måndag 18 juni 2007

Rraskapitja moderne apo "shoqëri 24 orëshe"

Secila gjeneratë ka përjetimet e veta dhe vulën e kohës për të cilën flet ose e rikujton në mendje. Kur dua të hedh në letër disa nga këta përjetime në mendjen time më sillet si një film retroaktiv fëmijëria ime: ngriheshim që herët, prindërit më herët se ne fëmijët dhe binim të bënim gjumë gati me terrin e parë. Nga kjo si duket ka mbetur edhe ajo shprehja - po flenin me pulat, se pulat ia krisnin gjumit sa perëndonte dielli! S´na ngutej për asgjë: as dinim e as që kishim dëgjuar fare për fjalën stres. Kush fliste për stresin?

Po kështu, para 20- 30 vitesh, kishte ende një far rregulli, një farë orari. Atëherë dinim se kur fillonte dhe mbaronte një program televiziv.

Sot?
Maezallah! Se di njeriu kurr se kur fillojnë lajmet e të mos flasim se kur mbarojnë. Po të ketë pasur kryeministri ndonjë mysafir të jashtëm t´ia fusin speciale mbi speciale! Po programet e tjera? Aferim atij që mund ta dijë se çfar programi do të mund të ndjek në TV-të shqiptare, së paku për ne në diasporë, se ndjek vetëm programet satelitore këtu...

E sotshmja ka edhe shumë shoqërime tjera: a mundet dikush të kalojë një ditë pa shikuar së paku njëherë i-mailin, ose pa dërguar një mesazh me celular? Vrap të zësh metron! Në ora 13:15 ke një kohë te dentisti! Prap te puna! Ua iku dita, një takim nga ora 18-te te shtëpia e kulturës, uh qyqja, librin duhesh ta lësh në bibliotekë. Nga ora 20-të aerobik...A numrohen të gjitha? E pamundur. Të gjitha shtohen dhe nuk sosen as në orët e pasmesnatës...Dhe kështu rraskaptija është e pashmangshme, jetojmë në të ashtuquajturën "shoqëri 24-orëshe"!

Përfundimisht na del rezultati: gjendja mentale në rrezik! Jemi të pushtuar nga çdo anë.

Mendoni për pak këtë gjendje: nga ora 17-të marr metron për në shtëpi, tërsisht në vrap. Sa futem në tren bie celulari im, po bien edhe celular tjerë, gati pas çdo minuti dikush në vagonin e trenit flet me dikë nëpërmjet celularit. Ka nga ata që edhe ngrisin zërin! Ti je aq i lodhur dhe ke qej të mbyllësh sytë pak rehat. Kur papritmas në vagon ia kris muzika. Dy persona, rumun ose rus, ose kush e di se çfar mund të jenë, thuase janë në pikë të disponimit, bëjnë muzikën e tyre dhe për këtë duan ndonjë lek si shpërblim pa detyrim... Dhe ky lloj filmi s´është fiksion për një përditshmëri 24 orëshe. Amani more se luajtëm menç.

Po shyqyr që më në fund edhe në Suedi erdhi vera dhe të shohim nëse edhe në këto pushime a po mund të jemi rehat. Sigurisht se do të jemi rehat por vetëm atje ku s´ka rrjetë celulari dhe lidhje interneti e as metro... të shohim.

2 kommentarer:

ELAIS sa...

Jo pa internet mos na lente zoti se pesojme abstinence e nuk i rikthehemi dot punes pas pushimeve te veres :)

E lexove besoj shkrimin tek Aftonbladet qe thoshte qe e-mailet e panevojshme na marrn 3,5 vjete nga jeta.

Shuquri Sejdijaj sa...

Sigurisht që prej andej më shkrepi sepse më preku tamam aty ku më dhemb: kur këta në Suedi nuk dinë se kur fillon e mbaron një program televiziv atëherë si është me ne shqiptarët e diasporës, them unë?

Po elais, pa internet mos na lëntë zoti, ke të drejtë ti dhe kështu mendoj edhe unë, veçse siç mund ta vresh edhe ti, na bën ca të mvarur...Kërkesë kohe! Ose siç thuhej para ca vitesh: ai që s´do të di të përdorë internetin do të konsiderohet analfabet! Analfabet modern ama!

Gjenerata ime mund të konsiderohet pjesërisht analfabet sa i përketë kompjuterit: as e zotrojmë mirë e as që kemi guxim të mirremi shumë me të!