Intervista

TË DASHUR DËGJUES PËRSHËNDETJE DHE MIRË SE VINI TE PROGRAMI JUAJ DITARI

UNË QË PO JU FLAS JAM SHUQURI SEJDIJAJ...

Shkruan: Muhamed Krasniqi

Shuquri Sejdijaj
Të prezantosh punën dhe veprën e reporterit, gazetarit, publicistit e shkrimtarit Shuquri Sejdijaj, të duket sikur shkruan një enciklopedi jete... Puna në Radio Suedia ishte zëri i shqiptarëve të Suedisë dhe atdhedashuria  e tyre.
- Këtu Shyqa, po të thërras nga Radio Suedia! Ishte një bisedë e afërt dhe e mirëseardhur telefonike me kolegun tim Shuquri Sejdijaj, reporterin dhe redaktorin e dalluar të Radio Prishtinës për vite të tëra.Më gëzoi thirrja dhe biseda. Do të shihemi, e bisedojmë. Këtu e kam edhe Arbërin, Milaimin, Hyrën...Kishin kaluar do vite që kur Shyqen e kisha takuar në kryeqendrën tonë të dashur Prishtinën dhe kisha ndëgjuar zërin e tij prej reporteri e redaktori në Radio Prishtina.  Arbrin, bashkëpunëtor i Radio Suedisë  programi në gjuhën shqipe, po ashtu se kisha takuar për dy-tri vite, i cili më vonë do të punonte si korrespondent i BBC-se . U gëzova që bisedova me Arbrin përmes telefonit, ishte mysafir në Stokholm. Arbëri kishte filluare gazetarinë me shkrimet në Zërin e Rinisë. Ishte një nga bashkëpunëtorët më të dalluar me të cilin nuk duhej folur shumë për temat, sepse kishte ide dhe shkruante bukur, saqë s’kisha nevojë të bëja ndonjë redaktim të veçantë.Kaloi edhe një kohë per tu takuar me Shyqen në një manifestim të bashkatdhetarëve në Häsleholm. I afërt, i këndshëm në bisedë dhe i përpiktë në punën e reporterit. Kohën e shfrytëzonte në mënyrë racionale për të zhvilluar intervistat me pjesëmarrësit, por edhe patëm kohë të pijmë kafe e të rikthejmë kujtime nga jeta në Kosovë. Ato vite fillova bashkëpunimin me radion dhe unë shkruaja herë pas here për aktivitetet e shqiptarëve dhe kontributin e tyre për Kosovën nga Alvesta e qytete te tjera. Ishte me rëndësi ajo sepse fuqia e radios ishte e madhe në motivimin e bashkëkombasve për të përkrahur luftën çlirimtare në Kosovë, ndihmat për Kosovën dhe radio ishte bërë pjesë shpirtërore e mërgimtarëve që vinin të lodhur, të trauamatizuar nga vatrat e luftës në Kosovë dhe më vonë nga lufta në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. Disa vite të punës së përbashkët në studiot e Radio Suedisë nga transmetohej programi në gjuhën shqipe ishin vite përvojash, por pos tjerash edhe të njohjes edhe më të madhe. Dhe, puna në një zyrë, ndejat pas punës dhe në pushime, rruga deri te metroja, ishin momente kur shfrytëzonim për të debatuar, për të shtruar këndvështrime nga temat e jetës, ato shoqërore , politike dhe të krijimtarisë. Dhe në çdo ndejë Shuquriu, pos humorit të bukur drenicas, përherë shtronte ide dhe tema, përherë formulonte mendime. 

Liria e shqiptarëve vritej n’ pikë të ditësAta që kanë  punuar me ty flasin për profilin e gazetarit që me përkushtim e dashuri  bënte në Radio Prishtinë punën e reporterit të dalluar  nga mëngjesi në orët e vona, nga studiot që vlonte entuziazmi rinor. Ishte regjimi totalitar ai që e ndali radion,  në fillimvitet e 90-ta, por nuk mundi ta ndalë zërin dhe fjalën shqipe... si e ke përjetuar ti atë situatë?

-Më ka trembur frika e regjimit serb në raport me lirinë e shqiptarve. Po të ishte ndryshe nuk do të përdorte dhunën, policinë dhe ushtrinë, për ta burgosur lirinë tonë. Liria e shqiptarve vritej n´pikë të ditës: në rrugë, në shkolla, në vende pune, në ara e ku ti tekej pushtuesit. Ndërhyrja brutale në Kuvendin e Kosovës paralajmëronte një ndërmarrje të frikshme të Serbisë ndaj Kosovës. Mbylli Radiotelevizionin e Prishtinës e më pastaj edhe Rilindjen. Mbi Kosovë po binte terri informativ. Te revistat e pakta shqipe po shkarkohej një barrë e madhe informative. Dhe fjala shqipe nuk u ndal. “Armiku” gjente vazhdimisht rrugë të reja...Regjimi i atëhershëm serb bënte përpjekje të parreshtura që pas dëbimit me dhunë nga RTP-ja të bind punonjësit shqiptarë që ti kthej në vendet e punës me kushtëzime që ta njohin Serbinë si shtet të vetin. Shqiptarët i thanë jo kësaj oferte dhe që atëherë, mendoj unë, Kosova nisi ti rrëshqas nga duart Serbisë. 

Dhe, atëherë, si shumë shqiptar të tjerë ti more rrugën e kurbetit? 

-Nuk e kisha menduar ndojherë. Por ajo ditë erdhi. Darkën e fundit e kemi ngrënë te kolegu im Shaban Arifaj. Ishte një atmosferë e zymtë.E rëndë plumb. Me një mijë pyetje, pa asnjë përgjigje!
Nga një udhëtim reportazhi në Mitrovicë, janar 2000.
Dhe synimi për rrugëtimin në shtete tjera që ishte i detyruar u bë realitet. Ti u vendose me familje në veriun herë të ftohtë nga moti, por herë të ngrohtë nga bujaria e nikoqirëve... Sigurisht e ke tregimin për këtë fragment nëse mund të thuhet edhe traumatik jetësor?

-Sinqerisht nuk doja të besoja se në Suedi do të rrija gjatë! Kisha një vëlla që kishte ardhë këtu qysh nga fundi i viteve të 60-ta dhe planet kanë qenë që të rrija për një kohë te ai dhe gjithnjë me mendimin për tu kthyer patjetër në Kosovë. Por gjërat lëvizën krejt ndryshe. Ndaj vendosa të kërkoj strehim në Suedi më 1991 dhe brenda një kohe të shkurtër u sistemuam në shoqërinë suedeze, fillimisht në Göteborg. Këtu krijova një rrjet të gjerë kontaktesh me veprimtarët e hershëm shqiptarë si Selim Bala, Nuhi Fetiu, Avni Ajdini etj. 

Puna te Radio Suedia ishte sigurisht fillimi, ishte entuziazmi dhe dëshira që të përhapej fjala shqipe,  se shqiptarëve të ardhur këtu e që ende se dinin mirë gjuhën suedeze  u duhej ndihma dhe motivimi deri në lirinë e tyre dhe që mërgimtarëve t’iu bëhet më i afërt realiteti në vendlindje?

- Pikrisht me këtë qëllim Radio Suedia hapte programe në gjuhët e ardhacakëve të ndryshëm. Synohej që të sapoardhurve t´u afrohej informacion themelor për Suedinë. Sigurisht që të kesh një program në gjuhën amtare krijonte një rehati shpirtërore dhe të bënte të ndjeheshe më mirë në vendin mikpritës. Kështu ishte edhe me shqiptarët.Por, veç kësaj, programet shqip sjellnin informacion edhe për ngjarjet aktuale nga vendlindja dhe kjo i jepte peshë më të madhe dhe zgjonte interesim më të madh për dëgjuesit, gjë që ishte e kuptueshme kur dihet gjendja e informimit shqip në fillimvitet e 90-ta në Kosovë. Kjo nënkuptonte përgjegjësi të mëdha edhe për redaksinë shqipe të Radio Suedisë. 

Puna në Radio Suedinë pra ishte zëri i shqiptarëve të Suedisë dhe atdhedashuria  e tyre, çka do të kujtoje nga ajo kohë?

- Ka shumë kujtime. Dhe cili do t´ishte më i bukur se tjetri? E kam të pamundur ta veçoj por rëndom në kësi rastesh njeriu duhet të zgjedh ndonjë. Dhe ky kujtim shkon te fëmijët shqiptarë.  Ndodhesha në një udhëtim reportazhi në Landskrona, në një shkollë fillore me shumë nxënës shqiptarë. Në orën e gjuhës amtare zura vend në bankë bashkë me nxënësit shqiptarë. Secili prej tyre donte ta merrte mikrofonin në duart e veta dhe loja me mikrofon nisi të shndërrohet në një minikocert me këngën “Oj Kosovë oj Nëna ime”. Kujtimi tjetër shkon në Nybro, te një manifestim i madh i shënimit të 30 vjetorit të shkollës shqipe. Ndër të tjera mësuesi i vjetër, Sadullah Zendeli-Daja që për 30 vite kishte përhapë fjalën shqipe tek fëmijët e emigrantëve shqiptarë do t´ia dorëzonte këtë detyrë mësuesit të ri Raif Mehmeti. Dhe kjo u bë thjesht dhe bukur. Me këngë për flamurin, për Shqipërinë dhe gjuhën shqipe!

Çka veçon Shyqa nga vitet e 90-ta deri te Lufta Çlirimtare në Kosovë ? Si ishte përkrahja suedeze në fillim? Roli i radios në atë kohë?

