torsdag 30 augusti 2007

A DUHET TË PUBLIKOHET ÇDO GJË?

Tridhjetë gushti bie si ditë e lirisë së shtypit. Por qytetari i rëndomtë pak di për këtë datë. Madje në tv dhe radio fare pak u zu në gojë. Kurse gazetat e ndryshme në Suedi sot bën një fushatë mediale në edicionet e veta duke komentuar, analizuar e vlerësuar rëndësinë e të drejtës së shtypit ose shprehjes së lirë.

Megjithëse Suedia mund të mirret si model në këtë fushë dhe që posedon një përvojë të gjatë në drejtim të realizimit të një shtypi të lirë dhe të kultivimit të shprehjes së lirë ndoshta më mirë se askund në botë, gazetat e sotme u shqetësuan nga një hulumtim i bërë me parlamentarët suedez ku një numër i madh prej tyre ndoshta do të deklaroheshin pozitiv në ngushtimin e lirisë së shtypit në disa raste.

E përditshmja “Dagens Nyheter” në editorialin e saj solli një koment mjaft të mirë për lirinë e shtypit. Aty theksohet ndër tjera se arti i shtypit është nënë për të gjitha revolucionet e medias. Pa të, asnjë demokraci, asnjë përparim social, asnjë shoqëri moderne, asnjë liri nuk do të ekzistonte. Njëkohësisht thuhet se mediat e reja ishin armë në duart e regjimeve totalitare, si për nazistët dhe fashistët ashtu edhe për komunistët. Gazetat e përditshme kontribuan në nxitjen nacionaliste në prag të Luftës së parë botërore kurse gjatë Luftës së dytë botërore disa gazeta suedeze u zvarriten pas Hitlerit.

Brengos fakti se në disa vende të botës gjendja e lirisë së shtypit ndodhet në situata të kohës mesjetare!

Sueia ndërkaq afron kushte të mira për këtë. Nuk mund të ketë shtyp të lirë e liri të fjalës pa një shoqëri të hapur dhe integrale.

Megjithatë shtrohet një pyetje: a duhet të publikohet çdo gjë?