tisdag 12 april 2011

REGJISTRIMI I DIASPORËS ME LISTË SUPLEMENTARE


Reporteri Shuquri Sejdijaj interviston ambasadorin z. Lulzim Peci
Nga dita e parë e muajit prill të këtij viti Kosova nis edhe një ndërmarrje të madhe, një ndërmarrje që Kosovës i ka munguar që nga viti 1981. Pra në Kosovë fillon regjistrimi i popullësisë, i ekonomive familjare dhe i banesave. Ligji për këtë është kritikuar në disa raste, herë për vonesë e herë për nguti të miratimit të ligjit ashtu si dhe për trajtim joadekuat të qytetarve të mërguar në botë. Me ligjin e miratuar për regjistrim mërgata shqiptare trajtohet si popullatë jorezidente, dhe si e këtillë edhe do të regjistrohet.


Zoti Lulzim Peci, ambasador i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Suedisë, e vlerëson si ndërmarrje të jashtzakonshme dhe fundamentale regjistrimin e popullësisë në Kosovë.

- Regjistrimi i  popullësisë në Kosovë me siguri është një prej ngjarjeve apo zhvillimeve më fundamentale që do të ndodhë në Kosovë pasiqë regjistrimi i popullësisë po ndodhë pas 30 viteve. Në esencë asnjë shtet nuk mund të zhvillohet mbi parametra real nëse ai nuk e ka një regjistrim të popullatës. Ndaj me këtë rast dua tu përkujtoj që deri më tani i gjithë planifikimi në Kosovë në masë të madhe është bërë në projektime statistikore dhe jo me gjendjen reale që kemi në vendin tonë. Mendoj që regjistrimi i popullësisë është një ndërmarrje shumë e rëndësishme me të cilin Kosovës si shtet tani do ti mundësohet që të bëj një planifikim më të mirë edhe në aspektin zhvillimor të Kosovës por njëkohësisht do të fitohet edhe një pasqyrë e gjendjes demografike në Kosovë e cila është substanciale për vet politikat e qeverisë dhe mirëqenien e qytetarfve të saj, thot ambasadori Lulzim Peci.

Atëherë si qëndron puna me diasporën shqiptare?


- Diaspora jonë do të përfshihet në regjistrimin e popullësisë por në një formë të veçantë. Regjistrimi i kësaj pjese të qytetarve tanë në botë do të bëhet nga anëtarët e familjeve të tyre nëse këta nuk gjenden në Kosovë në kohën kur bëhet regjistrimi i popullësisë dhe kjo do të bëhet me një formularë të posaçëm, formulari S1, ku jipen të dhënat për personat që gjenden në diasporë, dmth të dhënat e tyre personale, vitin kur kanë dalë dhe arsyet që kanë ndikuar që ata ta lëshojnë vendin. Kështuqë, kur të kryhet ky proces do të arrihet një pasqyrë mjaft e sakt e numrit të qytetarve tanë psh në Suedi, Norvegji, Finlandë, SHBA e vende tjera. Kjo ndërmarrje do të na ndihmojë që për herë të parë Kosova do ta ketë një pasqyrë më reale të diasporës gjë që deri tani të dhënat për te na kanë munguar dhe po e them prap se është punuar me projektime të statistikave.
Me këtë rast ambasadori Lulzim Peci thekson:
- Regjistrimi i popullësisë realisht është fotografim i gjendjes në Kosovë. Një person që jeton jasht Kosovës, megjithëse nuk përfshihet në regjistrimin e banorëve rezident atëherë  për këtë shkak do të regjistrohet si banorë jorezident i Kosovës, porai gjithësesi gëzon të gjitha të drejtat si çdo shtetas tjetër i Kosovës; pra janë pjesë e regjistrit civil të Kosovës nëse regjistrohen, kanë të drejtën e pasaportës, të lejës së njoftimit, dhe siç e thash i gëzojnë të gjitha të drejtat që i gëzojnë qytetarët e Kosovës. Mirëpo një person nuk mund të ketë dy vende të rezidenës, sepse jetohet në një vend dhe për këte arsye ai klasifikohet sipas vendit ku jeton dhe pa humbur të drejtat tjera si qytetarë i Kosovës.

Megjithëkëte është vrejtur një lloj droje tek njerëzit tanë në mërgim.


