torsdag 30 augusti 2007

A DUHET TË PUBLIKOHET ÇDO GJË?

Tridhjetë gushti bie si ditë e lirisë së shtypit. Por qytetari i rëndomtë pak di për këtë datë. Madje në tv dhe radio fare pak u zu në gojë. Kurse gazetat e ndryshme në Suedi sot bën një fushatë mediale në edicionet e veta duke komentuar, analizuar e vlerësuar rëndësinë e të drejtës së shtypit ose shprehjes së lirë.

Megjithëse Suedia mund të mirret si model në këtë fushë dhe që posedon një përvojë të gjatë në drejtim të realizimit të një shtypi të lirë dhe të kultivimit të shprehjes së lirë ndoshta më mirë se askund në botë, gazetat e sotme u shqetësuan nga një hulumtim i bërë me parlamentarët suedez ku një numër i madh prej tyre ndoshta do të deklaroheshin pozitiv në ngushtimin e lirisë së shtypit në disa raste.

E përditshmja “Dagens Nyheter” në editorialin e saj solli një koment mjaft të mirë për lirinë e shtypit. Aty theksohet ndër tjera se arti i shtypit është nënë për të gjitha revolucionet e medias. Pa të, asnjë demokraci, asnjë përparim social, asnjë shoqëri moderne, asnjë liri nuk do të ekzistonte. Njëkohësisht thuhet se mediat e reja ishin armë në duart e regjimeve totalitare, si për nazistët dhe fashistët ashtu edhe për komunistët. Gazetat e përditshme kontribuan në nxitjen nacionaliste në prag të Luftës së parë botërore kurse gjatë Luftës së dytë botërore disa gazeta suedeze u zvarriten pas Hitlerit.

Brengos fakti se në disa vende të botës gjendja e lirisë së shtypit ndodhet në situata të kohës mesjetare!

Sueia ndërkaq afron kushte të mira për këtë. Nuk mund të ketë shtyp të lirë e liri të fjalës pa një shoqëri të hapur dhe integrale.

Megjithatë shtrohet një pyetje: a duhet të publikohet çdo gjë?

fredag 20 juli 2007

Sipas mediave suedeze Kosova e gatshme të shpall pavarësinë

Mediat suedeze të lajmeve raportuan sot pasdite se Kosova është lodhur me mossuksesin e këshillit të sigurimit të OKB-së për tu pajtuar rreth statusit të ardhshëm të Kosovës, prandaj tani planifikon që ajo vet ta shpallë pavarësinë.

Mediat i referohen një deklarate të kryeministrit Agim Çeku të bërë të premten në Prishtinë, se parlamenti i Kosovës do të miratojë javën e ardhshme një rezolutë për pavarësinë. Ndërkaq shpallja do të bëhej në ditën e pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor të cilën e festojnë edhe shqiptarët e Kosovës.

Bëhet e ditur se Çeku i ka dorëzuar presidentit të Kosovës dhe opozitës politike planet për këtë , por ende nuk ka marrë përgjigje.

Raportohet se përgjigjen për këtë po e pret edhe OKB-ja. Në pikëpamje teknike OKB-ja do ta refuzonte shpalljen e pavarësisë pa miratimin e organizatës botërore dhe se ka drojë që një skenar i tillë do të mund të shkaktonte reagime të dhunshme në Kosovë dhe se me këtë ora do të kthehej për disa vite prapa sa i përketë negociatave.

Plani i Çekut parasheh ndër të tjera ofertën ndaj UE që ta mbikëqyrë Kosovën e cila nga 1999 është drejtuar nga administrata ndërkombëtare e OKB-së.

Pas dështimit të sërishëm të planeve në këshillin e sigurimit rreth një rezolute të re për Kosovën, sot u bë e ditur se çështja e Kosovës bartet te Grupi i Kontaktit, ku Ruisa bën pjesë por nuk ka të drejtën e vetos dhe nuk mund të bllokojë procesin.

Po ashtu do theksuar se sekretarja amerikane e shtetit, Condoleezza Rice tha ditën e enjte se Uashingtoni është i vendosur që Kosovës ti jap pavarësinë pa marrë parasysh qëndrimin e Rusisë. Por nuk tha megjithëkëtë nëse SHBA-të janë të gatshme që në mënyrë të njëanshme ta njohin pavarësinë e Kosovës.

fredag 13 juli 2007

Grindje e madhe për Kosovën

Rusia dëshiron të shoh një negociator të ri të OKB-së për Kosovën. Ky reagim vie nga Moska për shkak se negociatori i tashëm, Martti Ahtisaari, ka kritikuar haptaz kundërshtimin e Rusisë ndaj propozimit të tij për pavarësinë e Kosovës.

Ahtisaari tha në një intervistë për një gazetë finlandeze se Rusia me qëndrimin e vet " nuk po forcon pozitën e vet ndërkombëtare por përkundrazi po dobëson atë".

Kjo deklaratë e ka nxitur ministrin rus për punë të jashtme Sergej Lavrov që ditën e premte të kërkojë një negociator të ri.

- Nese njëra nga palët nuk mund të pranojë propozimet e Ahtisaarit për Kosovën, atëherë detyra e vazhdimit të negociatave duhet dhënë një negociatori ndërkombëtar të paanshëm" tha ministri rus për punë me jasht, Sergej Lavrov.

Kërcnim me veto

Ish-presidenti finlandez ka paraqitur në shkurt të këtij viti një plan sipas të cilit Kosova do të pavarësohej. Ky propozim është kundërshtuar me forcë nga Serbia dhe aleati i saj Rusia.

Atëherë Franca, Britania e Madhe dhe SHBA-ja në këshillin e sigurimit të OKB-së filluan përgatitjen e verzionit të ri të planit të Ahtisaarit për ta qetësuar Moskën, e cila kërcnonte me përdorimin e të drejtës së vetos kundër të gjitha propozimrezolutave të cilat nuk pranohen nga Serbia.

Me rreziqe

Propozimi i fundit, i treti sipas radhës, nuk përmend më fjalën pavarësi për Kosovën, dhe gjithashtu u propozon serbve dhe shqiptarve të Kosovës të negocojnë edhe për katër muaj rrath të ardhmes së Kosovës.

Por as Ahtisaari e as Lavrovi nuk mendojnë se është i mirë ky lloj kompromisi.

- Mbrapa retorikës diplomatike përfundimet janë të njejta. Prap vlen plani i Ahtisaarit, tha Lavrov i hidhëruar në konferencën me gazetar.

Ahtisaari ndërkaq mendon se mund të jetë me rreziqe shtyrja e negociatave për status.

- Shqetësimet në Kosovë vetëm se do të rriten. Pos kësaj edhe kritikat do të rriten ndaj udhëheqjes politike të Kosovës nëse nuk qëndron pavarësia.(Marrë nga TT-AFP).

Data mistike

E premte, 13 korrik. Një datë që trazon shpirtërat. Qysh moti shifra 13 është lidhur me magji dhe fatkeqësi. Interesant, por edhe sot njerëzit i drojnë kësaj shifre, ndaj hotelet për shembull e kanë shmangur shifrën 13-të, ashtu siç bëjnë edhe agjensitë ndryshme të udhëtimeve ajrore, aeroplanët nuk posedojnë ulëse me numrin 13-të!

Aq më keq kur data 13-të bie në ndonjë të premte

Në antikë e premteja konsiderohej si një ditë fati, por në traditën e krishterimit gjithnjë e më shumë shifra 13 është konsideruar si ditë e pafat, ndoshta për shkak Jezui të Premten e Madhe u gozhdua në kryq.

A është kështu apo jo nuk dihet plotësisht me siguri, por të premtet e datës 13-të kanë qenë më të pafat se rëndom. Nëse mund ti besojmë statistikave të një ndërmarrjeje suedeze sigurimi, If, atëherë fatkeqësitë shënojnë rritje me 8 përqind në këtë ditë në krahasim me të premtet e tjera.

Kushe e di se kur ekzakt filloi njerëzimi të interesohet për shifra, por shumica janë të pajtimit se ishte Pitagora ai që vuri bazat e matematikës bashkëkohore. Studjuesit e tij thonë se ai kombinonte me shkathtësi shifrat me teologji dhe se Pitagora paska pasur bindjen që ndërmjet botës së shifrave dhe realitetit ekzistojnë korrespondeca të padukshme.

torsdag 5 juli 2007

Poezia

Poezia sikur t´ishte krijuar vetëm për shqiptar. Zor të dihet me saktësi por si duket pjesa më e madhe e krijuesve shqiptar bëjnë poezi. E bukur është viranja! Ndaj edhe unë përpiqem të thur ndonjë varg kur me prekë, ja këtu, në zemër.Po patët dëshirë dhe durim lexo:

EMRI IM

Kurrqysh të mësohem
me emrin tim.
- Ç’ është dhe pse ky emër?

U përpoqa njëherë
në lum ta hedh.
- S’ është për mua, foli lumi.

Të gjitha kombinimet binin
se shqip
emri shyqeri
prapë nuk dilte.


PËR LIRI

A ka fjalë më të rrebta
dhe më të ngrohta

A ka dashuri më të fortë
se ajo
që n´rrugë të vrau
për Lirinë e Kosovës?


NË SYTË E TU

Në sytë e tu të kaltër
shoh kthjelltësi pranverore
dhe ndjej rrezet
e ngrohta diellore.

DIKUR

Edhe dielli në lartësi
Edhe bjeshka në veri
Lpendër bëheshin
n´sytë e mi.

fredag 29 juni 2007

Në pritje të një lajmi të mirë

Kjo javë ishte me shi në Stokholm. Në Kosovë, Shqipëri e gjithandej nga Ballkani mbretëron verë përcëlluese. Londra përballohet me vërshima uji nga të reshurat. Shpërthime zjarresh lajmërohen në disa qytete tjera.

Problemet e ndotjes së ambientit dominojnë agjendat e ndryshme të politikanëve e diplomatëve botëror. Uria vret njerëzit në Afrikë megjithë ushqimet e mëdha e të tepruara që hudhen krejt pa nevojë në botë!

