lördag 29 juni 2013

FUNDI I NJË PUNE FILLIM I NJË PUNE TË RE!

Po bëhen 2o vite në Radio Suedia dhe tash kur vendi im i punës po mbyllet në mendje më sillet vërdallë muaji korrik: korriku i vitit 1990 kur policia serbe, mua dhe gjithë shqiptarët e tjerë, me dhunë na nxori jasht pune duke mbyllur programet shqip te Radiotelevizionit të Prishtinës… Dhe tani korriku i vitit 2013, për mungesë pune, nënshkruaj kërkesën për largim nga puna! …Para tri vitesh te Radio Suedia u mbyll  programi shqip ” Ditari” ( që më vonë mori emrin “Jehona” ) dhe këto tre vitet e fundit mora pjesë në jetësimin e një projektI të madh – digjitalizimi i arkivit të radios. 

BBC e kishte nisur para nesh një projekt të këtillë por për shkaqe vështirësie e kishte pezulluar projektin.

Ne nuk u dorëzuam: për tri vite bëmë një punë kolosale: afër gjysmë milioni shirita, kaseta, CD, etj i nxorëm nga kartonat dhe digjitalizuam qindra mijëra orë program të tranmsetuar në Radio Suedia nga viti 1931.

Qëllimi i çdo projekti sigurisht është lënja e gjurmëve me kujtime të mira për pasardhësit. Kujtoj se e kemi arritë këtë qëllim.

Fundi i një pune sigurisht se është fillim i një pune të re. Në rastin tim cila do të jetë ajo?

Të shohim!

onsdag 5 juni 2013

"Meçkat" e imamit!

Nuk ishte hera e parë që çështja e fesë aktualizohet e problematizohet në Kosovë. Kësaj radhe ishin disa deputete të Kuvendit të Kosovës që reaguan kundër një imami nga Prizreni. Reagimi ishte pasojë e ligjëratës së imamit në Prizren ku ai ka mbajtur "moral" për xhematin e tij.

Secili njeri që ka dy pare mend do të shqetësohet nga urrejtja që shfaq ky lloj imami ndaj vajzave e grave shqiptare, një pjesë prej të cilave i quan lavire, "meçka", etj. Qëndrimet e fesë islame dihet që janë kontradiktore sa i përketë barazisë ndërmjet femrave e meshkujve, dhe kjo gjë nuk më befason, por mënyra dhe zjarri i urrejtjes që ky lloj imami provon ta kultivojë tek të rinjët është tmerrues dhe i huaj tërsisht.

Se po  ndodhë diçka irituese me myslimanët në Kosovë e kam ndjerë tash disa vite. Bile droj se do të jetë tragjike për shqiptarët nëse nuk vetëdijësohen për rreziqet që mund të shpërthejnë nga zhvillimet e një rryme të re fetare e panjohur sa duhet në këto anë.

E pranoj që nuk jam njohës i religjionit, por dizajni krejtësisht i ri në dukje dhe shprehje, i një fryme të panjohur për mua, më bën të dyshoj se këtu i vie era naftë! Dikush po investon shumë po çështja është kush janë investuesit?  

tisdag 4 juni 2013

SHTATË KILOMETRA MË!

Ku i ka gurët kufiri i Kosovës?
Nëpërmjet kryeministrit të saj Kosova falënderon Malin e Zi dhe popullin e saj për përkrahjen që ku vend fqinjë i jep Kosovës dhe pavarësisë së saj! Kështu informon sot media shqiptare e Kosovës. Kryeministri i Kosovës poashtu ka pritur ngrohtësisht ministrin e kulturës nga Mali i Zi dhe delegacionin e këtij vendi që sot ka qëndruar në Prishtinë me rastin e promovimit të Forumit të miqësisë Kosovë- Mali i Zi " Radovan Zogoviç".

Ndërsa nga komuna e Burimit dhe Pejës bëhet me dije se banorët e këtyre dy komunave vazhdojnë të përballen me shqetësime serioze për shkak se pak nga pak po humbin tokat e tyre që po ua grabit shteti i Malit të Zi.

Mali i Zi merr toka shqiptare përgjatë kufirit, i luan hunjët e gardhit e kryeministri i Kosovës ia shtron kulaqin, bukë e kripë e zemër dhe e lavdëron mysafirin e vendit fqinj se na kanë njohur pavarësinë!

Edhe inegritetin territorial?

Po, po edhe integritetin territorial; marrin ndoj parcelë po s´ka gajle. Kosova ka boll, bile si tepër, prandaj pse mos ti nderojmë mysafirët, sidomos këta që i kemi fqinjë!

Mandej s´ka kuptim ti çojmë hundët për 7 kilometra, pak më pak ose pak më shumë!/shs/.