torsdag 14 juni 2007

Si katror i rrethuar

Se ç´mu kujtua sonte një tregim nga antika greke. Atëbotë, filozofët qenkan konsideruar si shtresa më e çmuar dhe më intelektuale e shoqërisë. Filozofët sipas kodit të atëhereshëm shoqëror nuk bënte ti nënshtrohej as mbretërve.

Por një filozof, tani s´më kujtohet emri i tij, paska pasur nevojë të ngutshme. Duke ecur pranë një shkolle kalon mbreti dhe filozofi i del para, përkulet para tij dhe ia shtron kërkesat...

Kur kthehet tek kolegët e tij, ata po e përqeshnin.

- Çfar filozofi na qenke ti kur i përkulesh mbretit?!
- Çfar faji kam unë kur mbreti ynë ka veshët në thembër, përgjigjet tjetri...

E gjithë kjo mu rikujtua duke lexuar një reportazh interesant tek e përditshmja suedeze "Dagens Nyheter".( Për ata që jetojnë jasht Suedisë "DN" është një gazetë e përditshme, nga më të mëdhatë). Reportazhi poashtu ka një titull interesant: "Koloni Kosova".

Autori sjell para lexuesit lakuriq korrupsionin e tmerrshëm ndër nëpunësit e zyrtarët ndërkombëtar, që marrin ajkën, duke bashkëpunuar me abuzuesit e imtë lokal.
Poashtu, sjell si në shuplakë, pushtetin "perandorak" të ushtruar nga disa guvernator që në Kosovë janë ndrruar aq herë për këto tetë vitet e pasluftës. Piramida e OKB-së, sipas reportazhit i gjason kohërave perandorake dhe kanë krijuar si duket edhe perandor " me vesh në thembra".

Mjerisht " andej e këndej" shqiptarët i përcjell një fat i keq. Sa mendon se hë tani, bëmë diçka të bukur ngritet një medium dhe ta fut flakareshë duke ta ngjeshur me "sahatin e Bushit" ose të diçkaje tjetër.

Një dele duke kërcyer gardhin iu ngjit bishti lart dhe disa dhi ia panë. Filluan ta përqeshin.

- Ç´keni zonja, unë ua shoh përditë dhe su bë nami, ua kthen delja...

Reportazhi për " Kosova koloni" është shumë realist, puna e sahatit, sikur është sqaruar, por edhe dhitë duhet ta kenë kuptuar "zbulesën" e vet.
Ua, se ç´shkruaj edhe unë sonte!Jemi bërë si katror i rrethuar!

4 kommentarer:

ELAIS sa...

Çfar faji kam unë kur mbreti ynë ka veshët në thembër....
- me pelqeu shkrimi.

Nese nuk perton te lutem vure pak linkun e artikullit te DN ne postin tend.

Shuquri Sejdijaj sa...

Deri më tani janë botuar 3 seri nga e diela e kaluar.

Seria e parë mban titullin "Mirëse vini në Unmikistan" dhe e gjeni në këtë link:

http://www.dn.se/DNet/jsp/polopoly.jsp?d=2502&a=659472

Seria e dytë " Shteti i OKB-së dhe shtatë hajdutët "
http://www.dn.se/DNet/jsp/polopoly.jsp?d=2502&a=660203

Seria e tretë " Në Kosovë OKB-ja qëndron mbi ligjin"
http://www.dn.se/DNet/jsp/polopoly.jsp?a=660904

Seria e fundit botohet të shtunën.

ELAIS sa...

Faleminderit!

Shuquri Sejdijaj sa...

Maciej Zaremba
(Të tre artikujt i shqipëroi Shqiptar Oseku)

I pari nga 4 vazhdimet e reportazhit ”Kosova koloni” në gazetën ”Dagens Nyheter”

MIRËSEVJE NË UNMIKISTAN!

Ky ishte shansi i madh dhe misioni i madh i OKB-së. Unmiku do ta ndërtonte
Kosovën e ardhme prej rrëzës. Tetë vjet më vonë, shumëkush në Kosovë
dëshiron ta flak kolonializmin e kaltër. Në katër reportazhe, reporteri i
shpërblyer Marciej Zaremba e heton një dështim gjigand.

Shoferi i taksisë shan gjermanisht dhe godet timonin. Përreth ushton jehona
e borive. Një Nisan Patrol i madh e ka bllokuar udhëkryqin. Aty brenda një
thatanik me grada e tund marshin dëshpërimisht. “Ja tash prapë!”, ulurin
shoferi im. Pastaj i plas diçka në bark dhe fillon të qeshë. “Ha ha, së pari
turqit, pastaj serbët – e tash? Na ka invaduar Pakistani! Na ndihmo o Zot!
Ku jemi kështu? Kësaj i thonë Katanga afrikane!”

Mu kështu uluriu. E se si i erdhi ndër mend Katanga, këtë s’e di as vet.

Po ku ndodhemi, vërtet? Polici që s’mund të grah kerrin është pakistanas,
shihet nga uniforma. Aeroporti ku aterrova është islandas. Ndërsa kalojmë
nëpër rrugën kryesore të quajtur Bill Clinton (portreti i të cilit na qesh
nga fasadat) në mobil më plingon një mesazh ku më dikush më dëshiron
mirëseardhje në Monaco. Te semafori tjetër më plingon prapë. Tash jam i
mirëseardhur në Serbi.

Sikur të mos e dija se ku jam, sikur të më kish shkarkuar dikush këtu, a do
ta gjeja se ku jam? Sigurisht që jo. Udhëzimet e zjarrfikjes në Grand Hotel
të Prishtinës janë në shumë gjuhë, veç jo në gjuhën e pastrueses.

Por edhe ky është një informacion. Në këtë vend, s’qenka menduar që edhe
vendasit mund të flejnë nëpër hotele.

Por kur të del gjumi në mëngjes nga një tingul i mnershëm prerës, që sikur
vie nga vemëzat e ndryshkura, e kupton përnjëherë se ku ndodhesh. Prapa
dritareve të hotelit ngritet një re e zezë, që kredhet, kthen, gjuhet anash.
Korbat e njohur të Prishtinës… Dikur moti, provinca Kosovë e mori emrin e
vet nga mullizezat. Tashti është invaduar edhe nga korbat. Thonë se kjo
ndodh për shkak të kufomave.

“Revolucion”, më thotë Albin Kurti duke pirë kapuçino, “do të bëjmë
revolucion”. Kur e thotë këtë për herë të tretë, njerëzit nisin të këqyrin
kah ne. Ata e njohin, na japin vështrime memece, por i mprehin veshët.

Ai s’të duket si revolucionar. Duket si student i moshuar nga Berkeley. Pak
i rrumbullt nga orët para datorit, syze, lëkurë të zbehtë, duar të buta e të
bardha. Por pamja mashtron. Albini Kurti është idoli i rinisë, e kjo s’është
pak diku çdo i dyti është nën 25 vjeç. Para dhjetë vjetësh, kishte frizurë
rasta e u printe protestave studentore kundër Millosheviçit. Kur i dështuan
aksionet paqësore, u bë përkthyes i të huajve e ideolog i UÇK-së.

Tashti ai ka aq njerëz sa ta tapetojë tërë vendin me fjalën Vetëvendosje, që
është emri i lëvizjes së tij. Askush nuk dyshon se mund të nxjerr popullin
në rrugë.

Albin Kurti na siguron se revolucioni i tij do të jetë paqësor. Njëqindmijë
njerëz do ta rrethojnë UNMIK-un, policinë dhe Gjykatën Supreme. Do të
qëndrojnë sa të ketë nevojë. Një javë, një muaj. Pastaj kolonializmi do t’ia
mbath; ai që po ia copëton vendin, po ia vjedh bashkëqytetarët, e po ia
dhunon femrat. Nëse dua ta di se ku kanë shkuar paratë e Kosovës, thotë
Kurti, duhet të shikoj vilat e reja në Londër. Apo në Amsterdam. Nëse dua të
mësoj për moralin e pushtetit kolonial, duhet të shkoj në bordelet e
Prishtinës. “Ato nuk ekzistonin fare më parë.”

Jashtë endet xhipat, agregati i dizelit ushton, Albin Kurti më citon
deklaratat e OKB-së, Malkolm X dhe liderët e luftërave antikolonialiste. “Të
gjithë kanë të drejtën e vetëvendosjes!” Mund të ishte fare lehtë Kongoja e
viteve 1960. Por jemi në Kosovë, dy hapa prej Romës. Dhe pushteti kolonial
që u dashka flakur jemi ne – unë e ti, lexues i dashur. Dtth edhe Suedia,
ithtarja më e flaktë i një OKB-je e cila ka tetë vjet që sundon Kosovën; apo
Unmikistanin në slangun lokal, mbas fjalës UNMIK: United Nations Interim
Administration Mission in Kosovo.

Kur OKB-ja zbarkoi këtu para tetë vjetësh, na pritën si çlirimtarë. Që
atëhere, ka suedezë që janë plagosur e kanë vdekur për këtë mision. Afër 1
md euro (ndihma më e lartë per capita në historinë tonë) i kemi shpenzuar
për siguri, shtet ligjor, ndihmë ikanakëve, arsim dhe zhvillim ekonomik. E
tashti na ndodh që të na pështyjnë, e të na sabotojnë kerrin. Në tetor na e
qitën një toalet para UNMIK-ut, duke na thënë që të dhjejmë aty, e jo mbi
tërë Kosovën. “Mënyra e vetëm për ta mbajtur Kosovën të pastër është t’ju
flakim juve prej këty”, na përshëndeste Albin Kurti.

