fredag 29 juni 2007

Në pritje të një lajmi të mirë

Kjo javë ishte me shi në Stokholm. Në Kosovë, Shqipëri e gjithandej nga Ballkani mbretëron verë përcëlluese. Londra përballohet me vërshima uji nga të reshurat. Shpërthime zjarresh lajmërohen në disa qytete tjera.

Problemet e ndotjes së ambientit dominojnë agjendat e ndryshme të politikanëve e diplomatëve botëror. Uria vret njerëzit në Afrikë megjithë ushqimet e mëdha e të tepruara që hudhen krejt pa nevojë në botë!

Çamët në Shqipëri përkujtojnë dhunën e përzënjen me dhunë nga trojet e veta tash nën Greqi. Greqia bëhet sikur s´dëgjon fare, mbase i kanë rënë veshët tek thembrat?! Po as politikanët shqiptar nuk bëjnë aq!

Kosova ndërkaq ladrohet nëpër deklarata e forume vendore e ndërkombëtare. Përpilimi i simboleve dhe stemës së ardhshme të shtetit më të ri evropian ka ngritur interesimin e më shumë se 1 000 projektpropozimeve. Debatohet shumë për një lloj identiteti të ri - kosovar. Kujtoj se ky debat është i vonuar dhe po zhvillohet nën diktatin e Unmikistanit ( UNMIK - misioni i administratës ndërkombëtare të OKB-së në Kosovë).

Më 28 qershor disa qindra serb ia mësynë Kosovës për të vizituar Gazimestanin, një vend afër Prishtinës ku sipas mitit serb, serbët pësuan disfatë nga forcat e perandorisë turke. Pse serbët festojnë humbjen? Me këtë ata bëjnë një lojë të rrezikshme sepse duan ta mbajnë gjallë ndër të tashmit dhe të ardhmit se "Kosova paska qenë djep i serbizmit". Shpjegimet shqiptare janë tjetërfare dhe nuk do të ndalem në përshkrimin që i bëjnë por dua të vë në dukje se Kosova nga serbët përdoret më tepër si "djep i politikës serbe".

Mesjeta me gjithë errësirën e kohës së vet i mban hije edhe kohës së sotme. Pjesëtarët e një far "Garda e car Dushanit" hynë në Kosovë, por të detyruar nga policia e Kosovës u ndalën, çuan duart lart, i hapën këmbët dhe u zhveshën nga rrobat ikonë. Mitet vazhdojnë, Serbia di ti përdorë këto dhe luan ende: pse jo, në pazar gjithëmonë ka dalur me mall të huaj!

Lajmet s´kanë të sosur. Janë të shumta. Sa vdesin lindin të reja, por ende nuk mbrrin Lajmi i Madh, sa shumë po e pres!

torsdag 21 juni 2007

Lajme të vonuara pak

Magjia e përleshjeve vazhdon si në arenën ndërkombëtare edhe në Suedi.Po filloj me Suedinë.

Afër 110
persona u kapën nga policia në Stokholm për trazira dhe prishje rendi pas një ndeshje futbolli derbi ndërmjet Hammarby-s dhe Djurgården. Kjo ndodhi të martën në mbrëmje me ç´rast u dëmtua gati plotësisht një restorant në Östermalm, në qendër të Stokholmit.

Siç duket, lider i ardhshëm i partisë popullore të Suedisë do të jetë Jan Björklund. Të premten e kaluar ai u nominua unanimisht nga komisioni partiak i zgjedhjeve si kandidat i mundshëm i kësaj partie. Jan Björklund aktualisht është ministër i shkollave.

Sipas propozimeve të partisë suedeze moderate së shpejti qytetarët në Suedi nëse sëmuren do të përfshihen edhe nga një ditë e dytë që këtu quhet "karensdag", ditë që nuk kompenzohet në rast sëmurje. Tash për tash nuk kompenzohet dita e parë e sëmurjes kurse propozimi i moderatëve ka të bëjë me aplikimin e dy ditëve të këtilla. Zyrtarisht thuhet se qëllimi i kësaj lidhet me pakësimin e pushimeve mjekësore dhe të pensionimeve të përkohshme.

Nga diplomacia botërore për shqiptarët dominojnë dy tema: e para që nuk heqet fare nga rendi i ditës ka të bëjë me të ardhmen e Kosovës. Magjia diplomatike sikur ka ngelur në sharrë pas kundërshtimeve ruse e cila tash për tash se ka mendjen ta përkrah rezolutën e re të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën të bazuar në planin e Ahtisaarit. Tash propozohet një shtyrje prej 120 ditësh. Kuesh e di si do të ecën puna më tej. Vajzat në Kosovë u këndonin misitëve dikur: herë n´at ejte, her n´kët ejte, Hamit mësiti shumë na rrejte..."