-Kam mbajtë kontakte me kolegët e mi që punonin te redaksia e RTP në Tiranë, për programin satelitor. Herë pas here u kam dërguar raporte nga Suedia mbi reagimet suedeze ndaj dhunës serbe në Kosovë. Këto kontakte nuk i kam ndërprerë as pas hapjes së programit shqip te Radio Suedia më 4 janar 1994. Ekzistenca e këtij programi ishte një lehtësi edhe për kolegët suedez. Ndodhi ashtu që si redaksi gjedeshim në katin e parë në një korridor me redaksinë e njohur të programit foljor P1. Pjesa e parë e viteve 1990 përshkruhet si periudhë e valës së refugjatëve shqiptarë nga Kosova. Pas Gjermanisë sigurisht Suedia në ato vite radhitet ndër vendet që strehoi më së shumti refugjat, afërishst 60 000 vetëm nga Kosova. Por jo të gjithë këta u rregulluan me letra.Numër shumë i madh prej tyre u detyruan të ikin nga Suedia, dikush në Gjermani, dikush në Norvegji e gjetkë. Për shkak të situatës së rëndë në Kosovë, në prill të vitit 1994 Suedia amniston 20 000 shqiptarë nga Kosova, kryesisht familje me fëmijë duke u dhënë leje të përhershme qëndrimi. Prandaj kjo periudhë edhe në rrafshin politikë Suedia do të diskutojë shumë rreth fatit të refugjatëve dhe sistemit të tyre. Zhvillimet në Kosovë sigurisht që janë përcjellë me vëmendje por atëherë ende pozicionimet lëviznin në kuadrin e zgjidhjeve brenda Serbisë. Veprimtarët shqiptarë këtu përpiqeshin ti bindin politikanët suedez dhe drejtuesit aktual qeveritar se asnjë zgjidhje brenda Serbisë nuk do të qetësonte shqiptarët. Pas 1995-96 hetohen ca lëvizje  te këndvështrimet zyrtare ndaj gjendjes në Kosovë por ende shumë të matura. Vetëm pas 1997 vrehet një vetëdijësim sa i përketë ndryshimeve që kishin shkaktuar formacionet e UÇK-së në terren. Dihet se nga Suedia nisi ideja e pavarësimit të Kosovës nga një Komision Ndërkombëtar që e formoi kryeministri i atëhershëm Göran Persson e që njihet si Komisioni Persson për Kosovën. E gjithë kjo kërkon kohë dhe hapsirë për tu shtruar detajisht por me pak fjalë e gjithë kjo që thashë gjente shprehje në programet shqip të Radio Suedisë “Ditari”, nëpërmjet lajmeve, intervistave dhe gjithë formave tjera për informim.

Frymëmarrja e vështirësuar e qytetarëve të Kosovës ndihej edhe në SuediDhe fillimi i luftës në Kosovë është kapitulli tronditës tjetër. Ti ishe reporter në Radion Suedeze, ne programin shqip. Ke bërë intervista e biseda me shumë veprimtarë e atdhedashës të dalluar në Suedi. Si i kujton ato biseda e takime, mund të veçosh disa nga ata?

-Janë të shumta sigurisht, intervistat dhe reportazhet por edhe veprimtarët që u përfshinë në program, dhe jo vetëm këta. Fati i Kosovës dhe frymëmarrja e vështirësuar e qytetarëve të saj ndihej edhe në Suedi: e tregonin të afërmit e tyre këtu por e tregonin edhe vet qytetarët e Kosovës në mikrofonin e Arbër Vllahiut i cili nuk la pjesë pa vizituar dhe sikur nuk la njeri pa e futur në mikrofon. Këte po e bënim edhe në Suedi, nga Ystadi në jug e deri në Kirunë, në veri të Suedisë. Te unë nuk shlyhen për jetë disa nga reportazhet e bëra në Ljyngbyhed  psh kur arriti grupi i parë i refugjatëve nga Bllaca e Maqedonisë; nuk harrohen kurr as rasti tragjik i zhdukjes së dy fëmijve në Valdemarsvik që më vonë u gjetën të vdekur dhe rasti i një vajze tjetër gjashtë vjeçe, e cila u zhduk dhe sot e asaj dite kurr më s´u ditë gjë për fatin e saj. Por përveç rasteve të dhëmbshme në kujtesë kam edhe shembuj gëzimi e krenarie: shqiptarët organizuan një muaj kulture me emra të mëdhenj si Angjelin Prelocaj, Ehat Musa, Dritëro Kasapi, Visar Ulaj, grupi polifonik nga Vlora e shumë e shumë emra nga të gjitha trojet shqiptare, të cilët për një muaj ditë e shijuan publikun suedez me më të mirat e kulturës shqiptare. Shembujt janë të shumtë dhe të gjitha këto kanë zënë vend në programet shqip “Ditari” e më vonë te magazina “Jehona”, te Radio Suedia.
Debat për integrimin me kolegun Diamant Salihu

Shuquri Sejdijaj përherë ishte krah i djathë, nxitës i punëve me interes kombëtar. Mund të tubonte bashkatdhetarët, të formonte shoqëri e shoqata, të nxiste debate, të bënte tryeza… 

- Jo aq në formimin e shoqatave sa në mbështetjen e formimit të shoqatave e shoqërive të ndryshme. Angazhimi im shkonte më shumë në mbështetjen e nismave të këtilla, ose duke publikuar shkrime por edhe në ndeja private dhe publike. 

Shkrimet në gjuhën suedeze, programet dhe emisionet në radion suedeze, suedisht, përkthimet dyanësore, përkthimet e filmave e pasurojnë edhe më shumë biografinë krijuese, intelektuale, publicistike të Shuquriut….

-Jeta ime është e lidhur shumë me radion, në Kosovë dhe në Suedi. Ndaj edhe programet e bëra suedisht kryesisht janë transmetuar te Radio Suedia në programe e kanale të ndryshme. Kanë qenë kryesisht reportazhe nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia dhe shumë të tjera nga Suedia gjithashtu. Puna e përkthimeve mvarej sa kisha kohë.Kryesisht për Televizionin e Suedisë dhe për organizatën Svensk Text që përshtatë filma në gjuhë të ndryshme për shtëpitë e ndryshme televizive. Një bashkëpunim më të ngushtë kam pasë me Radion Arsimore (UR) që bën programe për radio dhe televizion, ku kemi prodhuar në dhjetë seri televizive tregimet nordike “Perandoria e Odenit”. Këtu po përmend edhe dy vite gazetari e përkthime për gazetën Lajmëtari e cila u kushtohej refugjatëve të sapoardhur me informacione bazë për Suedinë. Këtë punë e trashëgova nga kolegu Milaim Zeka, i cili për shkak të angazhimeve të numërta në fusha tjera nuk arrinte të përballonte edhe këte punë që ai e kishte filluar bashkë me mikun e madh të shqiptarëve z. Ullmar Qvick.

Dikur radioja ishte mbretëreshëAtëherë, të ndalemi pak edhe në atë që është shpirtërore tek një gazetar. Të jesh gazetar, reporter me mikrofon…  është  vetëm profesion, është dashuri, dhuratë  apo edhe diçka më shumë?

-Dikur radioja ishte mbretëreshë, njerëzit ishin të detyruar të dëgjonin radio. Më vonë erdhi televizori... e sot kompjuteri, telefonat e avancuar, ipad, rrjetet e ndryshme sociale në internet dhe kështu me arritjet elektronike erdhi e u ndryshua edhe roli i mediave. Kjo panoramë ndryshimesh flet qartë për rolin sakrifikues që ka radioja sot nëse do të ruaj pozitën si mbretëreshë ndër media. Kushti themelor që radioja ta ruaj këtë epitet sipas meje është mikrofoni dhe përdorimi i tij mjaft i ndjeshëm. Ai është abc-ja e një radiomani. Puna me mikrofon dhe në mikrofon më ka dhënë shumë përvoja e shumë dashuri, ashtu siç më ka dhënë gjithashtu dhembshuri. Thënë pak figurativisht mikrofoni është një minibotë ku njerëzit takohen së bashku me të gjitha të mirat dhe të këqiat e tyre. Të punosh me mikrofon kërkohet mjeshtri, teknikë por edhe dashuri.

Në këtë kontekst, ke ardhur me përvojën kosovare të gazetarisë, është interesante të thuash se çka ka përfituar Shuquriu nga përvojat suedeze, nga gazetaria  në demokracinë  suedeze, roli dhe përgjegjësia e fjalës së lirë. Cilat janë dallimet? 

- E kam thënë edhe dikund tjetër, për mua gazetaria është mjeshtri, normë, rregull, traditë, marrëdhënje dhe art i zotrimit të disa teknikave në terren ose në kompjuter. Mua më duket që gazetaria i jep formë një realiteti të caktuar. Dhe nga këto këndvështrime nuk ka dallime të mëdha nga përvoja ime si gazetar në Kosovë dhe në Suedi. Por koha kur unë punova si gazetar në Kosovë ishte kohë e një shoqërie të dirigjuar ideologjikisht dhe ideologjia është ai rripi i trashë që përthyen dallimet. Ndërkaq Suedia siç e dini ka më se 300 vite që aplikon ligjin për liri të shprehjes dhe mendimit gjë që ka bërë, me të drejtë, ky ligj të konisderohet si i shenjtë. Të kesh liri në shprehje e mendim dhe liri shtypi do me thënë ti japish vetvetes përgjegjësi të mëdha. Nuk është kurrfarë lirie të shkruash çfarë të teket. Kjo do ti ngjante kaosit. Ndaj pikërisht shmnagëja nga gjendjet kaotike është momenti më sfidues i gazetarisë së lirë e të pavarur e në funksion të publikut. Media shqiptare ka bërë arritje të padiskutueshme por ka ende nevojë që të herret prej disa “barishteve” që në rast se i lë të rriten do t´ia zënë frymën demokracisë.

