fredag 1 februari 2013

KONSUMONI SA MË PAK KRIPË

Pesë gr në ditë përshkruhet kufiri standard i konsumimit të kripës nga personat e rritur kurse fëmijët e moshave 2 deri në 15 vjeç edhe më pak se të rriturit.

Përdorimi i lartë i natriumit mund të jetë pasojë e sëmundjeve të ndryshme që lidhen me tensionin e lartë të gjakut dhe sulmet në tru e zemër. Ulja e sasisë së kripës në ushqime ulë edhe rreziqet për tu goditur nga sëmundjet e tilla. Së paku kështu thonë burimet nga Organizata Botërore për Shëndetin (WHO).

Një pjesë e madhe e shqiptarve rëndom përdorin ushqime të stërngarkuara me kripë. Ndaj shpesh më ka rënë të dëgjoj njerëzit tanë të ankohen nga tensioni i lartë i gjakut.

Kur ua tërhe vrejtjen që të mos i hedhin shumë kripë ndonjë ushqimi ata të thonë
- S´kam ça bëj se nuk më hahet! .../shs/

måndag 26 november 2012


Në Stockholm të Suedisë u shënua 100 vjetori i Pavarësisë

PËRVJETOR I SHPRESAVE TË BASHKIMIT KOMBËTAR

Kështu tha gazetari, publicisti dhe nënkryetari i shoqatës UNIKOMB-i, Shuquri Sejdijaj

Pjesëmarrësit i përshëndetën edhe ambasadorët e Shqipërisë dhe Kosovës, Ruhi Hado e Lulzim Peci.
Stockholm,23 nëntor 2012
Nga Muhamed Krasniqi
Në Stockholm të Suedisë u shënua 100 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë. Në programin festiv të organizuar nga shoqata UNIKOMB-i me moton Duam më shumë Shqipëri, u demonstrua një frymë, një çasje dhe një bukuri festive që e bënë më madhështore fëmijët me programin e tyre  si dhe bashkëkombasit e tubuar e nën stolinë anekënd sallës me flamuj kombëtar.

Në mesin e qindëra bashkëkombasve qëndruan dhe përshëndetën edhe stafi i ambasadave të Shqipërisëe të Kosovës në krye me ambasadorët Ruhi Hado e Lulzim Peci.

Nënkryetari i shoqatës Unikomb-i, Shuquri Sejdijaj, duke hapur këtë manifestim dhe duke përshëndetur të pranishmit, në fjalën e tij tha se rruga e pavarësisë sonë kombëtare është shumë e gjatë. Nëpër shekuj kemi zhvilluar shumë kryengritje e lëvizje të cilat ka ndopdhur të shuhen por asnjëherë nuk u shuan dëshirat dhe shpresat e shqiptarëve për pavarësi.
Shqiptarët sot jane në pritje të Nëntorit të tretë, me shpresën se do të ribashkojmë të gjitha trojet etnike, tha Shuquri Sejdijaj.
Vallja e pavarësisë: Rina, Jona, Leonora, Liridona, Gentiana dhe Dina
 
Ky përvjetor, tha ai në vazhdim të fjalës së tij,  përvjetor i 100-ti me radhë,  mbledh sot  kudo që janë shqiptarët në këtë festë madhe  e me shpresën e bashkimit kombëtar. Kjo datë e shënuar në historinë tonë sjell gëzim të madh edhe për fëmijët tanë.
Tek sheh këta fëmijë që në këtë ditë dhe për këtë ditë ti këndojnë flamurit, atdheut, lirisë, bashkimit kombëtar e të hedhin vallen e shqipeve nuk mund të mos shkojë mendja e të pyesësh veten: sa po bëjmë për ta? Sigurisht që pajtoheni të gjithë, pak po bëjmë; ne po bëjmë pak e këta fëmijë duan dhe meritojnë më shumë.
Uroj që shoqata jonë UNIKOMB-i do të plotësoi sado pak dëshirat e kësaj gjenerate  që po rritet në mërgim.
Përshëndeti edhe kryetari i shoqatës  UNIKOMB-i,  Blenard Saraçi.
Ambasadori i Shqipërisë, Ruhi Hado, pasi uroi 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë tha se pavarësia është ngjarja më e madhe në historinë e një kombi.  Pamvarësia ndodhi vetëm për gjysmën e një kombi por kjo do të ishte e madhe për të gjithe sepse që atëherë  të gjithë shqiptarët hodhën spirancën e shpresave të tyre për pamvarësi siç ishte Pavarësia e Kosovës. Ai foli për periudhat e ndryshme nëpër të cilat kaloi shteti shqiptar.
Ndërkaq ambasadori i Republikës së Kosovës Lulzim Peci, duke u uruar të pranishmëve festën  e 100 vjedtorit të Pavarësisë së Shqipërisë, të arriturat e sotme të kombit tonë i  cilësoi si një sukses të jashtëzakonshëm sepse historia jonë kaloi nëpër sfida të ndryshme.
Ai foli edhe për rethanat gjeopolitike në fund te shekullit XX dhe tha se tani në fillim shekullin XXI po festojmë 100 vjetorin e pavarësisë, vitin tjetër do të festojmë edhe 5 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës dhe se së shpejti Kosova do të jetë në Bashkimin Europian dhe në Nato. Ti bëjmë dy shtete të forta me standarde evropiane, tha Lulzim Peci midis tjerash.
Pastaj defiluan  me valle e këngë fëmijët si dhe me recitalin “ Edhe unë e dua Shqipërinë” të përgatitur nga Shuquri Sejdijaj dhe Shani Hoti. Fëmijët ishin të mrekullueshëm me paraqitjen e tyre duke fituar duartrokitje të shumta, për vallen e luajtur dhe recitimet e sjellura me atë rast nga Liridona Hoti, Rina Sejdijaj, Gentiana Gorçi, Leonora Selimi dhe dy motrat Bjondina e Lirjona Hoti të prira nga Lule Kryeziu. Duartroktije frenetike fituan edhe recitatorët e vegjël, Dijon Hoti, Dardan Hoxha, Yllka Maksuti, Ida Elezaj, Doresa Hoxha dhe Orienta Kadriu. Ndërkaq Leona Gjoshi e posaçërisht Grentina Krasniqi ngjalli atmosferë gufuese tek pjesëmarrësit.
Pas pjesës  zyrtare, deri në orët e vona të natës, të pranishmit i argëtoi Viola Syla Rexhaj.
Bashkëatdhetarët e pritën me kënaqësi edhe paraqitjen e dy bukurosheve nga Miss world Sweden. Doruntina Hoxha informoi për projektin e saj te grumbullimit të mjeteteve për spitalin e fëmijëve në Prishtinë. Gjatë programit bashkatdhetarët tuabuan një shumë të konsiderueshme mjetesh finansiare si kontribut ndihmës për spitalin e fëmijëve në Prishtinë.
Stockholmi, po jeton këto ditë në shenjë festive...

