dhe të respektojë ndershmrinë në dashuri me rreptësi dhe sigurisht vajzërisht.

Yllka Sheqiri (Suedi) .Kjo fituese çmimesh , me fytyrë kaq të gëzuar shkruan rreptë dhe ndryshe nga mjaft poetë , ajo manovron me filozofi. Filozofia është prezent kohë pas kohe në poezinë e saj, shumicën e rasteve me sukses. Të parët e jetës me filozofi, ka mundur të ruajë të paprekur freskinë dhe bukurinë vajzërore të kësaj vajze që na paraqet edhe drama të rënda në poezinë e saj. Ja se ç’lexojmë në një poezi të sajën :

Ne i takojmë grupit -”Njerëz të dështuar”

Gjithësesi, besoj që të mos e harrojë askush këtë konkulzion filozofik të kësaj vajzë, mos gaboj, bija e poetit të njohur në Suedi  e sigurisht dhe në trevat shqiptare, Riza Sheqirit.

Unë nuk kam frikë  
nga vdekja
Unë kam frikë
nga procesi i vdekjes. 

Zyrafete Kryeziu-Manaj (Suedi) përmbyll këtë përmbledhje të bukur. Më ka befasuar sidomos poezia e pastër dhe endur me filigramë “S’JEMI HARRIMTAR(Në prag të nisjes për Kosovë), “Zogj të fjetur ndër mote”etj.
Ja se sa buku e ka mbyllur ajo njërën nga krijesate e saja:

Por atje lashë
Mendjen,
Zemrën,
Dheun.
Tok të gjitha i lashë
Që një ditë,
Në prehërin
E tokës-mëmë,
Të ulem këmbëkryq.

************************************************

Rizah Sheqiri

Veç një zemër …  plotë dashuri

Shuquri Sejdijaj: “Veç një zemër”- përmbledhje me poezi,  botoi: Unioni i Shoqatave Shqiptare “Iliria”  në Suedi. U shtyp në shtypshkronjën “Europrint” në Prishtinë, 2012.

Shuquri Sejdijaj vjen para lexuesit me një tufë poezishë  qe dalin lirëshëm e me emocione nga shpirti dhe zemra e poetit. Një tufë poezishë  që për fole të veten kanë bërë krejt natyrëshem veç një zemër. Prandaj edhe libri “Veç një zemër”  duhet të hapet si një zemër në të cilën para së gjithash do të gjeni dashuri e sinqeritet, gëzim e dhembje, vuajtje e mall, por edhe një ndjesi për humor e ironi. Këtë zemër edhe pse të ndarë e të vrarë e përshkojnë plot ndjenja dhembje e malli, nostalgjie e krenarie,  por mbi të gjitha kjo zemër është e mbushur me shumë dashuri për Kosovë e Shqipëri. Por, jo vetëm kaq,  kjo zemër  ngerthen në vete edhe dashurinë për vende e popuj të tjerë të botës. Veç një zemër ka plot respekt, falenderim, mirënjohje e dashuri edhe për atdheun e dytë të fëmijëve të poetit Sejdijaj, pra për të bukurën Suedi.

Në parkun e qytetit
Tregoj histori
Për miken time të re në Suedi.
( ”Prej nga je?”)
Apo në vargjet e poezisë kushtuar mikut suedez Ullmar Qvikut  “Urime ditëlindja mik i dashur”:
Ç’është ura e Öresundit
Karshi urës së Ullmarit?
Për të konstatuar më pastaj me vargjet e tij:
Këtu s’ka debate politike as referendum
Këtu ka dashuri bile pak më shumë.
(”Urime ditëlindja mik i dashur”)
Poezitë e librit “Veç një zemër” të  Shuqri Sejdijajt  edhe pse të shkruara në kohë të ndryshme janë ndarë në katër cikle. Në këto katër cikle janë futur poezi që kanë tematikë perafërsisht të njëjtë. Një cikël përfshinë poezitë me motive atdhedashurie, cikli tjetër  poezitë me motive kurbeti, pastaj vjen një cikël poezishë  të frymëzuara e të krijuara mbi motive popullore  si dhe cikli i katër është me poezi humoristike të cilat në vete kanë një dozë sarkazme e ironie për çka Shuqeriu ka një prirje  të veçantë.
…Veçse një gjë më trazon
Librin tim kush e lexon?
Do ta ndaj si dhuratë
Që të mos i mbajnë
Vitrinat thatë.
(”Poet interneti”)
Pra, temat dhe motivet që do ta ngacmojnë ndjenjën poetike të pietit Shuquri Sejdijaj janë nga  më të ndryshmet dhe janë të shkruara brenda një periudhe të gjatë kohore;  që nga  koha e tij si gjimnazist, për të vazhduar  gjatë kohës si student e gazetar i Radio Prishtinës, duke kaluar nëpër periudhën e shtërngimit për largim nga vendlindja në mungesë të lirisë,  si dhe duke prekur ndjeshëm edhe kohën më të vonë të jetës së tij në mëgrim. Kështu, bashkë me dhembjen e mallin e mërgimit për t`ia ndjer e përjetuar pastaj gëzimin edhe lirisë e pavarësisë  aq shumë të pritur të  Kosovës,  gëzim ky që ende nuk është i plot, sepse  ende  zemra ndjen dhembje për të rënët, kullon gjak për të zhdukurit e të pagjeturit, loton për një bashkim  shpirtrash e zemrash, për një përqafim të vetëm në veç një zemër, në zemrën e nënës Shqipëri. Një synim ky i poetit që gjithsesi vjen shumë natyrshem tash  në  vigjilje të 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, pikërisht ashtu siç ai vetë  do ta shfaq dëshirën, ëndrrën dhe shpresën në vargjet  e tij: 
…veç një nënë 
e një zemër, Shqipëri.
(“Veç një zemër”)