Dhe si ishte me programin shqip në Suedi? 

Bashkë me kolegët e mi e ndër ta edhe ti Muhamed, kemi vrejtur që si gazetarë jasht vendit përballemi me konceptin e distancës, të afërsisë dhe largësisë.... Afërsia si kuptim socio kulturor nënkupton një proces kur individi ose grupi ka një angazhim të fuqishëm, një lidhmëri të fortë ndjesore ndaj një ngjarje, procesi, qëllimi ose ndaj një vendi. Afërsia e këtillë lidhet shumë me jetën në ekzil. Dhe tash jeta në ekzil nënkupton distancën e cila është e dhimbshme nga ajo ndaj së cilës njeriu dëshiron të jetë afër, si psh afër familjes, farefisit etj, ose ndaj të cilës njeriu duhet të jetë afër sepse ndjen një përgjegjësi morale për tu angazhuar në fatin e kombit dhe kulturës përkatëse. Kështu vepruam ne si redaksi. Nga bisedat me ardhacakët shqiptarë para vitit 1999 e sidomos gjatë këtij viti ishte e pamundur që Suedia të konsiderohej prej tyre si shtëpia e tyre e dytë. Kjo ndodhte për shkak të ngjarjeve dramatike dhe traumave që shkaktonte lufta në Kosovë: ne jetonim në Suedi por mentalisht ishim në Kosovë. Dhe hapsirë faktike për ardhacakët ishte vërtetë Suedia por kjo hapsirë humbëte nga vlera, sepse metalisht njerëzit ishin në Kosovë. Ne po i drejtoheshim një publiku gjeografikisht shumë larg nga vendlindja dhe përmes informacioneve në gjuhë amtare përpiqeshim ta zbusim këtë distancë. Ndërkaq afërsia shprehej nëpërmjet asaj që në çdo sekondë dëgjuesi ynë donta ta dijë se çka po ndodhë. Ishte në distancë fizike nga vendlindja por i afërt me ngjarjet atje dhe kjo paraqet dallimin mes gazetarisë që kemi zhvilluar në Kosovë dhe këtu.

Për shembull, do të ishte me interes përvoja e të intervistuarit dhe marrjes së përgjigjeve nga politikanët suedezë: cilët janë ata para gazetarit dhe mikrofonit?

-Janë bashkëpunues dhe kuptojnë përgjegjësinë ndaj publikut. Detyrë e gazetarit është të pyes kurse e të intervistuarit të jap përgjigjen. Ky rol pastaj zhvillohet sipas roleve përkatëse: gazetari do të arrijë qëllimin e caktuar pse interviston politikanin kurse ky me përgjigjet e veta do të arrijë qëllimin e vet për të krijuar efekte të politikës që i takon. Pothuajse të gjithë duan ta dinë se ku gazteari don ta zhvillojë intervistën, në zyrë, në rrugë, në park, në studjo apo diku tjetër dhe për këtë vendos gjithëmonë gazetari. Ka shumë prej politikanve suedez që përgjigjen shkurt ndaj ia vlen që para se të zhvilloni intervistë me ta të përgatiteni mirë për t ‘marrë atë për çka jeni drejtuar tek ai. 

Po takimet me suedezët e rëndomtë si i përshkruan?

-Të urtë, të matur dhe pasi të jeni njohur mirë bëhen shumë të dashur. Fillimisht janë të kujdesshëm në krijimin e miqësive.

Kur ke pasë bashkëbisedues më të përshtatshëm, jo vetëm nga suedezët?

-Nga fusha e kulturës kam kujtime shumë të mira, e të shumtë janë edhe të intervistuarit, suedez e shqiptarë, nga kjo fushë, të cilët ishin bashkëpunues.

Ka ndodh të të nervozoj  bashkëbiseduesi?

-Atëherë kur në vend se ata të përgjigjeshin më rekomandonin dikend tjetër në stilin se “ai tjetri” flet më mirë! Dhe atëherë kur doja të intervistoja ndonjë grua shqiptare dhe ma kalonte burrin e saj, prap në stilin, qe se ky e di më mirë!

Po me kolegët, si ke kaluar, ke sigurisht kujtime interesante?

-Kjo është një tregim i veçantë dhe më i bukuri. I kam dashur dhe më kanë dashur të gjithë. Milaim Zeka më “humbëte” në korridoret e shumta dhe tepër të gjata të radios, Arbër Vllahiu me “prishte” rahatinë me temat plot zëra që kërkonin kohë për montazh, Albana Birinxhikaj më mësoj të ha mirë e lirë, Ramadan Reshitaj ma përkujtonte “ Karvanin e fshatit”, kurse Muhamed Krasniqi për temat 3 minutëshe më sillte 20 minuta program... 

Po ndonjë detaj humori nga puna te Radio Suedia?

- Milaimi e kishte zakon t´ia merrte ndonjë kënge kur i çkepeshin punët ose kur kishte shumë për të bërë e s´dinte nga t´ia niste. Nganjëherë i bëja shoqëri edhe unë. Erdhi me një rast djali im Etriti në redaksi për të parë si punojmë. Në mbrëmje po e pyet e ëma Etritin:- Çka po punonin o Titi? Hiç fare, veç po këndonin. Punë më të mirë s´kam parë!

Udhëtimet me kolegët e radios, takimet, si i përshkruan ato? Cilën ngjarje apo manifestim nga ke raportuar do ta kujtoje më me dashuri?

Sheshi qendror i Stokholmit gjëmonte në katër anë: UÇK, UÇK, Drenicë jemi me ty!

- Edhe këto janë aq të shumta sa që nuk di cilën ta zgjedh. Por demonstrata e shqiptarëve më 1997 nuk shlyhet kurrë nga mendja ime: për herë të parë i gjithë sheshi Sergels torg në zemrën e Stokholmit po gjëmonte në të katër anët: UÇK, UÇK, Drenicë jemi me ty!...Kam edhe një insert të veçantë për një plakë suedeze e cila në mendje më rri si pikturë e varur në qafën shqiptare. Ajo ishte bërë krah i mbështetjes për Kosovën dhe çdo të shtune në dimrin e 95/96-tës mund ta shihje në mesditë te sheshi Norrmalmstog në Stokholm me tasin e saj në njërën dorë dhe me flamurin shqiptar në dorën tjetër dhe thirrjet e saj: Kosova, Kosova....!

Dhe megjithatë, pas punës së suksesshme e interesante afër dy dekada në radion suedeze, vjen edhe deri te diçka që as ti e as ndëgjuesi shqiptar se kanë menduar: edhe një herë mbyllja e fjalës shqipe, por tash në një shtet demokratik. Pse ndodhi kjo dhe si e përjetove ti, traumën e dytë të rëndë profesionale? 

-E dija se një ditë do të vinte. Përvojat me redaksitë e komuniteteve tjera ishin shenjë se një të ardhme të këtillë do ta ketë edhe programi shqip. Pas 17 vitesh pune mbyllet redaksia shqipe. Drejtuesit e radios kishin vlerësuar se tashmë shqiptarët ishin integruar mirë në Suedi dhe nuk ndjenin nevojë për informim për Suedinë në gjuhën amtare. Ndërkaq sa i përketë informacioneve nga vendet e tyre të prejardhjes tashë kishte programe radiotelevizive me bollëk në satelit dhe internet. Personalisht po përjetoja për herë të dytë mbylljen e programit shqip por e para ka ndodhur në rrethana krejtësisht tjera. E dyta është e dhimbshme por arrin ti japësh arsyetimin.

Si reaguan shqiptarët ndaj këtij veprimi ?

-Si komunitet nuk reaguan fare! Me përjashtim të kolegëve dhe disa miqëve të mij të ngushtë. Unë nuk arrij ta kuptoj pse nuk reaguan. Gjatë gjithë kohës kemi pasë dëgjues që na kanë mbështetë por edhe që na kanë kritikuar. Unë them se kanë bërë shumë mirë që na kanë kritikuar! Por, të mos ngritet edhe formalisht pak zë se po të mbyllet programi, nuk e kuptoj. Vetëm Frashër Oseku ka qenë ai që u përpoq të bënte diçka...

Pastaj një kohë vie deri te puna në arkiven e Radio Suedisë. Ishte interesante kjo punë, edhepse  ti ishe  vetë arkiv për jetën mërgimtare?

-Pas mbylljes së programit shqip kalova drejtpërsëdrejti te një projekt madhor që do realizonte Radio Suedia. Fjala ishte për digjitalizimin e arkivit radiofonik dhe për tri vite një grup prej 20 vetash kemi digjitalizuar afërsisht gjysmë milioni shirita, kaseta, cd etj. Një thesar i madh kulture! Dhe këtu do gjej programe të shumta kushtuar kulturës shqiptare, e veçmas muzikës. Ndër të tjera, për çudinë time, në vitin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, më bie në dorë një material nga viti 1937, kur Radio Suedia mes korrespondentit të saj në Paris, e kishte dërguar Sven Aurén-in në Tiranë për të raportuar për shënimin e 25 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Një raport pesë minutësh me plot risi. Mendja më shkoi te përvjetori aktual i 100 vjetorit, si do ta mbulonte dhe a do ta mbulonte këtë ngjarje Radio Suedia. Thashë për çudinë time sepse kjo u bë e dyfishtë. Për 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë nuk u tha asnjë fjalë! 

Libri  “Veç një zemër” ishte një dhuratë e këndshme për lexuesit në njëqind vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.  Zbërthimi i Veç një zemër nga vetë autori...?

- E vreja tek fëmijët që thonin, flas shqip, kam një flamur, ka pasë një Shqipëri dhe ajo Shqipëri jemi ne! Më kishte provokuar kjo ndjesi e fëmijve në manifestime të ndryshme kombëtare që si e këtillë sinjalizonte të rriturit, kemi një Shqipëri dhe për atë Shqipëri natyrale duhet të punoni. Nga këtu u nis titulli i përmbledhjes me poezi “Veç një zemër”, ku sjell poezi të shkruara nga vitet si gjimnazist e deri sot. Nuk janë shumë por janë shumë të dashura dhe domethënse për mua dhe për lexuesin mendoj unë.

Je bashkautor librash, i prezantuar në revista e gazeta me punimet tua, pjesëmarrës me poezi e humor në Festivalin e Poezisë dhe Muzikës për Skandinave që mbahet çdo vjet në Malmö,  cilat janë projektet  tjera për krijimtarinë tënde?

-Projekt të radhës kam idejuar përmbledhjen e kujtimeve nga puna si gazetar te Radio Prishtina. Ka gjëra te një rëndësije të madhe të një kohe kur Radio Prishtina dëgjohej më shumë se kurr ndojherë në historinë e saj me një plejadë gazetarësh të zot e guximtarë...

Tani aktualisht je redaktor në revistën BESA, organ i Lidhjes së Shoqatave shqiptare në Suedi, cili është roli i kësaj reviste...?

-Të bashkëbisedojë me lexuesit e saj për kulturën shqiptare me të gjitha format e saj dhe ti bashkojë krijuesit në një revistë siç është “Besa” me ndonjë tregim interesant, poezi të bukur por edhe pak humor. 

Cili është bashkëpunimi yt me gazetat jashtë Suedisë apo me mediat në Kosovë? 

-Bashkëpunimi ka rënë këto dhjetë vitet e fundit, dhe është më tepër rastësi se sa bashkëpunim. Mendoje, të bësh një mori raportesh, shkrimesh e informacionesh që ti botojnë por askush nuk merr mundin së paku të të dërgojë një falënderim se për pagesë nuk bëhet fjalë. E pranoj, fajin e kemi vet se disa nga mediat e Kosovës janë mësuar keq –marrin material falas nga diaspora.

Të kthehemi pakëz tek familja. Si e kalon kohën në shtëpi, si e kalon kohën e lirë, çka të gëzon më shumë...?

- Kam gruan dhe tre fëmijë. Dhe vitin e kaluar u bëra edhe me një mbesë, me Lilly Fionën e cila s´do mend solli freski dhe më shumë dashuri. Ndihmoj gruan në punët e shtëpisë, gatuaj ushqime zakonisht duke dëgjuar muzikë. Më gëzojnë shëndeti dhe suksesi i fëmijëve dhe i miqve të mijë të shumtë.

CD-të, këngët  e shahirave, rapsodëve tanë të njohur, pas orarit të punës, e edhe gjatë punës si relaks janë diçka që kemi vrejtur tek ti. Kah dashuria aq e madhe për këngën?

-Jam rritur me rapsoditë shqiptare dhe më pëlqejnë këngët e rapsodëve, pa dallim. Ndaj për të plotësuar këtë dëshirë timen kam disa albume personale, që ose i dëgjoj kur jam vetëm në shpi ose kur marrë rrugë me makinë me miqtë e mi. Makinat janë të miqve por cd-të të mijat.

Ka diçka që të ndrydh në shpirt, e që më së miri do ta thoje përmes mikrofonit të radios apo përmes këngës?

-Unë kam qenë i përgatitur si kuadër i lartë i arsimit. Por fati më çoj te mikrofoni dhe gjithsejtë për 30 vite mikrofoni ishte pjesë e pandashme e jetës sime. Edhe sot në vitrinën e librave mbaj një mikrofon si kujtim. Ky mban të ndryra fjalët e ngrohta “Të dashur dëgjues përshëndetje dhe mirë se vini te programi juaj Ditari, ose Jehona”!...                                                                                                              
Mërgimtarin e karakterizon ndjenja e mallit, mallit si peshë e pashmangshme në krahëror, a ka spjegim të plotë?

- Duhet ta kuptojmë që jemi të dënuar të jetojmë me këtë fat që nuk e zgjodhëm me dëshirën tonë.Megjithëse rrethanat e mërgimit dhe mërgimi si fenomen ka ndryshuar shumë.

Dhe, gjithsesi edhe një pyetje: Me çka mburresh, dhe çka mendon se ishte dashtë  të bëje më shumë?

-Mburrem me familjen dhe miqtë e mijë të shumtë që më kanë dhënë e më japin aq shumë dashuri. Mburrem për respektin e madh që kanë shfaqur dëgjuesit përgjithësisht por respekte edhe për gjithë ata që më kritikuan, me ose pa qëllim. Kur shikon punën prapa rëndom se gjen diçka që ti do ti shtoje, ose do ta bëje kështu apo ashtu e të ngjashme.

Dhe a mendon Shyqa të kthehet në Kosovën e ëndërrave të rinisë?

-Më pëlqen që bën këtë pyetje. Ndërkohë që mërgimi qenka i këtillë kur fillimisht ti mendon tërë kohën të kthehesh sa më shpejtë në vendlindje. Ma kalimin e kohës ndrrojnë raportet jetësore, jeta bëhet më e komplikuar dhe fillon e zë ca rrënjë  në vendin mikpritës. Them që ëndrra e kthimit vazhdon të mbetet e freskët ende!

Ishte ky pra Shuquri Sejdijaj, njeriu i thjeshtë e intelektual, mendimtar, krijues. Shyqa, që me zërin melodik radiofonik  eterin e ngriti në gjuhë kuptimi shqip në truallin nordik. E bëri këtë atëherë kur shqiptarët në Kosovë, në Suedi e kudo në botë përballeshin me nevojën që zëri i tyre të jetë bindës, që bota paqësore të valorizojë dëshirën dhe unin tonë paqësor. E bëri të fuqishëm eterin nordik Shyqa atëherë kur bota duhej të bindej se shqiptarët me traditë të lashtë qytetërimi e paqësore u përballën edhe me luftën, se ndryshe nuk bënte, dhe, zëri i tij i dha fuqi e ngjyrë edhe përkrahjes së madhe që shqiptarët e Suedisë dhe shteteve nordike i dhanë luftës së drejtë çlirimtare në Kosovë ,në Maqedoni dhe në Preshevë,  Bujanovc dhe Medvegjë. Zëri nga radio motivoi edhe  ata që  vendosën të shkojnë në logun e betejës.Dhe tani, Shuquriu vazhdon t’iu ofrojë lexuesve fjalën e lirë, vargun poetik, shkronjat që dalin nga zemra, se “Veç një zemër” është veç një shtet, veç një Shqipëri!/mk/nëntor 2013, Stokholm/..


MILAIM ZEKA – ZËDHËNËS I KOMBIT TË VET

 Shkruan: Shuquri Sejdijaj

Milaim Zeka
Të shkruash për kolegun me të cilin ke punuar bashk në mënyrë intensive për më se dhjetë vite, të shkruash për mikun e shokun e ngushtë që të mirën e të keqen prap i ke ndarë bashkë, vërtetë nuk qenka lehtë. Krejt çka dua të them e të prezentoj këtu për te më duket pak. E mira e së mirës do t´ishte bërja e një libri ose një dokumentari për këtë njeri, që e dashtën dhe e urrejtën, e lavdëruan dhe e shanë; për këtë njeri aq të përfolur e aq shumë të zënë n´gojët e shqiptarëve; herë për mirë e herë për keq, pa ia njohur as të parën e as të dytën.

I urrejtur aq shumë dhe i dëshiruar edhe më shumë njëkohësisht!

Ende pa i mbushur 18 pranvera Milaim Zeka dënohet me burg për shkak të pjesëmarrjes në demonstratat e prillit 1981. Si gjimnazist Zeka ishte inkuadruar në organizatën marksiste-leniniste si quheshin atëherë dhe atë në organizatën e Hydajet Hysenit. Në organizatë futet me të vetmin ideal që shqiptarët të fitojnë lirinë dhe të dejtën për vetvendosje, pa ditur mirë se kush ishte as Marksi e as Lenini!...

Më vonë ai do të arrij të migrojë në Suedi, ose siç e tha me një rast kur u pyet se prej nga ishte, “ Prej Drenice i ramë n´Suedi”. Por rruga për me “ra” në Suedi do të mbetet një rrugëtim që ai s´do ta horrojë për jetë. Arratisja nga ish Jugosllavia do të ndodhë në muajin shkurt 1982. S´pari do të kalojë në Itali e pastaj në Austri. Pa pasaportë, pa pare. Nëpër mot të keq, terrene të vështira, këmbë, maleve. Për ndihmën që i kishin dhënë për arratisje të detyruar Milaimi s´lë asnjëherë pa falënderuar kusheririn e tij Izet Zekën dhe Kadri Topallin, të cilët edhe disa tjerëve ua kanë shpëtuar jetën nga ndjekjet e UDB-ës. Nga Austria pastaj zhvendoset për një kohë në Paris prej nga më vonë ikë në Gjermani ku menjëherë bashkëpunon me veprimtarin e njohur Xhafer Shatri.