söndag 14 oktober 2012


SPORTI  SPORT DHE POLITIKA POLITIKË


Nuk do flasim për politikën dhe shembujt e shumtë kur politika vendore ngulfatë zhvillimin e sportit shqiptar. Fokusimi ynë kalon në skenën ndërkombëtare.


Konsideroj se ende i keni të freskëta Lojërat e fundit Olimpike në Londër. Dhe kush nga shqiptarët nuk ka dëgjuar për Majlinda Kelmendin? Ishte ajo që mundi xhudisten finlandeze Jaana Sundberg në kategorinë nën 52 kg gjatë lojërave olimpike në Londër. Majlinda humbi pastaj nga konkurrentja prej Mauritanisë dhe me këte u shuan shpresat e Shqipërisë për një medalje.


Megjithë përpjekjet për të mbrojtur ngjyrat e Kosovës në këto lojëra, kjo dëshirë nuk u realizua as për Majlindën e as për shumicën e qytetarëve të Kosovës për shkak të refuzimeve nga Komiteti Ndërkombëtar Olimpik. Komiteti nuk kishte pranuar as që Kelmendi të përfaqësohet me flamur neutral olimpik. Për të realizuar pjesëmarrjen ajo shkoi në Londër si përfaqësuese e Shqipërisë në saje të shtetësisë shqiptare që e posdonte gjithashtu.

Dhe ky ishte një shembull tipik, ndër shembujt e shumtë, të lidhjeve që ende mban politika e sporti.

Kosova si shtet i pavarur është njohur nga më shumë se 90 vende të botës, ndër ato që e kanë njohur bëjnë pjesë edhe shtetet skandinave, por jo edhe nga Kombet e Bashkuara gjë që për Komitetin Ndërkombëtar Olimpik është vendimtare.

Në rast se ky Komitet Ndërkombëtar do t´kishte qenë konseguent në vendimet e veta sigurisht se nuk do të shkaktonte irritacione. Por mjerisht historia na mëson diçka tjetër. Komiteti Ndërkombëtar Olimpik ka bërë dhe vazhdon të bëj lëshime të herë pas hershme.

Palestina psh u lejua të merr pjesë në Lojërat Olimpike që nga viti 1996. Ndërkaq katër vite më herët, më 1992 në Barcelonë, sportistët jugosllav dhe maqedon u paraqitën si individ të posaçëm. Maqedonët edhe sot detyrohen të garojnë me emrin e ashtuquajtur "Ish Republika e Jugosllavisë Maqedonia - FYROM".

Në vitin 2000 në Lojërat Olimpike në Sidnej, ju lejua Timorit Lindor që ti dërgonte sportistët e vet megjithëse ky vend u bë i pavarur tek në vitin 2002.

Ndërkaq nga historia e këtyre lojërave dihet se para 100 vitesh në Stokholm merrnin pjesë Finlanda dhe Bohemia megjithëse këto vende  atëherë i takonin Rusisë, përkatësisht Austrisë.

Asgjë tjetër veçse politikë. Politikë që në rastin e Kosovës shndërrohet në vjehërr që ka mëri renë e saj. Politikë që injoron mesazhin njerëzor të sportit.  Ky mesazh nënkupton veç tjerash që ushtruesit e kësaj disipline të trajtohen si anëtar të një familje ku secilit i garantohen mundësi të njejta. Një ide naive por e bukur kjo.

Leni sportin sport e politikën politikë./shs/

onsdag 30 maj 2012


BAJRUSH MJAKU ME SOKRATIN NË STOKHOLM


24 maj 2012 Stockholm/sh.sejdijaj/

Bajrush Mjaku
Aktori i njohur shqiptar nga Maqedonia, Bajrush Mjaku, u paraqit me sukse në teatrin politik të Stokholmit të njohur si Tribunal Theater. Në një nga skenat e këtij teatri u shfaq projekti teatral "Mbrojtja e Sokratit" ku rolin kryesor e luan Bajrush Mjaku. Ky projekt është mbështetur edhe nga produksioni i pavarur kulturor Interkult në Stokholm. Regjinë e kanë bërë Dritëro Kasapi dhe Dino Mustafiq. Në projekt luajnë edhe Besfort Idrizi e Ibrahim Xhemajli.

Projekti teatral "Mbrojtja e Sokratit" u luajt në gjuhën shqipe dhe në mënyrë simultane u përkthye në anglisht.


Siç dihet Bajrush Mjaku është një nga aktorët më të njohur në rajonin e vendeve të Ballkanit. Veç angazhimeve në rajon ai zhvillon një bashkëpunim të frytshëm me Interkultin e Stokholmit tash më shumë se një decenie. Me produksionet "Babai", "Zoo Story" dhe "Shënimet e një çmenduri" ka bërë turne në vende të ndryshme kurse me 24 maj u gjend në Stokholm me "Mbrojtja e Sokratit" që siç thot ai, ia kushton intelektualit e patriotit Ukshin Hoti dhe gjithë intelektualve tjerë të cilët dora e hekurt e forcave destruktive nuk arriti ti heshtë në misionet e tyre për liri dhe të drejta të njeriut.