Çka don ky njeri? Në bisedë me mua është mondan, i nuancuar e i kulturuar.
Madje ma citon psikoanalitikun francez Zhak Lakan. Në traktet e veta është
më brutal: ekziston një kolonë e pestë brenda vendit, serbët lokalë. Ata
thonë se i duan rehat kishat e veta, por ne e dijmë se ç’plane thurin ata…

Këso fjalë gjejnë terren në këto troje, ku “i huaj” gjithmonë ka qenë
sinonim për “armik” dhe ku protesti paqësor rrallë ka prurë rezultate.

Dikush thotë që Albin Kurti dëshiron të bëhet at i kombit, Garibaldi:
shtatore në qendër, e emrin në libra të historisë. Por shumëkush garon për
këtë status gjatë kësaj vere 2007: që të bëhet ndërtuesi i shtetit, burri që
me vendosmëri, dhelpëri apo dhunë ia pushtoi lirinë një populli të
poshtëruar. “Nuk duam mision të OKB-së në Kosovë, po mision të Kosovës në
OKB!”, thërret Kurti. Një avanturier? Ndoshta. Veçse ky zemërim kundër
UNMIK-ut mbi të cilin kaluron ai, nuk është shpikja e tij.

Lexoj te një buletin i OKB-së me titullin folës “Early Warning Report” se
sall 30 përqind të kosovarëve ndjejnë besim për OKB-në. Para katër vjetësh,
kjo shifër ishte dyfish më e lartë. Çdo i dyti është gati të merr pjesë në
proteste të organizuara kundër bashkësisë ndërkombëtare. Athua veç pse
OKB-ja s’po u jep atë shtet që e dëshirojnë me mish e shpirt?

Në ndarje, Albin Kurti ma jep një trakt. Janë udhëzimet për evakuimin tim.
“Ten Comandments of Evacuation” është lexim i hidhur për miqtë e OKB-së.
“Mos harro portretin e Kofi Ananit… Mos e merr ashensorin se ndoshta s’ka
rrymë, remember? Mos e çaj kokën për vendasit. Mendo veç për veten tënde,
ashtu si ke menduar tërë kohën këtu. Por para së gjithash, mos e harro
Kosovën. Se s’do ta gjesh kurrë më një mision si ky, ku ke mundur të sillesh
si ta ka dashur qejfi.”

Para se të ndahemi, Albin Kurti më thotë: “A të kujtohet Algjeria? Ata që i
shporrën francezët e kishin shkruar “liri, barazi, vëllazërim”, në flatroret
e veta. Ne do ta shporrim administratën e UNMIK-un duke u thirrur në idealet
e larta të OKB-së, që ju i keni tradhëtuar këtu në Kosovë”.

Unë në fakt erdha në Kosovë për shkak të idealeve. E pse besoja se s’ka vend
më të përshtatshëm prej ku mund ta shohim avenynë e ardhmërisë.

Misioni në Kosovë nuk është sall më i madhi në historinë e OKB-së. Ky është
edhe i vetmi ku bashkësia ndërkombëtare ka marrur përgjegjësinë e plotë për
një vend ku gjithçka ka kollapsuar. Pra kësaj radhe jo vetëm qaë sigurojmë
paqen dhe pompojmë ujë të pijes – e ndërtojmë një rend krejt të ri prej
zeros: prejmë ligje, stërvisim policë, vendosim shenja trafiku, shkruajmë
planprograme të shkollave dhe vjelim taksa. Shteti i parë i OKB-së pra,
provizor vërtet, por komplet, kur të gjitha parimet, prej barazisë para
ligjit gjer te ndalimi para semaforit të kuq, mund të sajohen pa asnjë
pengesë nga askush, për t’ua lënë pastaj të gatshme një demokracie lokale.

Nëse i besojmë Albin Kurtit, gjithçka ka mbaruar në skëterrë.

Ndoshta ai veç do ta njollos OKB-në? Paj, ai është revolucionar, e ka nevojë
për armiq. Por ja ke e kemi edhe Marian, një eksperte suedeze që vajti në
Kosovë si ithtare e OKB-së e u kthye me depresion klinik: “Imazhi im për
botën është rrëzuar. E kam humbur besimin. S’kam mundur të besoj kurrë se
njerëz të OKB-së mund të sillen në atë mënyrë”.

E si qenkan sjellur, pra? T’ia nisim nga efektet.

I numëroj kamarierët në kafe-barin e Grand Hotelit në Prishtinë. Si një tufë
e korbave melankolikë, ata rrinë ulur si klloçka rreth aklave të dritareve.
Janë njëzetenjë persona. E pra, është e natyrshme që u merr kohë ta gjejnë
mysafirin e vetëm në këtë mjedis. Një njeri më shumë s’luan rol.

Sipas statistikës, këta 21 shërbyes bëjnë pjesë në atë gjysmë të popullsisë
që ka punë. E njëjta vlen edhe për ata çuna pranë 660 pompave të benzinit ku
s’qaset njeri. Në vendin e OKB-së ka një stacion të benzinit çdo 6 km, një
rekord fantastik që zbulon se shumë prej këtyre ndërmarrjeve nuk merren sall
me karburante por – sikur edhe hotelet – lajnë para të pista të drogave,
armëve dhe trafikimit.

Në vitin e tetë të misionit ë OKB-së, pas mëse 22 md eurove të shpenzuara në
një rajon sa provinca suedeze e Skanisë (me popullsi veç 2 mil), lulëzon
ekonomia e zezë, ndërsa e bardha ëhstë para kollapsit. Ekziston një spjegim
standard i kësaj mizerie: për sa kohë që nuk është nxjerrur pavarësia prej
Serbisë, askush s’guxon të investojë në këtë vend. E besueshme. Por çfarë
investimesh u dashkan për të mbjellur tranguj!?

I shetis të gjitha tregjet për të gjetur produkte lokale. Sapuni – prej
Bullgarisë. Këmishat – prej Tajvanit. Ndoshta mielli? Çek. Uji i pijes nga
Hungaria. Brutoprodhimi kombëtar i Kosovës është më i ulët se i Ruandës,
prandaj të duket surrealiste të blesh domate turke e sallta italiane – në
një vend bujqësor arat e të cilit shtrihen bjerrur.

Pse janë kështu? Sepse, më thotë zotëri Bajrami në Odën Ekonomike, njerëzit
fitojmë më shumë duke u shitoru përtypës ndërkombëtarëve se sa duke punuar
tokën. Por edhe pse gjykatat e OKB-së as pas tetë vjetësh s’kanë arritur të
saktësojnë se kujt i përkasin arat. Së fundi, dhe kjo e zemëron më së
shumti, se OKB-ja e ka lejuar Evropën t’i plandos çmimet e artikujve të vet
ushqimorë në Kosovë. E pra, kjo ëhstë goxha e çuditshme: një litër qumësht
që vie prej Sllovakisë, sa vje e bëhet më e lirë gjatë rrugës. Një kanaçe e
importuar Coca-Cola këtu mund të blehet për sall 2 euro.

Më kujtohet shoferi që thërriste për Afrikën dhe kuptoj që e kishte me vend.
Ekonomia kosovare është tamam koloniale. Veçse afrikanët së paku i kishin
lëndët e para, për t’i këmbyer ato me rrobaqepëse. Kosova s’i ka as ato,
meqë xeheroret (plumb, zink, argjend) janë bjerrë. Është një simbolikë goxha
e qëlluar kjo që Kosova bukvalisht jeton nga mbeturinat. Produkti parësor i
eksportit janë hekurishtat. Por ky e mbulon sall një përqind të importit.

Si është e mundur athua që ky vend i OKB-së me qymyr sa ta ndriçojë krejt
Ballkanin, e ku janë investuar 3 md euro në dy elektrana, nuk prodhon rrymë
sa t’i mjaftojë as për veten, por ndotje 70 përqind më të larta se norma e
EU-së? Kosovës nuk i duhet shumë, 600 megavat, as sa prodhon një reaktor
suedez në Forsmark tamam jo. Por shumica kanë rrymë vec pak orë në ditë, e
disa fare.

Nuk do ta lodh më lexuesin me statistikë. Veç do t’i jap ca pamje të shkurta
që sinjalojnë nivelin e problemeve dhe dëshpërimin e njerëzve: Një lopë
franceze nga BE subvencionohet në Kosovë me 2.5 euro në ditë, e çdo i dyti
kosovar jeton me të tretën e asaj shume. Dhe e din që viti tjetër nuk do të
jetë aspak më i mirë. Nëse e plaçkisin, hajni nuk gjindet, ndonëse ky është
vendi më i dendur me policë në Evropë. Nëse kërkon tokën e vet, gjykata
ngrit supet: në gjykata ka 30 000 lëndë të pazgjidhura. Nëse sëmuret,
spitali i kërkon t’i merr me vete barnat e fashat. Nëse është serb a rom
mund t’i digjet edhe shtëpia – ndërsa ushtari i Natos bën sehir.

Po, këto kanë ndodhur, madje shumë herë. Një zhgënjim i pafalshëm, por
mjerisht aspak i pakuptueshëm.

Kam shpenzuar muaj të tërë për të kuptuar se ç’ka ndodhur me këtë mision,
vetëm për të zbuluar se ekziston një mënyrë më e lehtë: Merre një kuvendar
komunal suedez, tregoja Unmikistanin, hierarkitë, listat e pagave, shefat,
gjithçka – dhe pyete nëse mund të udhëhiqet kështu një qytezë suedeze. “E
paimagjinueshme”, më është përgjegjur ajo, “nëse s’do që qytezën ta marrin
në dorë bandat e motociklistëve.”

Në fakt nuk ka ndonjë spjegim të thjeshtë për këtë debakël, por ekziston një
monstër, njëfarë metode fantazmë në tërë këtë çmendi. Në këta artikuj, kam
vendosur t’ia kërkoj emrin kësaj metode.

Misionet e OKB-së janë të vështira për t’u vlerësuar, meqë janë ikëse.
Bashkësia ndërkombëtare ka trup të madh por kujtesën e zogut. Përgjegjësit
ndërrohen gjithnjë, raportet harrohen, shikimi drejtohet gjithnjë qëllimisht
para, qysh viti i kaluar quhet histori antike. Kosova është përjashtim nga
ky rregull. Për herë të parë, ne dimë për gabimet tona, madje më shumë se
duam të dimë. Për fat të mirë, dy fenomene suedeze janë shkaktare të këtij
dallimi.

I pari quhet Inga-Brit Ahlenius. Kur ajo u bë tepër e pavarur për shijen e
qeverisë Persson, në nëntor 2003, iu dha detyrë të ndërtonte zyrës e
auditorit në Kosovë. Fenomeni tjetër quhet Ombudsmani i Drejtësisë, një
detyrë kjo që parlamenti suedez e themeloi më 1809. Kofi Ananit iu duk që
Kosovës do t’i bënte mirë një institucion që do ta mbikëqyrte OKB-në. Por
askush s’mund ta dinte se personi që do t’ia jipnin detyrën do ta merrte atë
me aq seriozitet.

E para gjë që bëri Inga-Brit Ahlenius në Kosovë ishte ngritja e tabelave:
“Kurrë mos harroni se çdo cent i shpërdorur është vjedhje prej të varfërve.
Gustav Möller (1884-1970), ministër social suedez.” E pasta, zonja Ahlenius
tok me OLAF-in, që është organ antikorrupsion i BE-së, u vu ta hetonte
aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës. Ata besonin se hetimet do të mirnin
gjashtë muaj. Ato morën përmbi dy vjet.

Kur u përmblodh raporti më 2006 nga zonja Ahlenius, që atëbotë ishte bërë
shefe e auditimit për tërë OKB-në, në OKB shpërtheu stuhia. Sipas raportit,
një numër i zyrtarëve e kishte plaçkitur me vjet ndërmarrjen. Korrupsioni
dhe keqdrejtimi ishin “sistematike” por mund të vazhdonin pa dënim meqë kreu
i OKB-së në Kosovë nuk krijonte rutina të kontrollit dhe s’lodhej për të
ndërhyrë kundër mashtrimeve dhe korrupsionit: Guvernatori i Kosovës i kishte
marrur 33 raporte për keqësi, por i kish strukur shumicën prej tyre në
sirtar të tavolinës.

Nëse OKB-ja vazhdon ta injorojë korrupsionin e vet, paralajmëroi Ahlenius,
atëhere kjo do ta kërcënojë tërë misionin.

Njerëzit në Kosovë këtë e kishin kuptuar qysh moti. Lëmshi në aeroportin e
Prishtinës ishte fejton në shtypin lokal: mitot për viza, për punë, taksa të
zhdukura për transport, nepotizmi… Por tek tashti do të niste fshesa, apo
jo?

Veni re vazhdimin. Guvernatori Jessen-Petersen u hodh në kundërsulm. Në
aeroport s’ka korrupsion, tha ai, raporti ishte i pabazë, ishte humbje kohe
ta përmendje kot. Aerporti ishte një ndërmarrje e mbarë, madje storje e
suksesit. Jessen-Petersen ishte i kënaqur pse kish zbatuar 21 prej gjithsejt
74 rekomandimeve të UNMIK-ut.

Pa të shohim pak se çka iu pat dukur Jessen-Petersenit e paarsyeshme për t’u
dënuar, e madje edhe për ta përmendur.

Aeroporti në Prishtinë ka sot trafik sikur ai në Luleo, portin polar të
Suedisë. Por ndërsa në Luleo ka 100 të punësuar, në Prishtinë janë mbi 500.
Ata u bënë kaq në kohën e Jessen-Petersenit. Atij ia dhanë me kohë një
raport (377/04) se çka ishte shkaku. Ai s’bëri asgjë. Mua më mori 6 muaj ta
nxjerr këtë raport sekret nga OKB-ja në Nju Jork. Ai është i shkurtër, tërë
emrat janë fshirë. Por me ndihmën e burimeve nga Prishtina, mund ta
rikonstruktosh tërë vargun e ngjarjeve.

Aeroportit i duhet një shef i personelit. Sipas rregullave të OKB-së,
vendpunimi duhet të anonsohet. Por drejtori britanik Ioan Woollet e merr një
jaran të vetin, ta quyyajmë Smith. Pastaj nis një veprimtari e ethshme.
Gjatë verës 2004, Smithi punëson tre veta në ditë. Disa dinë pak anglisht,
tjerëve u mungon çdo kualifikim por do ta përforcojnë nënndarjen e
ekonomisë. Gra jashtëzakonisht të bukura, vërejnë dëshmitarët. Madje disa
janë fituese në gara bukurie.

Pas katër muajsh, personeli është dyfishuar, nga 23 në 486 vetë. Janë gati
200 vetë më shumë se ç’duhet. Por atëhere mr Smith e ka lëshuar Kosovën (për
të shërbyer në Sudan). Edhe mr Wollett ia ka mbadhur nga Unmikistani. Askush
s’e di saktësisht se sa para e vjelën në Kosovë, por dihet që ishin miliona.
Mitoja për punësim në aeroport ishte mnes njëmijë e tremijë euro. Por femrat
atraktive mund të paguanin edhe me “shërbime intime”, thonë burimet
prishtinase. Pos britanikëve, edhe nja dhjetë vendorë ishin të përzier në
këtë treg të shërbimeve.

Le t’i kujtojmë premisat. Pas urrejtjes etnike, korrupsioni është problemi
më i madh i Kosovës. Ai e shtjerr ekonominë dhe e zgropon drejtësinë. E
megjithatë, një grup i individëve guximtarë veprojnë mu ashtu si i ka
këshilluar OKB-ja. Ata e sfidojnë shoqërinë vendore (“mos fol keq kurrë për
të tutë”) dhe marrin mbi krye rreziqe të mëdha kur flasin me hetuesit. Një
person është vrarë tashmë. Se ç’i kërcënon femrat, këtë as që kam nevojë ta
them. E pra, këta meritojnë admirim dhe mbështetje. Por shih se çfarë
“keqkuptimi”. Del se kriminelët gëzonin mbrojtjen e OKB-së.

Ata që i besuan OKB-së e kanë marrë një leksion që zor se do ta harrojnë.
Natyrisht që pyet njeriu, pse ndodh kështu? Mos ishin Jessen-Peterseni dhe
burrat e tij ndoshta të kërcënuar nga mafia lokale? Kjo së paku do të ishte
dramatike. Por druaj se shkaku ishte më i trivial se kaq.

Jessen-Peterseni ishte guvernatori i pestë i Kosovës brenda poaq viteve.
Tingëllon e pabesueshme, por duket qartë që OKB-ja mendon se mund ta
ndërtosh një shtet me punësime të përkohëshme. E pra, si rezonin një
guvernator i huaj, që llogarit se mund të rrijë sall një vit a dy, e që ia
ka vënë syrin një pozite më të majmë? Ngrit tonin, flak nga puna kolegët e
korruptuar, grindet me kumbarët e tyre në Nju Jork? Rrezikon raporte
negative? Apo është më mirë të raportosh suksese?

Në vjeshtën 2005, Jessen-Peterseni shpreson të bëhet kreu i UNHRC-rë, pra
mbrojtës i parë i të drejtave të ikanakëve. Atë vjeshtë, ai hedh poshtë të
gjitha njëmbëdhjetë propozimet e OIO-së për luftim të korrupsionit.
(Propozimi i nëntë, për shembull, sugjeronte që punësimet të bëhet në bazë
meritash.)

Raporti i tij vjetor për KS të OKB-së nuk flet asgjë për realitetin e
përditshëm të provincës. Por si reklamë për vet Jessen-Petersenin, ai raport
është kryevepër.

(vazhdon)

Autori Maciej Zaremba është kontributor i rregullt në ”DN”. Ai është shpallur
dy herë Gazetar i Vitit nga Shoqata e gazetarëve të Suedisë.

Vazhdimi i dytë:

UNMIKISTANI E DYZET HAJDUTËT

Tetë vjet pas nisjes së misionit të OKB-së, Kosova vuan nga korrupsioni,
kaosi dhe varfëria. Megjithatë është lehtë të bëhesh milioner – me para të
ndihmave. Për këtë, si dhe për ata që majen, bën fjalë artikulli i dytë nga
seria e Maciej Zarembës.

Një ditë në dhjetor, zonjës Hisari i hesht telefoni. “Duhet ta paguani
llogarinë”, i thonë në telekomin kosovar. Por kjo nuk është llogaria ime,
spjegon zonja Hisari. Është e herr Trushlerit, që ka banuar te unë me qira.
Xho Trushler, të gjithë e njohin atë.

Herr Trushler është goxha i njohur në Kosovë. Është kreu i ndërmarrjes
energjetike KEK, të përmendur vazhdimisht për prerjet e rrymës. Telekomi e
kontakton zotin Trushler. “Nuk është llogaria ime”, përshëndet ai. “Por ju
keni banuar te zonja Hisari dhe thirrjet janë për në Gjermani.” “S’e di fare
se për çka flisni”. As nuk lëkundet madje as kur nëpunësit ia shpien
dëshmitë se thirrjet kanë qenë për në adresën e shtëpisë së tij në Bohum të
Gjermanisë. Ai s’do të paguajë, e basta!

Zonja Hisari është 60 vjeç, e vejë, pa të hyra. Në momentin e shkrimit s’e
kam saktësuar ende sa e ka pasur rrogën Trushleri kur ndodh kjo, por është
diku mëse 20 000 euro përafërsisht. Para të ndihmave. Agjencia suedeze për
zhvillim ndërkombëtar e mbështet ndërmarrjen e drejtuar prej tij, BE-ja ia
paguan rrogën, gjithçka nën mbikëqyrje të OKB-së që ka ardhur në Kosovë për
të garantuar drejtësi, siguri, e të drejta njerëzore.

Andaj, zonja Hisari nuk dorëzohet. Ajo i shkruan OKB-së në Kosovë. U sa keq,
i thonë, por OKB-ja s’ka përgjegjësi për aferat private të personelit.
Atëhere zonja Hisari e padit gjermanin në gjykatë. S’ka zgjidhje tjetër,
llogaria është 6.900 D-mark, rroga mesatare e dy vjetëve për shqiptarët.

Fatkeqësisht, përgjegjet gjykata, ne s’kemi autorizim ta gjykojmë zotin
Trushler. Ai punon për OKB-në dhe ka imunitet në Kosovë. E mund t’i lë
llogaritë pa paguar? E po, si duket... a jo, prit pak, imuniteti i tij mund
të pezullohet. Nga Kofi Anani. Pse a mos do ta shqetësojë edhe atë zonja
Hisari shkaku i një llogarie?

Kjo ndodhi më 2001. Më 2007, OKB-ja është nisur ta lëshojë Kosovën. Misioni
i ndërtimit të një shteti ligjor quhet pothuajse i mbaruar. Kofi Anani e ka
lënë detyrën e vet. Telefoni i zonjës Hisari mbetet i heshtur. Ajo vetë
është bindur tashti se OKB-ja janë një bandë hajdutësh.

Unë kam gjetur që përvojat e zonjës Hisari me OKB-në ndahen nga shumëkush.
Kjo e spjegon pse rinia kosovare sot vendos shirita policorë “Skenë krimi –
mos u avit” përreth ndërtesës së UNMIK-ut. Arsyen e hidhërimit të tyre do ta
spjegoj në artikullin e ardhshëm. Por së pari le ta ndjekim herr Trushlerin
edhe një copë here.

Ai ka dy shefa të OKB-së mbi veten. Viceguvernatorin e Kosovës Andy Beapark,
për shembull. A s’lodhet ky fare për fytyrën e OKB-së? Kur gjermani e
turpëron misionin (llogaria e zonjës Hisari bëhet fejton në shtypin lokal),
pse s’e detyrojnë të paguajë? Apo pse s’e këqyrin nëse ai vërtet është njeri
i përshtatshëm për t’i adminstruar paratë e ndihmave?

E pra, pse? Them se përgjegjen duhej ta jipte një prokuror i gjyqit. Dy vjet
më vonë (!) Xho Trushler e lëshon Kosovën. Me vete i ka marrur 4.3 mil USD,
të transferuara në ndërmarrje falso në Gjibraltar.

Kur auditorët e OKB-së nga Nju Jorku të mundohen ta rekonstruojnë se ç’ka
ndodhur, zbulojnë se burri që e ka drejtuar dy vjet KEK-un s’kishte
kompetencë për detyrën e besuar. CV-ja e tij ishte falso. Ai nuk ishte
inxhenier. As ekonom. As kishte studiuar në Boston e Floridë, as kishte
doktoruar në Aachen. As që kishte përvojë dhjetëvjeçare si ndërmarrës
privat. E si edhe ta kishte, në moshën 33 vjeç!? Xho Trushler ishte një
mashtrues recidiv gjerman, me nja dy ndërmarrje falso.

Nëse do të kuptosh pse Kosova pas tetë vjetësh udhëheqjeje nga OKB-ja dhe
miliarda në ndihma ndodhet ende në gjendje mizerje, duhet ta studiosh
detajet rretj aferës Trushler. Si e mori punën? Hetuesit zbulojnë se askush
s’ia ka kontrolluar meritat. Pse? Hetuesit nuk e hetojnë këtë pyetje.

Por hetuesit zbulojnë që Trushleri i ka paguar pasardhësuit të vet një shumë
të majme. Që ky pasardhës nga Kanadaja e ka pranuar. Ai s’mund ta spjegojë
këtë transaksion të parëndomtë. Ishte dhuratë private, thotë ai kur hetuesit
befas zënë ta pyesin. Vërtetë, 200 000 USD, për asgjë? Ashtu or.... që thua
ti, herr Trushler mendonte që bija ime këndonte shumë bukur. Andaj i dha një
donacion karrierës së saj si këngëtare...

Ndale filmin! Pa mbaruar pra ende punë me Xho Trushlerin, OKB-ja vete e
punëson një figure tjetër komplet ireale. Rastësi?

Kur auditorët e hetojnë edhe këtë, ata përdorin një replikë nga Xhejms
Bondi. Ky Trushler, thonë ata, ishte pajisur nga Unmikistani me “licence to
steel” – licencë për të vjedhur. Askush s’e kontrollonte, çdo mbikëqyrje
normale ishte jashtë efekti, shefat e lartë kishin pushtet absolut – por
s’merreshin kurrë në përgjegjësi.

Ishte kjo një diagnozë irrituese në vjeshtën 2003, që do të vërtetohej prapë
sall pak më vonë. Ata që e kishin punësuar Trushlerin mund ta lëshonin
vendin me lavdata e me pasuri përrallore në xhep. Viceguvernatorit Andy
Beapark, që refuzoi gjer në fund të vepronte kundër Trushlerit, madje iu dha
besimi ta rindërtojë Irakun.

As Xho Trushleri nuk u dënua në Kosovë. Madje ai u dënua më shumë shkaku i
arsyeve dytësore. Gjyqësia gjermani ia nguli kthetrat kur u mor vesh se ai
kishte gënjyer se qenkesh doktor. Doktor gjerman! Për këtë krim, e për
mashtrime tjera, atij i dhanë 42 muaj në burg.

Edhe UNMIK-u u hetua me këtë rast. “Mungesë e dukshme e mekanizmave të
kontrollit”, u tha. “Lehtë për njerëz pa merita që të marrin detyra të cilat
s’do t’i kishin tjetërkund. Mjafton ta njohësh dikënd që e njeh dikënd”, etj
etj. E pra, meqë arka e hapur e bën hajnin më të guximshëm, atëhere gjykata
ia zbuti dënimit Xho Trushlerit.

“Kush nuk ik prej Kosovës me xhepat plot, ose është budalla, ose shenjt”, më
thotë Y. “Kosova është plehurishte e politikanëve të dobët e eldorado për
hajna”, thotë X. “Disa vjedhin krejt haptazi, të pafytyrë e të pangopur si
fëmijë. Së shpejti do t’i ulin pantallonet për ta bërë në mes të rrugës”,
thotë N. “Kam qenë në plot misione të OKB-së, por asnjë kaq i kalbur sa ky”,
thotë Z.

Këta katër vijnë nga vende të ndryshme dhe kanë (apo kishin) pozita qendrore
në UNMIK. Por askush s’kishte vështrim më të qartë se Marie Fuçi, e cila më
2004 ishte drejtore ekzekutive e Agjencisë kosovare të mirëbesimit, dado e
të gjitha ndërmarrjeve publike.

“Njeriu në rrugë sot e ka gjendjen më keq se sa para se të vinin diplomatët
perëndimorë me para që Kosova s’i kish parë kurrë”, thotë Marie Fuçi. “Ata
që kanë fituar nga ndihmat s’janë kosovarët, po mafiet, një grusht i
politikanëve lokalë, si dhe një varg i administruesve qyqarë e inkompetentë
perëndimorë”. Fuçi pohon se paratë e taksave tona janë shpenzuar në projekte
“që s’e kanë ndihmuar qytetarin e Kosovës, por e kanë majur nomenklaturën e
Kosovës dhe të OKB-së”. Ajo rrëfen se si gjysma e orarit të saj të punës i
shkonte për të kontaktuar agjenci të ndryshme antikorrupsion, “shumica krejt
inkompetente”. Gjersa ajo më në fund u shpall persona non grata brenda
OKB-së.

Marie Fuçi e fajëson OKB-në. Por thotë se edhe BE-ja dhe USAID-i janë
bashkëfajtorë për korrupsionin, meqë i shkepin fondet e taksapaguesve pa
këqyrur si pëdoren.

