KOZERI DHE GRIMCA HUMORI




DARKA E PESË KIRURGËVE

Vjeshtën e kaluar e kishin caktuar që në pranverë do të mblidheshin pesë kirurg për të ngrënë darkë në shtëpinë e deputet Baburës. Dhe këta nuk ishin çfarëdo kirurg, por ishin ata më në zë, më të kërkuarit por edhe më të përfolurit. Deputet Baburja ishte njohur në një ligjëratë të kirurgut Baton Alibrisku kur ai po fliste për aplikimet e fundit digjitale në funksion të telekirurgjisë. Në pauzë ishte kujdesur ta takonte duke u prezentuar si mbështetës ideve të profesorit dhe si ideator i një bërthame parlamentare që po studjonte mundësitë e zhvillimit të kësaj dege në spitalin universitar të kryeqendrës. Kishin këmbyer karvizitat dhe në uikendin e asaj jave kishin pirë nga një kafe te ”Lumezi”. Pas ishin ndarë deputet Baburja e kishte ftuar për darkë në shtëpinë e tij kurse kirurgu i kishte premtuar se në pranverë do ti shkonte bashkë me katër kolegët e tij poashtu kirurg gjë që deputeti e kishte pranuar me kënaqësi.
Dhe qe, dita e darkës po afrohej.
Ndërkohë parlamenti ishte përfshirë në një aktivitet mjaft dinamik. Ndërkombëtarët po kërkonin përshpejtimin e disa ligjeve që vendit i nevojiteshin për të plotësuar kushtet e liberalizimit të vizave. Një pjesë tjetër kishte të bënte me plotësimin e të drejtave të veteranve të luftës dhe një varg ndryshimesh për ligjet në arsimin universitar. Deputet Baburja zinte vend në disa komisione dhe kjo i bënte ditët e tij të ngarkuara jasht mase.
Bile kur sot nisej për në punë i tha gruas që të mos harronte pazarin që e kishin biseduar dhe gjërat që duheshin blerë sepse në mbrëmje për darkë do të pritnin pesë kirurgët më të njohur, njerëz të specializuar e me kulturë evropiane të cilët veç detyrimeve në spitalin publik po menaxhonin me sukses edhe klinikat private. Ndërkaq Baton Alibrisku kishte bërë emër edhe jasht kufirit tek vëllezërit shqiptar ku së paku njëherë në javë po operonte pacient me komplikime në zemër.
Gruaja e qetësoi duke e siguruar se do bënte një darkë për ta mbajtur mend.
Dhe ashtu doli. Darka ishte gati dhe të pesë kirurgët po hanin me delikatesë. Po flisinin me admirim për zotësitë e tyre. Ne gati sa i ngrejmë nga varri dhe i bëjmë njerëzit të ecin, u shpreh kirurgu Alibrisku. Ushqimet e mira por edhe pijet e zgjedhura, kryesisht prodhime të jashtme, atmosferën e kishin bërë pak a shumë gazmore.
-Mua më pëlqejnë financierët, u deklarua kirurgu Baton Alibrisku. Nuk e kam të zorshme t´ua fus briskun sepse kur i hap çdo gjë e kanë të numruar!
Kirurgu i dytë u qesh me të madhe. S´qenka gjë kjo tha ai. U ngrit dhe me gotën n´dorë i ftoi që ta çonin për nderë të elektricistëve.
-Ti kesh këta në tavolinë është kënaqësi e veçantë. S´ke nevojë për drita dhe çdo gjë brenda trupit të tyre është e koduar me ngjyra. Dhe i gjithë ai kabëll elektrik në trupin e tyre prehet e lidhet me shpejtësi marramendëse.
E bukur kjo i thanë kolegët. Kirurgu i tretë nuk u durua dhe e bëri publik, siç është bërë zakon të thuhet specialitetin e tij.
-Oooo si keni provuar ju bibliotekistët! Gjëja më bukur në këtë profesion mendoj unë. Po sa ti hapësh të gjitha organet i kanë të sistemuara sipas rendit alfabetik. Një lehtësi e paparë!
Kirurgu i katërt u bë i padurueshëm.
-Kolegë, e çmoj punën që bëni dhe specialitetet tuaja, por po ju them me sinqeritetin më të madh se nuk ka gjë më të mirë se kur në sallën e operacionit të vijnë zejtarët. Ata janë aq të kuptueshëm sa që edhe po të teprojë ndonjë pjesë e operuar nuk ankohen. Bile nuk ankohen as për kohën e operimit nëse kjo zgjat më shumë se ç´i keni premtuar. Ah, sa të kuptueshëm që janë. Do të doja që zantaçinjët ti kem pacientët e mij të përhershëm.
Dhe i kishte ardhë radha kirurgut të pestë, por ai nuk po ngritej e as po fliste. E shikuan të gjithë dhe ky e kuptoi kërkesën nga shikimet e ngulitura prej të gjithëve. Madje edhe deputet Baburja po e shikonte dhe sikur po e luste që edhe ai të zbulonte preferencën e tij. Ia rrahu krahët pa i folur por me shenjën se e ke radhën ndaj mos prit lutje. Atëherë, kirurgu i pestë u ngrit rëndë. Ngirit gotën duke uruar të gjithë për një ndejë që s´do ta harronte kurrë.
-Fillimish kërkoj falje nga zotëri Baburja dhe e falënderoj për mikpritjen dhe për këtë darkë solemne që na servoi zonja e shtëpisë. Por dobësi e imja për operacione...
E kapi një e qeshur e cila i bëri të gjithë të qeshnin pa ditur se pse po qeshnin.
-Më fal zoti Babure, e mori ai veten, por dëshira ime është që në tavolinën e operacionit ti kem vetëm politikanët dhe shefat. Kolegë të nderuar ju paskeni zgjedhë njerëz të gabuar. Ku ka si politikanët dhe shefat? Këta mund ti operoni më së lehti. As kanë tru, as kanë zemër, as kurriz, as kungj. Vetëm dy gjëra të lëvizshme i kanë, gojën dhe bythen, dhe se kanë gajle fare nëse ua ndrron vendin... Më fal zotri Babure, nuk e kam fjalën për tipin e politikanve si ty!
E zuri për krahësh deputet Baburen dhe e puthi në mes të ballit.
-Ty të paçim për jetë e faleminderit edhe njëherë për këtë darkë të mrekullueshme. Hajde gëzuar të gjithëve!




URIMI I DÂD's 


Ja po vjen viti i ri
mos u nxeni n´qeveri.
Shumë punë ia vura mbi kry' 
Por ka edhe shumë për ti kry' .
M´ka premtu ”s´ta prishi ty”.
Dhe për hatrin tim
Ti popull - në fb trim
Prano këtë urim
që tingëllon si ngushllim
”Mos ua jepni votën
atyre që ju ropën”!

Ky urim vjen si karamel
nga zyra e Dâd´s n´ Bruksel.


FËMINORE

Një çun me vrap te mami i tij:

- O mam e gjeta një 50 euro por po e gjuaj se qenka fallce!

- Ku e di ti që jane fallce?

- Kjo ishte me dy zero!

MIRËMËNGJESI!....

Runiku ka histori të këndshme, ndërsa dihet që historitë e këndshme i bëjnë njerëzit e këndshëm. Po ju tregoj një të viteve 1968/69. 

Shkolla fillore në Runik ka pasë disa nevojtore perskaj prronit. Atëherë ishte e pamundur që të shihnje ose takoje në mësues e mos ta përshëndesish. Një mëngjes, arsimtari i edukatës fizike Shaqir Hyseni ishte ndalur të bënte shurrën te nevojtoret, të prishura që gadi as shurrën s´kishe ku e bënë pa u parë, dhe një tubë nxënësish nga Kostërci duke trupuar prroin e shohin arsimtarin dhe si në kor e përshëndesin:


- Mirëmëngjeeeesiii!

- Ik more, çfarë mirëmëngjesi!!! ua kthen Shaqa./shs/

VJEHRRA ME TË RENË

Vjehrra qortonte renë e saj:
- Nuse, buktë nuk e i paske pjekë sa duhet!

- Jo valla se hini keq!



SHKOLLORE 1.

Arsimtari i matematikës donte ta konkretizojë një problem matematikor që nxënësit ta kuptonin më mirë.

- Po e zëmë se në këtë klasë janë 30 gomarë.

Klasa kishte 30 nxënës. Ndaj një nxënës ia kthen:
- Jo 30 por 31!
- Dil jasht, i paedukatë!
- Më fal, mirë e paske pasë, 30 qenkan!

- Më fal arsimtar, jo 30 po 31 jemi, ngriti zërin një nxënës.
- Ti fole, dil jasht i paedukatë!
Sa doli te dera ju drejtua arsimtarit.
- Më fal se mirë e paske pasë, njëmend 30 qenkan

SHKOLLORE 2.



- Kushe e prishi ajrin? Pyeti arsimtari klasën.

- Më fal arsimtar, më shpëtoi u përgjigj nxënësi.
- Përjashta!
Në orborrin e shkollës e takon drejtori dhe e pyet:
-Pse nuk je në orë mësimi ti?
- Më shpëtoi dhe e ndyta ajrin kështuqë arsimtari më nxori mua n´ajr të pastër.
Sa doli në oborrin e shkollës takon dejtorin.
- Pse s´je në orën e mësimit ti?
- E ndota ajrin e arsimtari më tha dil n´ajr të pastër.


DOJNA ME NAL BUDALLAKUN

( Me t´nime)

Martohet njeni dhe të nesërmen n´mëngjes nusja i thot vjehrrës se nuk e ka menen me i nejt djalit të saj se qenka budallë. Vjehrra mundohet me ia mbushë medjen.

- Po qe edhe unë kur u martova ish kanë si budallëm dhe i nejta.

- Jo vallha e kam menen me nal budallakun, se ti i ke nejt budalls e ke ba budallë e kështu ma mirë pe nalim me qikaq.

UH PO E RANA KOKE....!


Ju që jeni më të moshuar i mbani mend mirë kerret e nuseve që i mbulonin me qeiz e gjëra tjera që kishte punuar nusja per te shpija e burrit.

Një qikë që po martohej dhe po bëhej nuse kishte qenë e veçantë nga pesha e madhe. Dhe kur mbrrin te shpija e burrit, adet ka qenë që kunati i madh ose dikush i afërt i familjes ta merrte dhe në krah ta barte deri te ni ven ku mund ta shihnin të gjithë. Kësaj i qillon kunati i madh dhe ky sa zen me e peshua i pshtojnë do fjalë jo të kandshme. I thot:



- Uh po e rana koke bre t´q...n´b....!

QE, ÇKA PO BANI JU?!

Baci si student ishte një tip i popullarizuar i "korzës" në Prishtinë. Me provime nuk shkonte mirë por kishte gjetë ilaçin për t´ju shmangë pyetjeve të kolegve rreth provimeve. Kështu sa dilte nga dhoma mësimore i vërsuleshin kolegët me pyetjen:

- Çka bane? 

E ai përgjigjej qetë.

- Qe vallla, ça po bani ju?

PENSIONI I BACIT


Baci u pensionua më në fund. Një vejushkë rreth të 40 -ve një ditë po i thot:

- Lumi ti, tash u bëre me pension!

- Ami kamt tua po ta fali pensionin meniherë!

SI PIRI PAK...!