Sh. Sejdijaj, M. Zeka dhe R. Sheqiri gjatë një interviste  me rastin e promovimit të librit në Prishtinëgg 
Në librin e Shuquri Sejdijajt “Veç një zemër”  lexuesi do të gjejë dashuritë e dhembjet, gëzimet e pikëllimet, vuajtjet e ëndrrat, dëshirat e shpresat, zhgënjimet dhe shqetësimet nëpër të cilat ndjeshëm është përbiruar zemra e tij prej njeriu e poeti. Gjithësesi ndjenja e dashurisë për gjininë e ndjeshme shprehet e përshkruhet në disa poezi, p.sh.vajzat runikase përshkruhen edhe në këtë mënyrë;
Me gjokset pak të fryra
Skuqen pak nga fytyra.
(”Vajzat runikase”)
Ndërsa në poezinë Sytë e tu ai nuk përshkruan vetëm bukurinë e femrës por shpreh edhe ndjenjën që ngjallë ajo bukuri;
Në sytë e tu të kaltër
shoh kthjelltësi pranverore
Dhe ndjej rrezet
E ngrohta diellore
(”Në sytë e tu”)
Një brengë e Shuqës  është edhe difuziteti i identitetit. Kjo gjë e ngacmon dhe e brengos shumë. Ai mundohet ta zberthej kuptimësinë ose pakuptimësinë e emrit të tij në gjuhën shqipe. Edhe pas shumë e shumë përpjekjesh për t’i dhënë  një kuptim a një zgjedhje është e kotë ngase as kuptimësia e as pakuptimësia e emrit të tij s’ka se si të shpjegohet shqip. E emiri është pasqyrim i identitetit personal e kombëtar. Këtë brengë prej poeti e hasim tek vargjet e poezisë për emrin, poezi kjo nga më të bukurat e librit.
Kurrqysh të mësohem
Me emrin tim
-         Ç’është? Pse ky emër?

U përpoqa njëherë
Në lum ta hedh.
-S’është për mua, foli lumi.
Të gjitha kombinimet binin
Se shqip
Emri Shyqeri prapë nuk dilte.
(”Emri im”)


Gjithësesi  poeti do t’i prek me ndjeshmëri dhe do t’i ndjejë thellë në zemrën e tij edhe dashuritë, e dhembjet, gëzimet e pikëllimet, vuajtjet e ëndrrat, dëshirat e shpresat, zhgënjimet dhe shqetësimet e zemrave të bashkëkombasëve të tij kudo qofshin ata, në atdhe a në mëgrim:
Të gjallë na shpresojnë
Eshtrat s’na i gjejnë
Të vdekur na numrojnë
varre s’na ngrejnë.
( ”Letër e hapur”)  
Poeti Sejdijaj  kështu do ta shpreh dhembjen për të pagjeturit në vargjet e tij,  ndërsa dhembjen  mërgimtare  ai do ta shpreh bukur e ndjeshëm edhe në këto vargje: 
…çdo gjë duket shkret
Veç mallit për njerzit
Që treten.
(”Nykroppa”)
Për ta bindur vetvetën pastaj që edhe në këtë gjendje shumë të nderë e shumë të dhembshme duhet mbledhur forcë për t’i përballuar ato vështirësi e dhembje për hir të dashurisë, për hir të fjalës e të këngës:
Por s’ka gjë, vazhdo me këngën tënde ti
Për hatrin e fjalëve veç dashuri.
(”Gjurmë”)
Pra, e gjithë kjo dhembje, i gjithë ky mall, e gjithë kjo dashuri, i gjithë ky shqetësim, e gjithë kjo krenari,  bashkë me brengën, me hallin, me trazimin, bashkë me ëndrrën dhe shpresën e dëshirën  për liri e mirësi vërehet kudo në vargjet e sinqerta të këtij libri simpatik, që thënë poetikisht, është veç një zemër  por e mbushur plot dashuri.
Mbi  themelet e ndjenjave që e ngacmojnë vazhdimisht shpirtin dhe zemrën e poetit Shuquri Sejdijaj ngriten  të gjitha vargjet dhe poezitë e këtij libri të cilat s’ka se si  të mos  trokasin  e të bëjnë gjurmë pastaj ndjeshëm edhe në zemrën dhe në shpirtin e lexuesit të ndjeshëm.
Pra vargu i çiltër  i Shuqës, me ndjesinë e zemrës dhe shpirtit të tij, do të hyjë padyshim edhe në zemrën dhe shpirtin e lexuesit.

