söndag 14 oktober 2012


SPORTI  SPORT DHE POLITIKA POLITIKË


Nuk do flasim për politikën dhe shembujt e shumtë kur politika vendore ngulfatë zhvillimin e sportit shqiptar. Fokusimi ynë kalon në skenën ndërkombëtare.


Konsideroj se ende i keni të freskëta Lojërat e fundit Olimpike në Londër. Dhe kush nga shqiptarët nuk ka dëgjuar për Majlinda Kelmendin? Ishte ajo që mundi xhudisten finlandeze Jaana Sundberg në kategorinë nën 52 kg gjatë lojërave olimpike në Londër. Majlinda humbi pastaj nga konkurrentja prej Mauritanisë dhe me këte u shuan shpresat e Shqipërisë për një medalje.


Megjithë përpjekjet për të mbrojtur ngjyrat e Kosovës në këto lojëra, kjo dëshirë nuk u realizua as për Majlindën e as për shumicën e qytetarëve të Kosovës për shkak të refuzimeve nga Komiteti Ndërkombëtar Olimpik. Komiteti nuk kishte pranuar as që Kelmendi të përfaqësohet me flamur neutral olimpik. Për të realizuar pjesëmarrjen ajo shkoi në Londër si përfaqësuese e Shqipërisë në saje të shtetësisë shqiptare që e posdonte gjithashtu.

Dhe ky ishte një shembull tipik, ndër shembujt e shumtë, të lidhjeve që ende mban politika e sporti.

Kosova si shtet i pavarur është njohur nga më shumë se 90 vende të botës, ndër ato që e kanë njohur bëjnë pjesë edhe shtetet skandinave, por jo edhe nga Kombet e Bashkuara gjë që për Komitetin Ndërkombëtar Olimpik është vendimtare.

Në rast se ky Komitet Ndërkombëtar do t´kishte qenë konseguent në vendimet e veta sigurisht se nuk do të shkaktonte irritacione. Por mjerisht historia na mëson diçka tjetër. Komiteti Ndërkombëtar Olimpik ka bërë dhe vazhdon të bëj lëshime të herë pas hershme.

Palestina psh u lejua të merr pjesë në Lojërat Olimpike që nga viti 1996. Ndërkaq katër vite më herët, më 1992 në Barcelonë, sportistët jugosllav dhe maqedon u paraqitën si individ të posaçëm. Maqedonët edhe sot detyrohen të garojnë me emrin e ashtuquajtur "Ish Republika e Jugosllavisë Maqedonia - FYROM".

Në vitin 2000 në Lojërat Olimpike në Sidnej, ju lejua Timorit Lindor që ti dërgonte sportistët e vet megjithëse ky vend u bë i pavarur tek në vitin 2002.

Ndërkaq nga historia e këtyre lojërave dihet se para 100 vitesh në Stokholm merrnin pjesë Finlanda dhe Bohemia megjithëse këto vende  atëherë i takonin Rusisë, përkatësisht Austrisë.

Asgjë tjetër veçse politikë. Politikë që në rastin e Kosovës shndërrohet në vjehërr që ka mëri renë e saj. Politikë që injoron mesazhin njerëzor të sportit.  Ky mesazh nënkupton veç tjerash që ushtruesit e kësaj disipline të trajtohen si anëtar të një familje ku secilit i garantohen mundësi të njejta. Një ide naive por e bukur kjo.

Leni sportin sport e politikën politikë./shs/