Nganjëherë Bacit i merr gjuha ndërudhë. Kishte thirrë mbledhjen e kuvendit të Bashkësisë Lokale, kështu quhej një organizëm shoqëror para disa vitesh. Sa zuri vend në podium e mori mend se ishte koha ta hapte mbledhjen, dhe ia nisi:



- Shoqë dhe shokë (çfarë shoqesh, s´ishte asnjë) po e hap këtë mbledhje....

U ndal pak se në fyt ju mbledh diçka e fortëqë i dukej se po ia zë frymën... Pushoi pak dhe vazhdoi:
- Si piri pak....Si pak i pirë.... Ju ma pe dini ça po du me thanë....!
Se donte të thoshte: si pikë e parë..../shs/

 HIÇ MOS T´DHIMNI

Ku pe merrni nusen?
Një plak po pyet një nga dasmorët:
- Ku e merrni nusen?
- Ni katun kenej pruge (hekurudhe).
- Po m'dhimni, kush m'atan pruge se ka lypë.
- Hiç mos t'dhimni se as ketij kush m'atan pruge s´i ka dhanë çikë për nuse.

 KABULLXHI....!

 E dëgjova sot:
Hajnave, rrencave.... në Pakistan po ju thojkan KABULL-XHI!...

 NUK ISHTE HANDIKAPE

Po vazhdoj me disa histori të këndshme nga mërgimi.
Sa kisha filluar punën për herë të parë në Suedi, në një instituicion mediatik. Pas dy muajsh organizuan një darkë mirëseardhje. Rreth tryezës së madhe fillluan të mblidhen mysafirët e huaj. Po vrej një damë që për sytë e mi dukej e moshuar jasht mase. Kapa karrigen dhe po i them:
- Urdhëroni zonjë, uluni!
- Pse ti mendon se unë jam handikap, tha ajo.
Nuk bëra zë, por thash me veti: besa unë jam handikap nga mendja që ta afroj karrigen!

MOS PO JU PENGOJ QË PO HA 

Në fillimvitet e 90' ta lejohej pirja e duhanit në lokale të ndryshme në Suedi. Ulem për të ngrënë drekë kur përballë meje ulet një zonjë. Hanga shpejt e shpejt dhe sa u ngiva ndeza menjëherë cigaren.
- Mos po ju pengoj që po ha, m´u drejtua.
- Jo, more, ha shlirë, krejt OK për mua!


MOS, SE PO PRISH BIÇIKLETËN TONË

Na fillimvitet e 90-ta na doli zëri i keq: shqiptarët janë hajna. Madje edhe një ministreshë mendonte kështu e cila për shkak të deklaratave të saj në këtë frymë u detyrua të jepte dorëheqje. 
Burrë e grua ,suedez, po vozisin në periferi të qytetit. Një njeri kalon rrugën me biçikletë. Burri po i thot gruas:
- A ta shkeli këtë shqiptarin e Kosovës?
- Jo nuk bën, a shef se po nget biçikletën tonë! 


AI JAM UNË

Pasi sistemoheshin refugjatet ne ndonje komune u caktohej nga nje person vendes kontaktues per ti ndihmuar per integrim me te shpejt. Nje suedez e muar shqiptarin dhe e dergoi te shpia e vet. Filloi ti tregoi: 

- Kjo eshte shtepia ime. Hyjme brenda. Ketu e kam kuzhinen, ketu nje korridor qe na qon te salloni, ngjitemi lart, kjo eshte banjoja, shkojme me tej, hyjme te dhoma e fjetjes, kjo esjte gruaja ime kurse ai prane gruas jam une!...


MERRE SE I BUTË ASHT....!


Ju që i mbani mend odat dhe burrat me kuti duhani...Baci i maronte vet cigaret.Dhe kutinë e duhanit kur ia afronte dikujt i thoshte:
- Merre ni qisi muti se i but asht!

MOS QAJ TASH!

 Një djalë po qante në rrugë. E takon Baci dhe po e pyet:
- Çka ki, pse po kan?
- Ma dha babi nji euro e më humbi dikun!
Baci nxjerr nji euro, ia jep djalit dhe i thot hajt tash mos kaj ma.
Po ai vazhdoi prap me qajt.
- E tash çka ki, a ta dhash nji euro?
- Po kaj se me pas pase edhe at tjetrin tash i kisha dy euro!!


DERI ATËHERË MË ZE GJUMI 


Baci kishte problem me gjumë. Shkoi në spital e u tha:

- Ju lutem më jepni dicka për të fjetur!
- Nuk mundem tash. Prit deri sa të vijë turri i natës.
- Po kur vijnë pra?
- Në ora dhjetë të natës.
- Kot po vikan, deri atëherë me zë gjumi!


ME DESH PO I MANI A?


Shaban Çitaku njihet si një artist popullor i tregimtarisë popullore në rrethin e fshatrave për rreth Runikut.

Me një rast duke kaluar pranë shtëpisë së Hazir Ramës* në lagjen Sejdiu, i pa kafshët e Hazirit, nja dhjetë lopë, disa mëzet e mjeshtrra, disa penë qe. Të gjitha të liga e pa ndonjë rritë të mirë, me dushk e kashtë të mbajtura. E pyeti çobanin:

- A i Hazirit je ti a?

- Po i Hazir Ramës jam.
- Po a me deshë po i mani këto lopë a që s´po u rritkan ma shumë?!
- Po a me desh po i mani këto lopë a?

* Hazir Rama, ka qenë kushëri i Shaqir Smakës dhe që të dy bashkëluftëtarë të Azem Bejtës./shs.
* Hazir Rama , kusheri i Shaqir Smakës dhe që të dy bashkëluftëtarë të njohur të Azem Bejtës.


Prof AGANI


Na e kishte caktuar diten dhe oren kur do mbante provimet. Ne ora 10-te. Dhe gjithemone ishte i perpikte, por ndodhi qe kesaj here u vonua per nje gjysem ore. Vinte duke qeshur dhe duke sjellur celesat rreth gishtit tregues:

- E kuptoj shqetesimin tuaj por une nuk u vonova, ju keni ardhe shume heret!


TI SE DI ÇFAR VËLLAU KA SE!


Paska shkuar drenicaku në Gjakovë te një shok i tij dhe dalin në mbrëmje me shetitë. Sheh drenicaku një vajzë të bukur shumë dhe i thot:
- Shiko çfarë cope qajo vajzë!
- Kurrgjë s´asht ajo, me pa ti çfare e ka vëllanë se!


ME IA NI ERËN FTOJVE


Baci u sëmu keq. Kojshia e miqtë vijshin me pa dhe secili i lente te shtrati ndoj portokall, kuti gurabijash e diçka të ngjashme. Një kusheririt si kanë qillue pare dhe si kohë vjeshte, ai sjell dy ftoj. Merr vesh Seferi, i cili mahitej shumë me Bacin, dhe shkon e blen një kuti llokum dhe vjen me pa për s´dyti. Ia jep kutinë e llokumit n´dorë duke i thënë:
- Ti e din që na s´kemi ftoj e thash ndoj llokum mun e shti n´gojë.
Bacit i shkon buza n´gaz duke e kuptuar se çka donte me thanë Seferi.
- E ka ditë që s´un i ha po ka thanë iu merr erë, i thot Seferi.
- Unë s´po ia nij erën mutit e po ia nijë erën ftojve, ia ktheu Baci.


TEVEQELAT! ASHTU DE...!

Se kisha menduar ndojherë se pas kaq vitesh ky njeri do t’më shfaqej prap në kujtesën time ashtu siç e kisha parë para shumë vitesh përballë zyrës sime. E quaja shkurt Qel, jo se kështu e kishte emrin po emri dhe pamja e i tij e vërtetë mi përkujtonte qelanët.Madje qelanët e tv-së, të cilët s’ kanë tjetër emër veçse teveqela.

“Ëndrra e të rinjve kosovarë është të bëhen bosa të mafisë”! Teveqeli! Prandaj edhe ka mbetë i vetmuar duke u mërdhirë në ngricat siberiane...Gazetari me paragjykime të poshtra!

Ky mendim i teveqelit u vu te fusnota!...( Si kan guxim t´ma përkujtojnë tani fusnotën?) Dhe shkrimi i këtij teveqeli u redaktua para se të hidhet në letër duke ia hequr mendimin për të rinjtë si ëndërrimtar të mafisë. Po verzioni i parë në internet mori dhenë dhe ra si bombë!

Sipas kësaj logjike të poshtër nesër shqiptarët do të thonin se ëndrra e suedezit s´është gjë tjetër veçse një dëshirë  e amshueshme për të pasë çasje në “systembolaget”(supermarkete të pijeve alkoolike) , “apoteket” ose të mbysin vetveten në “tunnelbana” (metro)!

Por ne s´menodjmë kështu. Kështu mund të mendojnë vetëm teveqelat...
***
E gjithë kjo ma përkujton një skenë tjetër në një nga kafeteritë e Prishtinës.Bosi takon një gazetar:

Mbylle gojën! Kështu do të jetë më mirë për ty dhe për mua. Bile më mirë për ty, prandaj dëgjoje këshillën time, mbylle gojën, se ta them për t´mirën që ta dua dhe për hatrin e gjithë atyre viteve që jemi njohur. Mos shiko ti disa gazetaruca që s´bëjnë tjetër pos që shkruajnë në rërë. Më kupton? Shkruajnë në rërë! Dhe po ta them me zemër të hapur, me dashamirësi. Ngrisin pak zhurmë, çojnë pak pluhur dhe me kaq merr fund procesi. Çka arriti me këtë? Hiç fare!

Mua më pëlqejnë gazetarët që respektojnë parimin e njohur " e pashkruara - më e mira ". Kështu i shmangesh vdekjes së parakoshme nëse nuk do ta mbysësh veten. Për mua ky lloj projekti është projekt jetësor ku mund ti përjetosh ëndërrat më të bukura.

Le jour, dita si e vetmja njësi kohore e gazetarit, monsieur. Ta mbijetosh e ta gëzosh me të gjitha të mirat e saj, se nuk i dihet e shpirt po mbajmë.

Sa i përket gjuhës  duhet të përdorësh një gjuhë të lehtë, të kuptueshme dhe me formulime sa më të thjeshta pa e komplikuar përmbajtjen. Çka ju deshtën atij kolegut tënd gjthë ato kombinime? Pse shtinë hundët ku s´nxjerr lugët?

Shiko, ju keni një parim me vlerë, paanshmërinë? Neutralitetin e konsekuencave?  Kujdes në integritetin e personave privat dhe mos keqpërdorë situatat e fatkeqësive. Mund të ndodhë që për një moment duket sikur u shemba, por ngritem aty ku se pret. Kush do paguaj pastaj për ty? Pushimet verore s´do ti kalosh më në Alanya, por do digjesh në asafltin e Prishtinës.

Fushat e bashkëpunimit nuk kanë të sosur dhe ju mund të përfitoni shumë prej nesh. Të kujtohet ajo mbrëmja me këtë politikanin tonë? Ashtu de..., ta tha me sinqeritet, shyqyr që se dini çka zihet brenda se raportet e gazetarve do t´dukeshin krejt ndryshe. Kupto, e vërteta qëndron gjithëmonë prapa, dikund tjetër. Ose ai kolegu yt që ju hodh politikës dhe tash s´po mund ti shkoqet: vetëm tash po e marr vesh që s´kisha pas raportuar kurrgjë të vërtetë!

Ndaj mos u nxito, merre veten me t´mirë se askush sot nuk di cila është e vërteta. Se mos e gjeti kush të vërtetën ndojherë? Ashtu de...

U ndanë të kënaqur atë ditë por pas një viti u takuan sërish, por në një vend tjetër. Vendtakim i tyre kësaj radhe ishte gjyqi...

***

Dhe së fundi një takim pa kamerman. Kamermani në të vërtetë ishte ftuar për të filmuar ngjarjen. Ashtu de...U mblodhëm në një lokal të ngushtë. Njerëzit vinin palë palë, të larë e të rruar, me këmisha të bardha e kravata të kuqe, kostume të zeza, gra të stolisura e vajza të veshura me rroba të zgjedhura.

Flisnin me zë të lartë. Përshëndeteshin po ashtu zëshëm. Përqafime të ngrohta. Çfarë dashurie!Zgjate zot, ashtu de...

Disa kishin përgaditë dhe hedhur në letër fjalimet e tyre, se do përshëndesnin mysafirin nga Kosova. Ashtu de. Puna po ecte për bukuri, atmosfera e gëzuar. Organizatori kishte paralajmëruar se ngjarjen do ta përcillte televizioni nga atdheu. Kishte ardhë koha e fillimit por ata të televizionit askund! Shkrepën fjalë të zjarrta, u bën shumë premtime si rëndom...

Fundi jo aq i dëshiruar për shumë sish.

Madje njëri si më i hidhëruar shfryu me zë:Teveqelat!
Ashtu de....!/shs/.


PREMTIMET SOLEMNE TË VITIT TË RI

Po afron koha e ndrrimit të motmoteve dhe koha kur premtojmë solemnisht se në vitin e ri do bëjë e s´do bëjë këtë apo atë. Dhe kush nuk ka dhënë ndonjë premtim? Dhe kush nuk ka shkelur premtimin e dhënë? Do të thoja "askush".

Prandaj nuk e kuptoj pse japim premtime që nuk i mbajmë. Nëqoftëse do t´ishte ndonjë fushatë zgjedhore, hajde-hajde se do t´shkonte dhe e ha pazari. Se u mësuam më me premtime që s´u përmbushën asnjëherë. Fjalëm e kam për qytetarin e rëndomtë që si shkojnë këto “salltanete” siç ndodhë me zyrtarët shtetëror a diplomatët të cilët dijnë ti shmangen takimeve me qytetarë me kurthet e zënjes me "takim top të rëndësishëm" megjithë premtimet e dhëna.


Por nuk e kam fjalën sot për këto lloj premtimesh por për premtimet më të rëndomta që ia bëjmë vetvetës dhe ia tregojmë në mënyrë solemne më të afërmve ose ndonjë miku rëndom në natën e ndrrimit të motmoteve.

Sa më përketë mua, i kisha premtuar diçka vetvetes por nuk e kisha bërë publike, madje e kisha shkelur premtimin. I kisha premtuar Shuqes se do ta lëja duhanin. Por nuk e kisha mbajtur premtimin e dhënë. Megjithëkëtë mos mendoni se nuk i mbaj premtimet e dhëna. Ka qe 30 vite që kam dhënë një premtim dhe asnjëherë nuk e shkel. Sigurisht  jeni kurreshtar dhe qe po ua tregoj: asnjëherë nuk jam ndarë apo divorcuar si po i thonë e as kam bërë ndonjë krim bashkëshortësie ( sepse si do të mund të shprehej ndryshe njeriu që shkruan publikisht). Personalisht më duket se është më lehtë të premtosh se nuk do të fillosh me diçka që nuk e ke provuar se sa të premtosh se do ti japësh fund diçkaje që tashmë ose me vite e ke provuar... Qe si puna e duhanit: sa e sa herë i kam pohuar vetvetës për ti dhënë fund por pa sukses. Ndërkaq në premtimin që nuk do t´ia filloj me rrahë gruan psh, deri më tash premtimi ka dalë me sukses të plotë. Këtu nuk mund të bëj be se kush ka ndikuar më shumë në suksesin e këtij premtimi, unë apo gruaja. Por shikoni vetveten do të gjeni t´vërtetën.

Premtimet nganjëherë mund të kalojnë mundësinë reale megjithëse s´më ka rënë të dëgjoj dikënd të ketë premtuar se në vitin e ri do të prek majat e Mount Everestit psh; ndërkohë që ka pasë premtime të këtilla se njerëzit do të kenë ujë e drita 24 orë! Megjithëse kjo e dritave është një lloj tjetër i premtimit , por që bën pjesë në grupin e premtimeve.

Në shumë raste mvaret se kujt i jep premtimin, pra premtimi ndodhet në relacione të cilat e bëjnë të realizueshëm apo të kundërtën e kësaj.

Nëse premtimi i drejtohet elektoratit atëherë e gjen kudo në gazeta: "Premtimet e rrejshme të qeverisë, të universitetit, të filan partisë, të filan komunës...", dikund tjetër shkruan "...qeveria tërheq premtimet", pishmanllëk më. Në një gazetë tjetër me shkronja të mëdha " Çka ndodhi me premtimet?" " "NN partia nuk realizon premtimet!", " NN do mbaj premtimet!" "NN harron premtimet", " Premtimet dhe "realizimet" e qeverisë!", Kontratë për premtimet etj.etj.

Mos harro se të harrova, premtimin ta dërgova, është një formë tjetër e mesazhit që viteve të fundit  shpërndahet me sms-a natën e Vitit të Ri.

Por kjo ndodhë vetëm në natën e Vitit të Ri pra. E nesërmja vjen shpejt  dhe mesazhet rishkruhen: Mos kujto se të harrova, premtimin se plotësova!/shs/.