Dhe dyta, ka të bëjë me emrimin e një kandidati të ri për president të Shqipërisë. Konfliktet politike për presidentin e ardhshëm po vazhdojnë dhe prap e kemi vështirë të dakordohemi. Kush do të mund të bëhet president i Shqipërisë? A do të mund ta zgjedhim vet apo prap të na rekomandojë bashkësia ndërkombëtare?

Sonte kur po shkruaj ndërkaq në Bruksel janë mbledhur shefat e shteteve e të qeverive të UE në një takim dyditësh për të diskutuar projektin e kushtetutës së ardhshme të UE. Ndër të tjera do të bëhet fjalë edhe për Kosovën. Të shohim... Ne jemi mësuar të presim, jemi bërë popull në pritje!

tisdag 19 juni 2007

Sa e etur që jam


Fotografia është dt.6 qershor 2006 Klara e etur i jep shenjë Rinës: dua ujë...

måndag 18 juni 2007

Rraskapitja moderne apo "shoqëri 24 orëshe"

Secila gjeneratë ka përjetimet e veta dhe vulën e kohës për të cilën flet ose e rikujton në mendje. Kur dua të hedh në letër disa nga këta përjetime në mendjen time më sillet si një film retroaktiv fëmijëria ime: ngriheshim që herët, prindërit më herët se ne fëmijët dhe binim të bënim gjumë gati me terrin e parë. Nga kjo si duket ka mbetur edhe ajo shprehja - po flenin me pulat, se pulat ia krisnin gjumit sa perëndonte dielli! S´na ngutej për asgjë: as dinim e as që kishim dëgjuar fare për fjalën stres. Kush fliste për stresin?

Po kështu, para 20- 30 vitesh, kishte ende një far rregulli, një farë orari. Atëherë dinim se kur fillonte dhe mbaronte një program televiziv.

Sot?
Maezallah! Se di njeriu kurr se kur fillojnë lajmet e të mos flasim se kur mbarojnë. Po të ketë pasur kryeministri ndonjë mysafir të jashtëm t´ia fusin speciale mbi speciale! Po programet e tjera? Aferim atij që mund ta dijë se çfar programi do të mund të ndjek në TV-të shqiptare, së paku për ne në diasporë, se ndjek vetëm programet satelitore këtu...

E sotshmja ka edhe shumë shoqërime tjera: a mundet dikush të kalojë një ditë pa shikuar së paku njëherë i-mailin, ose pa dërguar një mesazh me celular? Vrap të zësh metron! Në ora 13:15 ke një kohë te dentisti! Prap te puna! Ua iku dita, një takim nga ora 18-te te shtëpia e kulturës, uh qyqja, librin duhesh ta lësh në bibliotekë. Nga ora 20-të aerobik...A numrohen të gjitha? E pamundur. Të gjitha shtohen dhe nuk sosen as në orët e pasmesnatës...Dhe kështu rraskaptija është e pashmangshme, jetojmë në të ashtuquajturën "shoqëri 24-orëshe"!

Përfundimisht na del rezultati: gjendja mentale në rrezik! Jemi të pushtuar nga çdo anë.

Mendoni për pak këtë gjendje: nga ora 17-të marr metron për në shtëpi, tërsisht në vrap. Sa futem në tren bie celulari im, po bien edhe celular tjerë, gati pas çdo minuti dikush në vagonin e trenit flet me dikë nëpërmjet celularit. Ka nga ata që edhe ngrisin zërin! Ti je aq i lodhur dhe ke qej të mbyllësh sytë pak rehat. Kur papritmas në vagon ia kris muzika. Dy persona, rumun ose rus, ose kush e di se çfar mund të jenë, thuase janë në pikë të disponimit, bëjnë muzikën e tyre dhe për këtë duan ndonjë lek si shpërblim pa detyrim... Dhe ky lloj filmi s´është fiksion për një përditshmëri 24 orëshe. Amani more se luajtëm menç.

Po shyqyr që më në fund edhe në Suedi erdhi vera dhe të shohim nëse edhe në këto pushime a po mund të jemi rehat. Sigurisht se do të jemi rehat por vetëm atje ku s´ka rrjetë celulari dhe lidhje interneti e as metro... të shohim.

torsdag 14 juni 2007

Si katror i rrethuar

Se ç´mu kujtua sonte një tregim nga antika greke. Atëbotë, filozofët qenkan konsideruar si shtresa më e çmuar dhe më intelektuale e shoqërisë. Filozofët sipas kodit të atëhereshëm shoqëror nuk bënte ti nënshtrohej as mbretërve.

