fredag 20 juli 2007

Sipas mediave suedeze Kosova e gatshme të shpall pavarësinë

Mediat suedeze të lajmeve raportuan sot pasdite se Kosova është lodhur me mossuksesin e këshillit të sigurimit të OKB-së për tu pajtuar rreth statusit të ardhshëm të Kosovës, prandaj tani planifikon që ajo vet ta shpallë pavarësinë.

Mediat i referohen një deklarate të kryeministrit Agim Çeku të bërë të premten në Prishtinë, se parlamenti i Kosovës do të miratojë javën e ardhshme një rezolutë për pavarësinë. Ndërkaq shpallja do të bëhej në ditën e pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor të cilën e festojnë edhe shqiptarët e Kosovës.

Bëhet e ditur se Çeku i ka dorëzuar presidentit të Kosovës dhe opozitës politike planet për këtë , por ende nuk ka marrë përgjigje.

Raportohet se përgjigjen për këtë po e pret edhe OKB-ja. Në pikëpamje teknike OKB-ja do ta refuzonte shpalljen e pavarësisë pa miratimin e organizatës botërore dhe se ka drojë që një skenar i tillë do të mund të shkaktonte reagime të dhunshme në Kosovë dhe se me këtë ora do të kthehej për disa vite prapa sa i përketë negociatave.

Plani i Çekut parasheh ndër të tjera ofertën ndaj UE që ta mbikëqyrë Kosovën e cila nga 1999 është drejtuar nga administrata ndërkombëtare e OKB-së.

Pas dështimit të sërishëm të planeve në këshillin e sigurimit rreth një rezolute të re për Kosovën, sot u bë e ditur se çështja e Kosovës bartet te Grupi i Kontaktit, ku Ruisa bën pjesë por nuk ka të drejtën e vetos dhe nuk mund të bllokojë procesin.

Po ashtu do theksuar se sekretarja amerikane e shtetit, Condoleezza Rice tha ditën e enjte se Uashingtoni është i vendosur që Kosovës ti jap pavarësinë pa marrë parasysh qëndrimin e Rusisë. Por nuk tha megjithëkëtë nëse SHBA-të janë të gatshme që në mënyrë të njëanshme ta njohin pavarësinë e Kosovës.

Inga kommentarer: