onsdag 27 februari 2008

URIME KOSOVË

Në mëngjesin e 17 shkurtit të 2008 në lokalet e shoqatës shqiptare në Sätra të Stokholmit fillojnë të mblidhen shqiptarët me banim në kryeqytet dhe rrethinë. Nga ora 10:00 lokalet fillojnë të bëhen edhe më të ngushta se ç´janë në të vërtetë. Disa dhjetëra shqiptarë që erdhën nga Norrtälje dhe Nynäshamni pyesin se ku mund të parkojnë veturat. Muzika shqiptare gjëmon nga veturat. Njeëzit vijnë grupe-grupe, urojnë njëri tjetrin, përqafohen dhe që së largu i thërrasin njëri tjetrit "Bacë, u kry".

Rreth orës 11-të, kolona e veturave gati. E para, vetura e Shaniut, e stolisur me katër flamuj të mëdhenj: me flamurin shqiptar, suedez, amerikan dhe atë të UE. Muzika në kupë të qiellit.

Gati. Po gati jemi.

Kolona niset. Qendra e Stokholmit merr ngjyrën e shqiptarizmit, atmosferën e triumfit në këtë ditë të dielë të 17 shkurtit. Buritë e veturave shkyjnë ajrin. Klithma gëzimi. Disa kanë nxjerrur kokat ose gjysmën e trupit në dritaret e veturave, thërrasin Kosova! Kosova är självständig! Tack Sverige! Tack USA! Tack Europ! Kosova e pavarur, faleminderit Suedi, SHBA, Europë... Flamujt valojnë lart në ajr. Njerëzit të qeshur.

Urime pavarësia!
Rëndom tek sheshi i Sergelit në qendër të Stokholmit suedezët festojnë fitoren e kombëtares së tyre në futboll, ose të një atleti ose atleteje në ndonjë garë të madhe sportive, europiane ose botërore. Por jo, sot festojnë shqiptarët.

Me vite të tëra në këtë shesh, shqiptarët mblidheshin në protesta. Ngritnin zëra për padrejtësitë, për shtypjen dhe terrorin serb në ish-Jugosllavi...Edhe sot e kam të afërt jehonën e mijëra grykëve në këtë shesh: Drenicë jemi me ty, UÇK- UÇK, Kosovë, Demokraci...

Po, Sergel, edhe ty mund të themi: U kry! Sot shqiptarët kanë festë, po lind një shtet i ri në Europë, po lind Kosova e re, Republika Demokratike e Kosovës...

Nga qendra, kolona e veturave vazhdon marshutën e saj të së dielës 17 shkurt 2008. Qe pallati i teatrit mbretëror, Shaniu çan rrugën në krye të kolonës dhe ndalon pranë ambasadës amerikane në Gärdet. Shqiptarët hedhin valle, këndojnë...Faleminderit SHBA.

Marshuta vazhdon rrugës pranë Radios dhe Televizionit të Suedisë për të çarë edhe një herë rrugëve qendrore të Stokholmit dhe prap tek lokalet e shoqatës shqiptare në Sätra ku të gjithë së bashku ndoqën trasnmetimin e drejtpërdrejtë të shpalljes së Pavarësisë.

Fatmir Sejdiu, Jakup Krasniqi dhe Hashim Thaçi duke nënshkruar Deklaratën e Pavrësisë 
Shumë ishte folur, shkruar, debatuar dhe pyetjet ishin më se të shpeshta: kur? Një ditë do të vinte, dhe ajo erdhi: Kosova e pavarur.

Dhe derisa po nxjerr këto përshtypje nga bloku im i shënimeve, shtohet numri i vendeve që po pranojnë Kosovën si shtet të pavarur: SHBA, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia, Austria, Turqia, Shqipëria, Finlanda, Norvegjia, Polonia, Belgjika, Australia...lista vazhdon të mbushte nga dita në ditë.

Por ka edhe vende që janë të zemruara, madje tmerrësisht të zemruara si Serbia dhe Rusia dhe të disa "ligshtanve" si Greqia, Rumania, Spanja, Sllovakia e Qiproja që ende mbahen të rezervuara, megjithëse i dërguari i posaçëm i OKB-së Martti Ahtisaari, për statusin e Kosovës kishte konstatuar: " Pavarësia është e vetmja mundësi për një Kosovë stabile dhe ekonomikisht të zhvilluar. Prandaj propozoj që në periudhën e parë pavarësia e Kosovës të jetë e mbikëqyrur dhe e mbështetur nga një prani ndërkombëtare civile dhe ushtarake".

Dhe dihet më, pavarësia ishte e pashmangshme: askush nuk e kontestonte këtë, por vetëm donin ta dini, kur, ku dhe si.

Dhe kjo tani ndodhi. Pavarësia e Kosovës sot është realitet, një realitet që po njihet nga një numër gjithnjë e më i madh i vendeve të botës. Lajmi i mirë erdhi.

Urime Kosovë!
Shuquri Sejdijaj

lördag 16 februari 2008

Dhe vjen lajmi i mirë

Dhe erdhi vërtetë lajmi i mirë: Kosova shpall pavarësinë, ditën e dielë më 17 shkurt. Nuk ka agjensi botërore e lajmeve, televizion, radio apo gazetë që sot nuk publikon këtë lajm.

Shqiptarët janë hedhur në festë, në një festë mbi festa, të gëzuar më shumë se kurr ndojherë; që tani janë nisur në dasmë mbi dasma, për ti vënë kurorën e madhe - PAVARÊSI.

Kjo atmosferë përjetohet në Prishtinë, në Tiranë, në Shkup... në Stokholm, Malmö e Göteborg por edhe tek ambientet familjare shqiptare në çdo kënd të Suedisë, në çdo kënd ku jetojnë shqiptarët në botë.

Lajmi i mirë çoi shumë mërgimtarë në Kosovë për të përjetuar atmosferën e Festës së Madhe, bashkë me njerëzit e fisit të vet. Pjesa e mbetur përcjell pa ndërpre lajmet shqip përmes transmetimeve satelitore por edhe lajmet vendore të vendeve ku jetojnë dhe brohorisin sa herë dëgjojnë ose lexojnë: Kosova shpall pavarësinë. Gëzimi s´mund të matet, përqafohen dhe urojnë, urojnë edhe Bacën Adem: Bac u kry!

Lajmi i mirë erdhi. Nesër do festojmë. Buritë e kerreve do të jehojnë rreth sheshit Sergel në qendër të Stokholmit. Para dhjetë vitesh ky shesh shkyhej nga masa e tubuar shqiptare: UÇK,UÇK, Drenicë - jemi me ty...Nesër do jehojë buria e kerreve dhe mesazhi: Bac u kry!...