onsdag 22 december 2010

Ujiti lulet Liri!

Nga t´ia nis kësaj here?...E kisha menduar krejt ndryshe urimin e sivjem për festat e fundvitit. Pata shpresuar shumë se ti do të ktheheshe sivjet. Më i rritur, mbase tamam burrë do bëheshe... Po dora më dridhet, edhe lapsi në mes gishtrinjve. Më dridhen buzët, e vrej se po ligshtohem pa ndalë.

Me të thanë që kjo më ngjet sa herë të kujtoj ty më duket e panjerëzishme. Po ku ka nënë që s´kujton bijtë e bijat e saja. Ku ka nënë që në këto festa nuk don ti ketë bijtë dhe bijat e saja në sofrën e shpisë?..
Po këto janë dëshirat e mia Liri, dëshirat e çdo nëne, motre, vëllai...Ndoshta po presim kot, po hajt, edhe sivjet po ta ruaj vendin tënd në sofër...

Dhe kur çastet e fundit do ti lënë vend ditës së re të vitit të ri atëherë edhe unë si gjithnjë këto 11 vitet e fundit do të lutem për ty dhe gjithë të tjerët që s´ua dijmë gjurmët. Ishalla sivjet, bile të vdekur po na i kthejnë!

Heu Liri, kush e kishte menduar se kishe me u gëzua edhe të vdekur me të gjetë e më të qajtë si të vdekur!

Më fal Liri, po sonte nuk do të flas shumë, se janë çue peshë do lugetër kundër Kosovës dhe kundër gjithë atyre që rrokën armët për të mbrojtur lirinë e shpisë së vet. Shtihen si engjuj e paqedashës për t´ja bërë varrin të urtit, i cili  s´pati kah të shtyhet më tej dhe atëherë kur u mbështet për muri si thonë dy duar për një kokë...

Më fal Liri, por urimin s´po e shkruaj as nuk po e nis as kësaj here. Po fik dritat dhe po bëhme një me terrin e këtij funddhjetori tmerrësisht të ftohtë.

Po vrej se po ligshtohem pa ndalë e viti që po vjen s´di a më gjen. Nëqoftëse nuk do të jen tharë kur të kthehesh ujiti lulet Liri!/shs/dhjetor 2010.