Ky projekt merr peshë edhe më shumë për vendet e Ballkanit të cilat edhe sot e kësaj dite përballen me ndërtimin e demokracisë të përshkuar aktualisht me korrupcion ekonomik e politik dhe që ecin me agjendat e përcaktuara nga persona me kapital ekonomik.

Projekti teatral i Bajrush Mjakut u zhvillua në kuadrin e festivalit për të drejtat e njeriut të organizuar nga Teatri Tribunal i kryeqytetit suedez.

torsdag 12 januari 2012

SHKËLQIMI I ERMONELA JAHOS NË VENEDIKUN E VERIUT

Një mbrëmje dhjetori në Stokholm,  me erë dhe riga të ftohta shiu, por kryeqyteti i Suedisë që njihet edhe si Venediku i Veriut sivjet ende nuk është prekur nga bora gjë që rëndom bie qysh në pjesën e parë të tetorit.  Bashkë me vajzën time , Jetmiren, do ta kalojmë këtë mbrëmje në një nga sallonet e Teatrit Mbretëror të Operës ku luan Ermonela Jaho. Na shoqërojnë edhe Kamer Elezaj me bashkëshorten dhe së bashku blemë një buqetë me lule të cilën e dorëzuam në recepcionin e Operas. Sipër buqetës vumë një copë letër ku shkruajtëm: " Urime Ermonela! Një grup shqiptarësh nga Stokholmi."

Nga Shuquri Sejdijaj, 10 dhjetor 2011, Stockholm

"Traviata e kohëve moderne" me sopranen shqiptare Ermonela Jaho

Pallati mbretëror i Operas pa asnjë vend të zbrazët, vlonte nga njerëz të moshave të ndryshme. Atmosfera në sallonet e Operas e qetë dhe e koncentruar. Parandjeja që do të jetë mbrëmje e bukur. Dhe që nga tingujt e parë që puthën hapsirat e thella të Operas në Stokholm ndjeva muzikën fantastike e plotkuptim të Verdit. Dhe kur pas pak çastesh u hodh në skenë Ermonela, me vokal dhe pozicionim në skenë, publiku u mahnit nga kumbimi i zërit të saj plot ndjenja. Tragjikja, vuajtja, dashuria , fati dhe prap tragjikja funksionuan në skenë në harmoni me skenografinë, kostumet, dritat dhe çdo gjë tjetër të projektuar nga regjisori Kasper Holten. Por ai nuk sjell në këtë shfaqje Violetën kurtizane, por një Violetë moderne, të pastrehë dhe prostitutë. Në saje të talentit të rrallë Ermonela Jaho ka arritur prap ta bëjë edhe Violetën e kohëve moderne  personazh të dashur…

Ermonela Jaho dhe Klas Hedlund. Foto:Alexander Kenney, Opera Mbretërore Stokholm
Siç dihet "Traviata"  e Giuseppe Verdit përshkruan botën e një kurtizane dhe fatin e saj jetësor në Parisin e viteve 1800. Me pak fjalë historia e dramës klasike është kjo: Violeta dashurohet në të riun Alfredo Germont por për shkaqe familjare kundërshtohen lidhjet ndërmjet dy të rinjve.  Violeta vdes nga tuberkulozi kurse familja Germont i rikthehet jetës borgjeze sipas kërkesave të kohës. Ndërkaq kjo histori e bartur në kohën moderne  duket  kështu: Violeta  Valéry është një prostitutë  e re nga mosha që bie në dashuri me Alfredon, me të cilin do të mund të kalonte jetë të qetë larg Parisit dhe klubeve të tij të natës . Por kështu nuk mendon i ati i Alfredos, sipas të cilit kjo vajzë do t´ishte turpi i familjes, ndaj e manipulon për ta lënë Alfredon e për tu kthyer te jeta e saj e mëhershme. Por ai nuk e dinte se ajo vuante nga një sëmundje vdekjeprurëse. "Ttraviata"  është tragjedia e betejës së një femre kundër paragjykimeve në shoqëri dhe historia klasike bartet në botën e luksit modern në fillet e shekullit të ri. Premiera në Stokholm u luajt më 19 nëntor dhe deri më 19 dhjetor pasuan edhe gjashtë shfaqje tjera…

E në mbarim të shfaqjes i gjithë publiku, i të gjitha salloneve në Pallatin Mbretëror të Operas në Stokholm ngritet me entuziazëm duke i duartrokitur e brohoritur aq ngrohtë sopranes shqiptare Ermonela Jaho, duke e detyruar të rikthehet disa herë te skena e cila me aq dashuri i përshëndet me përulje dhe me buqetën e bukur të luleve shqiptare.

Ndërkohë që një ditë më parë e kisha takuar për një intervistë gjë që Ermonela Jaho e pranoi me kënaqësi.

