onsdag 30 maj 2012


BAJRUSH MJAKU ME SOKRATIN NË STOKHOLM


24 maj 2012 Stockholm/sh.sejdijaj/

Bajrush Mjaku
Aktori i njohur shqiptar nga Maqedonia, Bajrush Mjaku, u paraqit me sukse në teatrin politik të Stokholmit të njohur si Tribunal Theater. Në një nga skenat e këtij teatri u shfaq projekti teatral "Mbrojtja e Sokratit" ku rolin kryesor e luan Bajrush Mjaku. Ky projekt është mbështetur edhe nga produksioni i pavarur kulturor Interkult në Stokholm. Regjinë e kanë bërë Dritëro Kasapi dhe Dino Mustafiq. Në projekt luajnë edhe Besfort Idrizi e Ibrahim Xhemajli.

Projekti teatral "Mbrojtja e Sokratit" u luajt në gjuhën shqipe dhe në mënyrë simultane u përkthye në anglisht.


Siç dihet Bajrush Mjaku është një nga aktorët më të njohur në rajonin e vendeve të Ballkanit. Veç angazhimeve në rajon ai zhvillon një bashkëpunim të frytshëm me Interkultin e Stokholmit tash më shumë se një decenie. Me produksionet "Babai", "Zoo Story" dhe "Shënimet e një çmenduri" ka bërë turne në vende të ndryshme kurse me 24 maj u gjend në Stokholm me "Mbrojtja e Sokratit" që siç thot ai, ia kushton intelektualit e patriotit Ukshin Hoti dhe gjithë intelektualve tjerë të cilët dora e hekurt e forcave destruktive nuk arriti ti heshtë në misionet e tyre për liri dhe të drejta të njeriut.

Ky projekt merr peshë edhe më shumë për vendet e Ballkanit të cilat edhe sot e kësaj dite përballen me ndërtimin e demokracisë të përshkuar aktualisht me korrupcion ekonomik e politik dhe që ecin me agjendat e përcaktuara nga persona me kapital ekonomik.

Projekti teatral i Bajrush Mjakut u zhvillua në kuadrin e festivalit për të drejtat e njeriut të organizuar nga Teatri Tribunal i kryeqytetit suedez.