måndag 3 september 2007

ZGJEDHJET NË KOSOVË NË NËNTOR

Megjithëse ende nuk dihet se cila do të jetë e ardhmja e Kosovës, atje do të mbahen zgjedhjet e përgjithëshme më 17 nëntor të këtij viti. Kështu është bërë e ditur nga administrata ndërkombëtare dhe autoritetet e Kosovës.

Zgjedhjet e nëntorit mund ta rrisin tendosjen në Kosovë, vlerësojnë analist të ndryshëm. Madje edhe shefi i Unmikut, Joachim Rücker pat theksuar se zgjedhjet do të mund të shtyheshin për kurdo qoftë në rast se ato do të pengonin punën rreth vendosjes së statusit përundimtar.

Kohëve të fundit u spekulua shumë rreth mundësisë së ndarjes së Kosovës. Ministri rus i punëve të jashtme Sergej Lavrov thot se Rusia përpiqet ti ndihmojë palët në gjetjen e një kompromisi dhe nëse ndarja mund të rrjedh si rezultat i kompromisit atëherë edhe Rusia do ta mbështeste këtë ka thënë ai.

Por ndarja e veriut të Kosovës të banuar me serb është kundërshtuar si nga shqiptarët ashtu edhe nga serbët e Kosovës.

Përfaqësuesi i treshes ndërkombëtare nga UE Wolfgang Ischinger nuk është shprehur aspak optimist pas bisedimeve të javës së kaluar në Vjenë. Në një intervistë për gazetën ” Der standard” ai tha të premten e kaluar se një marrëveshje është ” një mijë herë më e mirë” se një zgjidhje e cila pranohet vetëm nga njëra palë.

Negociatat janë paraparë si një përpjekje për të thyer gjendjen e vdekur ku ka ra çështja e Kosovës prej se Serbia me mbështetjen e Rusisë kundërshtuan definitivisht planin e të dërguarit të OKB-së Martti Ahtisaari sipas të cilit Kosova do të fitonte një pavarësi të mbikëqyrur.

Liderët shqiptar të Kosovës ndërkaq ende shpresojnë në marrjen e një vendimi për pavarësimin e Kosovës deri nga fundi i vitit. Nëse kjo nuk do të ndodhë atëherë ata planifikojnë shpalljen e pavarësisë në mënyrë të njëanshme.

- Ne jemi të gatshëm që edhe pa rezolutë të OKB-së ... ta shpallim pavarësinë tonë dhe lusim SHBA dhe UE që të na njohin, ka pohuar të premten kryeministri i Kosovës Agim Çeku, bëjnë të ditur agjensitë e lajmeve.