Një mbrëmje dhjetori në Stokholm, me erë dhe riga të ftohta shiu, por kryeqyteti i Suedisë që njihet edhe si Venediku i Veriut sivjet ende nuk është prekur nga bora gjë që rëndom bie qysh në pjesën e parë të tetorit. Bashkë me vajzën time , Jetmiren, do ta kalojmë këtë mbrëmje në një nga sallonet e Teatrit Mbretëror të Operës ku luan Ermonela Jaho. Na shoqërojnë edhe Kamer Elezaj me bashkëshorten dhe së bashku blemë një buqetë me lule të cilën e dorëzuam në recepcionin e Operas. Sipër buqetës vumë një copë letër ku shkruajtëm: " Urime Ermonela! Një grup shqiptarësh nga Stokholmi."
Nga Shuquri Sejdijaj, 10 dhjetor 2011, Stockholm
"Traviata e kohëve moderne" me sopranen shqiptare Ermonela Jaho
Pallati mbretëror i Operas pa asnjë vend të zbrazët, vlonte nga njerëz të moshave të ndryshme. Atmosfera në sallonet e Operas e qetë dhe e koncentruar. Parandjeja që do të jetë mbrëmje e bukur. Dhe që nga tingujt e parë që puthën hapsirat e thella të Operas në Stokholm ndjeva muzikën fantastike e plotkuptim të Verdit. Dhe kur pas pak çastesh u hodh në skenë Ermonela, me vokal dhe pozicionim në skenë, publiku u mahnit nga kumbimi i zërit të saj plot ndjenja. Tragjikja, vuajtja, dashuria , fati dhe prap tragjikja funksionuan në skenë në harmoni me skenografinë, kostumet, dritat dhe çdo gjë tjetër të projektuar nga regjisori Kasper Holten. Por ai nuk sjell në këtë shfaqje Violetën kurtizane, por një Violetë moderne, të pastrehë dhe prostitutë. Në saje të talentit të rrallë Ermonela Jaho ka arritur prap ta bëjë edhe Violetën e kohëve moderne personazh të dashur…
|
Ermonela Jaho dhe Klas Hedlund. Foto:Alexander Kenney, Opera Mbretërore Stokholm |
Siç dihet "Traviata" e Giuseppe Verdit përshkruan botën e një kurtizane dhe fatin e saj jetësor në Parisin e viteve 1800. Me pak fjalë historia e dramës klasike është kjo: Violeta dashurohet në të riun Alfredo Germont por për shkaqe familjare kundërshtohen lidhjet ndërmjet dy të rinjve. Violeta vdes nga tuberkulozi kurse familja Germont i rikthehet jetës borgjeze sipas kërkesave të kohës. Ndërkaq kjo histori e bartur në kohën moderne duket kështu: Violeta Valéry është një prostitutë e re nga mosha që bie në dashuri me Alfredon, me të cilin do të mund të kalonte jetë të qetë larg Parisit dhe klubeve të tij të natës . Por kështu nuk mendon i ati i Alfredos, sipas të cilit kjo vajzë do t´ishte turpi i familjes, ndaj e manipulon për ta lënë Alfredon e për tu kthyer te jeta e saj e mëhershme. Por ai nuk e dinte se ajo vuante nga një sëmundje vdekjeprurëse. "Ttraviata" është tragjedia e betejës së një femre kundër paragjykimeve në shoqëri dhe historia klasike bartet në botën e luksit modern në fillet e shekullit të ri. Premiera në Stokholm u luajt më 19 nëntor dhe deri më 19 dhjetor pasuan edhe gjashtë shfaqje tjera…
E në mbarim të shfaqjes i gjithë publiku, i të gjitha salloneve në Pallatin Mbretëror të Operas në Stokholm ngritet me entuziazëm duke i duartrokitur e brohoritur aq ngrohtë sopranes shqiptare Ermonela Jaho, duke e detyruar të rikthehet disa herë te skena e cila me aq dashuri i përshëndet me përulje dhe me buqetën e bukur të luleve shqiptare.
Ndërkohë që një ditë më parë e kisha takuar për një intervistë gjë që Ermonela Jaho e pranoi me kënaqësi.
- Karriera ime ka filluar që e vogël, si gjashtë vjeçe. Më pastaj kam mbaruar liceun artistik dhe Akadminë e Arteve në Tiranë si këngëtare operistike. Në moshën 12-13 vjeçe kisha parë e dëgjuar "Traviatën", e cila më shkaktoi një dashuri të pamasë dhe them se aty u hap dritarja ku pashë dimensionin e ardhshëm jetësor të Ermonelës. Ermonela do të bëhej këngëtare klasike me dëshirën e zjarrtë për të kënduar "Traviatën". Vrapova dhe i thashë tim vëllai se e kisha gjetur të ardhmen time dhe se nuk doja të vdisja pa kënduar njëherë Traviatën...Më vonë fitova konkursin e Katia Ricciarelli, e cila është një ikonë e muzikës operistike italiane por edhe në gjithë botën gjithashtu. Kjo ndodhi dy vite pasi Shqipëria kishte hapur kufijtë kur ajo erdhi dhe bëri një konkurs dhe unë isha njëra nga ato që fitoi konkursin duke fituar mundësinë për studime në Itali. Unë ëndërroja atëherë dhe shkuarja në Itali me përballi me një realitet tjetër. Isha vetëm 18 vjeçe dhe e çrrënjësor totalisht! Merrnje me mend unë shkoja nga një vend i varfër dhe të merreshe me art ishte një lloj luksi dhe gjatë asaj kohe kam provuar ta njoh edhe urinë por këte nuk ua tregoja në shtëpi sepse çka të tregoje nëse kjo ishte ëndërra ime për të ecur përpara. Pastaj fitova edhe një konkurs tjetër për të hyrë te Accademia Nazionale di Santa Cecilia në Romë dhe disa konkurse tjera të cilat kisha mundësi ti paguaja. Më pastaj takova menaxherët e mi dhe kështu hap pas hapi arrita këtu ku jam sot duke kënduar në të gjitha teatrot më të rëndësishme të botës gjë që paraqet ëndërren time që e kam kapur me dorë dhe e jetoj për ditë.
Kush është çelësi i suksesit tënd Ermonela?
- Arti, muzika është gjuhë e shpirtit dhe po nuk u dhe diçka të vërtetë, të sinqertë,atëherë harrohesh menjëherë. Puna e artistit është në ballafaqim të përhershëm me publikun. Mua më ka rënë të provoj shumë gjëra, s´jam as e para e as e fundit, ashtu si çdo shqiptari që i ka rënë të provoj shumë gjëra dhe secili prej nesh kemi një histori më vete. Ndërkaq të provosh shumë gjëra për mua dmth të kesh një bagazh të madh shpirtëror, sa unë o zoti donte që nëpërmjet muzikës t´kanalizoja të gjitha këto ndjenja e sakrifica të cilat i shpreh edhe në skenë, dhe kjo ndoshta mua më bën të veçantë që i bën të gjithë të vijnë e t´thonë se si këndon Ermonela s´këndon askush tjetër dhe jo për zërin se zëra të mëdhnjë ka, zëra të bukur ka gjithandej në botë por për ndjenjat që shpreh dhe prodhoj tek publiku.
Ti mendon se është përjetimi ai që ju bën të veçantë?
Ekzakt, sepse ne themi e gjithëmonë flasim që muzika është gjuhë e shpirtit, arti është gjuhë e shpirtit, por shtrohet pyetja çfar bën ti konkretisht dhe atë duhet thënë me sinqeritet. Në intervista të ndryshme siç bëni edhe ju më drejtohet pyetja se kush është çelësi i Ermonelës që ka patur këto suksese etj etj; them prejardhja ime nga Shqipëria që më dha këtë vullnet kaq të jashtzakonshëm sepse ne shqiptarët kemi veti të jashtzakonshme, të mira edhe të këqia, bardh e zi, më vjen keq ta them këtë po kështu jemi, por të paktën ai temperament, ekzagjerim zjarr është As për një artist, kështuqë kjo ka qenë e veçanta ime dhe që vazhdon të jetë sa të kesh shpirtin dhe zemrën atë do japësh.
|
Ermonela në "La Traviata" Veronë |
Ti studjove në Itali dhe më pastaj u zhvendose prej andej?
-Edhe sot e kësaj dite vazhdon sepse artisti është qytetar i botës. Pika ku kam arritur dmth se më kërkojnë të gjithë teatrot e botës, kështuqë është një jetë që e fillova në Itali, jetoj aktualisht në New York me familjen time, por shpenzoj shumë pak kohë në shtëpinë time sepse gjithëmonë kërkimi i teatrove nëpër botë bëjnë që shpija ime më tepër të jetë aeroporti apo teatro kështuqë kjo është bërë natyra ime e dytë, jeta ime e dytë. Jetoj me muzikën, jetoj me këtë ëndërr ditë për ditë.