“Korrupsion” është një nocion relativ. Veç kur fillova të gërmoj në raste
konkrete, nisa ta mësoj thellësinë e mizerjes. Atë realizim nuk mund t’jua
ofroj juve duke stivuar mbiemra. Andaj ke durim, të lutem. Më lejo ta tregoj
rrëfimin për dyzet hajdutët, nga libri “1001 mënyra për ta plaçkitur
Kosovën”. Disa janë tashmë publikë, disa i kam zhvarrosur vet.

Profitorin e parë, le ta quajmë Bo Olson. Ai është nga lloji modest, i
pranishëm gjithandej. Në atdheun e vet ndoshta ishte nëpunës i shtruar. Në
Kosovë arrin si konsult major pranë telekomit PTK. “Në fakt ai vend pune
duhej të anonsohej. Por unë e njoha një në Bangkok, që e njihte shefin
austriak në Prishtinë” më spjegon vet Bo Olsoni. Dhe çka ka punuar ky në
Kosovë? “U jipja këshilla si ta organizojnë punën... e ju ndihmoja si t’i
shkruajnë konkurset e punës.”

“Ai nuk e meritonte as çerekun e rrogës”, më thonë gjindja në vendpunimin e
tij. Mund ta marr me mend. Rroga ishte 11 euro në muaj. Po, për Zotin! Atë
rrogë ia kish prerë cubi numër dy, Lama Xhema. Ajo bën pjesë në kategorinë e
entuziastëve vendorë që OKB-ja i ka plasuar në drejtim të ndërmarrjeve. Meqë
ajo është shqiptare, i jipet rrogë e vendorëve, 1 000 euro në muaj. Por
është e lirë të punësojë “konsultë” nga bota e jashtme për dhjetëfish më
shumë. Kështuqë ajo i punëson një dyzinë syresh, tregon Olsoni. Lexuesi
besoj i bie vetë në fije aferës. Dhe vërtet: kur zonja Xheme dhe zoti Olson
vendosen në paraburgim, ai s’ka para për ta paguar gjysmë milioni kaucion,
por ajo ka.

Sa Bo Olsona ka Kosova? Inga-Brit Ahlenius, shefe e auditimit qendror të
OKB-së në Nju Jork, ka hetuar se si punësohet personeli i UNMIK-ut. Mes
viteve 2003 e 2005, për 1.758 vende të punës në Kosovë konkuruan 403.792
persona. Shkurt, 229 kërkues për çdo vend pune. Një studim ka zbuluar se
gjashtë nga dhjetë të punësuar janë pranuar ashtu si Bo Olsoni, nga dikush
që e njihnin, pa merita, e pa u shpallur anonsi për vendin e punës.

Lloji i tretë i cubave është familjar me dy të parët, por më i pafytyrë. Do
të thoja: më i adaptuar ndaj ambientit lokal. Ai quhet Gavin Xhefri dhe
është drejtor ekzekutiv i ndërmarrjes së njëjtë. Ai e anashkalon shefin e
ekonomisë dhe e importon një të njohur të vetin nga Londra. Ky rri nëntë
muaj, luan përditë poker në internet, si rrëfejnë kolegët, por i mer 16 000
euro në muaj plus veturë zyrtare plus – përnjëmend a! – një shumë shtesë për
të marur veturë me qira. (Nuk besova se ish e vëretë gjersa s’e pashë
kontratën me sytë e mi.) Ndoshta nuk jam fin po t’ju kujtoj që paratë vijnë
nga ai buxhet që duhet t’i mbajë 1 mil kosovarë që jetojnë me më pak se 2
euro në ditë?

Tipi i katërt i cubave ia vë syrin një preje më të majme dhe prandaj guxon
të përball ca rreziqe. Si britaniku Roxher Rejnollds, shef i OKB-së nga po
kjo ndërmarrje. Ai e gjen një partner që quhet Norway Invest. Rejnolldsi i
paguan 300 000 euro shefit të NI-së Ove Johansen, si kapar për një kontratë
të premtuar disamilionëshe. Partneri i ri quhet se do ta ndërtojë telefoninë
mobile. Pastaj Rejnolldsi e falënderon OKB-në për besimin e dhënë dhe kalon
në firmën norvegjeze me pagën 20 000 euro në muaj – nga ato para të Kosovës
që ia ka kontraktuar vetë firmës norvegjeze.

A bën vërtetë të bësh kështu, ngrisin kushtrimin gazetat lokale. Posi, pse
s’bëka, njofton viceguvernatori Andy Beapark. Ai për vete nuk sheh këtu
konflikt interesesh.

Këtu është momenti ta lehtësojmë pak atmosferën. Në Kosovë nuk është keq
gjithçka, fundja edhe në përralla të trishtuara ka zana të mira. Në Kosovë
ato flasin italisht dhe ngasin Alfa Romeo. E çfarë fati se, kësaj radhe ato
arrijnë në kohën e duhur. Një mëngjes, tri vetura të zeza ndalojnë para
Norway Investit, e prej tyre dalin tetë individë në kostume të zeza. Janë
policë nga Guardia di Finanza italiane, që për pak orë zbulojnë se drejtori
ekzekutiv Ole Johansen, që kish një vit që po kontraktonte me OKB-në, në
vendin e vet s’paskësh leje të hap as kiosk të hamburgerëve. Ai është
kriminel me ndalesë të ushtrimit të zejes si ndërmarrës. 9 mil krona
norvegjeze në borxhe dhe 45 mil në asete të përmbarueshme. Kështu Kosova
shpëtoi pahiri prej Johansenit. Veçse, asaj s’iu kthyen 300 000 eurot e
kaparit.

“Kur korrupsioni kap gjashtë shifra, është lokal. Kur i kap shtetë shifra
është në OKB”, pohon Albin Kurti, kreu i lëvizjes rinore Vetëvendosje, që
kanoset ta flak OKB-në nga Kosova. Fatkeqësisht, ai ka të drejtë. Ja një
rast tjetër. OKB-ja ia kontrakton firmës irlandeze ESBI misionin që ta
zgjidh problemin makabër të energjisë në Kosovë: KEK-u humbet 700 mil euro
në vit, livron 5-6 prerje rryme në ditë, e arrin ta inkasojë sall çdo të
dytin kilovat. Irlandezët qëndrojnë tre vjet, inkasojnë 10 mil euro në paga
konsultësh, dhe e lënë KEK-un ashtu siç e kishin gjetur. Kosova nuk ka ku të
ankohet. Në kontratën sekrete nuk shkruan askund se ESBI-ja duhet të arrijë
ndonjë rezultat. Ata morën paga veç... për të ndejtur në Kosovë!

“Kjo është shkelje e detyrës zyrtare”, thotë një jurist. Detyra zyrtare e ka
një pronar, qytetarin e Kosovës. E shkelësi i detyrës është OKB-ja, që së
pari e lidhi kontratën, pastaj e zgjati, përkundër protetave të vendorëve.
Miku im jurist është njeri melankolik. Ai ëndërron që një ditë dy Alfa Romeo
të zeza do të parkohen edhe para selisë së OKB-së. Por ai e di që kjo s’do
të ndodh kurrë.

Unë për vete besoj që ato s’do të parkohen kurrë as para qeverisë islandeze.
“Islandezët po e plaçkisin ndërmarrjen e aeroportit”, alarmonte një ekonom i
OKB-së pranë OLAF-it (Zyra e BE-së për antikorrupsion). Posi, e plaçkisin që
ç’ke me të, por me bekimin e krerëve të OKB-së.

Në botë quhet se enti ajror i Islandës ICAA e ka marrur në dorë aeroportin e
Prishtinës për sevap. Paj, dikush duhej ta bënte. Andaj ICAA ia huazon
licencat e veta dhe i mpreh rutinat, e mbikëqyr veprimtarinë, e përtërin
pistën e aterrimeve që të miratohet, etj. Sa miqësorë, sa solidarë, këta
islandezët... Por pas ca kohësh, kosovarët nisin të kruajnë kokën, athua pse
s’po e kryejnë më punën mirëbërësit. Sa kohë iu dashka atyre ta ngrisin një
gardh përreth aeroportit!? Gjashtë muaj? Tre vjet më vonë, kjo s’është bërë
ende.

Kosovarët nuk e dinë, por islandezët nuk kanë nxitim. Ata i kanë ngritur
mëse 15 mil euro në mëditje e paga konsultësh. E ca më shumë do të ngrisin
edhe në të ardhmen. Kjo shumë është çereku i shpenzimeve të mjekësisë
kosovare, por kush lodhet. Në kontratën sekrete të OKB-së me ICAA nuk ka
asnjë afat kohor. Kontrata zgjatet automatikisht çdo vit. Le që islandezët
marin haraç në çdo kontratë të aeroportit me palë tjera afariste. Sa herë që
ndërmarrja e aeroportit porosit datorë apo konsultë tjerë, në Islandë
inkasohen 15 përqind të qarkullimit.

Dikur moti, bota kishte njëfarë rregulli. Italianët ishin të korruptuar,
skandinavët ishin të ndershëm. Por në Kosovë, nocioni “the Viking mafia” i
përmbledh profiterët danezë, norvegjezë, suedezë e islandezë. Ndërsa
qytetarët i luten Allahut që ata të zihen me presh në dorë nga italianët e
pakorruptueshëm.

Cubi më i madh në përrallën e zezë të Kosovës nuk është ai që duhej të
ishte, një kriminel i përveçëm. Por një shtet demokratik. Franca, nën
drejtimin e socialistit Lionel Zhospën.