Por një filozof, tani s´më kujtohet emri i tij, paska pasur nevojë të ngutshme. Duke ecur pranë një shkolle kalon mbreti dhe filozofi i del para, përkulet para tij dhe ia shtron kërkesat...

Kur kthehet tek kolegët e tij, ata po e përqeshnin.

- Çfar filozofi na qenke ti kur i përkulesh mbretit?!
- Çfar faji kam unë kur mbreti ynë ka veshët në thembër, përgjigjet tjetri...

E gjithë kjo mu rikujtua duke lexuar një reportazh interesant tek e përditshmja suedeze "Dagens Nyheter".( Për ata që jetojnë jasht Suedisë "DN" është një gazetë e përditshme, nga më të mëdhatë). Reportazhi poashtu ka një titull interesant: "Koloni Kosova".

Autori sjell para lexuesit lakuriq korrupsionin e tmerrshëm ndër nëpunësit e zyrtarët ndërkombëtar, që marrin ajkën, duke bashkëpunuar me abuzuesit e imtë lokal.
Poashtu, sjell si në shuplakë, pushtetin "perandorak" të ushtruar nga disa guvernator që në Kosovë janë ndrruar aq herë për këto tetë vitet e pasluftës. Piramida e OKB-së, sipas reportazhit i gjason kohërave perandorake dhe kanë krijuar si duket edhe perandor " me vesh në thembra".

Mjerisht " andej e këndej" shqiptarët i përcjell një fat i keq. Sa mendon se hë tani, bëmë diçka të bukur ngritet një medium dhe ta fut flakareshë duke ta ngjeshur me "sahatin e Bushit" ose të diçkaje tjetër.

Një dele duke kërcyer gardhin iu ngjit bishti lart dhe disa dhi ia panë. Filluan ta përqeshin.

- Ç´keni zonja, unë ua shoh përditë dhe su bë nami, ua kthen delja...

Reportazhi për " Kosova koloni" është shumë realist, puna e sahatit, sikur është sqaruar, por edhe dhitë duhet ta kenë kuptuar "zbulesën" e vet.
Ua, se ç´shkruaj edhe unë sonte!Jemi bërë si katror i rrethuar!

måndag 4 juni 2007

PRAP FUTBOLLI

E shtuna e kaluar u përshkua nga një skandal futbolli. Shtypi si gjithnjë kishte një rast të mirë për ti mbushur faqet e veta me tituj nga gjithëfarësh.

Në Kopenhagë u takuan Danimarka me Suedinë, një ndeshje e vlefshme për kupën europiane. Në çastin kur rezultati ishte baras, tre më tre, gjyqtari referon një gjuajtje dënimi për suedezët nga një pozitë e volitshme për të shënuar gol dhe tani shkrep çudia! Një tifoz, nën ndikimin e alkoolit, futet në fushë dhe godet gjyqtarin. Gjyqtari ndërpret ndeshjen dhe rezultati prelimar zyrtar 3:0 për Suedinë...Vazhdojnë diskurimet e debatit: një palë, se gjyqtari kishte gabuar ose se ai kishte të drejtë!
Unë them se nuk kishte të drejtë ta ndërpriste ndeshjen as nuk do të duhej ndërpre ndeshjet për raste që kalohen shpejtë. Qe pse: një llogjikë e tillë e ndërprerjes së ndeshjeve do të krijonte një lloj efekti domino për kombëtaret që kanë gjasa të pakta për të fituar lojën. Dhe nëse loja s´mund të fitohet në fushë atëherë gjeje një person "të dehur" i cili nga fundi i ndeshjes futet në fushë, ia fut dy tre grushta gjyqtarit, ky ndërpren lojën dhe duke qenë se ekipi më i fortë luan si vendës llogaritet se "skandalozi" si tifoz i vendësve dhe rezultati regjistrohet si 3:0.

Në rastin e Suedisë me Danimarkën kjo s´mund të ndodhte por mendoj si përvojë UEFA duhet të ketë kujdes me këso lloj grackash.

Ndërkohë që kombëtarja shqiptare kësaj here na gëzoi së paku me rezultatin 2:0 kundër Luksenburgut. Uroj për fitore të reja... O sa mirë me qenë shqiptar!