- Karriera ime ka filluar që e vogël, si gjashtë vjeçe. Më pastaj kam mbaruar liceun artistik dhe Akadminë e Arteve në Tiranë si këngëtare operistike. Në moshën 12-13 vjeçe kisha parë e dëgjuar "Traviatën", e cila më shkaktoi një dashuri të pamasë dhe them se aty u hap dritarja ku pashë dimensionin e ardhshëm jetësor të Ermonelës. Ermonela do të bëhej këngëtare klasike me dëshirën e zjarrtë për të kënduar "Traviatën". Vrapova dhe i thashë tim vëllai se e kisha gjetur të ardhmen time dhe se nuk doja të vdisja pa kënduar njëherë Traviatën...Më vonë fitova konkursin e Katia Ricciarelli, e cila është një ikonë e muzikës operistike italiane por edhe në gjithë botën gjithashtu. Kjo ndodhi dy vite pasi Shqipëria kishte hapur kufijtë kur ajo erdhi dhe bëri një konkurs dhe unë isha njëra nga ato që fitoi konkursin duke fituar mundësinë për studime në Itali. Unë ëndërroja atëherë dhe shkuarja në Itali me përballi me një realitet tjetër. Isha vetëm 18 vjeçe dhe e çrrënjësor totalisht! Merrnje me mend unë shkoja nga një vend i varfër dhe të merreshe me art ishte një lloj luksi dhe gjatë asaj kohe kam provuar ta njoh edhe urinë por këte nuk ua tregoja në shtëpi sepse çka të tregoje nëse kjo ishte ëndërra ime për të ecur përpara. Pastaj fitova edhe një konkurs tjetër për të hyrë te Accademia Nazionale di Santa Cecilia në Romë dhe disa konkurse tjera të cilat kisha mundësi ti paguaja. Më pastaj takova menaxherët e mi dhe kështu hap pas hapi arrita këtu ku jam sot duke kënduar në të gjitha teatrot më të rëndësishme të botës gjë që paraqet ëndërren time që e kam kapur me dorë dhe e jetoj për ditë.

Kush është çelësi i suksesit tënd Ermonela?

- Arti, muzika është gjuhë e shpirtit dhe po nuk u dhe diçka të vërtetë, të sinqertë,atëherë harrohesh menjëherë. Puna e artistit është në ballafaqim të përhershëm me publikun. Mua më ka rënë të provoj shumë gjëra, s´jam as e para e as e fundit, ashtu si çdo shqiptari që i ka rënë të provoj shumë gjëra dhe secili prej nesh kemi një histori më vete. Ndërkaq të provosh shumë gjëra për mua dmth të kesh një bagazh të madh shpirtëror, sa unë o zoti donte që nëpërmjet muzikës t´kanalizoja të gjitha këto ndjenja e sakrifica të cilat i shpreh edhe në skenë, dhe kjo ndoshta mua më bën të veçantë që i bën të gjithë të vijnë e t´thonë se si këndon Ermonela s´këndon askush tjetër dhe jo për zërin se zëra të mëdhnjë ka, zëra të bukur ka gjithandej në botë por për ndjenjat që shpreh dhe prodhoj tek publiku.

Ti mendon se është përjetimi ai  që ju bën të veçantë?

Ekzakt, sepse ne themi e  gjithëmonë flasim që muzika është gjuhë e shpirtit, arti është gjuhë e shpirtit, por shtrohet pyetja çfar bën ti konkretisht dhe atë duhet thënë me sinqeritet. Në intervista të ndryshme siç bëni edhe ju më drejtohet pyetja se kush është çelësi i Ermonelës që ka patur këto suksese etj etj; them prejardhja ime nga Shqipëria që më dha këtë vullnet kaq të jashtzakonshëm sepse ne shqiptarët  kemi veti të jashtzakonshme, të mira edhe të këqia, bardh e zi, më vjen keq ta them këtë po kështu jemi, por të paktën ai temperament, ekzagjerim zjarr  është As për një artist, kështuqë kjo ka qenë e veçanta ime dhe që vazhdon të jetë sa të kesh shpirtin dhe zemrën atë do japësh.


Ermonela në "La Traviata" Veronë
Ti studjove në Itali dhe më pastaj u zhvendose prej andej?

-Edhe sot e kësaj dite vazhdon sepse artisti është qytetar i botës. Pika ku kam arritur dmth se më kërkojnë të gjithë teatrot e botës, kështuqë është një jetë që e fillova në Itali, jetoj aktualisht në New York me familjen time, por shpenzoj shumë pak kohë në shtëpinë time sepse gjithëmonë kërkimi i teatrove nëpër botë bëjnë që shpija ime më tepër të jetë aeroporti apo teatro kështuqë kjo është bërë natyra ime e dytë, jeta ime e dytë. Jetoj me muzikën, jetoj me këtë ëndërr ditë për ditë.

Ti kthehemi qëndrimit tënd në Stokholm. Si vizitë e parë, si e përjetove?

Është herë e parë dhe të jem shumë e sinqertë se erdha me një mendim se do të kem një publik të ftohtë, por gjërat duhet të preken e të përjetohen para se të japësh një mendim, por me sa kisha dëgjuar është vend i ftohtë dhe si konseguencë edhe njerëzit janë pakëz të ftohtë, se i bën koha ose mënyra e jetesës. Por kam qenë shumë e surprizuar kur erdha! Ndoshta vija me një status tjetër, si diva e shfaqjes, si emër i njohur, por sidoqoftë e ndjeva me energji. Njerëzit ishin shumë disponibël, shumë të dashur, të gatshëm për të ndihmuar gjë që është e vështirë ta gjesh në teatër këtë gjë. Dhe sa i përketë publikut  kam mbetur pa fjalë, sepse në premierë psh ma thanë të gjithë që të mos bëhesha merak nëse nuk do të ketë ndonjë reagim tepër entuziast apo temperament siç mund ta ketë një mesdhetar apo një tjetër nga  vende që kanë eksperiencë të jashtzakonshme klasike operistike le të themi, siç është Italia, Franca etj.etj, por publiku është i mirë më thanë por nuk reagon në atë mënyrë dmth që të të bëjnë ty të ndihesh. Nuk ka problem u thash, unë do përpiqem, do të jap zemrën time , do të jem e sinqertë në skenë dhe u thash që nuk ka vend të ftohtë në botë që po të jenë qenie humane  e të kenë zemër të mos preken si qenie. Do shoh thash, është një lloj provimi edhe për mua, sepse si publik është herë e parë që më përjeton.  Përveç punës që pata me kolegët e mi pritja tani reagimin e publikut. Dhe shihni salla është fantastike dhe që zë mbi 1 000 veta. Mbaroi shfaqja dhe gjatë shfaqjes poashtu më duartrokitën disa herë, dhe thoja si është e mundur, por kur arritëm në fund, u ngritën të gjithë në këmbë e me duartrokitje e brohoritje të ngrohta më kanë përshëndetur për disa minuta. Ishte vërtetë kënaqësi e madhe sepse ishte krijuar përjetimi.