SPECAT E DEPUTET BABURES

Që nga viti i ri qytetarët e Republikës së Kosovës dhe mërgimtarët e saj, kudo qofshin ata, do të mund të gjobiten me 100 euro në vit në rast se nuk konsumojnë speca vendorë.  Kjo masë doli si rezultat i një diskutimi të gjatë në parlament dhe projektrregullorja u miratua jo vetëm në parim por mori edhe formën e ligjit që do të hyjë në fuqi në ditën e parë të janarit. Deputetët e të gjitha ngjyrave ishin të një mendimi: speci vendor është kualitativ dhe i shëndetshëm. Opozita pati vrejtje për specat djgëse duke kërkuar që këta të lirohen nga përdorimi, por deputet Baburja i koalicionit qeveritar, i cili kishte hedhur rreth qafe një varg specash të tharë e të kuq, reagoi aq prekshëm sa gjithë deputetëve u shkuan lot në sy.

”Ne po respektojmë rekomandimet shkencore nga mjekësia”, tha Baburja dhe kjo vazhdoi ai ” do  të jetë në interesin e qytetarit që të bëj ashtu si i themi ne. Sipas një hulumtimi të Institutit ”Euroksspeci”, janë të pakt konsumatorët e specave vendorë dhe trendet e konsumimit në vend tregojnë për shkallë të ultë konsumuese. Po të mos ishin mërgimtarët këto trende do të ishin shumë të ulta dhe do të mund të vinim në një situatë që ta ndalojmë kultivimin e specit. Por , konstaton ”Euroksspeci”, qeveria duhet ta stimulojë qytetarin e Kosovës për prodhim intensiv të specave dhe me standard evropian . Standardet i kërkon Evropa me qëllim që të mos prishë stabilitetin e saj dhe për t´ju shmangë keqkuptimeve sa i përketë përmasave që duhet ti ketë speci.

Por sipas deputetit Babure, duket se në këtë fazë nuk do të ketë problem sepse Kosova i ka të gjitha kushtet për prodhim të specit të të gjitha standardeve.

Para se të votohej ligji për specat, opozita u interesua të di për rolin e mediave dhe të organizatave joqeveritare në drejtim të senzibilizimit të opiniot.

Sa i përketë kësaj Baburja tha se nuk ka hapsirë për brengosje. Mediat si dhe organizatat joqeveritare janë dalluar tashmë si konsumatorë të zellshëm të specit. Bile në disa raste, siç u shkrua me të madhe, gjatë një kohe punësimi te ky sektorë ishte i kushtëzuar me specin. Ndërkaq për mbarëvajtjen e shitjes do të kujdesemi që pranë shitoreve të specializuara dhe supermarketeve të instalohen roja të posaçme për të mbikëqyrur konsumatorët në respektimin e ligjit. Konsumatorët nuk do të ngucen nëse dëshmojnë se gjatë ditës kanë blerë së paku pesë kilogram speca gjatë një jave.

”Sigurisht se do të respektojmë edhe lirinë e zgjedhjes në mënyrë që qytetari ynë i lirë dhe i pavarur të zgjedhë supermarketin e specave gjë që është e paraparë edhe me ligj siç keni vrejtur, konstatoi më tutje Baburja. Ajo që do theksuar me këte rast e që ishte edhe një prioritet në harmonizimin e qëndrimeve nga gjithë spektri politik dhe që u kororëzua me sukses, me ligj parashihen lehtësime të mëdha për mërgimtarët. Secilit mërgimtarë do ti lejohen 20 kg speca si bagazh plus, nënvizoi Baburja.

Edhe deputetë të tjerë që deshtën të duken në foltore, sepse seanca transmetohej drejtpërsëdrejti në TV, përsëritën njëri pas tjetrit kujdesin e shtetit ndaj mërgimtarve dhe interesimin gjithnjë në rritje për konsumimin e specit. Deri më tani specin e kanë trasnportuar me halle të mëdha madje edhe me një ndjenjë turpi. Tash e tutje s´kanë pse të turpërohen: spec si speci i Kosovës bota ende s´ka parë. Vërtetë jo i standardit evropian por ekspertët kanë vërtetuar tashmë se speci nuk njeh standarde, prandaj sipas tyre s´ishte rastësi që kjo perime ishte quajtur spec, u shprehë deputet  Baburja, i cili ishte angazhuar posaçërisht në hartimin e ligjit për specat, të miratuar sot në kuvend e që do të hyjë në fuqi në fillim të vitit të ardhshëm…

Në mbrëmje ulur pranë televizorit deputet Baburja po  priste emisionin qendror të lajmeve. Ju duk sikur po dëgjonte raportimet e gëzueshme të gazetarve nga qendra të ndryshme të Evropës ku shfaqej gëzimi i madh i mërgimtarve për ligjin e ri të specave si përmbushje e një nevoje të madhe për mërgimtarët. Por në vend të kësaj folësi në emision po kumtonte një direktivë të kryeparlamentarit me të cilën të gjithë deputetetëve që ishin zënë duke u kotë ose përgjumur në seanca do tu zbriteshin pagat mujore për 50 përqind.

U pa edhe kjo punë tha me vete, Baburja. Po pse çaj kokën për mërgimtarë kur s´mbushen mend: ata ende mendojnë se balta është më e ëmbël se mjalta!

Mbylli televizorin dhe iku në kuzhinë ku po e prisnin specat për turshitë e sivjeme.

Të nesërmen ndërkaq, gazetat ditore e kishin nxjerrë në faqen e parë një pamje ku deputet Baburja në një senacë parlamentare po bënte kokrrën e gjumit./shs/.

KTHIMI I BABURES NË PUBLIC SERVICE

Ngjarja që do t´ua tregoj ka ndodhur nga fundi i viteve 1980. Redaksia e Programit Informativ Politik, PIP, kishte pranuar tre gazetarë të rinj, një femër dhe dy meshkuj. Të tretë nuk shikoheshin me sy të mirë nga stafi ekzistues i gazetarëve. Madje që të tretë quheshin si langonjtë e Mishës. Gazetarja e re thoshte se kishte mbaruar fakultetin por i mungonte përvoja. Sa i përket gazetarisë ajo s´merrte erë në profesion. Një ditë m´u afrua dhe me gjysmë zëri më pyeti se ku i merrnim gjithë këto pyetje që po ua bënim të intervistuarve!Po kjo thash me vete?! E shkreta po menduaka se ka formularë me pyetje të gatshme! E paska marrë n´qafë ai që na e solli. Dhe kur këtë gjë po ia tregoja një kolegut tim që tani gjendet në Gjermani, kapi kokën e pastaj tha gjynah që se kishte pyetur atë se do ta drejtonte direkt te kryeredaktori Baburja që ta shihte se çfarë marifeti kishte sjellë në redaksi!...

Do të kalojnë shumë vite dhe një ngjarje tjetër do të përsëritet, pothuajse me të njejtat absurditete, veçse me format e kohës së këtij shekulli. Një gazetar i një gazete më mori në telefon dhe më luti që ti përgjigjesha pesë pyetjeve. Pas pak minutash mora një mejl prej personit të njejtë dhe kaloi një far kohe deri sa kuptova që unë vet do të formuloja përgjigjet në tekst. Njëfar ndjenje në rritje më thoshte se po mashtrohesha. Mendohesha dhe po vreja se kisha të bëjë me një nga gazetarët më të lehtë e mendjelehtë.

Ha, ha, ha. Nuk mund ta ndal të qeshurit as sot e sa herë që më kujtohet ky rast. 
Me kalimin e viteve jam intervistuar disa herë nga gazeta të ndryshme tek të cilat poashtu si rutinë ishte bërë dërgimi i mejleve me disa pyetje ku unë jepja përgjigjet me shkrim e lexuesit kishin lexuar intervistat e mia që unë vet i kisha qepur sipas qejfit tim! Por për këtë punë ishte paguar gazetari që s´lodhej fare në saje të copy/paste.

Histori të përafërta më ka rënë të dëgjoj edhe prej të tjerëve. Dhe kështu nuk dihet më i kujt është teksti i botuar. I gazetarit apo i imi? Kush është autori?

Përvoja ime si gazetarë më kishte mësuar që të merresh me gazetari veç tjerash do me thënë të dërgosh informacionin, të bësh reserach, të intervistosh, të analizosh, të kuptosh e të përpunosh materialin dhe në fund ta përcjellësh te publiku. Në kohë moderne këto gjëra kanë filluar të bien, ndërkohë që në këto gjëra që po zhduken qëndron pikrisht krijimi i besimit te lexuesi, dëgjuesi apo shikuesi.

Një çështje tjetër na del tani, si puna e Drejtësisë në një Minutë. Pushtetmabjtësit si trajtohen? Njëlloj ndoshta. Mos edhe ata japin përgjigjet si të duan mes mejlave dhe...Kush shikon të vërtetën? Drejtësia Në Një Minutë? Jeta në Kosovë? Pa rrotlla? Bota sot? Zëri? Epoka e Re?...

Ose si thoshte deputet Baburja për gazetat e sotme, të shkruara, në internet apo në etër. Kohëve të fundit bisedat i niste pikrisht me pyetjen: Pse të blej gazeta kur të njejetën intervistë ose të njejtin opinion e gjej të botuar tek të gjitha gazetat, në të gjitha adresat mediatike në internet, shpeshëherë edhe në në fb... Ndaj gërthiste Baburja, ku mbet konkurenca e medias?!

Sigurisht po ju kujtohet Baburja? Ai kishte dështuar vërtetë me projektin e specave dhe gazetat e kishin kritikuar keq, po tani ai dëshiron të kthehet si triumfues, pikrisht në betejën me mediat. Punohet tha ai pa kurrfar takti. Njeriu s´di kur fillon e as kur mbaron një program. Familjarizmi ka lëshuar aq rrënjë e lozë te mediat tona sa s´mbetet mënyrë tjetër veç ti çkulësh tërsisht për ti kaluar dobësitë që po godasin konsumatorin. Konsumatorin?

Dhe shih, tha Baburja, të gjitha duan të bëhen Public Service! Po public service do të thotë të punosh për dëgjuesin, shikuesin...E bëjnë këte? Drejtësia Në Një Minutë?!...
Gazetat fitojnë dhe kursejnë ne saje te copy/paste por humbin në besimin dhe në pavarësinë si mjete të informimit, nuk arrijnë të jenë të pavarura. E Baburja shprehet kësaj radhe shumë i sigurtë: lexuesit s´kan lidhje se për çka paguajnë, njëlloj është në mos më keq me shikuesit dhe dëgjuesit e radiotelevizioneve. Mos më thënçin deputet Baburja po su ktheva një ditë në krye të televizionit. Atëherë do ti shohësh ti si do flasin. Nuk do bëjnë më programe promovuese në veten e parë, as do luajnë rolin e gjyqatrit, as të pushtetmbajtësit. Nuk do bëjnë marketing politik për vetveten e as debatuesit nuk do përlahen nëpër studio. Rregulla do të ketë dhe rregullat do respektuar.

Deputet Baburja e parandjen. Diçka e madhe do të ndodhë me karrierën e tij. Parlamenti nuk e mban ngrohtë, janë ngritur fjalë. Kthimi te media, ku kishte filluar karrierën para shumë vitesh, e kishte joshur gjatë gjithë kohës. Por edhe këtu ka diçka që ia zë rrugën. Mbrëmjeve nuk e zë gjumi.Ndjehet i shqetësuar, me stomak të trazuar. Në mendje konstrukton skenare e skenare. Ai që do t´ia mundësonte këtë kthim te media është pikrisht deputet Gjembi, i njohur për kontakte të etabluara por në sytë e tij duket si armik i përbetuar i Baburës.