VEPËR QË DO LË GJURMË NË LETËRSINË TONË
 Nga Nezir BEJTA       

Nezir Bejta

Është një ndjenjë e veçantë pjesmarrja në promovimin e këtyre veprave të shkruara nga bashkatdhetarët  tanë . Veprat ,,Veç një zemër’’ e Shuquri Sejdiajt dhe ,,Kolorit poetik’’ nga Rrjeti u femrës krijuese ne Skandinavi, janë dëshmi se sa aktiv dhe të palodhshëm janë këta njerëz .

Thash se është ndjenjë e veçantë për shkakun se këta poetë por edhe të tjerët, na i përkujtojnë rilindasit tanë që të larguar nga atdheu i tyre me gjak kishin shkruar historinë. Na e përkujtojnë një plejadë të tërë autorësh të cilët me mall e përkushtim kishin shkruar dhe vepruar larg atdheut. Këta autorë janë përfaqësues të të gjthë atyre djemve dhe vajzave të cilët shovinistët serbë me dhunë i dëbuan nga trojet e tyre .

Fjala përshëndetëse e profesor Nezir Bejtës në promovimin e dy veprave më 25 korrik në Prishtinë. Veprat ishin rezultat i mbështetjes financiare nga Lidhja e Shoqatave Shqiptare në Suedi.

Në promovim merrnin pjesë krijues letrar nga Kosova, Shqipëria dhe diaspora shqiptare dhe dashamirë të shumtë të fjalës së shkruar. Merrnin pjesë edhe zyrtarë shtetëror, ndër ta edhe ministri për diasporë, Ibrahim Makolli.

Mediat gjithashtu i kushtuan vëmendje të posaçme këtij evenimenti kulturor.

Edhe pse këta shkruajn në kohë dhe rrethana të ndryshme, tematika dhe brengat pothuajse janë të njejta: atdheu , malli , pikëllimi për tokën e robëruar , janë tema me të cilat ata preokupohën. S’ka si të ishte ndryshe, sepse kështu vetëm se po çojnë më tej amanetin e tokës së tyre,se ajo me çdo kusht duhej çliruar .Dhe këtë e bënë : fillimisht me gjakun dhe jetën e tyre , e tash po e bëjnë përmes këtyre veprave , që janë një histori e dhimbshme e popullit tonë . Me këto vepra të shkruara këta veçse po e çojnë më tej ëndrrën e shumë mërgimtarëve dhe patriotëve , të cilët nuk paten fatin ta shohin atdheun e lirë.

Bota poetike e Sejdiajt është e thellë .Ai brengoset për fatin e atdheut , për varrezat , për heronjtë e tij , për eshtrat e pagjetura të shumë martirëve , fotografitë e të cilëve qëndrojnë ende te varura në mure duke këkuar ndihmë . Prandaj vargjet :
                                        
                            ,, Të gjallë na shpresojnë,
                                Eshtrat s´na i gjejnë.
                                Të vdekur na numërojnë
                                E varre s’na ngrejnë!’’

janë vargje rrënqethëse , përmes së cilave Sejdiaj tregon për tragjikën e popullit të tij , tregon forcën ,përkushtimin, dhembjen dhe pikëllimin për të gjithë ata që ende nuk prehen në tokën e atdheut të tyre.



Sejdijaj brengoset per nënën (Kosovën) që me sofrën shtruar , më kotë e pret të birin që s´do ti kthehet , flet për tmerrin dhe llahtarinë e luftës së fundit. Ai brengoset edhe për emrin e tij qe nuk tingëllon shqip dhe kjo tregon se çfarë shpirti të ndjeshëm ka ky poet . Edhe titulli i kësaj përmbledhje vjen nga poezia ,,Veç një Zemër’’, që na tregon se për poetin ka vetëm një atdhe , ka vetëm një flamur , ka vetëm një gjuhë , ka vetëm një komb e kjo është Shqipëria .

Të nderuar bashkatëdhetarë , i nderuar zoti ministër , do të kisha dëshiruar që këto  vepra , por , edhe ato të vitit të kaluar , që u promovuan këtu , të ishin financuar nga qeveria jonë , por ja që s´janë financuar!  Këta bënë shumë për luftën në Kosovë dhe pa ndihmën e tyre vështirë se do të realizohej kjo ëndërr. Ata e financuan luftën çlirimtare prandaj shpresojmë që verën tjetër dora e atdheut të tyre të ndihet edhe mbi ta . Fundi i fundit këtë ua kemi borxh .





                   



















Inga kommentarer: