onsdag 22 december 2010

Ujiti lulet Liri!

Nga t´ia nis kësaj here?...E kisha menduar krejt ndryshe urimin e sivjem për festat e fundvitit. Pata shpresuar shumë se ti do të ktheheshe sivjet. Më i rritur, mbase tamam burrë do bëheshe... Po dora më dridhet, edhe lapsi në mes gishtrinjve. Më dridhen buzët, e vrej se po ligshtohem pa ndalë.

Me të thanë që kjo më ngjet sa herë të kujtoj ty më duket e panjerëzishme. Po ku ka nënë që s´kujton bijtë e bijat e saja. Ku ka nënë që në këto festa nuk don ti ketë bijtë dhe bijat e saja në sofrën e shpisë?..
Po këto janë dëshirat e mia Liri, dëshirat e çdo nëne, motre, vëllai...Ndoshta po presim kot, po hajt, edhe sivjet po ta ruaj vendin tënd në sofër...

Dhe kur çastet e fundit do ti lënë vend ditës së re të vitit të ri atëherë edhe unë si gjithnjë këto 11 vitet e fundit do të lutem për ty dhe gjithë të tjerët që s´ua dijmë gjurmët. Ishalla sivjet, bile të vdekur po na i kthejnë!

Heu Liri, kush e kishte menduar se kishe me u gëzua edhe të vdekur me të gjetë e më të qajtë si të vdekur!

Më fal Liri, po sonte nuk do të flas shumë, se janë çue peshë do lugetër kundër Kosovës dhe kundër gjithë atyre që rrokën armët për të mbrojtur lirinë e shpisë së vet. Shtihen si engjuj e paqedashës për t´ja bërë varrin të urtit, i cili  s´pati kah të shtyhet më tej dhe atëherë kur u mbështet për muri si thonë dy duar për një kokë...

Më fal Liri, por urimin s´po e shkruaj as nuk po e nis as kësaj here. Po fik dritat dhe po bëhme një me terrin e këtij funddhjetori tmerrësisht të ftohtë.

Po vrej se po ligshtohem pa ndalë e viti që po vjen s´di a më gjen. Nëqoftëse nuk do të jen tharë kur të kthehesh ujiti lulet Liri!/shs/dhjetor 2010.

lördag 2 oktober 2010

ZGJIM ME MEND

Të dielën, më 3 tetor, bëhen 20 vite nga dita kur Gjermania Perëndimore dhe Gjermania Lindore u bashkuan në një vend. Ribashkimi i Gjermanisë është përshkruar dhe vlerësuar si ngjarje pozitive dhe e suksesshme por që është shoqëruar edhe me vështirësi.

Për 40 vite me radhë, të dy vendet jetonin me rregullime të ndryshme shtetërore. Shembja e murit të Berlinit i parapriu ribashkimit gjerman dhe u shndërrua pastaj në ideal për njerëz dhe popuj të ndarë padrejtësisht e me dhunë.

Kështu ishte edhe me shqiptarët: të ndarë padrejtësisht në gjithë Ballkanin! Kjo lloj ndarje është zbutur ca me pavarësimin e Kosovës por bashkimi i shqiptarëve në një shtet të vetëm vazhdon të mbetet temë e idealistëve të cilët ngrejnë zërin guximshëm për një Shqipëri natyrale. Nuk më ka rënë të dëgjoj ndonjë politikan zyrtar as në Shqipëri e as në Kosovë ta ketë ngre këtë çështje kombëtare ashtu siç nuk më ka rënë të lexoj dikund se ndonjë parti politike në të dy kuvendet në Tiranë dhe Prishtinë që ta kenë vënë në programet e tyre partiake edhe çështjen e bashkimit të kombit shqiptar! Ndërkohë që gojët i kanë plot me synime për integrime në UE e të ngjashme!

Para 21 vitesh ishte zor të besohej që muri i Berlinit do të binte. Zor e kishin ta besonin edhe vet ndërtuesit, por ai mur u rrëxua; e rrëxuan njerëzit liridashës, duke gëzuar mbështetje nga institucionet e veta qendrore por edhe nga faktorët relevant ndërkombëtar...dhe me 3 tetor 1990 erdhi dita e madhe e gjermanve: Ribashkimi!
Mbaj mend që shembja e murit të Berlinit i dha fuqi idealeve dhe ëndrrave të shqiptarve për bashkim kombëtar.Këto ëndrra ende vazhdojnë. E nëse ëndrrat shihen vetëm në gjumë atëherë koha është për Zgjim dhe atë zgjim me mend./ 20101001/Shuquri Sejdijaj.

onsdag 29 september 2010

Kosova në zgjedhje të parakohshme? - Ncëk!

Mëngjesi i sotëm nisi me një turbulensë trafiku. Linja e kuqe e metros nga Norsborg-u me të cilën udhëtoj për çdo ditë pune deri në qytet për dy orë të plotë vendnumroi. Si rëndom kabllot e energjisë elektrike të këputura! Ndërkaq turbulensa e sotme ndër pasagjerët në pritje, pjesa dërmuese me prejardhje të huajsh, ndërlidhej me mundësinë një vepre terroriste, mbase të ndikuar edhe nga aterimi i detyrueshëm i një avioni kanadez ditë më parë në aeroportin e Arlandës, afër Stokholmit, si pasojë e një telefonate se një person në bord paska me vete masë eksplozive! Kjo u dëshmua si e pavërtetë dhe avioni më pastaj ka vazhduar në destinacionin e vet për Pakistan, por i ndaluari i dyshuar mbeti në aeroport dhe fillimisht nuk dëshironte asnjë agjension udhëtimi ta merrete me vete...Avionët shkojnë e vijnë ndërkaq gojëkëqinjët kurdisin historira nga më të pamenduarat.

Pas dy orësh vendnumrimi, trafiku i metros në linjën time prap normalizohet.

Në kohë dreke në një nga restorantet e parlamentit të Suedisë takoj Sarah Maliqin, nga organizata joqeveritare e Kosovës,Nisiativa e të rinjve për të drejtat e njeriut, dhe Avni Dervishin, sekretar politik në selinë Partisë Popullore. Domosdoshmërisht bisedojmë rreth gjendjes më të re në Kosovë pas dorëheqjes së presidentit.

Tash shtrohet pyetja, ka apo nuk ka krizë politike në Kosovë? Përgjigjet mund të jenë poashtu të dyanshme: ka krizë dhe s´ka krizë!

Normalisht nuk do të duhej të kishte krizë politike. Por për këtë nuk është investuar më parë. Do të duhej rregulluar me kohë çështja  e dorëheqjes eventuale të cilitdo president.

Por tani kërkohen edhe zgjedhje të parakohshme. Ata që më herët kundërshtonin kërkesat për zgjedhje të parakohshme tani i duan këto, kurse ata që kërkonin zgjedhje të parakohshme, tash nuk i duan!

Kështu jemi ne, s´ka kush që na bie në fije!

Por edhe nëse arrihet pajtueshmëri për zgjedhje të parakohshme, atëherë kur do të duhej të mbaheshin? Sivjet? Ncëk!...

Në mbrëmje përpiqem të marrë ndonjë lajm më të qartë se çka po lëviz në Kosovë pas situatës më të re. Por pa sukses. Prej andej transmetohen kryesisht njoftime për shtyp nga takimet e niveleve dhe të përbërjeve të ndryshme. Faktori ndërkombëtar po shtrëngon dhëmbët prap, në mos daltë se edhe këto zhvillime janë pasojë e planeve të tyre!

tisdag 28 september 2010

Presidenti...

Zërat për dorëheqjen e presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, kohëve të fundit dëgjoheshin gjithnjë e më zëshëm. Dje ndodhi ajo që përflitej e përshpëritej. Presidenti i Kosovës dha dorëheqje gjë që media e shpërndau shpejt. Mjetet e informimit në Suedi transmetuan një pjesë të deklaratës së Sejdiut duke e shoqëruar me një koment të shkurtër. Me dorëheqjen e presienetit të Kosovës Fatmir Sejdiu vihen në rrezik bisedimet e planifikuara ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Po kështu sot u shkrua edhe rreth kërkesës së ish Komitetit Suedez të Helsinkit, tani organizata për Mbrojtjen e të drejtave civile, që Suedia të mos i kthej romët në Kosovë. Reagimi i Entit për Migrim ishte i vakët: nuk mund të ndalen njerëzit këtu vetëm pse mund të jene të kërcnuar ose diskriminuar dhe se gjendja ekonomike në Kosovë vazhdon të jetë ende e rëndë. Sigurisht që gjendja ekonomike, ajo që është, godet të gjithë qytetarët e Kosovës, qofshin ata shqiptarë, turq, romë apo diçka tjetër.

Për nesër është caktuar një seminar që e organizon Organizata për Mbrojtjen e të Drejtave Civile, ish Komiteti suedez i Helsinkit,ku megjithë dëshirën time nuk do të arrijë të marr pjesë në këtë forum për të drejtat e njeriut në Stokholm ku do të flet një aktiviste nga Kosova. Fjala është për Sarah Maliqin nga Nisiativa e të Rinjve për të Drejtat Njerëzore, e cila në fokus të diskutimit do të ketë lirinë e shprehjes në Kosovë, ku sipas një raporti të paraqitur në maj të këtij viti vlerësohej se liria e shprehjes në Kosovë vazhdon të jetë ende e kufizuar dhe e rrezikuar.

Mirë që flitet e diskutohet. Mbase ndonjë mbështetje do të merr Kosova në këtë drejtim për të kaluar pengesat ekzistuese që strukturat e caktuara vejnë ndaj njerëzve që duan ta thonë fjalën e vet lirshëm!

Me këto informacione shkurt po i rikthehem blogut tim.
Jeni të mirëseardhur me komentet tuaja.