- Nuk ka arsye për kurrfar droje. Bile unë do ti kisha inkurajuar njerëzit tanë që jetojnë në Suedi që të dhënat e tyre t´ua dërgojnë anëtarve të familjes në vendlindje në mënyrë që familjet e tyre në Kosovë të mund të transmetojnë tek zyrtarët e regjistrimit të dhënat e sakta për ta. Ata do të jenë pjesë e regjistrimit të popullësisë në Kosovë, por siç thash edhe më herët, ata do të cilësohen si banorë jorezident, pra si banorë që nuk banojnë në Kosovë. Do theksuar se regjistrimi i popullësisë në Kosovë bëhet sipas standardeve evropiane dhe Kosova ka arsye të jetë krenare që po bën këtë punë sepse Eurostati ka vlerësuar se janë bërë të gjitha përgatitjet sipas normave ndërkombëtare gjë që në krahasim me vendet tjera të rajonit Kosova ka ecur përpara ndërkohë që disa vende të rajonit ende nuk kanë marrë dritën e gjelbërt.

Atëherë kalojmë në një çështje tjetër. Si ka rrjedhur promovimi i ambasadës së Republikës së Kosovës në Suedi gjatë kohës nga themelimi e deri më sot?

- Mund të themi që me hapjen e ambasadës së Republikës së Kosovës në Stokholm marrëdhënjet e ndërsjella ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Suedisë u ngritën në nivelin më të lartë, pra në nivel ambasadorësh. Po ashtu me hapjen e ambasadës së vendit tonë në Stokholm u krijuan marrëdhënje shumë të mira me institucionet e Suedisë dhe bashkëpunimi bilateral po thellohet nga dita në ditë. Do theksuar gjithashtu që ambasada jonë po gëzon gjithnjë e më tepër respekt ndër radhët e trupit diplomatik në Stokholm megjithë vështirësitë ekzistuese me disa shtete të cilat nuk janë përkrahëse të pavarësisë së Kosovës. Bile në fillim ka pasur edhe tentativa për bojkotim të punës së Ambasadës. S ot Ambasada e Republikës së Kosovës në Suedi është anëtar i respektuar i trupit diplomatik.
Fokusimi i diplomacisë?
- Puna  diplomatike mvaret nga objektivat e politikës së jashtme  të Kosovës dhe nga prioritetet që përcakton kjo politikë.  Në konferencën e ambasadorëve në fund të marsit në Prishtinë do të diskutojmë për të gjitha çështjet vitale me të cilat do të mirren ambasadat e Kosovës në botë. Pritet të bëhet riformulimi i objektivave të politikës së jashtme dhe agjenda përkatëse operacionale  konform të cilave ne do të punojmë si përfaqësi diplomatike.
Ambasada në Stokholm do të mbulon edhe vende tjera pos Suedisë?
- Presim që së shpejti të përfundojë procedura e akreditimit në Finlandë dhe Norvegji  kurse më vonë edhe në ndonjë vend tjetër të rajonit.
Na thuani ju lutem çfarë janë kontaktet me bashkëatdhetarët në Suedi?
- Kontaktet janë të përditshme  përmes shërbimit konsullor të Ambasadës.  Poashtu që nga fillimi i punës tonë në Suedi kemi vënë kontakte me shoqata e klube dhe individ të dalluar në fushta të ndryshme të veprimtarisë në Suedi. Ndihma ndaj m ërgatës do të rritet me zbatimin e plotë të ligjit për mërgatën që është aprovuar më 2010, dhe në bazë të cilit është formuar edhe Agjensioni për Mërgatën pranë Zyrës së Kryeministrit . Po ashtu në bazë të këtij ligji është paraparë që në vendet ku ka shumë  mërgimtarë të krijohen Qendrat Kulturore të Kosovës për Mërgatën të cilat veç tjerash do të mirren me kultivimin dhe promovimin e kulturës e të arsimit për mërgatën. Me themelimin e këtyre qendrave do të kontribuohet në ruajtjen e identitetit por edhe në intensifikimin e kontakteve të mërgimtarve në fushën e kulturës, por edhe në sfera të tjera me vendin amë.
Jemi në shërbim të qytetarve tanë dhe përpiqemi që në çdo moment t’ju dalim krah në plotësimin e nevojave të tyre në bazë të ligjeve ekzistuese në Kosovë.
Ne jemi të vetëdijshëm që e gjithë ndihma nuk mund tu ofrohet në momentin e tanishëm  sepse korniza ligjore nuk është e plotësuar ende sa i përketë disa çështjeve teknike por, shpresojmë që shërbimi ynë konsulor së shpejti do të ketë edhe mundësinë e dhënjes së lejeve të njoftimit dhe të pasaportave.


Shërbimet konsulore
  • Për momentin procesohen kërkesat për pasaporta të Republikës së Kosovës  për persona që posedojnë lejet e njoftimit të Kosovës
  • Afrohet shërbim rreth kërkesave për lirim nga shtetësia e Kosovës
  • Përmbushen kërkesat rreth akteve të gjendjes civile, pra atyre që u lind një fëmijë në Suedi kanë mundësi që fëmijën ta regjistrojnë tek shërbimi konsulor
  • Bëhet regjistrimi i martesave, por edhe i vdekjeve
  • Lëshohen dokumente udhëtimi për një drejtim

- Me këtë rast dua të inkurajojë qytetarët dhe shtetasit tanë në Suedi që të regjistrohen në shërbimin tonë konsulor. Ky regjistrim nuk është obligativ por është më se i dëshirueshëm. Ky lloj regjistrimi përfshinë të dhënat personale dhe detajet e kontakteve, si telefoni, adresa fizike dhe e-mailat. Të dhënat e këtilla janë të nevojshme që në rast të ndonjë fatkeqësie natyrore ose diçka të ngjashme, të mund të vemi kontakt të menjëhershëm me qytetarët tanë për të marrë të gjitha masat e duhura për trajtim sipas gjendjes së jashtzakonshme. Ngjarjet e tilla nuk mund ti abstrahojmë, dëshirojmë që kurr të mos ndodhin por ne duhet të jemi të përgatitur edhe për raste të këtilla. Përkujtojmë këtu për pak kohë ngjarjet e ditëve të kaluara në Egjipt dhe angazhimet e Ambasadës së Kosovës në Turqi për tërheqjen e qytetarve të Kosovës nga vendi i krizës. Kjo është bërë edhe në rastin e Jemenit, në Japoni dhe në Libi, me ç’rast Qeveria e Republikës së Kosovës dhe përfaqësitë e saja diplomatike kanë provuar se kanë kapacitet për të i ndihmuar qytetarët tonë në vendet me rrezik të lartë të sigurisë, bile edhe në ato vend e nga të cilat nuk jemi njohur, thot z. Lulzim Peci, Ambasador i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Suedisë.
Nga ceremonia e dorëzimit të letrave kredenciale

Si është hapë ambasada e Kosovës në Suedi?
Mbretëria e Suedisë e ka njohur Kosovën dhe ka lidhë marrëdhënje diplomatike me Kosovën qysh në mars të 2008-ës dhe me këtë akt janë krijuar kushtet që të hapet ambasada e Kosovës në Suedi.
E gjithë kjo tani ka një histori procedurale: më 10 shkurt të vitit 2009 presidenti i Kosovës mori vendim për hapjen e ambasadës së Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Suedisë. Pas këtij vendimi, më 17 korrik 2009 është bërë nominimi i ambasadorit nga presidenti kurse pëlqimi apo agremani siç thuhet me fjalorin diplomatik, nga Mbretëria e Suedisë i mbrrinë Kosovës në fillim të shtatorit 2009 kurse më 15 shtator presidenti i Kosovës dekreton ambasadorin e Kosovës në Mbretërinë e Suedisë.

Më pastaj është zgjedhur edhe ekipi politik dhe konsullor dhe për herë të parë si ekip diplomatik arrinë në Suedi më 13 dhjetor 2009. Më 4 shkurt 2010 ambasadori i Republikës së Kosovës dorëzoi letrat kredenciale tek Mbreti i Suedisë, Carl XVI Gustaf dhe me këtë akt Kosova ka ambasadorin e vet fuqiplotë dhe të jashtzakonshëm në Mbretërinë e Suedisë.


Fakte për z. Lulzim Peci: U lind më 6 korrik 1966. I martuar ; Ka një vajzë.  Lexon shumë, sidomos rreth marrëdhënjeve ndërkombëtare, historisë dhe posaçërisht e do matematikën.
Prej gjuhëve të huaja flet anglishten, serbishtën dhe spanjollishten.
Me profesion është inxhinier i elektroteknikës dhe ka magjistruar në Marrëdhënjet Ndërkombëtare pranë Institutit Universitar Ortega y Gasset Në Madrid, Spanjë.
Një kohë ka punuar si ligjërues në Universitetin në Prizren në fushën e politikës së sigurisë politike kombëtare dhe ndërkombëtare.
Njihet si themelues i dy organizatave joqeveritare, Institutin e Kosovës për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED) dhe Fondacionin Kosovar për  Shoqërisë Civile (KCSF).
Ka qenë anëtar i disa organizatave profesionale e universitare si dhe ligjërues mysafir në Qendrën e Gjenevës për Politika të Sigurisë.
Ka bërë mbi 30 punime shkencore dhe studime të politikave në fushën e sigurisë, politikës së jashtme dhe qeverisjes të botuara në Kosovë, Austri, Gjermani, Zvicër, Britani të Madhe, Holandë dhe Japoni./ 22 mars 2011,Stokholm/.
Shuquri SEJDIJAJ