Dhe kanë qenë dy gjëra që u prodhuan: e para, një satisfaksion personal, se kur je në këtë biznes duhet ditur se asgjë nuk zgjat gjithëmonë dhe e sheh se ende mund të japësh, por një ditë kjo do mbaron sepse lidhet edhe me moshën dhe vërtetova nga ana profesionale se bëra diçka të bukur  dhe ishte kënaqësi personale e profesionale, dhe e dyta fitoi çelësi, i të ardhurit nga Shqipëria sepse Traviata është një dramë e kësaj femre , megjithëse këtu bëhet me një regji moderne gjë që unë nuk e pëlqej shumë.

Është e njejta Violetë apo?

Për fat të mirë muzika është e njejta, por regjisorët tani duan të bëjnë diçka të re, duan ta bëjnë sa më konteporane por harrojnë që nuk bëhet konteporane  nëpërmjet rrobave apo regjive të ndryshme etj.etj, se ajo është klasike dhe mua më pëlqen klasikja. Ajo që e bën që edhe sot e kësaj dite të ekzistojë është idealizimi  i ndjenjave humane dhe këtu kur flasim për Violetën ajo sakrifikon dashurinë e saj, të vetmen gjë të shtrentë që kishte sepse ishte jetime dhe sakrifikon për të mirën e personit … Në dramë unë kam kolegun që në opera quhet Alfredo. Por tek ai Alfredo, Ermonela sheh mamin, babin , vëllain , qeniet më të shtrenjta që kam unë dhe ka qenë një emocion autentik kur gjithëmonë është një dëshpërim që ti sakrifikon, që largohesh nga një dashuri kaq e madhe dhe kjo për mua është globale sepse është diçka që e kam vuajtur edhe e vuaj për vendin tim dhe këtë unë e vë dhe e përdorë në këtë rast tek Alfredo . Dhe duke e sjellur kështu është e pamundur çdo lloj publiku i kujdo vendi e kujdo race të mos preket sepse jemi qenie humane dhe kjo pikrisht bëri që publiku ta ndjej sepse ai do që artisti të jetë i sinqertë .

Por Ermonela pas premierës në Stokholm vizitoi për herë të parë edhe Kosovën

Po është e vërtetë…

Si ishte takimi me Kosovën?


Ermonela Jaho
Tani që po vi nga Kosova them që më mungon jasht mase  sepse lash një pjesë të zemrës në Kosovë. Takimi i parë?…ka qenë një pritje e  jashtzakonshme, një patriotizëm, një gjë që ne e themi se Kosova për ne ishte si një  utopi. Ka qenë si utopi sepse gjithëmonë kam dëgjuar dhe ne që jetojmë jasht i dëgjojmë shqiptarët duke i rënë gjoksit se do bëjmë këtë e do bëjmë atë, por zakonisht kemi më shumë fjalë. Dhe të bësh diçka konkrete për vendin tënd është shumë e vështirë dhe nuk e di  pse është kështu. Neve që shquhemi si popull i vjetër  e që i kemi treguar botës zemërgjërsinë, besimin  dhe besën e fortë për njëri tjetrin, se besë e shqiptarit është shqiptaria, tani fatkeqësisht gjërat e fundit që kanë ndodhur sikur i kanë larguar këto vlera duke mbijetuar politika dhe inatet me njëri tjetrin dhe kemi harruar vlerat e vërteta  të këtij vendi gjë që me eksperiencën profesionale e preka gjatë kohës që isha në Kosovë. Pritjen ma bën të jashtzakonshme, jo për thjeshtë Ermonelën por sepse unë po shkoja për një koncert bamirësie e organizuar nga shoqata Nënë Tereza në Gjermani që është viti i nëntë i këtyre lloj koncerteve për të ndihmuar fëmijë më me nevojë dhe sëmundje zemre në Kosovë. Dhe në Kosovë pashë atë që e mendoja si ëndërr, si utopi; kam parë zemrat e shqiptarëve që u mblodhëm të gjithë së bashku, unë me këngëtarë së bashku nga Kosova , talentë të mrekullueshëm  e të jashtzakonshëm  plus Orkestra e Filharmonisë, të gjithë shqiptarë, dirigjenti  dhe gjithë stafi dhe televizioni , me një seriozitet, me një qëllim të vetëm , se shqiptarët kur bashkohen për një qëllim të vetëm bëjnë mrekullira. Dhe kjo qe ajo që arritëm  sepse funksionoi çdo gjë mirë, kishim dhënë zemrat tona pa asnjë kompenzim, dhe apelin që përcolla prej andej se ata shqiptarë që na ndjekun në gjithë botën mund të japing diçka dhe për pak kohë, për dy orë e gjysëm program arritëm të mbledhim më shumë se 500 000 euro gjë që është një lloj shprese për ata fëmijë. Por dua ta them se kthehem nga Kosova edhe e shqetësuar  dhe atje lash një pjesë të zemrës time, një popull i jashtzakonshëm , i mrekullueshëm.

Ndërkaq Tirana për mua është kthim në origjinë, dhe në Tiranë kthehem disa here brenda vitit dhe them që artisti pa kontakt me origjinën e tij është pa identitet dhe i paplotësuar.