Sapo u bë e qartë, në verën 1999, se OKB-ja do të hynte në Kosovë, e se një
ministër francez (Bernar Kushneri) do t’i printe aksionit, qeveria e ngriti
një komitet të veçantë, Mission interministérielle pour l’Europe du Sud-Est
(Miese). Detyra: të parandalohet përsëritja e Bosnjes. Veçse jo ashtu si
mendon ti, lexues i nderuar. Në Bosnje, Franca dha 17 përqind të ndihmave,
por mori sall 5 përqind të kontratave për ndërmarrje franceze. Në Kosovë
duhej ndryshe.

Franca “duhet të japë me një dorë, e të mer me tjetrën”, shkruan
katërçipërisht ky komitet. Por duhet nxituar, duhet të jemi të parët në këtë
“treg bingo” ku “gjithçka shitet më shtrenjtë shkaku i mjerimit”.
Sipërmarrjet franceze marin bekimin e qeverisë për t’i veshur nëpunësit e
vet në uniformat e K-Forit, qëllimisht për të ngritur gardhe karshi
konkurrentëve dhe për të “etabluar kontakte”. Duhet krijuar edhe vullnet të
mirë, andaj “s’duhet përtuar që aty-këtu t’ia vëmë krahun edhe ndonjë pune
humanitare.” Po, pikërisht kështu shkruan – germë për germë. Që thua ti,
gjuha frënge e ka nganjëherë një qartësi të lakmueshme.

Miese këqyr që t’i përdor kanalet e veta në OKB, në BE, e pranë Bankës
Botërore, ashtu që misioni të shpërblejë ndërmarrjet franceze. Nevojat e
ndihmave duhet formuluar në mënyrë të përshtatshme. Jo si në Bosnje, ku
OKB-ja shpalli konkurs për minaheqje me qen, pa u lodhur fare pse
ndërmarrjet franceze janë specializuar në minapastrim pa qen!

Dhe oilá – çfarë suksesi fantastik. Tre vjet më vonë, Franca është në vendin
e 13-të mes donatorëve (larg pas Suedisë) por i kishte zhvatur 30 përqind të
gjitha kontratave të UNMIK-ut. Të shohim pak se si mund të shkonte puna.

Kur arriti Bernar Kushneri në Kosovë, në verën 1999, vendi nuk kishte
telefoni. Siemensi gjerman dhe Alcateli francez dorëzuan ofertat e tyre. Një
panel i ekspertëve vendorë e zgjedhin Siemensin. Oferta është më e lira dhe
nuk është koloniale. Gjermanët ofrojnë që ta ndërtojnë një rrjet në Kosovë
për një çmim fiks. Sipas ofertës franceze, rrjeti do të jetë pronë franceze
dhe do ta përdor numrin hyrës të Monakos.

Çka ndodh? Bernar Kushneri, ligjvënësi i Kosovës, shef qeverie e shef i
gjyqësorit në të njëjtin person, e zëvendëson drejtorin shqiptar të
telekomit me një Paskal Kopën, i cili ia jep kontratën Alcatelit. E vetmja e
mundshme, pohon Kopën, se veç Alcateli (në bashkëpunim me Monaco Telecom)
mund ta pajis Kosovën, që s’është shtet, me një numër hyrës..

Rezultati: pas shtatë vjetësh, Kosova e ka telefoninë më të keqe e më të
shtrenjtë në kontinentin e Evropës, konstaton Këshilli i Evropës. Por sa
herë që një kosovar e kap telefonin, cingërron në kontot franceze e
monakeze. Me kohën, ka cingërruar goxha shumë. Pothuajse 100 mil euro, më
shumë se krejt ndihma suedeze dhënë Kosovës.

Pagë goxha e mirë, do të thoja, për huazimin e një numri hyrës (0377) dhe
disa shërbime minore. Por pse, pyes unë si suedez, që mendoja se po ndihmoja
Kosovën e jo Francën, pse paska qenë e pamundur për OKB-në që t’ia ndreq një
numër vetjak Kosovës, kur ështe një organ i OKB-së (ITU) që mer vendimin?
Kosovarët e kanë shtruar këtë pyetje qëkur. Më 2002, përgjegja u gjet. U
gjet një letër nga zyrtari i OKB-së me emrin Kopën, drejtuar drejtorisë së
ITU-së. Aty ai i lutet ITU-së që të mos miratojë një numër hyrës për
Kosovën.

Pastaj, monsieur Kopën u zhduk nga Kosova. Herën tjetër kur u shfaq sërish –
quelle surprise – ai ishte përfaqësues i Alcatelit, na rrëfen Bedri Rama,
shef i flakur nga PTK-ja.

Bedri Rama i ka shkruar letër të hapur OKB-së. Ai ka kërkuar të dijë se si
t’u spjegojë donatorëve, që i ofrojnë Kosovës ndihma për nevoja elementare,
se asetet e Kosovës i gllabëron Monakoja. “Si t’ia spjegoj këtë të papunëve,
mësuesve, mjekëve që jetojnë në minimum të ekzistencës?”

Pyetje e pamundur. Kushdo që mendon se korrupsioni në Unmikistan ka përmasa
bizare, le ta kujtojë që njeriu është kafshë që adaptohet ndaj ambientit.
Gjithë këta Trushlerë e Johansenë... askush prej këtyre organizmave s’do të
ish majur, sikur OKB-ja të mos e kish krijuar një habitat të përshtatshëm.
Por në Kosovë, ata kanë gjetur një privilegj të cilin s’e kanë parë ëndërr
as monakët e mesjetës. Për këtë do të shkruaj në artikullin e ardhshëm.

3.Vazhdimi i tretë:

DREJTËSIA E UNMIKISTANIT

Nga Maciej Zaremba*, "Dagens Nyheter" Suedi

Më 18 gusht 2000, UNMIK-u i miratoi vetes imunitet në Kosovë. Aty e tutje, pushteti më i lartë në Kosovë u bë i paprekshëm për ligjin. Vendimi ishte retroaktiv.