-Në Suedi kam ardhë në nëntor të vitit 1983 pas qëndrimit tim një vit në Austri, Francë dhe në Gjermani. Natën e parë në Stokholm e kam kaluar te një shqiptar i Turqisë, të cilin e quanim Baci Shyqë, një burrë tepër i mirë. Pas lajmrimit në policinë suedeze përkthyes e kam pas Faruk Berishën nga Peja, i cili më ka njoftuar me Sani Lipën, të dytë shqiptarë të mrekullueshëm. Por për ardhjen time në Suedi i jam mirënjohës familjes Sherolli e cila edhe më ka nxitur që të vendosem këtu. Pas disa muajve kam marrë kontakte me Ann Marie Boström, gazetare e Televizionit të Suedisë, Mats Svensen, gjithashtu edhe ky gazetar i SVT, si edhe në princip me të gjithë gazetarët e mediave suedeze si psh. Disa Hostad (DN), Sune Ulofsson (SVD) etj. Me pas kam marre kontakt me Lars Erik Morin, një njeri i jashtezakonshem,shumë i përkushtuar për çështjen shqiptare me të cilin kemi bërë perkthimin e parë të novelës së Adem Demaçit, “Burrëria”, që u botua në një revistë suedeze në 150 mijë ekzemplarë.

Perpos kesaj Milaim Zeka ka qenë në kontakte shumë të ngushta me Lidhjen e Shkrimtareve të Suedisë dhe Pen Klubin Suedez, të cilët vazhdimisht i ka furnizuar me materiale për Adem Demçin. Ata më pas kanë reaguar në forma të ndryshme si brenda edhe jashtë Suedisë. Në vitin 1987 bëhet anëtar i Komitetit Suedez të Helsinkit, ku ka qenë së bashku me personalitete të njohura suedeze si Gerald Nagler, i njohur shumë edhe jasht Suedisë, shkrimtarja Astrid Lindgren, aktorja e njohur Bibi Andersson, e shumë diplomat dhe personalitete të larta të jetës kulturore e politike të Suedisë.

Gjatë viteve 1985/86 Zeka zhvillon një bashkëpunim intensiv me Komitetin Ndërkombëtar të Juristëve dega në Suedi. Bashkëpunimi ishte motivuar në kohën e arrestimeve masive që po bëhshin në Kosovë dhe rezultoi në shkuarjen e juristit Stefan Jerde dhe kryetarit të atëhershëm të gjykates së lartë të Suedisë, Frank Orton, në një gjykim politik në Pejë. Orton ishte vëzhguesi i parë ndërkombëtar në një gjyq politik në Kosovë, atëherë në vititn 1986, në gjyqin e zhvilluar në Pejë kundër Ramadan Shalës, Salih Kabashit, Rifat Birinxhikut, Destan Bujupit, etj.

Po ashtu ka zhvilluar një bashkëpunim shumë të afërt me Amensty International në Suedi dhe në Londer, me Znj. Mellony Andersson, e cila ka qene shefe e deskut për Jugosllavi. Në vitin 1987 përmes ministrit të punëve të jashteme të asaj kohe, Sten Andersson, në parlamentin e Suedisë është ngritur çështja e Kosovës dhe është diskutuar rasti i familjes së Milaim Zekës. Madje Jugosllavia u kërcnua me ndërprerje të marrëdhënjeve diplomatike me shtetin e Suedise për shkak të përndjekjeve dhe maltretimeve që i po i bënin shqiptarve duke përdorë si shembull maltretimet kundër familjes së tij. Ndërkaq Beogradi për të arsyetuar këto veprime e kishte shpallë Milaim Zekën si “terrorist”, gjë që më vonë kolegët suedez e quanin dhe e përshëndetnin me këtë pseudonim: Hej Terroristen!(Tung Terrorist!)

Një faqe interesante është angazhimi i Milaim Zekës në Komitetin Suedez të Helsinkit ku si tham më lart kishte emra të mëdhenjë e të njohur jo vetëm në Suedi por edhe në botë. Pastaj Milaimi në këtë komitet mund të ketë qenë më i riu dhe mbulonte ish Jugosllavinë dhe Shqipërinë. Ky lloj angazhimi bëri që autoritetet e atëhershme në Shqipëri t´ia ndalojnë hyrjen deri më 1990 ose thënë pak më ndryshe deri në natën kur Ismail Kadare u largua nga Shqipëria dhe kërkoi azil në Francë. Gjatë asaj kohe Zeka ka bërë kryesisht kërkime, raporte dhe informacione për gjendjen e të drejtave të njeriut dhe me angazhimin e avokatëve për mbrojtjen e të burgosurve politik në Kosovë. Janë dërguar vëzhgues për të parë nga afër gjendjen e shqiptarëve që të mos përdoreshin vetëm raportet zyrtare që vinin nga ish Jugosllavia. Milaimi merr pjesë aktive edhe në ndryshimin e opinionit suedez sa i përketë Shqipërisë dhe Kosovës.

Krahas këtij aktiviteti Milaim Zeka do të gjendet më vonë, më 1994 në grupin inicues për themelimin e organizatës Reporterët pa kufij.Nëntë vite më parë në Francë ishte formuar kjo organizatë simotër ndërkaq sot ka afërsisht 10 organizata të këtilla në bote me afër 150 korrespondent. Heshtja e mediave në botë i nxjerr jasht lojës jo vetëm lirinë e fjalës dhe të shprehurit por edhe demokracinë. Pa lirinë e të shprehurit dhe të shtypit si do të mund të zhvillohej lufta për të drejtat e femrave dhe përgjithësisht për të drejtat e njeriut? Si do të mund të informohesh që askush të mos dënohet sipas akuzave false? Si do të mund të zbuloheshin politikanët e korruptuar etj? Të gjitha këto çështje Zeka i kishte ndjerë nga afër qysh si i ri ndaj ishte ndër të parët në formimin e kësaj shoqate.

Në këtë shkrim nuk po fokusohemi shumë te programi shqip në Radio Suedia ku bashk me autorin e këtij shkrimi nisën për herë të parë, 4 janar 1994, lajmet shqip nga ky medium i fuqishëm suedez. Krahas kësaj Zeka bënte edhe punën e gazetarit përkthyes te gazeta “Lajmëtari”, një edicion katërfaqësh me informacione bazë për Suedinë e që u kushtohej njerëzve të sapoardhur si ndihmesë për integrim në vendin mikpritës. Sigurisht që rëndësia e këtyre punëve ishte e një rëndësije të jashtzakonshme por po kaq e jashtzakonshme dhe po kaq i rëndësishëm ishte edhe angazhimi i tij te kanalet qendrore të radios dhe televizionit të Suedisë si dhe në shtypin vendës. Janë më se qindra artikuj e qindra programe në radio dhe televizionin e Suedisë, ku si autor ose bashkëpunëtor Milaimi do të jetë i pranishëm. Shpeshherë edhe si debatues dhe analist në programet qendrore ku merrnin pjesë politikanët më përgjegjës të Suedisë, ose për problemet e mërgimtarve shqiptarë dhe më shpesh për zhvillimin e situatës në Kosovë dhe Shqipëri.

Milaim Zeka, nga puna në redaksinë "Ditari" te Radio Suedia

Në saje të Milaim Zekës gazetarë të ndryshëm suedez realizuan shumë programe dokumentare, një prej të cilëve qe nderuar edhe më çmimin më të lartë për gazetarë. Ai ishte bërë në njëfar mënyre zëdhënës i kombit të vet. Shfrytëzonte çdo hapsirë megjithëse këto hapsira i gjurmonte dhe i krijonte me një lehtësi të paparë.

I mësuar dhe inspiruar nga kolegët suedez ëndërronte që një ditë kur të çlirohej Kosova të kthehej dhe të ndihmonte në krijimin e një klime për gazetari kritike e hulumtuese, të një ambienti me kurajo ku kolegu kolegut ia shfaq lirshëm dhe me sinqeritet mendimin dhe ku mikrofoni do të përdoret si duhet e nuk do të keqpërdoret si megafon i konferencave për shtyp!
Ai do të merr pjesë në seminare të ndryshme të organizuara nga autoritetet suedeze por edhe nga shoqata shqiptare ku do të ligjërojë mbi përvojat personale dhe të bashkatdhetrve si dëshmi e përshkrimit të gjendjes në Kosovë. Aktivitet të bujshëm do të zhvillojë pas finalizimit të filmit për Adem Jasharin, një film i shkurtër por për kohën që u bë i një rëndësije shumë të madhe. Ndërkaq nga fillimi i negociatave mes Kosovës dhe Serbisë në Rambuje, Zeka pothuajse tërsisht e shihte të ardhmen e tij në Kosovë. Do të shkojë në mesin e djemve dhe bijave në radhët e UÇK dhe me përfundimin e luftës ai më tërsisht i kthehet Kosovës por duke mbajtur një dashuri të veçant për Suedinë dhe diasporën përgjithësisht.

Milaimi( në të djathtë) me Kamer Elezajn: Mirë se erdhe Kamer n´Stokholm, 1985



Në kohën kur ai erdhi në Suedi  komuniteti shqiptarë numerikisht ishte i vogël por edhe i shukatur.