Ti kthehemi qëndrimit tënd në Stokholm. Si vizitë e parë, si e përjetove?
Është herë e parë dhe të jem shumë e sinqertë se erdha me një mendim se do të kem një publik të ftohtë, por gjërat duhet të preken e të përjetohen para se të japësh një mendim, por me sa kisha dëgjuar është vend i ftohtë dhe si konseguencë edhe njerëzit janë pakëz të ftohtë, se i bën koha ose mënyra e jetesës. Por kam qenë shumë e surprizuar kur erdha! Ndoshta vija me një status tjetër, si diva e shfaqjes, si emër i njohur, por sidoqoftë e ndjeva me energji. Njerëzit ishin shumë disponibël, shumë të dashur, të gatshëm për të ndihmuar gjë që është e vështirë ta gjesh në teatër këtë gjë. Dhe sa i përketë publikut kam mbetur pa fjalë, sepse në premierë psh ma thanë të gjithë që të mos bëhesha merak nëse nuk do të ketë ndonjë reagim tepër entuziast apo temperament siç mund ta ketë një mesdhetar apo një tjetër nga vende që kanë eksperiencë të jashtzakonshme klasike operistike le të themi, siç është Italia, Franca etj.etj, por publiku është i mirë më thanë por nuk reagon në atë mënyrë dmth që të të bëjnë ty të ndihesh. Nuk ka problem u thash, unë do përpiqem, do të jap zemrën time , do të jem e sinqertë në skenë dhe u thash që nuk ka vend të ftohtë në botë që po të jenë qenie humane e të kenë zemër të mos preken si qenie. Do shoh thash, është një lloj provimi edhe për mua, sepse si publik është herë e parë që më përjeton. Përveç punës që pata me kolegët e mi pritja tani reagimin e publikut. Dhe shihni salla është fantastike dhe që zë mbi 1 000 veta. Mbaroi shfaqja dhe gjatë shfaqjes poashtu më duartrokitën disa herë, dhe thoja si është e mundur, por kur arritëm në fund, u ngritën të gjithë në këmbë e me duartrokitje e brohoritje të ngrohta më kanë përshëndetur për disa minuta. Ishte vërtetë kënaqësi e madhe sepse ishte krijuar përjetimi.
Dhe kanë qenë dy gjëra që u prodhuan: e para, një satisfaksion personal, se kur je në këtë biznes duhet ditur se asgjë nuk zgjat gjithëmonë dhe e sheh se ende mund të japësh, por një ditë kjo do mbaron sepse lidhet edhe me moshën dhe vërtetova nga ana profesionale se bëra diçka të bukur dhe ishte kënaqësi personale e profesionale, dhe e dyta fitoi çelësi, i të ardhurit nga Shqipëria sepse Traviata është një dramë e kësaj femre , megjithëse këtu bëhet me një regji moderne gjë që unë nuk e pëlqej shumë.
Është e njejta Violetë apo?
Për fat të mirë muzika është e njejta, por regjisorët tani duan të bëjnë diçka të re, duan ta bëjnë sa më konteporane por harrojnë që nuk bëhet konteporane nëpërmjet rrobave apo regjive të ndryshme etj.etj, se ajo është klasike dhe mua më pëlqen klasikja. Ajo që e bën që edhe sot e kësaj dite të ekzistojë është idealizimi i ndjenjave humane dhe këtu kur flasim për Violetën ajo sakrifikon dashurinë e saj, të vetmen gjë të shtrentë që kishte sepse ishte jetime dhe sakrifikon për të mirën e personit … Në dramë unë kam kolegun që në opera quhet Alfredo. Por tek ai Alfredo, Ermonela sheh mamin, babin , vëllain , qeniet më të shtrenjta që kam unë dhe ka qenë një emocion autentik kur gjithëmonë është një dëshpërim që ti sakrifikon, që largohesh nga një dashuri kaq e madhe dhe kjo për mua është globale sepse është diçka që e kam vuajtur edhe e vuaj për vendin tim dhe këtë unë e vë dhe e përdorë në këtë rast tek Alfredo . Dhe duke e sjellur kështu është e pamundur çdo lloj publiku i kujdo vendi e kujdo race të mos preket sepse jemi qenie humane dhe kjo pikrisht bëri që publiku ta ndjej sepse ai do që artisti të jetë i sinqertë .
Por Ermonela pas premierës në Stokholm vizitoi për herë të parë edhe Kosovën
Po është e vërtetë…
Si ishte takimi me Kosovën?
|
Ermonela Jaho |
Tani që po vi nga Kosova them që më mungon jasht mase sepse lash një pjesë të zemrës në Kosovë. Takimi i parë?…ka qenë një pritje e jashtzakonshme, një patriotizëm, një gjë që ne e themi se Kosova për ne ishte si një utopi. Ka qenë si utopi sepse gjithëmonë kam dëgjuar dhe ne që jetojmë jasht i dëgjojmë shqiptarët duke i rënë gjoksit se do bëjmë këtë e do bëjmë atë, por zakonisht kemi më shumë fjalë. Dhe të bësh diçka konkrete për vendin tënd është shumë e vështirë dhe nuk e di pse është kështu. Neve që shquhemi si popull i vjetër e që i kemi treguar botës zemërgjërsinë, besimin dhe besën e fortë për njëri tjetrin, se besë e shqiptarit është shqiptaria, tani fatkeqësisht gjërat e fundit që kanë ndodhur sikur i kanë larguar këto vlera duke mbijetuar politika dhe inatet me njëri tjetrin dhe kemi harruar vlerat e vërteta të këtij vendi gjë që me eksperiencën profesionale e preka gjatë kohës që isha në Kosovë. Pritjen ma bën të jashtzakonshme, jo për thjeshtë Ermonelën por sepse unë po shkoja për një koncert bamirësie e organizuar nga shoqata Nënë Tereza në Gjermani që është viti i nëntë i këtyre lloj koncerteve për të ndihmuar fëmijë më me nevojë dhe sëmundje zemre në Kosovë. Dhe në Kosovë pashë atë që e mendoja si ëndërr, si utopi; kam parë zemrat e shqiptarëve që u mblodhëm të gjithë së bashku, unë me këngëtarë së bashku nga Kosova , talentë të mrekullueshëm e të jashtzakonshëm plus Orkestra e Filharmonisë, të gjithë shqiptarë, dirigjenti dhe gjithë stafi dhe televizioni , me një seriozitet, me një qëllim të vetëm , se shqiptarët kur bashkohen për një qëllim të vetëm bëjnë mrekullira. Dhe kjo qe ajo që arritëm sepse funksionoi çdo gjë mirë, kishim dhënë zemrat tona pa asnjë kompenzim, dhe apelin që përcolla prej andej se ata shqiptarë që na ndjekun në gjithë botën mund të japing diçka dhe për pak kohë, për dy orë e gjysëm program arritëm të mbledhim më shumë se 500 000 euro gjë që është një lloj shprese për ata fëmijë. Por dua ta them se kthehem nga Kosova edhe e shqetësuar dhe atje lash një pjesë të zemrës time, një popull i jashtzakonshëm , i mrekullueshëm.
Ndërkaq Tirana për mua është kthim në origjinë, dhe në Tiranë kthehem disa here brenda vitit dhe them që artisti pa kontakt me origjinën e tij është pa identitet dhe i paplotësuar.
Kjo ishte biseda me sopranen shqiptare me famë botërore Ermonela Jaho. Ajo ka performuar në teatrot më të njohura të operave në botë duke përfshirë këtu Royal Opera në Londër, Metropolitan Opera në Nju Jork, Berliner Statsoper, ParisChamps Elysees-Teatro San Carlo di Napoli, Opera Kompania e Filadelfias, Opera de Marsejë, Arena di Verona, etj.etj dhe tani në Teatrin Mbretëror të Operës në Stokholm. Agjenda artistike e Ermonelës është e ngjeshur edhe për vitin e ardhshëm. Por kohë paskohe shfrytëzon rastin të takojë dhe ti mbështes edhe gjeneratat e reja shqiptare që ëndërrojnë profiling e saj, siç ishte rasti në Stokholm me të renë Albina Isufi e cila premton shumë për dashamirët e muzikës operistike.
Me artin e saj, me përvojën e mrekullueshme të mbledhur nga skenat më të njohura në botë, Ermonela Jaho ka nderuar personalitetin e saj, ka nderuar familjen dhe gjithë shqiptarët.
Nëse ke dëshirë mund të dëgjoni Ermonelën në vegzën e mëposhtme në një klip fantastik nga "Anna Bolena" luajtur në Paris më 2008. ( Klipi është afër 1 orë e 20 min.)/shs/.
http://www.ermonelajaho.com/index.html