Kosova ta kujton Suedinë ashtu që mysafiri duhet t’i heq këpucët. Ato i merr nikoqiri, e t’i kthen prapë kur vje koha të dalësh.
Kjo shprehi katundare ka vlerë edhe në kryeqytetin e Prishtinës. Për të arritur te zonja Xhezide Zogiani, duhet të kalosh nëpër baltë, vajra, e plehra kuzhine. Kush s’i ka sytë mund të bie në kanalizim. Kapakët e kanalizimit peshojnë 20 kilo dhe hekurishtet janë eksporti i parë i këtij vendi. Por në apartamentin e zonjës Zogiani, pjesë e një ndërtese betoni, ka parket të larë, shtrojera të bardha, e serveta të hekurosura. Si dhe limonadë.
Xhezide Zogiani e mban mend fort mirë suedezen bjonde nga SIDA e cila në prill 2003 i mësoi gratë e hekurudhës që t’i ushtronin të drejtat e veta. Se si ato kishin vlerë si meshkujt, se si Kosova ishte vend me ligj, drejtësi, e barazi gjinore. Zonja Zogiani u gëzua shumë nga leksionet e suedezes.
Pak më vonë, atë e flakën nga puna, pas 29 vjetësh punë në hekurudhë. Ndërmarrja duhej të zvogëlohej. Por pse pikërisht unë? “Shiko këtu”, thotë zonja Zogiani, e ma tregon një diplomë, “Punëtore shembullore”. Veçse ajo ishte gruaja e vetme në nënndarjen e vet. Edhe tjetërkund u veprua njësoj. Burrat pa përvojë mbetën, ndërsa gratë me përvojë u flakën. Kështu, nëntëmbëdhjetë gra pranë UNIM Railways u kujtuan se ishin diskriminuar. Ja pra SIDA, faturën e leksioneve: ato u bënë tok dhe kërkuan që flakja e tyre të shqyrtohej në gjyq.
Por do ti, kjo s’u eci. U thanë se po t’i kish diskriminuar një ndërmarrje private, gjykata do ta shqyrtonte lëndën e tyre. Por mjerisht, hekurudha është nën UNMIK-un. Dhe OKB-ja, i njoftoi gjykata, gëzon imunitet në Kosovë. Kështuqë vendimi nuk mund të shqyrtohet. Është i pakthyeshëm.
Xhezide Zogiani s’u besoi veshëve, si më thotë. Asaj OKB-ja sapo i kish thënë që të mos e duronte diskriminimin. E se “gjithkush që kërkon t’i mbrojë të drejtat e veta civile... e gëzon të drejtën e gjykimit të paanshëm dhe publik”. E tashti i thonin se ato parime që OKB-ja u mëson tjerëve vlerjnë për tjerët – por jo për vet OKB-në! Athua është kështu përnjëmend!?
Po, është. Është e pakuptueshme, shkretëruese për misionin e OKB-së në Kosovë, por krejtësisht e vërtetë. Ekzistojnë sall dy rajone në Evropë ku qytetare s’ka ku të qahet për të drejtat e veta civile, as në vendin e vet e as në Strasburg: Rusia e Bardhë është një prej tyre, Unmikistani kosovar i dyti. Para se të provojmë të kuptojmë se si ka ardhur puna gjer këtu, le të përjetojmë se si mund të ndjehen pasojat.
K-Fori i ka sot 17 000 ushtarë. Ata i binden Natos, që i bindet OKB-së. Një ditë prej dite, ata e shohin një veturë të dyshimtë. Ndoshta ka kokain, ndoshta është e vjedhur. E marrin për hetim. Jo or, qenka e pastër. Por kur pronari, ta quajmë Paloka, shkon për ta marrur veturën e vet te K-Fori, vetura është zhdukur. E po, duket që e paskan vjedhur, konstatojnë ushtarët, që mund të jenë nga Azerbejxhani. S’paske fat, or mik... Kompenzim? Mos u lodh të shkosh te UNMIK-u, ata s’përgjegjen për ushtarët. As te NATO-ja, ajo s’përgjegjet për repartet e përveçme. E pra, ku të ankohet Paloka? Te ministria e mbrojtjes në Azerbejxhan. Apo mos ishte një epror turk që kishte kujdestarinë mbrëmë? Se atëhere do të shkosh në Ankara. Hajt, udha e mbarë!
Në K-For ka reparte nga 36 vende, pos tjerash nga Rumania, Moldavia, Maroku dhe Mongolia. Tjerat po ia lë fantazisë së lexuesit.
Nuk e di saktësisht se si ndjehet sot zoti Paloka. Por kam folur gjërë e gjatë me doganierin Bedri Shabani. Të dhemb zemra kur e dëgjon këtë burrë të stërmadh tek e rrëfen historinë e vet me zërin e një fëmije që ka humbur besimin.
Bedri Shabani ka bërë mu ashtu siç dëshiron OKB-ja që të bëjnë kosovarët. Ai e ka thyer zakonin shqiptar. Kur ai zbuloi se një varg i shefave të vet brenda doganës ishin mitosur nga përvjedhës të mallrave, ai mblodhi dëshmi dhe vajti drejt e në policinë e OKB-së. “I kisha 5 kg dokumente.” Koha kaloi, e s’ndodhi asgjë. Atëhere ai doli në shtyp. Ishte trim budallë, se në Kosovë ta heqin flamën për më pak. Dhe ndodh befasia. Shefi i doganës arrestohet! Por lirohet pas pak, me urdhër të një gjykatësi të OKB-së. Gjykatësi shqiptar ankohet, qahet se e kanë anashkaluar, e akuzon OKB-në se saboton drejtësinë. Por njerëzit në rrugë i ngrisin supet. Ata e njohin goxha mirë këtë stil.
Që thua ti, qëllon që guvernatori i Kosovës, diplomati gjerman Mikael Shtajner, kalon me vajzën e njërit prej shefave të doganës, që është mik i ngushtë me të arrestuarin. S’ka të keqe nga dashuria, thonë disa (ata më vonë u martuan). Por kujt t’i ankohet tash Bedri Shabani, kur guvernatori është i anshëm? Ai i shkruan Kofi Ananit. Ma tregon edhe kopjen e letrës. Më duket si përrallë. Vartësi besnik qahet kundër guvernatorit dhe i lutet me fjalë të thjeshta perandorit që ta mbrojë drejtësinë.
Gjer këtu ndoshta s’ishte katastrofë ende. Nuk e thotë dot askush se kush ka gabuar. Por tani ndodh e paimagjinueshmja. Shabani flaket nga doganat. Ishte gabim i pafalshëm, shkruajnë Doganat e UNMIK-ut, t’i shkruash Kofi Ananit. Nuk ishte fare gabim, vlerëson gjykata në Prishtinë, aty ku ankohet Shabani. Kofi Anani është autoritet suprem në Kosovë, atij mund t’i dërgohen ankime, Shabani ka ushtruar të drejtën e shprehjes së lirë. Pushimi nga puna është i paligjshëm.
A s’është kjo trimëruese? Së pari Shabani, një bab i gjashtë fëmijëve që rrezikon bukën e gojës, pastaj këta gjykatës ballkanikë që i kanë studiuar me gjithë mend të drejtat njerëzore. Thuase OKB-ja qenka afër t’ia dalë mbanë misionit të vet.
Them se është më mirë të mos e përmbledh fare reagimin e UNMIK-ut ndaj këtij aktvendimi. Përkthimi më adekuat është: të drejtat njerëzore futni në bythë. Ne bëjmë si të na teket.
Tingëllon mbase tepër vrazhdë? Ja atëhere kështu: Kanë kaluar tre vjet qëkur gjykata e ka anulluar flakjen e zotit Shabani nga puna. Ai është ende pa punë. Shefi i doganave të OKB-së refuzon t’i bindet gjykatës së vënë nga OKB-ja, e cila ka vendosur sipas ligjeve të prera nga OKB-ja. Dhe s’ka njeri që mund ta detyrojë ndryshe.
Ju tregova këtë histori në detaje, meqë është tipike. Në Kosovë ka mijëra Zogianë e Shabanë, për të cilët OKB-ja s’është veçse padrejtësi e iluzione të thyera. Por ka edhe rrëfime tjera. Ekziston një shtëpi në Prishtinë me tabela të bardha. “Was is das?”, e pyes shoferin. “Das is Hilfe!”, ndriçon ai.
Si suedez, kjo ta ngroh zemrën. Ombudsperson, thotë mbishkrimi në tabelë. Termi burimor “Ombudsman” OKB-së iu duk se e shprehte pabarazinë gjinore, e OKB-ja e do fort barazinë gjinore, të paktën në tabela. Ombudsmani ka qenë institucioni i vetëm kosovar ku vendasin kanë mundur të ankohen kundër pushtetit. Mijëra kanë bërë ashtu gjatë viteve. Të gjithë kanë marrur përgjegje, disa kanë fituar. Por atyre më të dëmtuarve, ombudsmani s’ka mundur t’u ndihmojë.
Marek Antoni Novicki, jurist ndërkombëtar me rrënjë në lëvizjen polake për të drejta qytetare, që ishte ombudsman i Kosovës për pesë vjet rresht, e kupton hidhërimin kundër OKB-së. “Gjithçka është në raportet e mia.” Aty shkruan se në Kosovë, është vetë OKB-ja që i then më së shpeshti të drejtat e njeriut. E se qytetatët s’kanë si të nxjerrin drejtësi karshi OKB-së.
“Në aspektin ligjor, Kosova është vrima e zezë e Evropës”, thotë Novicki. “Është tamam kafkiane. OKB-ja arrin për t’i mbrojtur të drejtat njerëzore – dhe i privon njëherit qytetarët nga të gjitha mjetet ekzistuese për t’i ushtruar këto të drejta.”
Ky privim ndodhi më 18 gusht 2000. Atë ditë, guvernatori i miratoi imunitet (edhe retroaktiv!) ligjor tërë misionit. Tërë organet e OKB-së në Kosovë, si të punësuarit civilë, ashtu edhe ushtarët, gjithsejt 60 000 vetë, u vunë mbi ligjin. Ata s’mund të pandehen, të paditen, madje as të hetohen, as nga madhoritë lokale të drejtësisë, e as nga askush tjetër. Përjashtimi i vetëm janë ushtarët që pandehen nga qeveria vetjake. Veç nëse dikush kryen krim serioz mund t’i tërhiqet imuniteti – nga Sekretari i Përgjithshëm, e vetëm dhe vetëm nga ai.
Novicki thotë se ky vendim ishte i paligjshëm, i palogjikshëm dhe komplet shkretërues. I paligjshëm, pse vete ndesh me Konventën e Evropës. “Nuk thirresh dot në të drejtën e gjykimit të drejtë – neni 6 – nëse pushteti është imun ndaj ligjit.”
Jologjik, meqë qëllimi i imunitetit në misione tjera ka qenë që ta mbrojë personelin e OKB-së nga pushtetet vendore, nga policë të droguar afganë apo nga gjykatat islamike në Sudan. Po në Kosovë? Aty vetë OKB-ja është pushtet i vetëm sovran. Ajo vendos vetë mbi policinë, shkruan ligje, e emëron gjykatës. “Ajo që ndodhi në Kosovë”, thotë Novicki, “është se pushteti u bë imun karshi vetes. Ai s’kishte më nevojë që t’i respektojë ligjet e veta.”
E pyes Novickin nëse OKB-ja mendonte që personeli i saj ishin engjuj. Imuniteti nuk i shfuqizoi sall kosovarët. Edhe UNMIK-u e ka pasur të vështirë qysh atëhere që t’i diciplinojë vartësit e vet. “S’beson se mendonin fare asokohe”, përgjegjet Novicki.
Atëhere e pyes zotin Hans Korell, athua si mendonte ai vetë. Atëbotë ai ishte shef ligjor pranë OKB-së në Nju Jork, ai e autorizoi imunitetin. A ishte vërtet punë e urtë që t’i imunizosh doganierët, policët, të gjitha madhoritë e Kosovës karshi ligjeve të OKB-së?
Hans Korellit i ndalet fryma kur dëgjon detajet. “Çfarë thua, or! Natyrisht që s’qe menduar ashtu!” Ky interpretim, thotë zoti Korell, është keqinterpretim i vrazhdë i imunitetit. Nuk patëm thënë që të mbrojmë një polic të OKB-së që nget veturën i dehur, meqë ngasja e veturës në gjendje të dehur nuk është pjesë e misionit ndërkombëtar. E çka atëhere për drejtorin i cili (në artikullin tim të kaluar) ik pa dënim prej llogarisë telefonike? “S’e patëm thënë kurrë që imuniteti do të vepronte në këtë mënyrë!”
Jo pra, qartë që jo. Por kështu është interpretuar ai, sipas raporteve të ombudsmanit. Pushteti u bë i paprekshëm nga ligji. Për juristët e OKB-së mbetet detyrë urgjente të marin vesh se si ka ndodhur kjo rrëshqitje.
Në vitet 1970, në SHBA dhe në Itali u kryen disa eksperimente sociale (Milgram, Zimbardo) për të parë se ç’ndodh kur disa njerëz kanë pushtet të pakufizuar mbi tjerët. Disa prej eksperimenteve u desh të ndërprehen, pse u bënë të frikshëm. Them se Kosova është një eksperiment i tillë, pa dije, i papërgjegjshëm, por në shkallë të plotë. Efektet do t’i kuptosh kur të shohësh kosovarët tek ndezin veturat e OKB-së. Por çka zbulon kjo për ne, për demokracitë tona?
Druaj se ato janë tejet fragjile. Se ato qëndrojnë më pak falë bindjeve tona, e më shumë falë frikës nga sanksionet. Kur imuniteti kosovar na çliroi nga frika e sanksioneve, u deshën sall pak muaj që demokratë besnikë nga Kopenhaga apo Parisi t’i flaknin parimet njërin pas tjetrit: Habeas Corpus (askush s’bën të burgoset pa gjyq të paanshëm), paanshmëria e gjyqësorit, barazia para ligjit.
Kosovarët vërtet s’ishin qengja më 1999, por ju betohem se ata s’i ka urtësuar gjë as ky tretman tetëvjeçar si të ishin heretikë të ndjekur. Cili suedez do t’u bindej ca ligjeve të shkruara sall frëngjisht? Pa shikoni nivelin e arrogancës koloniale: në Kosovë, ku çdo i pesti nuk di shkrim-lexim, e ku rryma ndalet orë e çast, OKB-ja pren ligje sall në anglisht, e që mund t’i gjesh vetëm në internet. E nëse ndodh ruana Zot që ndonjë gjykatë të ankohet, kjo nuk ndryshon gjë, pse në Unmikistan gjykata i bindet guvernatorit, i cili mund ta zhvendos një gjykatës, e t’i injorojë të gjitha aktvendimet që s’para i pëlqejnë.
Këtu paraburgoset një gangster i njohur. Por ai është i popullarizuar, disa e shohin si hero çlirimtar. E pakëndshme, mund të ketë protesta... E po, UNMIK-u e urdhëron gjykatësin ta çlirojë të pandehurin. Kjo nuk ndodh askund në Evropë, pos në Kosovë. Apo anasjelltas: një gjykate (me gjykatës ndërkombëtarë) vendos ta çlirojë një të paraburgosur për mungesë provash. Por guvernatori dëshiron ta mbajë atë prapa grilash megjithatë. Kështuqë ai i urdhëron gardianët ta shpërfillin aktvendimin. S’është e mundur as në Indi, por nën OKB-në është e mundur: “Executive orders”, urdhëra ekzekutive quhen këta, që i mbajnë njerëzit brenda burgut pa hetim, pa vendim, pa afat, e pa të drejtë ankese.
Në nëntor 2005, komisionari për të drejta të njeriut i Këshillit të Evropës, zoti Alvaro Gil Robles, lëshoi kushtrimin në Le Monde. A është e mundur që kemi një Guantanamo në zemër të Evropës? Si senjor, e kemi. Bondstill quhet, një bazë amerikane pranë kufirit maqedon, ku të burgosur në po ato anembanat e portokallta si në Kubë rrijnë pa afat, pa proces, pa avokat apo aktvendim. Sepse guvernatori i OKB-së mendon se janë terroristë. Ombudsmani Novicki s’i ka lënë dy gurë bashkë duke protestuar kundër këtyre abuzimeve. Por te kush të ankohet? Edhe mbi Xhorxh Bushin është dikush, është Gjykata e Lartë. E mbi governatorin e OKB-së është veç Zoti.
“A kjo qenka ajo barazia mes njerëzve”, më thotë Fatmiri në Prishtinë. Ma tregon një foto ku shihen ca burra duke dalur nga një ndërtesë. “Janë gjykatës”, thotë ai, “që e kanë dënuar një bos të mafies shqiptare. Shumë e parëndomtë në Kosovë, shumë e rrezikshme për shëndetin. Ja këqyr. Ai majtas është britanik, i rrethuar nga truprojat. E përcjellin gjer te vetura, që është e blinduar. Do ta ruajnë edhe në gjumë. Britaniku ka rrogë tredhjetë herë më të lartë se këta dy djathtas, që janë gjykatës vendorë. Ata rrezikojnë më së shumti, i kanë familjet këtu. Por lihen pa mbrojtje.”
E ç’ti përgjegjem unë, veç i shtërngoj dhëmbët. Nga të gjitha abuzimet e OKB-së, kjo tradhëtia e saj kundër atyre pak guximtarëve që e kanë sfiduar korrupsionin dhe mafien është më e pafalshmja.
“OKB-ja i ka tradhëtuar kosovarët më të shkëlqyer e më idealistë në favor të atyre më të paskrupujve”, shkruajnë dy ish-bashkëpunëtorë të UNMIK-ut, Uit Mejson dhe Jan King. “OKB-ja do të pendohet thellë për këto të pabëra”, shkruan gjykatëse kanadien Dejvid Marshall, që e ka vëzhguar Kosovën për llogari të OSBE-së.
Si ndodh atëhere që këto të pabëra nuk janë përmendur në media tash tetë vjet? Një përgjegje e mundshme është, se mua më mori gjashtë muaj për të mbledhur njoftime të besueshme për këta artikuj.
Si duhet të bëjë njeriu për të kuptuar se çfarë pune bën “Claims Office”, Zyra e Ankesave, në Prishtinë? Zyrtarët pohojnë se kosovarët mund të drejtohet aty p.sh. nëse OKB-ja ua ka dëmtuar veturat apo të ngjashme. Sa ankohen? Si mirëpriten? Unë u desh që të lajmërohesha te roja në selinë e UNMIK-ut. Aty ishin të ngjeshur pesë djem në bluzat e kaltra të UNMIK-ut. Studionin mbase dikur medicinën apo ekonominë, tashti punojnë si roje për trefishin e pagës së profesorit. Jo, s’bën të hyj. E po, e thërras shefen e zyrës për ankesa. Ajo më drejton te shefi i vet, i cili as ai nuk flet me media. Ai më drejton te Zyra për Media e UNMIK-ut.
Ky vend është pesë kilometra larg. Në portë shkruan se zyra është e hapur shtetë ditë në javë, por askush s’e hap derën në ora tre një të martë. I thërras të pesë numrat në derë, s’ka përgjegje. Shkoj te një internet café, pres sa kalon ndërprerja e rrymës, e i dërgoj e-mail njëfarë Georgy Kakukut, emrit të parë në listë. Pas dy ditësh, shoh se s’ka ende përgjegje. I mëshoj derës me grushta sërish, e ç’të shoh – një njeri! “Hi, I’m Jeff Bieley”, më thotë amerikani, ndërsa i bën me dorë një vendasi të përkorë që t’ia vendos pjatën e drekës mbi tavolinë.
Jo, OKB-së s’i ka arritur ndonjë letër nga DN. “I shkruat mr Kakuk? Ha ha, ai ka ikur prej këtu qëkur... Si the, është ende emri i tij si përgjegjës?”
Jo, mr Bieley nuk mund të më vë në kontakt me Claims Office. Mund ta pyes atë vetë, e përmes tij t’i marr përgjegjet. Merr maks një javë. Po desha të shtroj pyetje pasuese? Tre ditë, jo më shumë. “Sa kohë do të qëndroni në Kosovë?”
Nga 6 000 funksionarët e UNMIK-ut, janë sall tre që mund të flasin me shtypin, më spjegon zoti Bieley. Të gjithë tjerët shkojnë përmes tij. Okej, i them, ja pyetjet e mia. “A jo, m’i dërgoni me e-mail.” Në Kosovë, ku gjysma e vendit ka rrymë sall tre orë në ditë!? Mr Bieley i ngrit supet e më bën shenj se bisedës informative i ka ardhur fundi.
Pyetjet e mia i dërgova në adresën bieley@un.org më 24 qershor vitin e kaluar. Përgjegjen po e pres ende.
Mundet që juristët e OKB-së s’e dinin se çfarë kishin bërë kur i ngulfatën gjykatat kosovare e kur u mshelën gojën njerëzve të vet. Por tjerët e kanë kuptuar goxha mirë. Pas tetë vjetësh të këtij eksperimenti, Kosova është shndërruar në qendër të trafikimit me gra e droga. Kujto, pra, këto herën tjetër kur të shikosh këta ballkanikë tek gjuajnë me gurë, u vënë flakën veturave të OKB-së e bëjnë bujë. Do t’ju thonë se atyre Nju Jorku u ka ofruar zemrën e demokracisë, por se ata s’kanë mend ta pranojnë.
Kjo s’do të jetë e vërtetë. Atyre u është ofruar llumi. Pse ka ndodhur kështu, këtë do të orvatem ta kuptoj në artikullin e fundit.

*Maciej Zaremba është gazetar pranë të përditshmes më të madhe e më prestigjioze suedeze, Dagens Nyheter. Është fitues i dyfishtë i titullit Gazetari i Vitit, që jepet nga Federata e Gazetarëve Suedezë.



2.