- Komuniteti shqiptar në Suedi, në at kohë jo vetëm që ka qenë pothuajse i vdekur, por ka qenë totalisht i pa organizuar. Një ndihmesë të madhe në organizimin e shqiptarve kanë dhënë,Zija  Bunjaku, Sani Lipa, Ali GAshi, Kamer Elezaj, Isak Bunjaku, Xhemajl Duraku etj. Organizimet e para filluan me botimin e Zërit të Kosovës, në vitin 86-87, së bashku me Xhafer Durmishin, Sabri Novosellën dhe Shukri Demirin. Pastaj vazhduam me organizimin e protestave dhe demostratave të ndryshme me një numër shumë të vogël të pjesëmarrësve deri në vitet e 90-ta kur filloi vala e emigraciionit të refugjatëve nga Kosova në Suedi, rikujton Zeka.

- Për mua mërgata shqiptare ka qenë tamam si mërgata e qyqeve tek libri i Nasho Jorgaqit, deri me ardhjen e një gjenerate te re të refugjatëve në vitet 90-të. Ne kemi qenë të luftuar në të dy anët, edhe nga ambasada dhe shteti jugosllav, edhe nga ambasada e Shqipërisë, dhe në një far mase edhe nga të arratisurit nga Shqiperia, të cilët neve, shqiptarët e Kosovës na konsideronin si enverista, gjë për të cilën kishin shumë të drejtë. Mbas përfundimit të luftës, mërgaten shqiptare kanë vazhduar dhe po vazhdojnë ta perçajnë partitë politike të Kosovës duke harruar se kjo mërgatë ka vetëm një mision: ndërkombëtarizimin e vendit te vet, ruajtjen e gjuhës dhe investimet në Kosovë. Këte të fundit, asnjë qeveri e Kosovës, nuk ka mundur të krijojë minimumin e kushteve që një mergimtar të vijë dhe të zhvillojë biznes në vendin e vet. Sikur qeveritë e Kosovës të shfrytëzonin potencialin e mërgatës, Kosova me 11 mijë km katror, do të kishte patur mundësi që të bëhej një Dubaj i Ballkanit. Por mjerisht në Kosovë ekziston një racizëm absolut kundër mërgimtarve, dhe ndaj atyre që kanë punuar apo kanë studjuar jashtë Kosove. Thjesht mërgimtarët qe 13 vite janë komplet të bllokuar dhe shfrytëzohen vetëm për paret që sjellin tek familjet e tyre, thot me zemrim Milaim Zeka sa i përketë trajtimit që shteti i Kosovës i bën mërgimtarëve të vet./shs/.


Ekzili i poetit Riza Sheqiri: bota e vogël për çerdhën e tij

Shkruan: Shuquri Sejdijaj

Shtator i 2006-tës. Në fund të një qosheje pi kafe me poetin Riza Sheqiri. Ndodhemi në panairin ndërkombëtar të librit në Göteborg (Jëteborj) që për çdo vit mbahet nga fundi i muajit shtator. Pallati suedez i panaireve gumëzhinë nga vizitorët e shumtë. Edhe nga ekspozuesit e shumtë e prej shumë vendeve të botës.

Flasim për librin shqip. Në vitet e kaluara libri shqip prezentohej më mirë, jo aq denjësisht, por më mirë se sot i them shkrimtarit Riza Sheqiri. Ai pajtohet me këtë dhe shtron çështjen e lexuesit. Lexuesi shqiptar në Suedi nuk është as aktiv as i madh, thot ai. Shkaqet pse është kështu mund të jen nga më të ndryshmet. Ndoshta është edhe e kundërta e kësaj, gjë që do të më gëzonte shumë, shprehet poeti.


Biseda rrjedh në mënyrë të paorganizuar, ashtu siç mund të flas njeriu në një ambient plot lëvizje, përshpëritje dhe në një bar të improvizuar. Flasim për të pastrehët, për mallin e zërave që na mungojnë e si kemi pranë, për mungesën e aromës së vendlindjes, për bollëkun e perëndimit dhe mungesën e shijës, për natyrën dhe ritet në vendlindje...


- Këte e kam vrejtur edhe te njerëzit e tjerë të botës që kanë ardhë në Suedi. Pa marrë parasysh se nga cili vend vijnë, pa marrë parasysh ngjyrat që bartin, pa marrë parasyh religjinoet që u përkasin, qofshin ata çifut, mysliman, të krishterë apo ateist, qofshin edhe të ideologjive kapitaliste apo socialiste, të gjithëve njësoj ju mungon vendlindja, thot Riza Sheqiri.


Picërron sytë, pastaj ngul shikimin dikund e më kthehet:

- Janë të shumtë ata që krijuan në mërgim, pa dëshirën e tyre. Një poete gjermane, Rainer Maria Rilke, ekzilin e shënonte  si diçka që të “vyshkë” ose të “mugullon”.

Ndërkaq poeti Riz Sheqiri kështu do të tregoi në poezinë “Lotët ma kallin shpirtin”:

“Kur u ndava nga i dashuri atdhe,
më mirë të hyja i gjallë në dhe...”

Ne vazhdojmë të flasim për “vyshkjen” dhe “mugullimin” e shkrimtarit në ekzil. Unë mendoj se Riza Sheqiri ka mugulluar, i them atij, kurse ai qesh:

- Mugullimi apo lulëzimi i shkrimtarit në ekzil mbase motivohet nga estetika e dhembjes. Çka do t´ishte civilizimi i sotëm pa shkrimtarët e ekzilit? Pa Homerin, Virgjilin, Euripidin, Danten Hygon, Singerin, ose pa Müllerin, Adonisin, Kadarenë....Shkrimtarët në ekzil hapën hapsira të reja që as i takojnë vendit të tyre të lindjes as  të riut por që prap janë me tone të vendlindjes dhe të vendit të ri.. Janë diçka si i quajti Salman Rushdie si “ imaginary homelands”. 

Distanca nga vendlindja ashtu si dhe dhembja e braktisjes së vendit e ka bërë të mprehtë vrojtimin artistik të shkrimtarve në mërgim. Suedia është bërë sigurisht edhe për Rizën një mënyrë e të jetuarit, ku mënyrat e vjetra lëshojnë pe dhe ku tani kultura lokale vazhdon të ngritet në univerziale duke qenë e ndihmuar nga besime e grupime të reja.

- I ndodhur në ekzil, shkrimtari, artisti, poeti, nuk ka çka humb. Ai lirohet tani nga cenzura dhe autocenzura. Artisti bëhet një lloj vendi në vetvete. Dhe në këtë vend të ri, të sapokrijuar, ai duhet të përdorë gjuhën amtare por edhe të vendit mikpritës. Me gjuhën amtare njeriu shpreh më lehtë të vërtetën. Por ka shumë shembuj që shkrimtarë të ndryshëm i shkruajtën veprat e tyre më brilante në gjuhë të huaja, si Samuel Beckett, Milan Kundera, Emil Cioran e ndonjë tjetër.

Riza Sheqiri rëndom shkruan në gjuhë amtare, por viteve të fundit edhe suedisht. Poezia e tij prek fuqishëm identitetin në rrjedhën e pandalshme, jostatike.

Shtërngata një degëz nga trungu e shkuli
era e mori dhe larg larg e shpuri
degëzshkreta pranë një trungu tjetër vend zuri
e trungu edhe pse mbeti në erë
degë e degëza i përtriu përherë
trung i plandosur sërish përparoi
pas shtrëngatës me gjelbërim plagët i mbëltoi
po degëza e këputur kurrë nuk gjethoi.

Ndaj pa dëshirën tonë, Rizai të zhpërngulë virtualisht në një atdhe të përbashkët, në një truall të vlerave univerzale ku dashuria është alfa dhe omega e kësaj bote.Sepse

Rrugëve
në botë i pa botë

dhembjeve
në jetë i pa jetë

plot dashuri
edhe në varr i pavarr

në këngë
pafundësisht - shtegtar!

Kumbojnë përjetësisht mesazhe si këto që shkrimtari Riza Sheqiri i hedh në çdo varg poetik. Ai portreton më bukur sa s´bën psikologjinë dhe mungesën e orientimit shoqëror të mërgimtarit, shtegtarit.

Mërgimtari i Riza Sheqirit mban vendlindjen ngryk, ashtu si jetimi fëminë e parë. Megjithëse

Atje i dhunuar i ndjekur nga shtëpia
këtu i përbuzur i huaj pa shtëpi
armik i rrugëve - rrugët në sy
gjithë bota e vogël për çerdhen e tij
.

Krijimtaria e Riza Sheqirit lirisht mund të kualifikohet si pasqyrim kolorit i betejës njerëzore për identitet. Me fjalët jo të zgjedhura, por me fjalët që burojnë nga zemra dhe mendja kërkon të gjej vend për identitet në një botë me lidhje dhe vartësi gjithnjë e më të mëdha globale. Si mund të na ndihmojë fjala dhe arti që të orientohemi më lehtë në një kohë dezorientimi të përgjithshëm?

“...po vrapove
kujdes
mund të rrëzohesh
mbahu mirë për toke...” (Amaneti)

Për Riza Sheqirin, identiteti në ekzil është si një lloj plage e hapur. Poeti vazhdon të jetojë me këtë plagë që s´ka shërim. Të jetosh në ekzil do të thot gjithashtu të jetosh me ëndërren e përhershme për tu kthyer nga ke ardhë.”

