fredag 29 juni 2007

Në pritje të një lajmi të mirë

Kjo javë ishte me shi në Stokholm. Në Kosovë, Shqipëri e gjithandej nga Ballkani mbretëron verë përcëlluese. Londra përballohet me vërshima uji nga të reshurat. Shpërthime zjarresh lajmërohen në disa qytete tjera.

Problemet e ndotjes së ambientit dominojnë agjendat e ndryshme të politikanëve e diplomatëve botëror. Uria vret njerëzit në Afrikë megjithë ushqimet e mëdha e të tepruara që hudhen krejt pa nevojë në botë!

Çamët në Shqipëri përkujtojnë dhunën e përzënjen me dhunë nga trojet e veta tash nën Greqi. Greqia bëhet sikur s´dëgjon fare, mbase i kanë rënë veshët tek thembrat?! Po as politikanët shqiptar nuk bëjnë aq!

Kosova ndërkaq ladrohet nëpër deklarata e forume vendore e ndërkombëtare. Përpilimi i simboleve dhe stemës së ardhshme të shtetit më të ri evropian ka ngritur interesimin e më shumë se 1 000 projektpropozimeve. Debatohet shumë për një lloj identiteti të ri - kosovar. Kujtoj se ky debat është i vonuar dhe po zhvillohet nën diktatin e Unmikistanit ( UNMIK - misioni i administratës ndërkombëtare të OKB-së në Kosovë).

Më 28 qershor disa qindra serb ia mësynë Kosovës për të vizituar Gazimestanin, një vend afër Prishtinës ku sipas mitit serb, serbët pësuan disfatë nga forcat e perandorisë turke. Pse serbët festojnë humbjen? Me këtë ata bëjnë një lojë të rrezikshme sepse duan ta mbajnë gjallë ndër të tashmit dhe të ardhmit se "Kosova paska qenë djep i serbizmit". Shpjegimet shqiptare janë tjetërfare dhe nuk do të ndalem në përshkrimin që i bëjnë por dua të vë në dukje se Kosova nga serbët përdoret më tepër si "djep i politikës serbe".

Mesjeta me gjithë errësirën e kohës së vet i mban hije edhe kohës së sotme. Pjesëtarët e një far "Garda e car Dushanit" hynë në Kosovë, por të detyruar nga policia e Kosovës u ndalën, çuan duart lart, i hapën këmbët dhe u zhveshën nga rrobat ikonë. Mitet vazhdojnë, Serbia di ti përdorë këto dhe luan ende: pse jo, në pazar gjithëmonë ka dalur me mall të huaj!

Lajmet s´kanë të sosur. Janë të shumta. Sa vdesin lindin të reja, por ende nuk mbrrin Lajmi i Madh, sa shumë po e pres!

2 kommentarer:

ET sa...

Lajmin e Madh besoj se do e degjojme ne 28 Nentor. :)

Shuquri Sejdijaj sa...

Kjo do t´ishte bukuria e zotit. Por pritjet tona janë bërë përditshmëri e jona dhe jo krejt edhe pa fajin tonë.