Kjo ishte biseda me sopranen shqiptare me famë botërore Ermonela Jaho. Ajo ka performuar në teatrot më të njohura të operave në botë duke përfshirë këtu  Royal Opera në Londër, Metropolitan Opera në Nju Jork, Berliner Statsoper, ParisChamps Elysees-Teatro San Carlo di Napoli, Opera Kompania e Filadelfias, Opera de Marsejë, Arena di Verona, etj.etj dhe tani në Teatrin Mbretëror të Operës në Stokholm. Agjenda artistike e Ermonelës është e ngjeshur edhe për vitin e ardhshëm. Por kohë paskohe shfrytëzon rastin të takojë dhe ti mbështes edhe gjeneratat e reja shqiptare që ëndërrojnë profiling e saj, siç ishte rasti në Stokholm me të renë Albina Isufi e cila premton shumë për dashamirët e muzikës operistike.

Me artin e saj, me përvojën e mrekullueshme të mbledhur nga skenat më të njohura në botë, Ermonela Jaho ka nderuar personalitetin e saj, ka nderuar familjen dhe gjithë shqiptarët.

Nëse ke dëshirë mund të dëgjoni Ermonelën në vegzën e mëposhtme në një klip fantastik nga "Anna Bolena" luajtur në Paris më 2008. ( Klipi është afër 1 orë e 20 min.)/shs/.

http://www.ermonelajaho.com/index.html






tisdag 12 april 2011

REGJISTRIMI I DIASPORËS ME LISTË SUPLEMENTARE


Reporteri Shuquri Sejdijaj interviston ambasadorin z. Lulzim Peci
Nga dita e parë e muajit prill të këtij viti Kosova nis edhe një ndërmarrje të madhe, një ndërmarrje që Kosovës i ka munguar që nga viti 1981. Pra në Kosovë fillon regjistrimi i popullësisë, i ekonomive familjare dhe i banesave. Ligji për këtë është kritikuar në disa raste, herë për vonesë e herë për nguti të miratimit të ligjit ashtu si dhe për trajtim joadekuat të qytetarve të mërguar në botë. Me ligjin e miratuar për regjistrim mërgata shqiptare trajtohet si popullatë jorezidente, dhe si e këtillë edhe do të regjistrohet.


Zoti Lulzim Peci, ambasador i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Suedisë, e vlerëson si ndërmarrje të jashtzakonshme dhe fundamentale regjistrimin e popullësisë në Kosovë.

- Regjistrimi i  popullësisë në Kosovë me siguri është një prej ngjarjeve apo zhvillimeve më fundamentale që do të ndodhë në Kosovë pasiqë regjistrimi i popullësisë po ndodhë pas 30 viteve. Në esencë asnjë shtet nuk mund të zhvillohet mbi parametra real nëse ai nuk e ka një regjistrim të popullatës. Ndaj me këtë rast dua tu përkujtoj që deri më tani i gjithë planifikimi në Kosovë në masë të madhe është bërë në projektime statistikore dhe jo me gjendjen reale që kemi në vendin tonë. Mendoj që regjistrimi i popullësisë është një ndërmarrje shumë e rëndësishme me të cilin Kosovës si shtet tani do ti mundësohet që të bëj një planifikim më të mirë edhe në aspektin zhvillimor të Kosovës por njëkohësisht do të fitohet edhe një pasqyrë e gjendjes demografike në Kosovë e cila është substanciale për vet politikat e qeverisë dhe mirëqenien e qytetarfve të saj, thot ambasadori Lulzim Peci.

Atëherë si qëndron puna me diasporën shqiptare?


- Diaspora jonë do të përfshihet në regjistrimin e popullësisë por në një formë të veçantë. Regjistrimi i kësaj pjese të qytetarve tanë në botë do të bëhet nga anëtarët e familjeve të tyre nëse këta nuk gjenden në Kosovë në kohën kur bëhet regjistrimi i popullësisë dhe kjo do të bëhet me një formularë të posaçëm, formulari S1, ku jipen të dhënat për personat që gjenden në diasporë, dmth të dhënat e tyre personale, vitin kur kanë dalë dhe arsyet që kanë ndikuar që ata ta lëshojnë vendin. Kështuqë, kur të kryhet ky proces do të arrihet një pasqyrë mjaft e sakt e numrit të qytetarve tanë psh në Suedi, Norvegji, Finlandë, SHBA e vende tjera. Kjo ndërmarrje do të na ndihmojë që për herë të parë Kosova do ta ketë një pasqyrë më reale të diasporës gjë që deri tani të dhënat për te na kanë munguar dhe po e them prap se është punuar me projektime të statistikave.
Me këtë rast ambasadori Lulzim Peci thekson:
- Regjistrimi i popullësisë realisht është fotografim i gjendjes në Kosovë. Një person që jeton jasht Kosovës, megjithëse nuk përfshihet në regjistrimin e banorëve rezident atëherë  për këtë shkak do të regjistrohet si banorë jorezident i Kosovës, porai gjithësesi gëzon të gjitha të drejtat si çdo shtetas tjetër i Kosovës; pra janë pjesë e regjistrit civil të Kosovës nëse regjistrohen, kanë të drejtën e pasaportës, të lejës së njoftimit, dhe siç e thash i gëzojnë të gjitha të drejtat që i gëzojnë qytetarët e Kosovës. Mirëpo një person nuk mund të ketë dy vende të rezidenës, sepse jetohet në një vend dhe për këte arsye ai klasifikohet sipas vendit ku jeton dhe pa humbur të drejtat tjera si qytetarë i Kosovës.

Megjithëkëte është vrejtur një lloj droje tek njerëzit tanë në mërgim.


- Nuk ka arsye për kurrfar droje. Bile unë do ti kisha inkurajuar njerëzit tanë që jetojnë në Suedi që të dhënat e tyre t´ua dërgojnë anëtarve të familjes në vendlindje në mënyrë që familjet e tyre në Kosovë të mund të transmetojnë tek zyrtarët e regjistrimit të dhënat e sakta për ta. Ata do të jenë pjesë e regjistrimit të popullësisë në Kosovë, por siç thash edhe më herët, ata do të cilësohen si banorë jorezident, pra si banorë që nuk banojnë në Kosovë. Do theksuar se regjistrimi i popullësisë në Kosovë bëhet sipas standardeve evropiane dhe Kosova ka arsye të jetë krenare që po bën këtë punë sepse Eurostati ka vlerësuar se janë bërë të gjitha përgatitjet sipas normave ndërkombëtare gjë që në krahasim me vendet tjera të rajonit Kosova ka ecur përpara ndërkohë që disa vende të rajonit ende nuk kanë marrë dritën e gjelbërt.

Atëherë kalojmë në një çështje tjetër. Si ka rrjedhur promovimi i ambasadës së Republikës së Kosovës në Suedi gjatë kohës nga themelimi e deri më sot?

- Mund të themi që me hapjen e ambasadës së Republikës së Kosovës në Stokholm marrëdhënjet e ndërsjella ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Suedisë u ngritën në nivelin më të lartë, pra në nivel ambasadorësh. Po ashtu me hapjen e ambasadës së vendit tonë në Stokholm u krijuan marrëdhënje shumë të mira me institucionet e Suedisë dhe bashkëpunimi bilateral po thellohet nga dita në ditë. Do theksuar gjithashtu që ambasada jonë po gëzon gjithnjë e më tepër respekt ndër radhët e trupit diplomatik në Stokholm megjithë vështirësitë ekzistuese me disa shtete të cilat nuk janë përkrahëse të pavarësisë së Kosovës. Bile në fillim ka pasur edhe tentativa për bojkotim të punës së Ambasadës. S ot Ambasada e Republikës së Kosovës në Suedi është anëtar i respektuar i trupit diplomatik.
Fokusimi i diplomacisë?
- Puna  diplomatike mvaret nga objektivat e politikës së jashtme  të Kosovës dhe nga prioritetet që përcakton kjo politikë.  Në konferencën e ambasadorëve në fund të marsit në Prishtinë do të diskutojmë për të gjitha çështjet vitale me të cilat do të mirren ambasadat e Kosovës në botë. Pritet të bëhet riformulimi i objektivave të politikës së jashtme dhe agjenda përkatëse operacionale  konform të cilave ne do të punojmë si përfaqësi diplomatike.
Ambasada në Stokholm do të mbulon edhe vende tjera pos Suedisë?
- Presim që së shpejti të përfundojë procedura e akreditimit në Finlandë dhe Norvegji  kurse më vonë edhe në ndonjë vend tjetër të rajonit.
Na thuani ju lutem çfarë janë kontaktet me bashkëatdhetarët në Suedi?
- Kontaktet janë të përditshme  përmes shërbimit konsullor të Ambasadës.  Poashtu që nga fillimi i punës tonë në Suedi kemi vënë kontakte me shoqata e klube dhe individ të dalluar në fushta të ndryshme të veprimtarisë në Suedi. Ndihma ndaj m ërgatës do të rritet me zbatimin e plotë të ligjit për mërgatën që është aprovuar më 2010, dhe në bazë të cilit është formuar edhe Agjensioni për Mërgatën pranë Zyrës së Kryeministrit . Po ashtu në bazë të këtij ligji është paraparë që në vendet ku ka shumë  mërgimtarë të krijohen Qendrat Kulturore të Kosovës për Mërgatën të cilat veç tjerash do të mirren me kultivimin dhe promovimin e kulturës e të arsimit për mërgatën. Me themelimin e këtyre qendrave do të kontribuohet në ruajtjen e identitetit por edhe në intensifikimin e kontakteve të mërgimtarve në fushën e kulturës, por edhe në sfera të tjera me vendin amë.
Jemi në shërbim të qytetarve tanë dhe përpiqemi që në çdo moment t’ju dalim krah në plotësimin e nevojave të tyre në bazë të ligjeve ekzistuese në Kosovë.
Ne jemi të vetëdijshëm që e gjithë ndihma nuk mund tu ofrohet në momentin e tanishëm  sepse korniza ligjore nuk është e plotësuar ende sa i përketë disa çështjeve teknike por, shpresojmë që shërbimi ynë konsulor së shpejti do të ketë edhe mundësinë e dhënjes së lejeve të njoftimit dhe të pasaportave.


Shërbimet konsulore
  • Për momentin procesohen kërkesat për pasaporta të Republikës së Kosovës  për persona që posedojnë lejet e njoftimit të Kosovës
  • Afrohet shërbim rreth kërkesave për lirim nga shtetësia e Kosovës
  • Përmbushen kërkesat rreth akteve të gjendjes civile, pra atyre që u lind një fëmijë në Suedi kanë mundësi që fëmijën ta regjistrojnë tek shërbimi konsulor
  • Bëhet regjistrimi i martesave, por edhe i vdekjeve
  • Lëshohen dokumente udhëtimi për një drejtim

- Me këtë rast dua të inkurajojë qytetarët dhe shtetasit tanë në Suedi që të regjistrohen në shërbimin tonë konsulor. Ky regjistrim nuk është obligativ por është më se i dëshirueshëm. Ky lloj regjistrimi përfshinë të dhënat personale dhe detajet e kontakteve, si telefoni, adresa fizike dhe e-mailat. Të dhënat e këtilla janë të nevojshme që në rast të ndonjë fatkeqësie natyrore ose diçka të ngjashme, të mund të vemi kontakt të menjëhershëm me qytetarët tanë për të marrë të gjitha masat e duhura për trajtim sipas gjendjes së jashtzakonshme. Ngjarjet e tilla nuk mund ti abstrahojmë, dëshirojmë që kurr të mos ndodhin por ne duhet të jemi të përgatitur edhe për raste të këtilla. Përkujtojmë këtu për pak kohë ngjarjet e ditëve të kaluara në Egjipt dhe angazhimet e Ambasadës së Kosovës në Turqi për tërheqjen e qytetarve të Kosovës nga vendi i krizës. Kjo është bërë edhe në rastin e Jemenit, në Japoni dhe në Libi, me ç’rast Qeveria e Republikës së Kosovës dhe përfaqësitë e saja diplomatike kanë provuar se kanë kapacitet për të i ndihmuar qytetarët tonë në vendet me rrezik të lartë të sigurisë, bile edhe në ato vend e nga të cilat nuk jemi njohur, thot z. Lulzim Peci, Ambasador i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Suedisë.
Nga ceremonia e dorëzimit të letrave kredenciale

Si është hapë ambasada e Kosovës në Suedi?
Mbretëria e Suedisë e ka njohur Kosovën dhe ka lidhë marrëdhënje diplomatike me Kosovën qysh në mars të 2008-ës dhe me këtë akt janë krijuar kushtet që të hapet ambasada e Kosovës në Suedi.
E gjithë kjo tani ka një histori procedurale: më 10 shkurt të vitit 2009 presidenti i Kosovës mori vendim për hapjen e ambasadës së Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Suedisë. Pas këtij vendimi, më 17 korrik 2009 është bërë nominimi i ambasadorit nga presidenti kurse pëlqimi apo agremani siç thuhet me fjalorin diplomatik, nga Mbretëria e Suedisë i mbrrinë Kosovës në fillim të shtatorit 2009 kurse më 15 shtator presidenti i Kosovës dekreton ambasadorin e Kosovës në Mbretërinë e Suedisë.

Më pastaj është zgjedhur edhe ekipi politik dhe konsullor dhe për herë të parë si ekip diplomatik arrinë në Suedi më 13 dhjetor 2009. Më 4 shkurt 2010 ambasadori i Republikës së Kosovës dorëzoi letrat kredenciale tek Mbreti i Suedisë, Carl XVI Gustaf dhe me këtë akt Kosova ka ambasadorin e vet fuqiplotë dhe të jashtzakonshëm në Mbretërinë e Suedisë.


Fakte për z. Lulzim Peci: U lind më 6 korrik 1966. I martuar ; Ka një vajzë.  Lexon shumë, sidomos rreth marrëdhënjeve ndërkombëtare, historisë dhe posaçërisht e do matematikën.
Prej gjuhëve të huaja flet anglishten, serbishtën dhe spanjollishten.
Me profesion është inxhinier i elektroteknikës dhe ka magjistruar në Marrëdhënjet Ndërkombëtare pranë Institutit Universitar Ortega y Gasset Në Madrid, Spanjë.
Një kohë ka punuar si ligjërues në Universitetin në Prizren në fushën e politikës së sigurisë politike kombëtare dhe ndërkombëtare.
Njihet si themelues i dy organizatave joqeveritare, Institutin e Kosovës për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED) dhe Fondacionin Kosovar për  Shoqërisë Civile (KCSF).
Ka qenë anëtar i disa organizatave profesionale e universitare si dhe ligjërues mysafir në Qendrën e Gjenevës për Politika të Sigurisë.
Ka bërë mbi 30 punime shkencore dhe studime të politikave në fushën e sigurisë, politikës së jashtme dhe qeverisjes të botuara në Kosovë, Austri, Gjermani, Zvicër, Britani të Madhe, Holandë dhe Japoni./ 22 mars 2011,Stokholm/.
Shuquri SEJDIJAJ

måndag 17 januari 2011

Të dhëna të reja për vrasjen e Palmes

Dihet tashmë se një serb ka vrarë ish-ministren e punëve të jashtme të Suedisë, Anna Lindh. Tash dyshohet se edhe vrasësi i Palmes mund të ketë qenë një serb!

Duke ju referuar mediave gjermane, mediat elektronike të Suedisë raportojnë se ka qenë Shërbimi i sigurimit shtetëror të Jugosllavisë UDB-ja ajo që ka urdhëruar vrasjen e ish-kryeministrit të Suedisë Olof Palme. Këtë fakt e ka pohuar ish-shefi i sigurimit jugosllav Vinko Sindiçiq në një hetim të cilin e ka shikuar gazeta gjermane "Focus".

Vrasësi i porostiur, sipas mediave tani është 65 vjeç dhe aktualisht banon dhe punon në Zagreb.

Duke raportuar për vrasjen e bërë para 25 vitesh në qendër të Stokholmit kundër kryeministrit të atëhershëm Olof Palme, gazeta "Focus" ka shikuar pjesërisht hetimet e zhvilluara me oficerin e sigurimit jugosllav Vinko Sindiçiq. Hetimetishin zhvilluar zhvilluar më 2008 nga shqyrtuesit gjerman.

Sipas gazetës, në hetime Sindiq kishte pohuar veç tjerash që sigurimi shtetëror në Beograd kishte dërguar një vrasës në Stokholm. Ndërkohë që agjentët e shërbimit shtetëror të Jugosllavisë kishin përcjellur natë e ditë lëvizjet e Palmes me ç´rast kishin vrejtur dobësi në sigurimin e kryeministrit, sipas gazetës Focus.

Siç dihet Olof Palme, kryeministër i atëhershëm u vra më 28 shkurt 1986 në një nga rrugët e qendrës së Stokholmit.

Arma me të cilën u vra Palme ende nuk është gjetur por ajo ishte kontrabanduar nga SHBA në Suedi.
Gazeta pohon gjithashtu se është gjetur edhe personi i porositur për vrasje dhe se ai tani është 65 vjeç dhe jeton dhe punon për një shërbim të sigurimit privat në Zagreb.

Mirret vesh se të dhënat nga procesi hetimor ndaj Sindiçiqit janë përcjellur deri te policia suedeze dhe sipas shefit suedez të Komisionit Palme, Stig Edqvist, të dhënat po kontrollohen.
Shuquri Sejdijaj