Çamët në Shqipëri përkujtojnë dhunën e përzënjen me dhunë nga trojet e veta tash nën Greqi. Greqia bëhet sikur s´dëgjon fare, mbase i kanë rënë veshët tek thembrat?! Po as politikanët shqiptar nuk bëjnë aq!

Kosova ndërkaq ladrohet nëpër deklarata e forume vendore e ndërkombëtare. Përpilimi i simboleve dhe stemës së ardhshme të shtetit më të ri evropian ka ngritur interesimin e më shumë se 1 000 projektpropozimeve. Debatohet shumë për një lloj identiteti të ri - kosovar. Kujtoj se ky debat është i vonuar dhe po zhvillohet nën diktatin e Unmikistanit ( UNMIK - misioni i administratës ndërkombëtare të OKB-së në Kosovë).

Më 28 qershor disa qindra serb ia mësynë Kosovës për të vizituar Gazimestanin, një vend afër Prishtinës ku sipas mitit serb, serbët pësuan disfatë nga forcat e perandorisë turke. Pse serbët festojnë humbjen? Me këtë ata bëjnë një lojë të rrezikshme sepse duan ta mbajnë gjallë ndër të tashmit dhe të ardhmit se "Kosova paska qenë djep i serbizmit". Shpjegimet shqiptare janë tjetërfare dhe nuk do të ndalem në përshkrimin që i bëjnë por dua të vë në dukje se Kosova nga serbët përdoret më tepër si "djep i politikës serbe".

Mesjeta me gjithë errësirën e kohës së vet i mban hije edhe kohës së sotme. Pjesëtarët e një far "Garda e car Dushanit" hynë në Kosovë, por të detyruar nga policia e Kosovës u ndalën, çuan duart lart, i hapën këmbët dhe u zhveshën nga rrobat ikonë. Mitet vazhdojnë, Serbia di ti përdorë këto dhe luan ende: pse jo, në pazar gjithëmonë ka dalur me mall të huaj!

Lajmet s´kanë të sosur. Janë të shumta. Sa vdesin lindin të reja, por ende nuk mbrrin Lajmi i Madh, sa shumë po e pres!

torsdag 21 juni 2007

Lajme të vonuara pak

Magjia e përleshjeve vazhdon si në arenën ndërkombëtare edhe në Suedi.Po filloj me Suedinë.

Afër 110
persona u kapën nga policia në Stokholm për trazira dhe prishje rendi pas një ndeshje futbolli derbi ndërmjet Hammarby-s dhe Djurgården. Kjo ndodhi të martën në mbrëmje me ç´rast u dëmtua gati plotësisht një restorant në Östermalm, në qendër të Stokholmit.

Siç duket, lider i ardhshëm i partisë popullore të Suedisë do të jetë Jan Björklund. Të premten e kaluar ai u nominua unanimisht nga komisioni partiak i zgjedhjeve si kandidat i mundshëm i kësaj partie. Jan Björklund aktualisht është ministër i shkollave.

Sipas propozimeve të partisë suedeze moderate së shpejti qytetarët në Suedi nëse sëmuren do të përfshihen edhe nga një ditë e dytë që këtu quhet "karensdag", ditë që nuk kompenzohet në rast sëmurje. Tash për tash nuk kompenzohet dita e parë e sëmurjes kurse propozimi i moderatëve ka të bëjë me aplikimin e dy ditëve të këtilla. Zyrtarisht thuhet se qëllimi i kësaj lidhet me pakësimin e pushimeve mjekësore dhe të pensionimeve të përkohshme.

Nga diplomacia botërore për shqiptarët dominojnë dy tema: e para që nuk heqet fare nga rendi i ditës ka të bëjë me të ardhmen e Kosovës. Magjia diplomatike sikur ka ngelur në sharrë pas kundërshtimeve ruse e cila tash për tash se ka mendjen ta përkrah rezolutën e re të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën të bazuar në planin e Ahtisaarit. Tash propozohet një shtyrje prej 120 ditësh. Kuesh e di si do të ecën puna më tej. Vajzat në Kosovë u këndonin misitëve dikur: herë n´at ejte, her n´kët ejte, Hamit mësiti shumë na rrejte..."

Dhe dyta, ka të bëjë me emrimin e një kandidati të ri për president të Shqipërisë. Konfliktet politike për presidentin e ardhshëm po vazhdojnë dhe prap e kemi vështirë të dakordohemi. Kush do të mund të bëhet president i Shqipërisë? A do të mund ta zgjedhim vet apo prap të na rekomandojë bashkësia ndërkombëtare?

Sonte kur po shkruaj ndërkaq në Bruksel janë mbledhur shefat e shteteve e të qeverive të UE në një takim dyditësh për të diskutuar projektin e kushtetutës së ardhshme të UE. Ndër të tjera do të bëhet fjalë edhe për Kosovën. Të shohim... Ne jemi mësuar të presim, jemi bërë popull në pritje!