Kur merr rrugën e kurbetit,
 varrin hapur gjithëmonë e ke,
 medet për atë njeri,
 që s´ka vend për varr në atdhe”.

Dhe kur ai nuk do të mund të kthehet poeti prap gjen zgjidhje: Nënë po e puth diellin në faqe e ti puthe të puthurën time...”


Janë dy kategori artistike që dallojnë poezinë e Riza Sheqirit: distanca dhe afërsia. Loja artistike e këtyre dy kategorive është e mundimshme por poeti lojën e mbyll gëzueshëm se “ e munda edhe një natë” thot ai tek vjersha “Edhe një natë pa gjumë”.

Me krijimtarinë e tij, Riza Sheqiri ndërtoi në Suedi një “ambasadë artistike” të vendit të tij të  prejardhjes; një ambasadë të “fluturave në erë”, për ata që “zgjohen të huaj” por që s´mashtrohen sepse “ dashurojmë e dashurojmë, dhe do të fitojmë. Jeta na ka mësuar, vetëm dashuria është e amshuar”.


Nga biografia e shkrimtarit Rizah Sheqiri

Rizah SHEQIRI u lind më 12 janar 1961 në Brainë, ku e kreu edhe shkollën fillore. Shkollën e Mesme të Mjekësisë dhe Fakultetin Filologjik - Degën e Letërsisë dhe të Gjuhës Shqipe i kreu në Prishtinë. Që nga bankat e shkollës së mesme nisi të shkruajë dhe të bashkëpunojë me revistat dhe gazetat në gjuhën shqipe në Kosovë dhe më gjerë. Një kohë bashkëpunoi edhe me programin arsimor të Radio Prishtinës deri më 15 qershor të vitit 1983 kur u pranua si gazetar i rregullt në këtë institucion informativ. Shtatë vjet punoi në Radio - Prishtinë, në Programin Kulturor Artistik Arsimor, ku realizoi një varg emisionesh kulturore, artistike, arsimore dhe për fëmijë. Në radio iu realizuan një varg radioskenash. Shkroi edhe mbi dyzet tekste të këngëve për fëmijë, të zhanrit popullor dhe argëtues. Disa prej të cilave u bënë aq të dashura sa që këndohen me ëndje edhe sot nga grupmosha të ndryshme si p.sh "Vallja popullore" që rrallë ndonjë shqiptar të mos dijë ta këndojë.

Rizah Sheqiri shkruan prozë dhe poezi për të rritur dhe për fëmijë. Pos me gazetën "Rilindja" bashkëpunoi pandërprerë edhe me revistat për fëmijë "Gazeta e Pionierëve", "Pionieri" pastaj me "Gëzimin" dhe "Fatosin" e Shkupit, etj. Ishte bashkëpunëtor edhe i revistës për çështje arsimore "Shkëndija" me të cilën bashkëpunimin e intensifikoi sidomos pas largimit të tij nga dhuna policore serbe nga RTP-ja. Në periodikun shqiptar në Kosovë dhe më gjerë ka botuar një numër të madh krijimesh letrare të të gjitha gjinive dhe ka fituar një varg shpërblimesh në konkurset letrare.

Disa nga punimet e tij janë përkthyer në gjuhën gjermane, italiane, turke, angleze,rumune e në atë suedeze. Po kështu, në gjuhën suedeze, ka në përkthim e sipër disa përmbledhje.
Poezitë e tij janë përfshirë në disa antologji të poezisë në gjuhën shqipe, si dhe në antologjinë e krijuesve shqiptarë në Suedi me titull "Diell në dritare" (titull ky i marrë nga një poezi e tij) e botuar nga SHB "Rosengård" në Malme më 2000.

Me poezinë "Flutura në erë" është prezentuar në antologjinë botërore të poezisë për mërgimin "Flykten valde oss" të botuar më 1999 në Suedi, ku janë të përfshirë emrat më eminentë të poezisë e të letërsisë botërore si William Shakespeare, Ivan Turgenjev si dhe tre poetë që janë fitues të Çmimit Nobel për letërsi si Pablo Neruda, Nelly Sachs dhe Wislava Szymborska.

Përveç kësaj Rizah Sheqiri punimet e veta në gjuhën suedeze i ka botuar edhe nëpër disa revista e gazeta suedeze dhe është prezentuar në disa antologji. P.sh në monografinë për Ystadin "Ystadiana" 1993, pastaj në antologjinë "Poezia bashkëkohore shqipe - suedisht" e botuar më 2000,  në antologjinë suedeze "Väntar på ett tåg som aldrig kommer att avgå" ( Të presësh trenin që kurrë nuk do të niset) botuar më 2001 nga Shtëpia Botuese " Lars Andersson Förlag". Me poezinë "Porosia e nënës" ka fituar në konkursin e poezisë së Botuesit elektronik "Skrivarsidan" dhe pastaj është prezentuar edhe në formë të e-librit, në antologjinë e poezive fituese në konkursin vjetor të poezisë botuar nga Shtëpia Botuese e librit elektronik "Serum" 2001. Me dhjetë poezi Haiku (poezi të miniformatit) është prezentuar në faqet elektronike të poezisë së gazetës së njohur suedeze "Expressen".

Rizah Sheqiri është prezentuar në revistën më reprezentative letrare në Suedi "Artes" nr 4/2001, kjo revistë del katër herë në vit dhe është organ i  tri akademive suedeze, i Akademisë Mbretërore, i Akademisë së Arteve, i Akademisë së Muzikës dhe botim i Shtëpisë Botuese "Natur och Kultur". "Artes" publikon krijime letrare nga krijuesit më eminent suedez e botëror. Prandaj prezentimi i poetit tonë Rizah Sheqiri me tetë poezi në faqet e kësaj reviste autoritative është një nder i veçantë që i bëhet poetit tonë dhe poezisë shqipe përgjithësisht. Poezitë shoqërohen edhe me një fjalë paraqitëse të kryeredaktorit dhe me shënimet biografike për poetin tonë dhe për përkthyesin të tij.

R.Sheqiri është përkthyer edhe në gjuhën gjermane. Ai me poezitë e tij është prezentuar në revistën letrare gjermane "Das bot" (Varka) nr.147 të vitit 1999 dhe në nr.150 të vitit 2000, pastaj është prezantuar në revistën FLB (Fliegende Litteratur Blätter) nr. 3 të vitit 2000 botim i Wiesenburg Verlag në Schweinfurt - Gjermani. Pastaj në antologjinë e poezisë  në gjuhën gjermane "Capriccio" band 2 Edition Wendepunkt, Weiden - Gjermani 2000, në antologjinë "Almanach 2000" botuar nga "Aktuell - Verlag für Literatur der Gegenwart, Weinstadt - Gjermani. Është prezentuar edhe në nr. 87 të vitit 2000 në revistën austriake për literaturë internacionale "LOG" - Wien.

Në gjuhën angleze është prezentuar në dy numra të revistës letrare "Poetcrit" 2001, që botohet në Maranda të Indisë ku është përfshirë po në gjuhën angleze edhe në antologjinë poetike " Parnassus of World Poets 2001" ku janë përfshirë 250 poetë eminent nga 75 vende të ndryshme të botës.

Rizah Sheqiri merret edhe me përkthime nga suedishtja në gjuhën shqipe. Ka përkthyer disa libra për fëmijë të shkrimtarëve të njohur suedez Per Nilsson dhe Ulf Nilsson, pastaj përmbledhjen e poezive "Ora" të Anders Johanssonit, etj. Ai e ka përkthyer edhe librin për fëmijë "Rruga e gjatë, shumë e gjatë" të shkrimtares Rose Lagerkrantz dhe Ilon Wikland,  5000 ekzemplarë të të cilit libër u janë dhuruar fëmijëve në Kosovë. Ndërsa bashkë me shkrimtarin e njohur suedez Ulf Nilssson kanë përpiluar antologjinë me krijime të fëmijëve "Broar, skatkistor och guld"( Ura, arkathesari dhe ar).

Që nga dhjetori i vitit 1991 R. Sheqiri jeton dhe krijon në Suedi. Është aktiv në jetën kulturore në Suedi, bashkëpunon me të gjitha gazetat dhe revistat që dalin këtu. Është redaktor në revistën "Besa" dhe bashkëpunëtorë i revistës "Drita", por ka bashkëpunuar edhe me revistën "Qëndresa" dhe "Dëshira" si dhe me gazetën "Lajmëtari". Ka qenë i angazhuar në disa projekte të ndryshme kulturore e informative që janë organizuar në Suedi dhe që për qëllim kanë pasur të bëjnë të njohura vlerat tona kulturore e kombëtare dhe të vërtetën mbi shqiptarët tek opinioni suedez. Po e përmendim projektin e madh kulturor e informativ  "Shqiptarët e Kosovës  duan Liri" që për moto kishte “Dejtoni - po, po ku mbeti çështja e shqiptarëve?”,etj. Në këtë fushë angazhimi i tij nuk ka munguar asnjëherë duke shkruar artikuj, debatues e informativ, me qëllim që të marrë në mbrojtje çështjen e drejtë shqiptare, luftën e drejtë të tyre për liri e pavarësi. Këtë sidomos e intensifikon gjatë periudhës së luftës në Kosovë, atëherë kur nëpër shtypin suedez paraqiteshin parlamentar, bile edhe anëtarë të delegacionit të OSSE, politikan e intelektual të tjerë që merrnin në mbrojtje pushtuesin serb dhe kështu e margjinalizonin luftën e drejtë të shqiptarëve për liri. Po përmendim vetëm dy reagime të tij ndaj prememories së 172 intelektualëve suedez kundër bombardimeve të Natos,  dhe ndaj Karin Wegestål, ish-deputete e parlamentit suedez, e cila  u ngrit në një fushat të egër kundër Luftës çlirimtare dhe kundër Uçk-së. Përveç këtyre artikujëve debatues ku ofrohen fakte nga dora e parë mbi Kosovën dhe shqiptarët  dhe hudhet poshtë gjithë propaganda pro serbe, R. Sheqiri ka shkruar edhe një varg artikujsh tjerë informativ mbi shqiptarët dhe të vërtetën e tyre, që u janë drejtuar instucioneve shtetrore për të njohur Pavarësinë e Kosovës, për të përkrahur shqiptarët dhe çështjen e tyre.