Ti je krymbi i shoqërisë. Vetëm do zvarritesh dhe zvarranik do të mbetësh ia kishte krisë Gjembi në një debat televiziv. Kishin ngritur zërin dy deputetët në konflikt, edhe të ftuarit e tjerë. Kishte drejtues programi mund të pyesni ju? Ai më mirë të mos ishte fare se edhe ashtu nuk u ndje që drejtonte program. Kush se merrte vesh se kush kur flet!....

Të nesërmen gazetat kishin nxjerrë prap në faqen e parë: Grushtohet deputet Baburja, Gjembi shtrinë përtoke Baburen, Baburja sfidon Gjembin,  Deputetët dhunojnë studion.../shs/

MOS NA E PRISHNI BESËN PËR CA FIQ! 

- Alo, Baburja jam, deputeti!?
- Po ju dëgjoj, ç´kemi?
- Nga takimi i fundit që patëm verës në Prishtinë më ke lënë përshtypje, ndaj kam një ide.
( Hë, të paskam lënë përshtypje, po pyet ti çfarë përshtypjesh ke lënë te unë?)
- Ide sa të duash por me punë sikur e kemi pisk. S´po na ecën fare. Si thua ti?
- Lëre, lëre këte tani.Kam një ide që në Vlorë të shkojmë së bashku.
- Së bashku me kend?
- Jemi një grup deputetësh që kemi formuar si një lloj shoqate, ashtu si shoqatat tuaja në mërgim. Por nuk mendojmë të organizojmë mbrëmje vallëzuese si ju atje ku "kallni fitila të llamës" a i fikni "fitilat e llamës" e të ngjashme. Shoqata jonë është shumë serioze dhe në plan të parë ka aktivitetin patriotik. Duam që së bashku të shkojmë në Vlorë dhe do të bëje mirë po ti bashkoheshe grupit tonë.
- Nuk ma merr mendja se do të mund ta bëj...
- Prit pak, mos u nxito.
- E thënë e bërë kjo punë.
- Ne qysh tani kemi vendosur që shoqata jonë do të hap një faqe te Fb ku me fotografi e fjalë do ta pasqyrojmë gjithë marshutën e shoqatës këtyre ditëve në Shqipëri.Do ta takojmë kryeministrin, liderë të partive politike, kolegë deputet e miqë tanë. Nuk mund ta humbim këtë rast pa bërë bërë fotografi nga Vlora heroike, nga kryeqyteti shqiptar, para tortës së madhe ku mund të marrim ndoshta edhe ndoj copë si kujtim të shijes nga ky përvjetor i madh.
- Ta thashë...
- Nuk ke thënë gjë. Mos u nxito! Mos mendon ti se do të rrosh edhe 100 vite tjera e do ta presësh jubileun e 200-të!
- Jo, nuk mendoj ashtu por nuk më bëhen punët kësaj radhe megjithë dëshirën e madhe. Pastaj edhe po të shkoja unë do të gjeja një grup tjetër prej këtu, se edhe këndej nga diaspora ka plotë që do t´ia mësyjnë Vlorës.
- E qartë, e qartë, por me grupin tonë do t´kishe kënaqësinë e rrallë që nuk të jipet në raste tjera.Mos e hidh poshtë propozimin tim! Mendoje dhe më lajmëro! Të presim në Tiranë, te sheshi, një ditë para festës.Mandej huazojmë një makinë deri në afërsi të Vlorës e pastaj ia fusim këmbë mu në qendër të Vlorës.Do të kënaqemi!
- Dëgjo z.deputet, në mua mos llogaritni.Ju kalofshi si është më së miri! Hajde mirupafshim!
- Mirupafshim i dashur dhe mbesim në kontakt...

Mbylla telefonin dhe për herë të parë u hidhërova me vetveten. Çe zgjat me këto jjoj tipash? Megjithëse ideja për të shkuar në Vlorë më kishte pëlqye gjatë gjithë këtij viti. Dolën halle tjera që e bëjnë të pamundur shkuarjen në Vlorë por 100 vjetorin do ta festoj mirë edhe në diasporë. Pse pak festa do bëhen? Sa të duash! Po lutem që kësaj radhe, së paku për hirë të ditës së flamurit nuk do të shkëmbehen grushta. E si dihet kurr. Jemi trima dhe muskuj gjithashtu...Tin-ti-riu, tin-ti-riu...Ç´të dëgjoj?!

- Më fal, Baburja prap.
- Hë ç´kemi tani?
- Harrova të të them, në Vlorë duhet të vijsh patjetër.
- Të thashë se nuk mundem, mos llogaritni në mua.
- Dëgjo! Kemi blerë një dash. Do ta therrim në Shqipëri. E more vesh se do prehen kurban.
- Kurban?
- Po, po, kurban do therren. S´ke dëgjuar ti? He ç´do festojmë! ...Mendoje prap dhe mirupafshim!
- Hajt mirupafshim! Dhe shih se mos po mbetesh pa takuar at Spiron!
- Cilin Spiro?
- E di ti mirë kush është ky sharllatan, bre...! Ik tani!
- Për atdhe s´kemi gjë me te e as që...
- Ik të thash tani! E mbylla...

Edhe festat dijnë të krijojnë probleme dhe keqkuptime.
Amani këtë kasaphane ndalojeni!
Mos lejoni t´prishet besa për ca fiq, për ´i copë tortë e ni trohë mish!/shs/.











Inga kommentarer: