måndag 1 juli 2013

Dita e parë si i papunë

E kisha menduar se do të jetë ditë e mërzitshme ndaj këto ditët e para të papunësisë dua ti kaloj gjoja se jam në pushim vjetor. Thonë se kyl loj trajtimi ndihmon. Mbase duhet të jetë kështu. Por nëse dita e mirë shihet në mëngjes atëherë kjo nuk vlen për Suedinë. Mund të jetë shumë e bukur në mëngjes e të prishet keq më pastaj, dhe viceversa.

Në ditën e parë të papunësisë është rregull të lajmrohesh në një nga zyrat për ndërmjetësim pune. Gruaja më thot të shkoj më herët për të zënë re. E dëgjova.

Një çerek në dhjetë jam para dyerve të Zyrës për punë. Rendi i pritjes kishte filluar të bëhet dhe zgjatej me kalimin e kohës. Numrova njerëzit para meje, pesë veta, unë isha i gjashti në radhë.

Fiks në ora dhjetë hapet porta. Për çudi këtu në Skärholmen nuk kishte aparat për të shkëputë nr e radhës. Por secili regjistronte emrin personal.Thashë se do të vinte rendi shpejt. Disa nëpunës hyjnë e dalin, shkojnë pranë banakut ku qëndronte regjistri i vizitorëve të sotëm. Merrnin nga një person dhe zhdukeshin në dhomat prapa kthinës së pritjes.

Rreth orës 11-të thirret emri im. Ngritem dhe ia zgjas dorën një zonje që tashmë e mbante dorën të zgjatur drejt meje. Hyjmë në zyrë. Ia diktoj emrin dhe të dhënat e mija personale, profesionin, stazhin e punës etj. Kompjuteri i ndalon. Bën një ristart, e njejta gjë. Edhe një ristart. Ka bërë disa shënime fillestare.


E di ti më drejtohet zonja. Ti duhet të ishe regjistruar te zyra për punë nga kultura! Po të regjistroj pjesërisht këtu e pastaj vazhdon me zyrën për profesione kulture. Mirë, i them unë, megjithëse në mendje më është ngulitë ideja se kjo zonja sikur nuk e zotëron sa duhet zanatin e saj. Paraqitja te zyra për punë nga fusha e kulturës më duket krejt normale por edhe nga këtu do të duhej bërë lidhja. Shikoje edhe një herë, kërkoj prej saj, mos ka mbetë diçka që është shmangë gjatë regjistrimit. Doli se shumë gjëra kishin mbetur të zbrazta. I plotësuam por jo të gjitha. Pjesa tjetër i takon sesionit të ardhshëm…

lördag 29 juni 2013

FUNDI I NJË PUNE FILLIM I NJË PUNE TË RE!

Po bëhen 2o vite në Radio Suedia dhe tash kur vendi im i punës po mbyllet në mendje më sillet vërdallë muaji korrik: korriku i vitit 1990 kur policia serbe, mua dhe gjithë shqiptarët e tjerë, me dhunë na nxori jasht pune duke mbyllur programet shqip te Radiotelevizionit të Prishtinës… Dhe tani korriku i vitit 2013, për mungesë pune, nënshkruaj kërkesën për largim nga puna! …Para tri vitesh te Radio Suedia u mbyll  programi shqip ” Ditari” ( që më vonë mori emrin “Jehona” ) dhe këto tre vitet e fundit mora pjesë në jetësimin e një projektI të madh – digjitalizimi i arkivit të radios. 

BBC e kishte nisur para nesh një projekt të këtillë por për shkaqe vështirësie e kishte pezulluar projektin.

Ne nuk u dorëzuam: për tri vite bëmë një punë kolosale: afër gjysmë milioni shirita, kaseta, CD, etj i nxorëm nga kartonat dhe digjitalizuam qindra mijëra orë program të tranmsetuar në Radio Suedia nga viti 1931.

Qëllimi i çdo projekti sigurisht është lënja e gjurmëve me kujtime të mira për pasardhësit. Kujtoj se e kemi arritë këtë qëllim.

Fundi i një pune sigurisht se është fillim i një pune të re. Në rastin tim cila do të jetë ajo?

Të shohim!

onsdag 5 juni 2013

"Meçkat" e imamit!

Nuk ishte hera e parë që çështja e fesë aktualizohet e problematizohet në Kosovë. Kësaj radhe ishin disa deputete të Kuvendit të Kosovës që reaguan kundër një imami nga Prizreni. Reagimi ishte pasojë e ligjëratës së imamit në Prizren ku ai ka mbajtur "moral" për xhematin e tij.

Secili njeri që ka dy pare mend do të shqetësohet nga urrejtja që shfaq ky lloj imami ndaj vajzave e grave shqiptare, një pjesë prej të cilave i quan lavire, "meçka", etj. Qëndrimet e fesë islame dihet që janë kontradiktore sa i përketë barazisë ndërmjet femrave e meshkujve, dhe kjo gjë nuk më befason, por mënyra dhe zjarri i urrejtjes që ky lloj imami provon ta kultivojë tek të rinjët është tmerrues dhe i huaj tërsisht.

Se po  ndodhë diçka irituese me myslimanët në Kosovë e kam ndjerë tash disa vite. Bile droj se do të jetë tragjike për shqiptarët nëse nuk vetëdijësohen për rreziqet që mund të shpërthejnë nga zhvillimet e një rryme të re fetare e panjohur sa duhet në këto anë.

E pranoj që nuk jam njohës i religjionit, por dizajni krejtësisht i ri në dukje dhe shprehje, i një fryme të panjohur për mua, më bën të dyshoj se këtu i vie era naftë! Dikush po investon shumë po çështja është kush janë investuesit?  

tisdag 4 juni 2013

SHTATË KILOMETRA MË!

Ku i ka gurët kufiri i Kosovës?
Nëpërmjet kryeministrit të saj Kosova falënderon Malin e Zi dhe popullin e saj për përkrahjen që ku vend fqinjë i jep Kosovës dhe pavarësisë së saj! Kështu informon sot media shqiptare e Kosovës. Kryeministri i Kosovës poashtu ka pritur ngrohtësisht ministrin e kulturës nga Mali i Zi dhe delegacionin e këtij vendi që sot ka qëndruar në Prishtinë me rastin e promovimit të Forumit të miqësisë Kosovë- Mali i Zi " Radovan Zogoviç".

Ndërsa nga komuna e Burimit dhe Pejës bëhet me dije se banorët e këtyre dy komunave vazhdojnë të përballen me shqetësime serioze për shkak se pak nga pak po humbin tokat e tyre që po ua grabit shteti i Malit të Zi.

Mali i Zi merr toka shqiptare përgjatë kufirit, i luan hunjët e gardhit e kryeministri i Kosovës ia shtron kulaqin, bukë e kripë e zemër dhe e lavdëron mysafirin e vendit fqinj se na kanë njohur pavarësinë!

Edhe inegritetin territorial?

Po, po edhe integritetin territorial; marrin ndoj parcelë po s´ka gajle. Kosova ka boll, bile si tepër, prandaj pse mos ti nderojmë mysafirët, sidomos këta që i kemi fqinjë!

Mandej s´ka kuptim ti çojmë hundët për 7 kilometra, pak më pak ose pak më shumë!/shs/.

lördag 2 februari 2013

SUEDIA DO TË PRANOJË MË PAK REFUGJATË?



Sipas planeve që ka partia në pushtet, Suedia do të pranojë më pak refugjatë në krahasim me vitet e kaluara. Ministri për çështje të migrimit Tobias Billström konsideron që duhet ulë volumi si për azilkërkues ashtu edhe për migrimin e të afërmve.

Zyrtarët nga partia në pushtet Moderatët theksojnë që Suedia  do të vazhdojë të jetë vend i hapur dhe do tu jap njerëzve mundësi për të ardhë këtu por do të pranojë numër të refugjatëve për aq sa mund ti përballojë.

Planet e këtilla kanë hasur në reagime të aleancës qeveritare si dhe nga organizata rinore e Moderatëve.

Ministri për migrim Tobia Billström ka thënë se Suedia ka pranuar më së shumti refugjatë nga vendet e UE. Por një politikë e këtillë është e paqëndrueshme sipas tij./shs/.

fredag 1 februari 2013

GJUHA MEDIATIKE


Në disa media perëndimore testohen ide e mendime për ta ndryshuar veprimtarinë informuese përmes lajmeve. Në këtë drejtim rrotullohen shumë gur, shumë tradita vihen në pikëpyetje. Njohësit gjuhësor afrojnë fjalë dhe shprehje alternative.
Do të provohen forma të reja në përpunimin e lajmeve dhe në prezentimin e programeve. Një pjesë e kësaj pune ka të bëjë me gjuhën dhe në këtë fushë fokusimi është më i madh në mënyrë që lajmet të kuptohen më mirë dhe të përjetohen më këndshëm.

Propozime:

1. Përdorni fjalë të përditshmërisë dhe shprehje të thjeshta. Si psh. "vendosi" e jo mori vendim.

2. Konsultoni fjalorin e sinonimeve për të gjetur fjalë të nyansuara dhe më ekzakte. Personi që intervistohet s´duhet gjithëmonë të "thot" diçka, nganjëherë duhet të tregojë, të përmend, të pohojë, të sqarojë e të ngjashme.

3. Termat special duhet ti sqaroni ashtu si dhe shprehjet e vështira. Po ashtu shkurtesat duhet të thuhen në tërsi. Shmangëju shprehjeve difuze si psh "bashkësia ndërkombëtare"

4. Lirohuni nga shprehjet që jep burimi yt

5. Përgjithësisht përdorni figuracione dhe metafora të qarta.

6. Tekstin shkruaje qartë dhe me logjikë. Krijo një fije të kuqe dhe ndiqe fijen.

7. Lidhe tekstin me fjalë lidhëse që të ndihmojnë në sqarimin e rrethanave përshkruese: sepse, meqenëse, megjithëse, në saje të etj.

8. Përdor urëza të thjeshta që ta ndihmosh dëgjuesin për të kaluar në temën e re: dhe tani kalojmë në Pejë….Ose: gjithashtu do bëjmë fjalë për çmimet e ushqimit…Ose: Ju kujtohet maceja që mashtroi zjarrfikësit javën e kaluar - tash….

9. Së fundi dhe hiç më pak e rëndësishme - provoni tekstin e shkruar dhe formulimet e bëra me dikënd që ju dëgjon. Diskutoni çështjet gjuhësore në redaksi. Keni guxim për kreativitet. Do të mjaftonte që vetëm mes një formulimi ta tërhiqni interesimin dhe vëmendjen e dëgjuesit, lexuesit.

KONSUMONI SA MË PAK KRIPË

Pesë gr në ditë përshkruhet kufiri standard i konsumimit të kripës nga personat e rritur kurse fëmijët e moshave 2 deri në 15 vjeç edhe më pak se të rriturit.

Përdorimi i lartë i natriumit mund të jetë pasojë e sëmundjeve të ndryshme që lidhen me tensionin e lartë të gjakut dhe sulmet në tru e zemër. Ulja e sasisë së kripës në ushqime ulë edhe rreziqet për tu goditur nga sëmundjet e tilla. Së paku kështu thonë burimet nga Organizata Botërore për Shëndetin (WHO).

Një pjesë e madhe e shqiptarve rëndom përdorin ushqime të stërngarkuara me kripë. Ndaj shpesh më ka rënë të dëgjoj njerëzit tanë të ankohen nga tensioni i lartë i gjakut.

Kur ua tërhe vrejtjen që të mos i hedhin shumë kripë ndonjë ushqimi ata të thonë
- S´kam ça bëj se nuk më hahet! .../shs/