Rizah Sheqiri shkruan edhe recensione e shkrime publicistike. Veçanërisht ka shkruar mbi veprimtarinë dhe të arritrurat e krijuesëve letrar e figurativ në Suedi.

Punon si mësues i gjuhës amtare dhe ruajtja e kultivimi i gjuhës traditës dhe kulturës shqiptare tek gjeneratat e reja dhe tek fëmijët mërgimtarë kanë qenë dhe janë preokupime të përhershme të tij. Bashk me nxënësit e tij ka organizuar dhjetra manifestime të mëdha kulurore e letrare në të cilat përveç bashkatdhetarëve tanë kanë marrë pjesë edhe shumë  vendas. Të gjitha këto aktivitete janë përcjell edhe nga shtypi vendor i cili u ka dhënë një hapsirë tejet afirmative.  Me fëmijët dhe për fëmijët ka punuar në shumë mese shqiptare që nga dita e ardhjes së tij në Suedi. Ka punuar me fëmijët e bashkatdhetarëve tanë në strehimoren e Ystadit gjatë katër muajve të parë të vitit 1992 e muajt në vazhdim të të njëjtit vit ka punuar si mësues në shkollën fillore të Mariannelundit në Mariannelund, pastaj është angazhuar në organizimin e mësimit plotësues në strehimoren e Reslövit dhe në Tomelilla ku organizon një varg aktivitetesh me fëmijë, deri në gusht të vitit 1995 kur punësohet si mësues i rregullt i gjuhës amtare në shkollën "Kungsmarken" të Karlskronës, pastaj në Karlshamn e në Asarum, ku vazhon të punojë edhe më tej.

R. Sheqiri, përveç kësaj është angazhuar vazhdimisht në organizimin dhe ndjekjen e mësimit plotësues në gjuhën amtare të fëmijëve tanë në Suedi. Për këtë problematikë ai ka botuar në revista e gazeta dhe herë pas herë është paraqitur edhe në Radio Suedinë në programin në gjuhën shqipe "Ditari" e tani “ Jehona”, - me disa artikuj që kanë të bëjnë me këtë çështje. Bashkëpunon me Entin Shtetëror për Shkolla të Suedisë dhe është koautor i dy librave shkollorë për nxënësit shqiptarë "Urat tona 1" (1997), "Urat tona 2" 1999 botim i këtij Enti (pra, Skolverket).

Që nga fillimet e vitit 1994 është anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Suedisë. Për vitin 2000 kjo Shoqatë i ndau BURSËN VJETORE PËR KRIJIMTARI. Në vitin 2002 Departamenti për Kulturë i Kuvendit të Komunës së Karlskronës i ndau Çmimin Vjetor për Kulturë. Regjioni i Blekinges(region Blekinge) i ndau poashtu Çmimin për kulturë për vitin 2006, ndërsa "Tema Modersmål" dhe "myndigheten för skolutveckling" i ndanë çmimin"Mësuesi i vitit i gjuhës amëtare 2007".Një nder i madh që i bëhet atij si shkrimtar dhe krijimtarisë së tij letrare në përgjithesi.

Për herë të parë ka marrë edhe çmimin "Kosovë Rexha Bala" nga Festivali  Poezisë dhe i Muzikës në Malmö. Rizah Sheqiri gjatë karrierës së tij ka marrë edhe një varg shpërblimesh letrare për poezi e prozë.

Veprat letrare të Rizah Sheqirit

Rizah Sheqirit deri më tash ka botuar këta libra për fëmijë:

1. "Hëna e di lojën" (poezi) 1990, Enti i Teksteve dhe Mjeteve Mësimore - Prishtinë.
      Ribotim më 1995, nga Shtëpia Botuese "Besa" - Suedi.
2. "Zemër krejt dashuri" (poezi) 1990, Forumi i Krijuesve të Artit - Prishtinë.
3. "Çerdhja e gëzimit" (poezi) 1992, Botim i autorit - Suedi.
4. "Mos na e ndalni rritën" (dramë) 1992, Klubi Letrar "J. Gërvalla" - Malmö - Suedi.
5. "Shëngjergjat e mi" (poezi) 1993, Bashkësia e Shoqatave Shqiptare në Suedi.
6. "Peshq të vegjël" (novelë) 1993, LASH "N. Frashëri" - Suedi.
7. "Bashkë shkojnë e vijnë ndërrojnë mote e stinë" (poezi) 1996, Shtëpia Botuese " Besa" - Suedi.
8. "Kujt i buzëqeshin lulet" (poezi) SHB "Toena" - Tiranë,1998.
9. "Dashuri mbi dashuritë" ( poezi ), Botim i autorit, Suedi, 1998.
10. "Shëtitja" ( novelë); SHB "Lilo", Tiranë, 1998.
11. "Kur bishti e harron kokën" ( fabula), SHB "Lilo", Tiranë 1998.
12. "Në shoqëri me të adhuruarit e mi" ( poezi) "Toena"- Tiranë dhe NBV- Blekinge, Suedi, 1998.
13. "Pranverë pa pranverë" (poezi) "Toena" - Tiranë 1999.
14. "Shoferi i lojës (tregime për fëmijë) Doruntina - Gjermani 2000.
15. "Pak më ndryshe" (tregime dhe përralla për fëmijë) - Doruntina - Gjermani 2000.
16.  "Përqafim në ëndërr" (tregime për fëmijë) Malme -Suedi, 2000.
17. Utan hem.Var ska man bo? (Ku të banosh kur s'ke shtëpi) novelë suedisht, Sydostbiblioteket, Suedi 2002.
18. "Pranvera do të vijë" (pjesë teatrale) Doruntina, Gjermani 2002
19. "Zemër krejt dashuri"- "Ett hjärta fullt av kärlek" shqip e suedisht - Ardhmëria, Suedi, 2003.
20. Magjistari i shatë ngjyrave (gjëza në formë vjershe) Botim i Shtëpisë Botuese "Rizah Sheqiri" , Suedi, 2004.
21. 88 Gjëza (gjëza në formë vjershe) Botim i Shtëpisë Botuese "Rizah Sheqiri" , Suedi, 2004.
22. Të dua shumë (rrëfim për më të vegjëlit në formë vjershe) Botim i Shtëpisë Botuese "Rizah Sheqiri" , Suedi, 2005.
23. Për shëndet të mirë (rrëfim për më të vegjëlit në formë vjershe) Botim i Shtëpisë Botuese "Rizah Sheqiri", Suedi, 2006.
24. Dëshira dëshirë (rrëfim për më të vegjëlit në formë vjershe) Botim i Shtëpisë Botuese "Rizah Sheqiri" , Suedi, 2007.


R.Sheqiri për të rritur ka botuar këto përmbledhje:

1. "Merimanga e dritës" ( poezi ), "Dielli" - Prishtinë, 1991.
2. "Shkurt e shqip" ( poezi), ShB "Lilo" - Tiranë, 1994.
3. "Flutura në erë" ( poezi), ShB "Lilo" - Tiranë, 1995.
4. "Rruga drejt vendlindjes" ( tregime), ShB "Lilo" - Tiranë, 1997.
5. "Flutura në natë" (poezi) SHB "Toena", Tiranë, 1998.
6. "Nëse patjetër të duhet e vërteta", (poezi) SHB "Rosengård"- Malme (botim shqip e suedisht) 2000
7. "Nëse patjetër të duhet e vërteta", (poezi) ShB "Botimpex" - Tiranë (botim shqip e gjermanisht) 2000.
8. "Degëz e këputur" - zgjedhje poezish, "Toena" -Tiranë, 2002
9. "Shprishje" (recensione, shënime kritike e studime për letërsinë për fëmijë) "Toena" - Tiranë 2002
10. "Nëse patjetër të duhet e vërteta", (ribotim) poezi shqip e suedisht, Suedi, 2003.
11. "Nëse patjetër të duhet e vërteta"-  "If you really want to know the truth" (poezi shqip e anglisht) Suedi, 2003
12. "Flutura në kaktuse" skica poetike, Botim i Shtëpisë Botuese "Rizah Sheqiri" , Suedi, 2005.
13. Ftesë për dashuri - Apel pentru iubire (zgjedhje antologjike e poezisë së Rizah Sheqirit shqip e rumanisht) Bukuresht 2007.


Rizah Sheqiri merret edhe me fotografi artistike

Gjatë vitit 2004/2005 në Karlskrona të Suedisë, pra në qytetin ku banon, R.Sheqiri ka pasur tre ekspozita individuale të cilat janë pritur shumë mirë nga vizitorët e shumtë po dhe nga shtypi ditor.
Gjatë gushtit 2008 do të ketë poashtu një ekspozitë vetanake  në galerinë në qendrën e qytetit./shs/.

Inga kommentarer: